BEDRI TAHIRI: DUART QË PREKIN BOTËN

Prishtinë, 10. 04. 2014 – (Albulenë Shaqiri, Duart që prekin botën, Prishtinë, 2013) – Të respektuar nxënës, kolegë e mysafirë! E nderuara autore dhe ju familjarë të saj! Sot, po ndjehem i kënaqur trefish: E para, është 127-vjetori i shkollës shqipe, Dita e Mësuesit,  E dyta, librin që po përurojmë e ka shkruar nxënësja jonë dhe E treta, ai është përgatitur për botim poashtu nga ish-nxënësit tanë. Dhe, ky përjetim i veçantë vjen ngase suksesi i nxënësit është edhe sukses i mësuesit. Kësaj radhe këto kënaqësi na e solli nxënësja Albulenë Shaqiri me librin “Duart që prekin botën”, që tashmë është në duart e lexuesve. Këto poezi i pata lexuar edhe në dorëshkrim dhe pata hetuar se ato përshkohen nga një sens i hollë poetik, frymëzuar nga muza Kalopë, që, siç thoshin mendimtarët e hershëm, më së miri i nanuris moshat rinore.
Sidoqoftë, libri “Duart që prekin botën”, paraqet një mozaik të shkëlqyer ngjyrash ylberore, me një laryshi motivesh, temash e idesh, që për moshën e krijueses, kalojnë nivelin e vlerave mesatare. Pena e saj e mprehtë, me sukses ka arritur të skalis vargje të bukura për njeriun, për familjen, për gjyshin, për babanë, për vëllanë, për mësuesin, për shkollën, për punën, për dashurinë, për bukurinë, për mërgimtarët, për hallexhinjtë, për lypësarët. Ajo shkon edhe më larg, preokupohet edhe me problemet madhore si: ndarja e Mitrovicës, fati i Çamërisë, i Toplicës, i Preshevës, i Plavës e i Gucisë dhe i të gjtha trojeve etnike shqiptare, që padrejtësisht janë ndarë nga trungu i lashtësisë kombëtare.

 Kështu, në poezinë TI, hartuar në monokolonë, autorja sikur merr barrë të rëndë mbi supet e saj të brishta, duke i sfiduar fqinjtët tanë armiq shekullorë, grekët e serbët, që kurrë nuk u ngopën e nuk u mbushen mend për zullumet që i shkatuan popullit më të stërlashtë ballkanas, andaj edhe e ngrit zërin hakërrues dhe betohet për realizimin e amanetit të brezave:
Jam shqiptare
Jam krenare
Frikën s’ta kam fare
Të parët amanet ma kanë lënë
Gurin në vend për ta vënë…

Ajo, si bijë e humanistes më të madhe të globit, Nënë Terezës, te poezia Jam njeri bën një thirrje të fuqishme për barazi e unifikim të njerëzimit, pa dallim ngjyre, moshe, gjinie, krahine, sepse që të gjithë duhet ta gëzojnë lirinë:

Fëmijë,
Plak a i ri
I bardhë apo i zi
Kjo hiç s’ka rëndësi…

Bota poetike e krijueses se re, brufullon e shpërthen ngazëllyeshëm si trëndfilët erëmirë pranveror. E qëndisur me fije të bukura mendafshi dhe hipur mbi krahet e suferinës ngarendë si bleta, lule me lule, duke mbledhur nektarin për të na dhuruar kënaqësi e shkarkime emocioale. Ajo nuk mund të kapërcej problemet e moshës së saj, adoleshencës, dhe vargje të tëra u kushton atyre dukurive sfiduese që brejnë padiktueshëm pastërtinë fizike e shpirtërore të moshatarëve të saj, siç janë: duhani, droga, e shoqëria e ligë, që të shkatërrojnë, të varfërojnë e të gjunjëzojnë, për çka i këshillon të qëndrojnë sa më larg tyre e të shoqërohen me mikun më të mirë të jetës, me librin.
Zemra e poetes se re çan e loton për lypësarin e vogël që kërkon lëmoshë në rrugë, për mërgimtarin që ka mall shtëpinë e atdheun, për varfënjakun, për të rinjtë pa ardhmëri etj.
Mirëpo, malenkolia e zymtësia rezignuese nuk zgjasin shumë. Në zemrën e saj rinore rrahin edhe optimizmi e dashuria, dy ndjenja të lashta sa vetë njerëzimi. Kalorësi i ëndrrave të saj vërtitet gjithandej me krahet e dragoit, si një pëllumb i bardhë që simbolizon paqe, liri, barazi, qetësi, bukuri, harmoni, lumturi, dashuri. Atë e quan Krenaria ime, duke tërhqeur një paralelizëm të fuqishëm krahasimtar me dashnorët e pavdekshëm xoxian, me Adilin dhe Vitën:
Tek i kujtoj sytë e tu
Më zbardh dita
Jam dashuruar në ty
Si Adili e Vita

Metamorfoza e vargjeve të kësaj përmbledhjeje ecën natyrshëm dhe evoluimim pozitiv hetohet nga poezia në poezi. Vargu i saj, të shumtën i liruar nga klishetë e demoduara, synon strukturat dhe përmbajtjet moderniste. Madje, mu atëherë kur lirohen nga skematizmi konvencional e ngurtësia e teorive metrike, ato dalin më të bukura, më të kapshme e më të realizuashme.
Nëse i referohemi thënies së lashtë metaforike së, libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë së quajtur letërsi, atëherë, lirisht mund të konstatojmë se kësaj ia ka dalë suksesshëm poetja Albulenë Shaqiri me librin mjaft premtues “Duart që prekin botën”.
Në përmbyllje, nxënësve e kolegëve të nderuar ua uroj nga zemra Ditën e Mësuesit, ndërkaq autores i dëshiroj fat, lumturi e suksese në mësime, në jetë e në krijimtari.
Ju falëminderit për vëmendje!

(Recensioni u lexua në përurimin e librit që u bë në Gjimnazin “Eqrem Çabej”-Vushtrri, më 7. 03. 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura