BEDRI TAHIRI: VEPRIMTARIA LUFTARAKE E AZEM GALICËS GJATË LUFTËS SË PARË BOTËRORE

Pashtriku.org, 12. 09. 2014: – Në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore – (Pёrmbledhje) – Lufta e Parё Botёrore (1814- 1918), trojet shqiptare, nё pёrgjithёsi dhe ato tё mbetura jashtё Shqipёrisё londineze, nё veҫanti, i gjeti tё katandisura fare. Kudo, mjerim, varfёri, shtypje, tortura, mizori, burgosje e vrasje masive. Megjithatë, pushkёt e lirisё nuk pushonin kёngёn e tyre. Rezistenca e pandërprerë kundёr osmanllinjve dhe kundёr serbomalazezve i kishte cfilitur shqiptarёt e Kosovёs. As ardhja e pushtuesve tё rinj, austrohungarezёve e bullgarёve, nuk solli ditё tё bardha. Dhe, shqiptarёt, edhe pse pёrfituan ndonjё tё mirё, kryesisht nё fushёn e arsimit, nuk i hoqёn armёt nga dora. Nё kёtё mes, si pёrherё, prijetare qe Drenica. Kryetrimi i saj, Azem Galica, u shqua me aktivitete tё shumta luftarake e organizative. Ai, qё kur u arratis nga burgjet e Serbisё, dhe austriakёt ia pushkatuan dy vёllezёrit: Seferin e Zenelin, nuk pushoi sё vepruari pёr lirinё e trojeve stёrgjyshore. Betejat nё Galicё, nё Mikushnicё, nё Obri, nё Rakinicё, nё Kllodёrnicё e sidomos nё Bajё, ku vritet edhe Shaqir Smaka, ua futёn tmerrin austrohungarezёve e bullgarёve, saqё, nё Pёrrua tё Keq, rreth dymijё ushtarё austrohungarezё i dorёzohen Azem Galicёs, kur nuk kishte me vete mё shumё se dhjetё luftёtarё.
Gjatё kёsaj periudhe, Azem Galica e Hasan Prishtina, krahas luftёs sё amatosur, punuan edhe nё hapjen e shkollave shqipe. Ata i vunë fre edhe tё njё tё keqeje tё madhe tё atyre viteve; rekrutimit tё të rinjve shqiptarё (“gjynlive”-“vullnetraёve”) pёr nё frontet ruso- turke, duke formuar njёherёsh çetat e lirisë dhe Ushtrinё e Hasan Prishtinёs.
Azem Galicёn nuk e dmoralizoi as tradhtia e Kostё Vojvodaёs. Pёrkundrazi, u mobilizua dhe organizoi luftёra e beteja tё reja, ngase Komiteti i Shkodrёs e kishte emёruar Komandant tё tё gjitha ҫetave e grupeve ҫlirimtare, qё nё fundvitin 1919 numёronin mbi dhjetёmijё luftёtarё.
Pra, Azem Galica mbetet figura qёndrore luftarake e organizative e luftёs pёr liri e bashkim kombёtar gjatё Luftёs sё Parё Botёrore.
Djaloshi nё rrugёn e babait
Me vrasjen e Bejtë Galicës, nё betejёn kundёr Shemsi Pashёs, nё Deviҫ, mё 1907, nuk u shua rezistenca e armatosur në familjen Galica tё Galicёs heroike. Rrugën e tij do ta vazhdojnë të bijtë, sidomos djali i tretë, Azemi.
Azem Bejtё Galica u lind më 10 dhjetor 1889. I rritur në gjirin e një familje me tradita luftarake e atdhetare, që nga fillimi u përcaktua në rrugën e lavdisë. Tiparet e një trimi të paepur dhe të një vizionari të mprehtë u manifestuan që në rininë e tij të hershme. Si i vogël dallohej nga moshatarët. Ishte i zgjuar e i shkathët. Por, mbi të gjitha, atë e cilësonin trimëria dhe guximi. Ende pa i mbushur 11 vjet me pushkën e dajës, vrau një serb të Selacit, (Stojanin) të cilit ia kishin frikën të gjithë.
Gjatë viteve 1910-1912 shpërthyen kryengritjet e përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare. Më 5 maj 1912, Hasan Prishtina doli në Drenicë dhe dha kushtrimin për një luftë mbarëkombëtare kundër Perandorisë osmane.
Edhe Azemi 20-vjeçar, u radhit në çetat kryengritëse të Drenicës, të udhëhequra nga Ahmet Delia i Prekazit. Kur drenicarët dhe shaljanët ishin nisur për luftë përbri tyre marshonte Isa Boletini, hipur mbi kalë e i shoqëruar nga shumë trima. Në mesin e tyre i ra në sy djaloshi sypatrembur e i etshëm për luftë.
– I kujt është ai djalë? – pyeti Isa Boletini
– I biri i Bejtë Galicës, Azemi – iu përgjigj njëri nga trimat që e shoqëronte1.
E ngau kalin dhe iu afrua. Pasi u përshëndet me të ia vuri dorën në krah dhe e përgëzoi:
– Të lumtë, ore djalosh trim. Ti paske vendosur ta dërgosh në vend amanetin e babait tënd, ta vazhdosh rrugën e tij luftarake…

Azem Bejta Galica (1889 – 1924)

Azem Bejtё Galica mori pjesë edhe në luftën e Merdarit. Pjesёmarrёsi i asaj beteje, togeri i ushtrisё vullnetare shqiptare, Hamёz Shtrubullova tregonte:”Trimi ma i madh nё luftё tё Merdarit ishte djaloshi 21 vjeҫar Azem Bejta, i biri i Bejtё Galicёs. Me zanin e tij tё fortё dhe me pёrdorimin e pakrahasuar tё armёs, na dha shpresё se armiku do tё thehet. Por, papritmas, ni valё e madhe e ushtrisё sё Kral Petrit, ra mbi ne, sikur vala e Detit tё Zi. Mё kujtohet kur Azemi, me ni grup shokёsh moshatar, janё tёrhequr, nё drejtim tё Shalёs sё Bajgorёs. Pas dy ditёsh, kuptuam se ishte strehuar te daja i vet, Kurt Selaci…”2
Posa ishte kthyer nga betejat qe arrestuar dhe burgosur bashkё me dy vëllezërit: Seferin e Zenelin dhe me disa të rinj nga Drenica. Pёr tri vjet rresht qёndruan në Zajeçar, pёrkatёsisht në Pozharevc, në burgun më të rëndë të kohës. Në burg jeta ishte e mjerueshme, por Azemi ishte optimist dhe mbante qëndrim burrëror. Kurrë nuk u gjunjëzua as nuk u zhgënjye. Në zemrën e tij kishte zënë vend dashuria për Kosovën, e cila ishte shndërruar në një ideal të pashuar jetësor. Gjithnjë shpresonte se një ditë do të kthehet në Kosovë dhe do ta vazhdonte luftën për çlirimin dhe pavarësimin e trojeve të veta…
Formimi i Ҫetёs kreshnike, që u quajt Nёna e ҫetave
Dhe, ajo ditë e bardhë agoi. U këputën prangat, u shkallmuan dyert, u mbytën rojet dhe, u kapërcyen telat. Trimi vetë i shtati u gjend i lirë nё trojet stёrgjyshore qё po lёngonin nё robёri. Ishte pranvera e vitit 1915.
Azem Galica, pa humbur kohë, ende pa kaluar muaji, me dy vëllezërit dhe me disa trima nga fshatrat përreth u grumbulluan në Galicë, nën hijën e Qarrit qindravjeçar (Lisi i Vorreve), mbi sofrën e mbuluar me flamurin kuqezi, që Nёnё Sherifja e kishte ruajtur në fund të arkës sё nunsёrisё, formuan bёrthamёn e Ҫetёs kreshnike, duke u betuar: “Betohemi në këtë flamur të shenjtë se sa të jemi gjallë do të luftojmë për lirinë e këtyre trojeve. Betohemi dhe bëjmë be se për Kosovën japim jetën sikur me le”3. Në këtë çetë bënte pjesë edhe Nusja e Maleve – Shotë Galica, me të cilën Azemi posa ishte martuar.
Në fund të vitit 1915 ushtritë serbo-malazeze u thyen nga forcat austrohungareze e bullgare. Shqiptarët, si zakonisht, edhe këta pushtues i pritën me armë në dorë. Grupe dhe çeta të vogla i sulmonin stacionet dhe patrullat e xhandarmërisë duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme.
Gjatë kësaj kohe paraqitet edhe një dukuri që shqiptarëve u kushtoi shtrenjtë. Krahas shpërnguljes bëhej edhe regjistrimi i të ashtuquajturëve “gjynli” (vullnetarë) në ushtrinë turke, e cila luftonte kundër Rusisë. Austrohungarezët, tё cilёve kjo u konvenonte, kishin lejuar oficerët turq që të vinin në Kosovë dhe të bënin regjistrimin e të rinjve shqiptarë si vullnetarë për në front, të cilët rrallëherë ktheheshin të gjallë4.
Azem Bejtё Galica dhe Hasan Prishtia u angazhuan dhe shpejt i vunë fre këtij aksioni famëkeq. Kёshtu kur Ferat Draga bashkë me një oficer turk shkuan në Polac për të shkruar “gjynli” trimi urtak Aruç Selimi- Gjinoci nga Makërmali, atyre dhe masës së tubuar iu drejtua me këto fjalë:
– Qysh se na ka shkel vendin tonë serbi kemi hupë shumë meshkuj. Tash jo vetëm që po na vdesin uni për bukë, po edhe djemtë donë me na i marrë e me i hupë. Jemi në këtë skaj të vendit e në gojë të ujkut. Anmiq të tjerë po na presin të dyert tona. Kur të na largohen edhe këta pak djemë që na kanë mbetur si do të na bëhet halli? Nuk dimë se na vjen e mramja. Kush tjetër do t’na e mbrojë këtë tokë po nuk e mbrojtëm vetë. Mjaft na del vendi ynë. Nuk kemi pse ta hupim kryet nëpër qoshet e botës. Kush donë me e dhanë jetën, le ta jep tue mbrojt vendin e vet e jo tue luftuar për interesat e botës. Oficerët turq që na kanë ardhë janë bijtë e atyne që na kanë sundue 500 vjet. Prapë ata kanë ardhun këtu me na ngatërrue mendjen për interesat e veta. Vllazen! Tjetër âsht feja e tjetër është kombësia, tjetër është Turqia e tjetër Shqipnia. Ata e duan Turqinë, kurse ne Shqipninë.5
Pas këtyre fjalëve masa u revoltua dhe, jo që nuk u shkrua askush, por edhe i dëbuan të ardhurit, duke i kërcënuar se po erdhën edhe një herë tjetër në Drenicë nuk do të ktheheshin të gjallë. Nga ky moment më nuk shkoi askush në ushtrinë turke, por u inkuadruan në çetat kryengritëse dhe nё Ushtrinё e Hasan Prishtinёs, diplomatit tё madh, i cili kishte arritur tё nxjerrё njё leje nga organet austriake.
Luftë me bullgarë e luftë me austrohungarezë
Pra, siҫ po shihet “Edhe pas pushtimit tё tokave shqiptare nga austro-hungarezёt dhe bullgarёt, aktiviteti i Lёvizjes Nacionalҫlirimtare- kaҫake nuk pushoi. Nё Kosovё ҫetat kaҫake vepronin nёn udhёheqjen e trimave tё njohur e tё rryer nёpёr luftёrat e mёparshme. Nё Drenicё ishte e njohur ҫeta e Azem e Shotё Galicёs dhe ajo e Shaqir Smakёs”6.
Tashmё, Kosova ishte ndarё nё dy pjesё dhe Çeta luftarake e Azem Bejtë Galicёs vepronte në të dy zonat okupuese. Disa herë u ndesh me armikun në Galicë, në Lushtë, në Kozhicë, në Kollë, në Taraxhë, etj. Një ditë të fundvitit 1916 e sulmoi dhe e likuidoi postëkomandën e xhandarmërisë austriake në Mikushnicë. Sulmi qe i suksesshëm: shtatë të vrarë e tre të plagosur.
“Azem Galica, pёr austro- hungarezёt, qё nga ditёt e para tё pushtimit, ndjente njё dyshim. Ndёrsa pёr bullgarёt, thoshte: ”Janё sllavё dhe prej tyre, kurrё nuk presim ditё tё mira”.7
Ashtu edhe doli. Një ditë, kur Azemi nuk ishte në shtëpi, forca të mëdha austriake e rrethojnë shtëpinë e tij, me ç‘rast i zënë dy vëllezërit; Seferin e Zenelin. Pasi ia djegin shtëpinë ata i marrin dhe, në shenjë hakmarrjeje për xhandarët e vrarë më parë, i pushkatojnë në malin Gamna, afër Mikushnicës.
“Megjithatё, ndёrrimi i pushtuesve ballkanikё tё egёr e barbarё me njё robёrues mё tё civilizuar, popullit shqiptar, e sidomos pёr shqiptarёt e Kosovёs, solli disa tё mira: pёr herё tё parё nё historinё e popullit shqiptar tё Koosvёs u lejua hapja e shkollave nё gjiuhёn amtare, pёrdorimi i flamurit shqiptar- krahas atij austro-hungarez, u lejua qё nё njё masё administrata lokale tё kryhet nё gjuhёn shqipe etj. Ndёrsa, nё viset shqiptare qё kishte pushtuar Bullgaria, vazhdonte dhuna dhe mohimi i lirive kombёtare shqiptare”8.
Kryekomandant i ҫetave ҫlirimtare
Pas vrasjes sё dy vёllezёrve dhe djegies sё shtёpisё, Azem Galica mori familjen: nënë Sherifen, vëlla Ademin, gruan e Seferit, me djalin e vogël, Bejtushin dhe kaluan në Obrinë e Ulët, e cila gjendej nën sundimin bullgar. Me ta ishte edhe vëllai i vogël i Shotës, Rexhep (Rexha). Ata u vendosën në kullën e Sefer Halil Smakiqit, që gjendej në vijën kufitare bullgaro-austrohungareze.
Pas disa ditësh forcat bullgare i hetojnë dhe e rrethojnё. Trimi, pёr hir tё familjes sё konakxhiut, mendon tё dorёzohet. Mirёpo, Seferi Halili, ia pret:“O, Azem Galica, qysh po ma thue atë fjalë, he burrë. Pa i ra kulmi në tokë e gurët e themelit me i hyp sipri nuk bâhet të dalësh nga kulla ime”9.
Dhe, ende pa zbardhur drita e 6 marsit 1916, fillon lufta e përgjakshme, e cila zgjati deri në mbrëmje. Rrethimi ishte i vështirë. Nga ana e prapme e kullës Azemi kërcen në tokë. Lufton me xhandarë, por përsëri detyrohet të tërhiqet në kullë me një plagë të rëndë në trup. Plagoset edhe Ademi i ri. Shota, e vetmuar me Rexhepin e pasprovuar, qëndronte dhe luftonte si luaneshё, derisa burrat e Obrisё u shkojnё nё ndihmё dhe ata çajnë rrethimin.
Forcat bullgare, pasi zbardhi dita, i ngarkuan 18 kufomat e xhandarëve të vrarë dhe i nisën për në Prishtinë. Familjen me të zotin e shtëpisë, Sefer Halilin, i internuan në Pozharevc. Atje, në kampin famëkeq ka lindur edhe Hazir Sefer Smakiqi. Nëna e Azemit me Bejtushin edhe disa vite qëndroi në Obri, duke kaluar në shtëpinë e Sinan Tahir Smakiqit, kushëri i Seferit, i cili e kishte shtëpinë në zonën austrohungareze. Ademi pasi u shërua disa ditë në malet e Obrisë, dërgohet në Gradicë, ku pas disa ditёsh ndёrroi jetё. Vdekja e tij e hershme, pa i mbushur 16 pranverat, i pikëlloi shumë Azemin e Shotën.
Azem Bejtë Galica për disa ditë rresht u shërua në spitalin “malor” nga “mjekja” e palodhur- Shota, e cila i qëndronte te koka natën e ditën. U shërua në fshehtësinë më të madhe, në malet besnike, midis Drenicës dhe Podgurit, që e ruanin me besnikëri nga syri i armikut. Drenica dhe e tërë Kosova e pritnin kapedanin e vet. Jeta e tij ishte e nevojshme dhe e vlefshme për të gjithë. Dhe, një ditë, pasi u shërua plotësisht, Shota u bëri zë shokëve që të ngjiteshin në mal. Erdhei edhe Shaqir Smaka, i cili kur e pa Azemin të gatshëm për luftë, i rodhën lot gëzimi. Pasi u bashkuan çetat zbritën në Kllodernicë për t’i kaluar disa ditë.
Pas disa ditësh austrohungarezët informohen ku gjenden luftëtarët e këtyre çetave dhe shkojnë i rrethojnë. Me një sulm të rreptë e shpërthejnë rrethimin duke i vrarë disa xhandarë dhe spiunin që u kishte prirë. Nga luftёtarёt tanё u vra Ramadan Llullaku.

Shota dhe Azem Galica

Çeta e Shaqir Smakës dhe e Azem Galicës kalojnë në fshatin verior të Drenicës, në Bajë. Edhe atje i hetojnë dhe i rrethojnë në befasi, duke u afruar deri te dera e kullës. Kur dalin Azemi e Shaqiri në korridor, nën shkallë kishte qenë udhëheqësi i ekspeditës, Llokmajstori Hirtman. Shaqir Smaka kapet fytas me të. Të dy ishin të fortë. Përleshja e tyre zgjati shumë. Dikur një shok i Azemit (Fekë Rakinica, dhëndër i Shaqirit) duke u munduar ta qëlloi Hirtmanin, i vret që të dy. Vdekja e Shaqirit dhe djegia e trupit të tij e pikëlloi shumë Azemin, i cili bëri luftë titanike derisa dalin nga rrethimi. Me vdekjen e Shaqir Smakës (ishte vera e vitit 1917) të gjitha çetat kryengritëse të Drenicës do t’i udhëheqë Azem Bejtë Galica dhe e shoqja, Shotë Galica.
Shkollat e para shqipe
Siç tregojnë pleqtë dhe siç dëshmon historia, ata që u gjendën nën sundimin austrohungarez, për një nuancë jetuan më mirë dhe i gëzuan disa të drejta më tepër se ata nën sundimin bullgar. Ky pushtues lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Aspiratat dhe përpjekjet e popullit shqiptar të Kosovës, veçmas të intelektualëve përparimtarë të tij, për një sistem arsimor në gjuhë amtare shqipe filluan të mëkëmben më 1916, në ato treva, të cilat i pushtoi Austrohungaria. Vjena lejoi dhe ndihmoi jo vetëm hapjen e shkollave laike e shtetërore shqipe, por njëkohësisht bëri të mundur që pjesërisht edhe administrata të realizohej në gjuhën shqipe10. Pra, shqiptarët, edhe pse të vetëdijshëm për qëllimet imperialiste të Vjenës, i shfrytëzuan rrethanat e krijuara dhe brenda një kohe të shkurtër u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe, u vendosën shqiptarë nëpër administratat lokale (nëpër komuna dhe rrethe)etj.
Këto rrethana i shfrytëzoi edhe Vushtrria e lashtë. Aty, që në fund të vitit 1915 e gjejmë shkollën shqipe, e cila është ndër të parat në Kosovë dhe kishte këta nxënës: Emin Badivuku, Musai i Ibrahim Agës, Aliu i Latif Agës, Fevziu i Mustafë Agës, Ferat Ahmet Pika, Sylejman Popova (djali i Hys Popovës), Maksut Xhafer Muharremi, Isaji i Ibrahim Agës, Hyzejr Hoti, Naim Jahja Bylykemini, Abdullah Begu, Besim Zejnullah Begu (Berisha), Përtej Izet Badivuku, Jakup Hafuz Maxhuni, Alushi i Mahmut Begut, Bahtijar Begu, Ilijaz Badivuku, Hamdi Zajmi, Rizai i Latif Agës, Qazim Ali Riza, Haki Guxha, Sherif Isuf Gara dhe Ibush Fanda.11
Pas tre- katër muajsh, po me këta nxënës u formua edhe banda muzikore-frymore (orkestri frymor) e shkollës, e cila u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës, i cili ishte nismëtar i saj dhe me mjetet e veta bleu veglat muzikore në Vjenë.
Atdhetarët shqiptarë, krahas çeljes së shkollave në gjuhën shqipe, u angazhuan edhe në organizimin e kryengritjeve për çlirim e bashkim kombëtar. Kështu, më 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Galica, për tri ditë rresht, në Vushtrri, biseduan dhe trajtuan shumë probleme kombëtare. Nga ky moment u punua paralelisht në dy fronte:
1) Në hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, dhe
2) Në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur gjithëkombëtare.
Kështu Lëvizja çlirimtare në Kosovë, që kishte pasur më tepër karakter lokal dhe ishte zhvilluar në formë guerile, në vitin 1918 merr përmasa kombëtare.
Tradhtia e Kostё Vojvodёs
Këto lëvizje dhe përgatitje i përcillte edhe Serbia. Kapiteni i ushtrisë sebe, Kostë Millovanoviqi (1871-1944) nga Gjyrakovci, i njohur si Kostë Peçanci ose Kostë Vojvoda, kur kthehet nga fronti i Selanikut interesohet të lidhet me Azem Galicën kinse për një luftë të përbashkët kundër austrohungarëzëve. Kështu, në verën e vitit 1918, në Pridvorcë të Kolashinit të Ibrit, gjegjësisht në Varragë, lidhin një lloj marrëveshje, sipas së cilës do të luftonin bashkë shqiptarë e serbë deri të çlirohet vendi e pastaj secili popull do të jetojë i lirë në trojet e veta.
Edhe pse u lidh kjo marrëveshje, askund nuk përmendet, as nuk dihet për ndonjë luftë të përbashkët. Dihet se Kosta kudo i shfrytëzonte luftërat dhe fitoret e Azem Galicës, të cilin e “konsideronte” komandant. Këtë e vërteton edhe Sokol Mehaj nga Tomoci i Istogut, i cili thotë se ka qenë në rrugë afër Gjyrakocit, kur kaluan Azemi dhe Kosta. Serbët dhe ushtarët e zënë robër, që punonin në rrugë, filluan të brohorasin “Rroftë Kostë Vojvoda!” Kosta iu afrua njërit dhe duke i rënë me këmbë i bërtiti: “Thuaj: Rroftë Azem Bejta e jo Kosta, ky është komandant!”12
Siç u pa më vonë kjo kishte qenë tradhti dhe mashtrim djallëzor, që u kushtoi shtrenjtë çetave çlirimtare.
Komiteti “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”
Pas Luftës së Parë Botërore tokat shqiptare u bënë pre e lakmive të shovenistëve fqinjë dhe e fuqive imperialiste. Shtetet fqinje, veçmas Serbia, nën pretekstin e ndjekjes së ushtrisë austrohungareze, ishin vërsulur egërsisht mbi tokat shqiptare. Çdo pëllëmbë toke e çliruar nga një pushtues, robërohej nga një pushtues edhe më i egër. Kështu nisi të rrezikohej edhe pavarësia e Shtetit Shqiptar, e shpallur në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.
Të nxitur nga momentet historike, një grup intelektualësh e atdhetarësh, më 1 maj 1918, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadriut (Kadri Lutfulla Prishtina 1978- 1925), në Shkodër formuan Komitetin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”.
Komiteti, edhe pse selinë e kishte në Shkodër, kudo, që nga jugu e deri në veri, i kishte degët dhe nëndegët e veta. Në kohë të ndryshme si anëtarë të Komitetit punuan me vetëmohim luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Demokratike si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja (Pejani), Beshir (Beqir) Vokshi, Azem Galica, Avni Rrustemi, Elez Isufi, Aqif Pasha, Sotir Peci, Ragip e Qerim Begolli, Sotir Kolea, Kel Marubi, etj13.
“Pёr t’i ndihmuar kryengritёsit Hoxhё Kadriu dhe Komiteti i Kosovёs e hartuan PROGRAMIN prej dhjetё nenesh, ku u preken problemet kryesore tё kryengritjes sё pёrgjithshme tё Koosvёs tё vitit 1919”.14 Sipas atij Programi, krahas ndjekjes së ushtrisë austrohungareze, duhej vendosur edhe pushteti popullor shqiptar. Në çdo vend të çliruar duhej vendosur flamuri i Skënderbeut, flamuri kuqezi.
Kështu, në vjeshtën e vitit 1918, filloi lufta kundër austrohungarezëve. Azem Galica me çetat e veta e çliroi Drenicën, Istogun dhe marshoi drejt Pejës. Kudo valonte flamuri shqiptar. Në Pejë arriti edhe Kostë Vojvoda me çetnikët e vet. Derisa kryengritësit po e mbanin të rrethuar Pejën, Azemi kishte shkuar në Shkup në emër të Komitetit, për t’u takuar me komandantin e forcave franceze. Azemi atij i tha se mbi 4000 ushtarë austrohungarezë janë të rrethuar në Pejë nga forcat kryengritëse. Ai iu drejtua Azemit:
– Ti a mund ta pushtosh Pejën?
Azemi duke u bazuar në moralin e lartë luftarak të shqiptarëve dhe në etjen e tyre për liri, ia ktheu:
– Unë në Pejë bëj çdo gjë.
Azemi u kthye në Pejë dhe urdhëroi fillimin e betejës. U zhvillua një luftë e rreptë dhe e përgjakshme, por qyteti u çlirua. Rreth 4000 ushtarët e zënë robër iu dorëzuan forcave franceze, ndërsa armatimi iu shpërnda çetave kryengritëse. Flamuri u vu në qendër të Pejës.
Pasi u çelën rrugët, në Pejë hyri ushtria franceze e pas saj edhe forcat serbe, të cilat ishin nisur për ta pushtuar Shkodrën dhe ndoshta për ta rrezikuar edhe pavarësinë e shtetit shqiptar. Kostë Vojvoda, që gjithmonë i kishte shfrytëzuar luftërat e Azemit, edhe kësaj radhe duke u mbështetur në forcat franceze dhe në ndonjë përkrahje të vogël të ca bejlerëve pejanë, e zbriti flamurin shqiptar dhe e ngriti flamurin serb.
Kështu, Peja dhe viset e tjera që u çliruan nga okupatorët austrohungarezë (Mitrovica, Drenica e Kuqe, Istogu, etj.), menjëherë ranë nën kthetrat e një armiku edhe më të egër e më barbar, zullumit e të cilit ende i kishin të freskëta, ato të viteve 1912-1915. Kosta u bë kundërshtar i Azem Galicës dhe e ftonte që t’i dorëzojë armët dhe të pranojë ndonjë gradë a post ushtarak. Azemi i tradhtuar nuk u demoralizua e as nuk u mashtrua pas ofiqeve e gradave të ofruara, por e vazhdoi luftën për liri e pavarësi kombëtare.
Azem Galicën më shumë i shqetësoi qëndrimi i forcave franceze, sepse për serbët e kishte ditur moti se janë të pabesë dhe dinakë. Këtë e ka pohuar disa herë vetë Jorgo Gjukiqi (Jabuka) nga Jabuka e Koloshinit, që kishte zënë vend në Bukosh të Vushtrrisë, kur thoshte:
– “Këtë sy ma ka verbua Azem Galica, por unë ia kam pasur borxh edhe jetën. E kemi tradhtuar shumë rëndë. Luftërat dhe sukseset e tij i shfrytëzuam derisa i ndoqëm austriakët dhe hungarezët. Kur erdhën francezët ia kthyem shpinën. Kurrë nuk e harroj momentin kur e shkatërruam mbishkrimin “SKËNDERBEU” në hotelin e Mitrovicës dhe e vumë atë “Car Dushan”. Nuk mjaftoi vetëm kjo. Unë i mashtruar nga krali e i verbuar nga gradat, i dola në pritë për ta vrarë tinëz. Ai si rrufeja m’i vrau dy shokët: Vojën dhe Stojanin dhe mua më la për të vdekur, pa njërin sy. Po hallall i kam thënë për së gjalli dhe hallall po i them për së vdekuri, se burrë si Azem Galica nuk lind më nëna. Ishte trim i pastër dhe besnik”15.
Pas këtyre përleshjeve të mëdha edhe harta gjeopolitike e Evropës pësoi ndryshime. Kështu, me kapitullimin e Gjermanisë në atë luftë, më 11 nëntor 1918, merr fund Lufta e Parë Botërore,” në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë dhe u kushtoi popujve 10 milionë të vrarë, 21 milionë të plagosur, afër 8 milionë të zënë robër dhe 3.5 milionë invalidë të rëndë të luftës”.16
Azem Galica, megjithatё, nuk u demoralizua. Nё bashkёveprim me ideologët e Lëvizjes Çlirimtare, me Hoxhë Kadriun, me Hasan Prishtinën dhe me Bajram Currin, nisi riorganizimin e çetave të lirisë dhe përgatitjet për një kryengritje të përgjithshme në Kosovë kundër pushtuesit tё ri serb, tё quajtur Mbretёria SKS. Azemi doli në popull dhe e lëshoi kushtrimin: “Kush është i aftë për luftë dhe që e dëshiron lirinë dhe pavarësinë e tokave shqiptare t’u bashkohet çetave çlirimtare!” Përsëri doli maleve, sepse siç thotë Kadareja:“Fati i këtij vendi ka dalë gjithmonë në fillim në maja malesh, ashtu siç del dielli”.
________________
Referencat:
1.Ajet Haxhiu, Shota dhe Azem Galica, Tiranё, 1976, f. 18
2. Dr. Mehmet Rukiqi, Azem Galica, Prishtinё, 2013, f. 51
3. Bedri Tahiri, Azem Bejtё Galica, Prishtinё, 2005, f.32
4. Kështu vetëm nga Galica, që atëherë nuk kishte më tepër se njëzet shtëpi, shkuan nëntë vetë, shtatë prej të cilëve mbetën diku në Karpate: Fazli Zena, Ramë Sejdia, Mursel Rexha. Islam Fetahu, Qerim Haziri, Dush Rexhepi dhe Ramadan Lahu. Kurse dy prej tyre: Tahir Shabani dhe Hajdar Salihu, pasi kishin hequr të zitë e ullirit, duke luftuar deri në Galici, mezi u kthyen pas disa vjetësh, kur nuk i kanë njohur as nënat e veta
5. Ajet Haxhiu, Po aty, f.39-40
6. Mr. Ibrahim Ҫitaku, Azem Galica dhe veprimtaria luftarake e ҫetave kaҫake tё Drenicёs, Prishtinё, 1996, f. 97
7. Dr. Mehmet Rukiqi, Azem Galica, Prishtinё, 2013, f. 103
8. Mr. Ibrahim Ҫitaku, Po aty, f.89
9. Deklaratё e Ajet Halimit nga Obria e Poshtme, dhёnё autorit mё 9. 07. 1994

10. Prof. dr. Hajrullah Koliqi, Shkollat dhe arsimi nё Kosovё nё vitet 1915- 1918, Shkёndija nr.4, Prishtinё, 1994
11. Fahri Buҫinca, Rilindja, mё 30. X. 1979
12. Liman Rushiti, rrethanat politike- shoqёroer nё Kosovё 1912- 1918, Prishtinё, 1986, f. 199
13. Eqber Skёndi, Hoxhё Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinё, 1992, f. 38
14. Limon Rushiti, Lёvizja Kaҫake nё Kosovё (1918- 1928), Prishtinё, 1981, f.94
15. Deklaratё e Zenel Haxhёs nga Galica, dhёnё autorit mё 20 janar 1991
16. Dr. Xheladin Shala, Marrёdhёniet shqiptaro- serbe (1912- 1918), Prishtinё, 1990, f. 341
***
Literatura e shfrytëzuar:
1.Ajet Haxhiu, Shota dhe Azem Galica, Tiranё, 1976,
2. Deklaratё e Ajet Halimit nga Obria e Poshtme, dhёnё autorit mё 9. 07. 1994,
3. Prof. dr. Hajrullah Koliqi, Shkollat dhe arsimi nё Kosovё nё vitet 1915- 1918, Shkёndija nr.4, Prishtinё, 1994,
4. Deklaratё e Zenel Haxhёs nga Galica, dhёnё autorit mё 20 janar 1991
5. Fahri Buҫinca, Rilindja, mё 30. X. 1979,
6. Liman Rushiti, Lёvizja Kaҫake nё Kosovё (1918- 1928), Prishtinё, 1981,
7. Liman Rushiti, Rrethanat politike- shoqёroer nё Kosovё 1912- 1918, Prishtinё, 1986,
8. Eqber Skёndi, Hoxhё Kadriu (Kadri Prishtina), Prishtinё, 1992,
9. Dr. Xheladin Shala, Marrёdhёniet shqiptaro- serbe (1912- 1918), Prishtinё, 1990,
10. Mehmet Rukiqi, Azem Galica, Prishtinё, 2014,
11. Mr. Ibrahim Ҫitaku, Azem Galica dhe verpimtaria luftarake e ҫetave kaҫake tё Drenicёs, Prishtinё, 1996,
12 Bedri Tahiri, Azem Bejtё Galica, Prishtinё, 2005.
(Kumtesëe mbajtur në konferencën shkencore: “LUFTA E PARË BOTËRORE, 1914-1918”, organizuar nga “ITSHKSH – Shkup, 11 shtator 2014)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura