ILIR DEMALIA: NGJARJA E AMBASADAVE ISHTE NJË GODITJE FATALE PËR REGJIMIN KOMUNIST (II) FOTO+VIDEO

Pashtriku.org, 14. 01. 2015 – Ilir Demalia, i konsideruar si organizator i ngjarjes së ambasadave, deklaron se pas hyrjes në ambasada nuk fshihet asnjë konspiracion dhe agjenturë, por gjithçka ishte si reaksion i ngjarjeve në Europën Lindore si dhe i revoltës së shtuar brenda vendit si shkak i krizës së tejskajshme ekonomike. Ai pohon se hyrja në ambasada nuk ka lidhje me UDB, duke shtuar se jo rastësisht asnjë nuk hyri në ambasadën jugosllave në Tiranë. Por, Ilir Demalia, pohon se ngjarja e ambasadave ishte një goditje fatale për regjimin komunist. Demalia flet edhe për kontaktet dhe bisedat me shkrimtarin e shquar shqiptar, Ismail Kadare, pas torturave në Degën e Punëve të Brendshme në Tiranë dhe demonstratës së heshtur. Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “SOT”, Demalia sjell detaje rreth largimit nga Shqipëria, porosive të fundit të zëdhënësve të Ramiz Alisë si dhe mbi tendencën e mëvonshme për të manipuluar ngjarjet nga personazhe që kanë luajtur në të dy krahët.

– Ilir Demalia –

SOT: Revolta e shqiptarëve ndaj sundimit komunist u kulmua me mbushjen e ambasadave. Cili është mendimi juaj për këtë ngjarje dhe veshja e saj me disa teori, sipas të cilave fshiheshin edhe agjenturat e huaja?
ILIR DEMALIA:
Ngjarja e ambasadave siç përmenda dhe më lart, është reagim i gjithë ngjarjeve që ishin zhvilluar në gjithë Europën Lindore dhe zhvillimin e ngjarjeve pararendëse në Shqipëri që pas 25 Dhjetorit 1989 me vrasjen e Çausheskut, ku ashtu siç pati parashikuar Presidenti Regan me sfidën dhe me luftën e yjeve, “do të detyronte komunizmin të lypte nëpër rrugë” dhe kështu në fakt ndodhi.

Ramiz Alia vazhdonte, megjithëse kishin rënë gjithë vendet komuniste në gjithë Europën se,”Shqipëria do të mbetet socialiste dhe fenomenet e Lindjes nuk do ta pushtonin Shqipërinë”. Ky qëndrim i kryetarit të shtetit shqiptar dhe gjithë kastës komuniste ku “MURI TURPIT” i kishte zënë përfund dhe këto shihnin ëndrra me sy hapur me “Fanarin Ndriçues”, tregonte gjendjen e mjeruar të asaj nga kush udhëhiqeshin shqiptarët.
Kjo situatë me intelektualët apatikë dhe në krah të regjimit, bënte që shqiptarët, e sidomos të rinjtë, të mendonin se e vetmja rrugë ishte largimi nëpërmjet kufirit dhe sipas modelit në Europën Lindore me depërtimin në ambasadat e huaja. Unë nuk di dhe nuk mendoj që të ketë pasur organizim për hyrjen në ambasada si dhe për shumë ngjarje të tjera gjate vitit ‘90 si dhe tek studentët. Nuk më rezulton kështu edhe sepse mungojnë faktet, por edhe me arsyetimin se lëvizjet kanë shtrirje kohore, organizim, struktura, aktivitete legale apo ilegale. Ku janë këto lëvizje në Shqipëri deri më 8 Dhjetor të 1990?! Kjo nuk i jep të drejtë Xhelil Gjonit, në të kundërt arsyeja përse nuk pati lëvizje është se diktatura shqiptare krahasuar me vendet e tjera komuniste, përfshi dhe Rusinë, ishin si ferri me parajsën.
Shkaqet janë dhe nga mungesa e kulturës demokratike, ngaqë si vend rural dhe pa infrastrukturë informacioni e komunikimi kishim një popullsi me 78% fshatarësi katundare në kufijtë e bujkrobërisë. Pra, diktatura dhe kjo mendësi katundare ka bërë që Shqipëria të jetojë një diktaturë dhe kontroll deri në qelizat e familjes sidomos mbas vitit 67-të me ndalimin e fesë dhe eliminimin e klerit e persekutimin e atij katolik, mbaroi çdo lloj aktiviteti, lëvizje legale a ilegale kundër regjimit. Kjo është një temë që duhet diskutuar gjatë, por jo në këtë intervistë. Njerëzit që hynë në ambasada ishin shtresa më e vuajtur dhe më e pashpresë, shumë nuk hynë si qëllim në vetvete me një aksion politik për të rrëzuar regjimin. Pjesa më e madhe hynë duke shfrytëzuar situatën me të vetmin qëllim për të dalë jashtë shtetit dhe, për të parë jetën e tyre siç e tregon dhe jeta e tyre më pas dhe një gjë krejt normale. Njerëzit e futur në ambasada, pjesa më e madhe ishin punëtorë me kualifikim të mesëm ose të ulët. Kishte nga të gjithë shtresat që nga hallexhi, e shumë pak një përqindje fare e vogël e papërfillshme ishin me një kualifikim dhe një objektiv politik. Shumë pak të burgosur politikë. Pavarësisht se si, veprimi i njerëzve që hynë në ambasada u kthye në një veprim politik. Fakti që u bë problem ndërkombëtar i një krize diplomatike të paparë në historinë e Shqipërisë, por edhe atë botërore siç pohon ambasadori gjerman Down në një intervistë te OPINION për ngjarjen e ambasadave, tregon qartë se ky akt goditi rende politikisht regjimin.
Ka dy versione që nuk pushojnë në lidhje me ambasadat:
1. I hapi vetë regjimi.
2. I përgatitën agjenturat e huaja e sidomos ajo jugosllave.
Këto të dyja nuk mund të qëndrojnë bashkë, se me këtë logjikë, nëqoftëse i ka hapur shteti, atëherë i bie që paska qenë vetë shteti në shërbim të agjenturave të huaja. Kështu ka thënë R. Alia, kështu Dilaver Bengasi shefi i policisë së Republikës deri në ’90, kështu dhe Sh. Xhelil e kështu plot të tjerë që tregojnë se sa të errësuar janë akoma nga fantazma e krimeve, ku duke dashur t’i mbulojnë krimet e tyre, zbulohen më keq si struci. Ramiz Alia, fill pas ngjarjeve të Korrikut, në plenumin e mbledhur posaçërisht për këto ngjarje përsëri ngul këmbë se Socializmi Shqiptar do të mbijetojë dhe këtë e garantonte dhe “dora e fortë”që kishte sjellë posaçërisht ato ditë nga Dibra si numri 2 pas tij. Në këtë plenium vetë R. Alia thotë se në natën e 2 Korrikut janë hedhur parrulla politike, si Enver Hitler! Muho Asllan, Sllobodan!
Pra po të shohësh dokumentet dhe proces-verbalet, raportet e asaj kohe të shtetit shqiptar, nuk del kërkund që këto diskutojnë për hapjen e ambasadave, nuk del askund të flitet për shërbim agjenturash, por flitet se “po na bien brekët dhe hajde të shtrëngojmë ushkurët” dhe i shtrënguan mirë, aq mirë sa sot vetëm për brekë harxhojnë para pa hesape se i duan Versaçi, e Viktoria Secret që kushtojnë nga 100-200 Euro, pa diskutuar për një gjendje të dalë jashtë kontrollit. Vetë Ramiz Alia kur është pyetur më vonë për hapjen e ambasadave nga vetë shteti në librin “Unë Ramiz Alia Dëshmoj për historinë” në f. 153 ka thënë: Ngjarja e ambasadave ishte diskretituese për qeverinë dhe shtetin tonë, prandaj do të ishte një bumerang i vërtetë politik po ta organizonte ajo”. Janë munduar ta komplikojnë ngjarjen e ambasadave me 2 Korrikun e Kosovës, shpalljen e Kushtetutës si R.Alia, si Dilaver Bengasi, si Sh. Xhelil e si shumë të tjerë duke bërë shpifje pa baza, pa fakte dhe me papërgjegjshmëri, siç deklaron Xhelil Gjoni në intervistën e fundit se në ambasadën jugosllave kanë hyrë 12 vetë atë ditë? Absolutisht asnjë.

Korrik 1990: Ramiz Alia dhe shqiptarët në ambientet e ambasadës gjermane.

SOT: Megjithëse kur ambasadat e tjera u blinduan, ambasada jugosllave u la me dy policë! Përse shteti shqiptar e la të lirë ambasadën jugosllave?!
ILIR DEMALIA:
Këtë të sqarojë Sh. Xhelil! Mund të kishin hyrë dhe tek jugosllavja siç hynë tek kubania apo kinezja dhe i nxorën jashtë, por fatmirësisht nuk hyri asnjë tek jugosllavja megjithëse pjesa dërrmuese e atyre që hynë në ambasada as nuk dinin se çfarë po ndodhte në Kosovë. Edhe ajo që i mëshon vetëm 2 Korrikut është e qëllimshme, pasi shpërthimi i ambasadave me individë ka filluar që në Shkurt e ka vazhduar me hyrjen e 2-3 vetëve e pastaj me largimin e Popajve, vërshuan. Kanë kaluar 25 vjet, Xhelil Gjoni ka pasur shtetin në dorë, përse nuk nxjerr një fakt të dokumentuar, se kush ishin agjentët e shërbimeve të huaja për ngjarjet e ambasadave ku sipas Xhelil Gjonit, Bengasit, Alisë e shumë të tjerëve, i ka drejtuar ambasada jugosllave si drejtuese e ambasadave gjermane, italiane, franceze etj?
E kuptoni çfarë flet ky njeri, në një kohë që Jugosllavia kishte filluar procesin e shpërbërjes dhe ishte në krizë të thellë ekonomike, ky thotë se drejtonin gjithë trupin diplomatik serbët?! Manipulon dhe kur thotë deklaratën e Millosheviçit për paratë e harxhuara nga buxheti Serbisë kur shkruan se ai Millosheviçi ka thënë,”ku janë paratë? Ja ku e keni Shqipërinë!” Kjo thënie e Millosheviçit është mbas ‘97 pra, për atë çka ndodhi nga njerëzit e XH. Gjonit. E kështu manipulojnë dhe njerëzit e futur në ambasada, për të marrë kot më kot, sidomos tani mbas 23 vjetësh janë kujtuar se duhet me thënë diçka se është bërë deti kos! Y. B përshembull në emisionin e bërë në 2010 për ambasadat nga Fevziu, thotë se: “Kur u bëmë gati për t’u larguar nga ambasada na ndanë burrat veç, gratë veç e kështu na hipën në autobusë… (a thua se ne kishim hyrë në ambasadën e Talibanit”.
Fevzo, ndërsa jep Y. B duke folur, jep dhe pamjet e të strehuarve në ambasadë duke zbritur nga autobusët burra, gra, fëmijë bashkë! Më vonë Y.B tregon se si i priti Gencer në Gjermani, gjë që nuk është e vërtetë. Ka plot gjëra të tjera që gënjejnë…. E thashë këtë për të thënë se sa të pakujdesshëm e të papërgjegjshëm jemi ne kur shkruajmë për historinë dhe siç na kanë lënë paraardhësit tonë një histori rrenash e mitesh të manipuluara, në atë rrugë po ecim dhe ne, për atë ç’ka po i lëmë fëmijëve tanë. Si përfundim, mendoj se ngjarja e ambasadave nuk ka pasur ndonjë organizim apo strategji, por si rrjedhë e ngjarjeve pararendëse, në mënyrë instiktive, njerëzit u futën në veprim dhe ky veprim me ngjarjen e ambasadave, ishte goditje politike për regjimin.

Brindizi, më 13 korrik 1990: Mbërritja e rreth 5000 shqiptarëve të ambasadave.

SOT: Ju folët për ambasadat por nuk folët për rolin tuaj si organizator, si njeri që u bëtë simbol në ngjarjen e ambasadave, e ju, dhe më parë, kishit qënë një zë i mosbindjes civile, kurajos qytetare dhe në ngjarjen si ajo e demonstratës së heshtur në Janarin e 1990. Mund të na shtjelloni pak më gjatë rreth kësaj?
ILIR DEMALIA:
Siç thashë më lart, historia nuk bëhet me, më the të thashë, i tha më tha… Pra po e përsëris se po abuzohet shumë me trillimet e manipulimet e historisë sipas dëshirave e marëdhënieve personale, e këtu rolin më negativ po e luan media që siç përmenda më lart, po tregon jo vetëm papërgjegjshmëri, por dhe manipulojnë për interesa marrëdhëniesh me pushtetarët e radhës apo dhe të tjera….Veprimet dhe gjithçka e imja në lidhje me këto që më thoni janë publike, kanë vend, kohë dhe njerëz. Nuk kam qenë organizator dhe as kam organizuar askënd në lidhje me shpërthimin e ambasadave. Ajo çfarë unë kam bërë është brenda në ambasadë, jam munduar që t’i japë këtij grupimi dhe akti ngjyrë politike. Të gjithë ata që më njohin e dinë se kam qenë një njeri jokonformist, i rebeluar dhe me kurajo civile për sa ishte mundësia, jo se kam bërë ndonjë heroizëm se sot më shumë kemi heronj se njerëz normalë, më shumë dhe fatkeqësisht kriminelët dhe spiunët se njerëz normalë dhe kjo një temë tjetër.
Kam shkruar një peticion në ambasadë, ku në një bisedë që pata me disa të strehuar, ish të burgosur politikë për këtë gjë se si mund të bëjmë një peticion që mos dalim si… nuk ma pranuan. Ky peticion i drejtohej organizmave ndërkombëtare dhe shtetarëve perëndimorë që ju dorëzua z. Down. Pika tetë ishte kjo: “Nuk largohemi nga Shqipëria si njerëz që nuk e duam atdheun. Ky veprim i yni është një protestë e hapur kundër politikës absurde mesjetare të tiranit Enver Hoxha e beniaminit të tij R Alia”. Dilaver Bengasi, shefi policisë së Republikës në atë kohë, në një libër prej 100 faqesh që ka shkruar, në 12 faqe merret vetëm me mua dhe më asnjë tjetër nga 5300 vetë që hynë në ambasada. Ndërmjet të tjerave shkruan se unë isha njeriu më i urryer nga qytetarët e Tiranës ato ditë. Besoj nuk ka nevojë për koment. Më pas edhe pas daljes nga ambasada kam intervista, shkrime që dhe sot megjithëse kanë kaluar 24 vjet nuk u heq një presje dhe nuk mund të më thotë njeri që ka një të pavërtetë ose kam manipuluar me të vërtetën me qëllim në dijeninë time.
Dilaver Bengasi dhe Xheli Gjoni, R.Alia dhe gjithë kasta e kriminelëve shkruajnë se shpëtuan Shqipërinë nga gjakderdhja dhe bënë zbritjen më të butë në gjithë lindjen? Nuk po flasim për krimet e ‘45 vjetëve që ka bërë rrëgjimi, por për ‘90′, ku këto referohen për të marrë kredi: Të vrarët në kufi gjatë vitit ‘90 kur ishte hequr kalimi i kufirit si tradhti me ligj. Kam qenë prezent diku në muajin maj në Sarandë, kur vratë një njeri dhe trupin e tij e vutë sipër motoskafit të shoshitur nga plumbat dhe e shëtisnit bregut të Sarandës për terror. Dy të rinjtë në Shkodër po në këtë kohë që i vratë dhe të hipur në karroceri e një kamionçine, i kishit lidhur si Krishti lidhur me telat e kufirit dhe i shëtisnit nëpër Shkodër. Është një qytet i tërë dëshmitar. I vrari në ambasadën gjermane 17 vjeçar… Pra përpos të tjerash, ju të gjithë duheni dënuar si njerëz që keni shkelur dhe kaluar kompetencat e ligjeve të asaj kohe. Ju as nuk keni njohur kurrë ligj, ju jeni njerëz që njihni vetëm krimin se vetëm kështu mund të mbijetoni dhe po mbijetoni. N.q.s këto nuk ju duken gjak i derdhur atëherë nuk di çfarë quan gjak e krim Xh. Gjoni? Mos ndoshta presidenti Nishani, meqë ka marrë thasë dekoratash e po i shpërndan si stema të “miqësisë shqiptaro-kineze” le t’i japë dhe një “Nderi Kombit” Xh. Gjonit.

Enigma, July 2 2008, Ilir Demalia 1 (Vrasja e 17 vjeçarit)

( … )

SOT: Çfarë mund të na thoni për demonstratën e heshtur?
ILIR DEMALIA: Për sa i përket “demonstratës së heshtur” në fund të Janarit 1990, unë kam qenë në shesh aty ku ka qenë shatërvani përballë Pallatit të Kulturës. Kemi qenë shumë pak të rinj në atë rrethin rreth Shatërvanit, askush nuk dinte, çdo të ndodhë, kush e ka organizuar etj. Unë isha me tim vëlla, mikun tim të fëmijërisë Shkëlqim Skifteri, Ilir Çelia e disa të tjerë. Rreth shatërvanit nuk ishin më shumë se 300 vetë në sheshin e blinduar me civilë dhe tarracat me snajperë. Pjesa e madhe e njerëzve bënin xhiron deri tek fundi i lulishtes së Skënderbeut. Pra nuk hynin në atë rrethin e nga 15 katëshi tek Skenderbeu. Askush s’merrte vesh se ç’po ndodhte. Në 6:40 duket Ismail Kadare me Helenën, ju drejtova: “Tepër vonë z. Ismail! Jeni tepër vonë!”. Pse u zgjata me këtë detaj? Unë këtë e kam shkruar në librin tim, por duke qenë se shkruaja në vetën e parë, në vend që të shkruaja “unë ju drejtova Kadaresë”, shkrova “dikush ju drejtua Kadaresë”. U zgjata me këtë se më vonë kam lexuar në dy tri raste rreth “demonstratës së heshtur” që për këtë marrin autorësinë disa persona, por asnjë nuk e ka shkruar a thënë para botimit librit tim në ‘95′. Qartë!
Unë isha spiunuar që një ditë përpara demonstratës së heshtur se kisha grisur në oborrin e Kinostudios ku punoja gazetën “Zëri i Popullit” dhe pas demonstratës të nesërmen më morën në Degën e P.B të Tiranës ku ishin marrë nga Kinostudio Reiz Çiço, Hektor Pustina, Ylli Beqiri, Spartak Paja të rrahur në D.P.B. Personalisht jam rrahur dhe goditur me dërrasë nga Zyliftar Ramizi e Hodo Hodaj. Të nesërmen në Kinostudio u bë mbledhje me sekretarin e Komitet të Partisë Tiranës, Piro Lako, për ne të pestë. Nuk po zgjatem me debatin me Piro Lakon në këtë mbledhje ku e kam sqaruar në librin tim dhe janë të gjithë punonjësit e Kinostudios. Lajmi për atë mbledhje bëri bujë në Tiranë. Pashko më thotë kur më takon pas ca ditësh përpara Hotel Dajtit në xhiro, shko tako Kadarenë se është i interesuar për këtë. E dija që Pashko kishte miqësi me Kadarenë, personalisht Kadarenë se kisha takuar kurrë, përveç se kur i thashë, “tepër vonë”! Pas disa ditësh shkoj në shtëpinë e Kadaresë, hollësitë i kam shkruar në librin tim. Kadare, me të vetmin njeri që ka folur për atë mbledhje në Kinostudio dhe për rrahjen e pesë punonjësve të Kinostudios, jam unë në prezencë të Elenës.
Në librin e tij më vonë “Nga një dhjetor në tjetrin” në faqe 121 shkruan për një letër që i dërgon Alisë, “si nënkryetar i Kryesisë së FDSH-së unë jam në dijeni të dhjetëra ankesave të bëra nga qytetarët, të drejtat njerëzore të cilëve janë shkelur në mënyrë flagrante. Po ju rendis këtu vetëm disa emra të sferave që janë afër krijimtarisë artistike: Hektor Pustina dhe Reiz Çiço, të dy asistentë operatorë në Kinostudio, si dhe Ylli Beqiri Piktor, janë rrahur dhe keqpërdoruar nga Organet e Punëve të Brendshme pas asnjë faj. Ata e kanë denoncuar këtë në mbledhje publike përpara sekretarit K.P. Tiranës, por s’është ndërmarrë asgjë, qoftë dhe për t’ju kërkuar ndjesë, përkundrazi”. Pra Kadare, me të vetmin njeri që ka biseduar isha unë. Kadare nuk përmend emrin tim, pasi në intervistën dhënë Zërit të Amerikës në gusht 1990, unë kam thënë ndërmjet të tjerave se “Kadare nuk mund të jetë një Havel për Shqipërinë, pasi ai ka thurur himne për partinë dhe Enver Hoxhën”. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Kujtim Çashku me mua më vonë.
Pra vijmë ke ajo që ne e bëjmë historinë sipas marëdhënieve personale, e manipulojmë pse dikush nuk na vjen mbas avazit të rrenës e kur këtë e bënë Kadare siç ka bërë dhe po bën ç’pret nga Xhelili, Dilaveri e CO! Në një letër që më dërgon ambasadori gjerman Down në ‘95 ndërmjet të tjerave më shkruan: “Sigurisht sot dhe atëherë, mua më vjen keq që thirrja për liri ishte më pak filozofike se sa unë e prisja. Po lëvizja e rinisë ishte një aventurë e guximshme dhe e fuqishme që theu akujt monotonë të ambientit. Personalisht, gjithë veprimet e mija para ikjes kanë qenë mosbindje dhe kurajo kundër regjimit. Këtë e tregojnë të gjitha faktet, me intervista dhe shkrime që në atë kohë pas largimit, me akte publike dhe jo më the e i thashë, të cilave nuk u heq asgjë as nuk i korrigjoj. I kam qëndruar konseguent dhe jam konsistent për qëndrimet e mija. Jam i gatshëm të ballafaqohem me këdo, pasi jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, e nuk i detyrohem askujt. Kjo është pasuri e madhe besoj për mua.
SOT: Çfarë kujtoni nga dita e largimit nga Shqipëria?
ILIR DEMALIA
: Nga dita e largimit, kujtoj momentin kur hipa në ballkonin e rezidencës së godinës së përparme të ambasadës për të parë për rreth, jo shumë larg prej aty në vijë ajrore 300 m, ishte pallati apartamenti ku isha rritur që fëmijë, ishte lagjja ku kisha lindur, pash poshtë të strehuarit dukeshin si kufoma, heshtja kishte mbuluar gjithçka, një pamje e trishtueshme, e dhimbshme dhe e turpshme kriminale për shtetarët e atij vendi, ku të nesërmen e asaj nate, kur ne akoma nuk na ishin tharë lotët e dhimbjes për ndarjen me vendin, familjen, miqtë, shokët. Krimineli Xhelil Gjoni në mitingun në sheshin Skenderbej, do të deklaronte fjalë për fjalë: “Armiqve tanë u themi njëzëri; Shqipërinë dhe pushtetin popullor nuk e tundin jo më disa njerëz të çoroditur, që braktisën kusarisht atdheun, por kushdo qoftë. Ata s’janë Shqipëria, ata s’janë populli”.
Porti i Durrësit ishte rrethuar me ushtri e polici. Ishte Zv/ Ministri Brendshëm, Ilir Mustafaraj, që dhe sot është Zv/ Ministri i Brendshëm, ka ecur demo(n)kracia në Shqipëri…. mu drejtua: – Bëre ç’bëre këtu atje ku të shkosh, bën mirë të mbyllësh gojën! Ja ktheva: – Nuk e kupton që po largohem për të qënë i lirë?! U ula, putha tokën tri herë. Ndërkohë thashë: Mirupafshim Atdhe! Kur të vijmë në Shqipëri të lirë. Mu kujtua se, sipas traditës kristiane, toka ku prehen viktimat e pafajshme është e shenjtë. Putha përsëri, përsëri të gjithë viktimat e terrorit komunist, shenjtorët që ishin nën dhe, të vrarë, të torturuar deri në vdekje, nën atë tokë ishin eshtrat e më të ndriturve të kulturës, dijes, atdhetarisë, luftëtarëve të pavarësisë, martirëve të klerit katolik, martirëve të diktaturës. Xhelil Gonit dhe gjithë atyre që kryen krimet më monstruoze karshi popullit të vetë, po i vë fjalët në sallën e gjyqit të prelatit, njeriut të dijes e atdhetarisë, kolosit të mendimit shqiptar Pater Anton Harapi.

Anton Harapi (Shkodër, 5 janar 1888 – Tiranë, 20 shkurt 1946)

Fjala Arapit në gjyq pas dhënies – vendimit me vdekje”; “Në qe se me u ndigjue ligjevet hyjnore të Atdheut, me edukue rininë kah idealet e nalta të së Vërtetës e me i nxitë kah e Mira; në qe se me vuejtë për popull e me popull dhe me luftue për Fe e Atdhe asht punë e dobët e tradhti, atëbotë jo veç unë por mbarë françiskajtë e Shqipnis jemi të dejë për dekë. ”Zoti pastë mëshirë për ju, qi nuk jeni tue dashtë me dijtë se çfarë krimesh po bani kundër popullit e atdheut, jo vetëm për dënimin tem e të qinda të tjerëve të pafajshëm sikurse unë, por për tragjedinë qi keni vulosë kundër tanësisë kombëtare, në dhunim shqelmues të tagrit të shqiptarëve për atdheun etnik. Mundimet dhe jeta ime i qofshin falë kombit! Na jem ma të fortë nën dhe se ju mbi dhe”!

Intervistoi: Adriatik Doçi

– FUND – 

……………………………………………………

– PJESA E PARË –
ILIR DEMALIA: RAMIZ ALIA, GJELIL GJONI & CO, THEMELUES TË PARTIVE POLITIKE-PAS RËNIES SË DIKTATURES NË SHQIPËRI!
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=3469

…………………………………………………..

Ilir Demalia, 2 Korrik 2008, Part 1

Ilir Demalia, 2 Korrik 2008, Part 2

==================================

Njerëz, Ilir Demalia /1 – 6/

…………………………………………………….

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, Sh. Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura