RAMIZ LUSHAJ: SI U VAR NË LITAR POETI LUMJAN HAVZI NELA, (MË 10 GUSHT 1988)

Pashtriku.org, 02. 04. 2014 – Dita e mërkurë e 10 gushtit 1988 në qytetin e Kukësit ngjante me një shtet’rrethim: Postblloqe e patrulla me policë e civilë nëpër rrugë… Në mëngjes herët, sapo morëm gazetën lokale në shtypshkronjë, policia na ndaloi veturën në rrugë e pas formaliteteve të rastit, na drejtoi me gisht e mburrje mbi 300 metra më larg, për tek katër rrugët, te agjencia e udhëtarëve, vendi më i populluar i qytetit. Aty, pak orë më parë ishte kryer akti tragjik mesjetar i marrjes së frymës njerëzore nga terrori shtetëror komunist: Varja në trekëmbësh nazisto-komunist e poetit Havzi Nela, i vetmi poet i varur në Shqipëri dhe i fundmi ekzekutim komunist i një disidenti në të gjithë Europën Lindore.
Ende edhe sot më shfaqet ajo skenë tragjike: Mbi trekëmbësh qëndronte e varur një parullë e dizenjuar mjeshtërisht në karton:
– “Havzi Nela (me ngjyrë laramane) armik (me të zeza) i Partisë e Popullit (me të kuqe)”.
Poshtë saj, si në gjallje, tundej e tundej me litar në qafë e trup në ajër poeti atdhetar. I kishte dy sytë të dalë e dukej sikur vështronte. Nga buzët kishte rrjedha gjaku të pandalur e dukej sikur fliste. Kishte një palë pantallona të përdorur me dok të hollë kinez. Këmisha e tij e hollë, e zbërthyer keqas, i valëvitej e valëvitej dhe gjoksi i dalë i jepte atë pamjen e martirit. Mbante, në atë çast, një opingë prej llastiku në këmbën e djathtë… Ekzekutorët e krimit me uniformë e civilë kujdeseshin për parullën e trekëmbëshin dhe, në etjen e tyre për gjak, talleshin me viktimën: me ngritje-ulje të litarit, shtrëngim të rripit të pantallonave, me njërën opingë luanin futboll…(!).

Havzi Nela mësues…

Edhe të vdekur nuk e linte të qetë hakmarrja komuniste, urrejtja biologjike e patologjike e diktaturës enveriane kundër kundërshtarëve politikë…
Edhe javën tjetër, si zakonisht, shkova në Kukës. Qyteti ende kishte për kryefjalë poetin Havzi Nela. Si dy muaj më parë, në qershor, që përflitej pa pushim për qëndrimin e tij sfidant në gjyqin politik, përsëri, edhe në gusht, përflitej gjithandej në të gjitha variantet e dimensionet: Në mënyrë të organizuar e të detyruar institucione e ndërmarrje bënë “peligranazh politik” tek vendvarja e disidentit, biles kishte dështuar edhe një grua shtatzënë nga skena makabre e nxënësit e shkollave tmerroheshin netëve prej imazhit të ekzekutimit barbar.
* * *
Poeti, i mbetur jetim që fëmijë, i rritur, burrëruar e sfilitur për 20 vjet burgjeve e internimeve, me gruan e dënuar 10 vjet në burg e 5 vjet në internime, pa fëmijë, me pasuri të sekuestruar, kishte lënë amanet, kohë pas kohe, fletoret e çmuara me krijimtarinë e tij disidente, dhe, para dënimit çnjerëzor, edhe disa porosi, ku veçojë njërën prej tyre: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”… Në orën 11.00 të asaj dite ia kishin prerë litarin në trekëmbësh e trupin e pajetë ia kanë hedhë në një makinë të pambulueme duke e shëtitur në mënyrë demonstrative nëpër qytet… Edhe pak ditë, më 24 shkurt 2009, poeti disident feston 75 vjetorin e lindjes, por, edhe në vitet e demokracisë, ende po mbetet ”i varur në litar”(!).
Ende litari i trekëndëshit skelik të terrorit komunist të 10 gushtit 1988 qëndron në tre këmbë të trekëndëshit të keqformësuar politik e diplomatik kundër ligjit të lustracionit.
Këmba e parë: e majta shqiptare në opozitë, që i bie daulles kundër ligjit të lustracionit. Kuka e daulles është vet Edi Rama, Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, djali i anëtarit të KQ të PPSH e nipi i Spiro Kolekës, anëtarit të Byrosë Politike të KQ të PPSH, të dy të akuzuar për firmëtarë të dënimeve të ashpra të luftës së klasave në Shqipëri.
I ati, Kristaq Rama, i zgjedhur edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, më 2 gusht të vitit 1988, firmoi për varjen në litar të poetit disident Havzi Nela.

Dënimi me vdekje për Havzi Nelën, nënshkruar nga: Ramiz Alia, Kristaq Rama, (babai i kryeministrit të sotëm Edi Rama) … e të tjerë!

E jashtëzakonshmja për shqiptarët e ndërkombëtarët qëndron tek faktet: Një artist, “Skulptor i Popullit” firmon për marrjen e frymës në mënyrën më barbare një poeti (!). Artisti që gdhendte me daltë kryevepra monumentale si Monumenti “Nënë Shqipëri” firmos për një kryekrim duke e lënë një nënë kuksiane të moshuar pa djalin e saj të rritur jetim, të kallur në burgje e internime, që para varjes la një amanet: “Kam 910 lekë e kërkoj t’ia jepni Nanës”. E la vejushë gruan e poetit: pa fëmijë, pa shtëpi, pa katandi, e cila, deri më sot, apelon për ndëshkimin e kriminelëve vrastarë të burrit të saj. Ky artist i la dy vepra në Kukës, pranë e larg njëra tjetrës: Monumentin “Shote Galica” me vështrimin nga Kosova dhe “Trekëmbëshin Havzi Nela”, që u var që fliste për Demokracinë Amerikane, që hyjnizonte në vargje Kosovën Sovrane…
E jashtëzakonshmja e të jashtëzakonshmes qëndron tek fakti aktual:
Sot, i biri, Edi Rama, merr shtysë e revansh kundër ligjit të lustracionit, duke ecur në të njëjtën linjë me të atin. Në vitin 1988 i ati firmoi nisur nga germat e Kushtetutës ideologjike të kohës për t’ia marrë frymën poetit demokrat Havzi Nela, ndërsa i biri i keqpërdorë germat e Kushtetutës kundër lustracionit për t’ia marrë frymën demokracisë.
Thupra e daulles është vetë Ramiz Alia, trashëgimtari politik i Enver Hoxhës, Sekretari i Parë i KQ të PPSH, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSSH, udhëheqësi shpirtëror i të majtës komuniste, që më 2 gusht 1998, dekretoi varjen në litar të poetit disident Havzi Nela, pavarësisht faktit se nga 15 antarë të presidiumit ishin vetëm 7 prej tyre, duke e llogaritur edhe një grua, Emine Gurin, që e dha “votën për varje” me telefon(!). Ky si ky, me të tillë terror komunist të vazhdimësisë enveriane donte të mbante karrigen e tij, rimori edhe një mandatim tjetër si kryetar i Këshillit Presidencial (22 shkurt-30 prill 1991) dhe postin si President i Republikës së Shqipërisë (1991-prill-1992).
Në vitin 1993 kam botuar shkrimin “Krimineli Kleanthi Koci avokat i Ramiz Alisë”. Në cilësimin kriminel kisha parasysh faktin se ishte kryetar i trupit gjykues në një nga krimet e komunizmit kundër të ashtuquajturit “grup armiqësor i NB-Krumë”, ku për mbi 30 kv kallinj misri të kalbur nga reshjet e gjata e që nuk u konsumua as nga bagëtitë u dënuan tre vetë me pushkatim: Hajdar Kastrati, Hysni Aliaj e Hamid Dida e disa të tjerë deri në 25 vjet burg me akuzën “sabotim me mosveprim”, akuzë që nuk e përmbante as legjislacioni shqiptar dhe as ai botëror. Ishte Kleanthi Koci nga Gjykata e Lartë, që jo vetëm orientoi hetimet e kësaj çështjeje të nisura me akuzën “pakujdesi e shpërdorim detyre”, por edhe e gjykoi këtë çështje duke dhënë dënime kapitale, pavarësisht se edhe me ligjet e kohës nuk mund të merrte pjesë në këtë gjykim. Në fillimet e demokracisë, Kleanthi Koci, jo vetëm u zgjodh Kryetar i Gjykatës së Lartë e anëtar i Këshillit Presidencial, por, pas fitores së demokracisë, ishte avokat i kriminelit Ramiz Alia, që është një nga autorët e “Tragjedisë së Tivarit”, ku u vranë 4,200 vetë, që ka dënuar me varje në litar edhe poetin disident Havzi Nela.
Edhe ky rast tregon se njerëz të drejtësisë në diktaturën komuniste, që kanë kryer krime të tilla, arrijnë në poste të larta të drejtësisë dhe bëhen avokatë të krimeve të së shkuarës komuniste e të kriminelëve të diktaturës.
E njëjta histori përsëritet tani me daullen e sulmit, me kukën e Edi Ramës e thuprën e Ramiz Alisë, edhe kundër ligjit të lustracionit. Ish-Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, në vitin 1988, ka dënuar me varje në litar poetin disident Havzi Nela. Në vitet e demokracisë u zgjodh në dy mandate Kryetar i Gjykatës Kushtetuese e tani është anëtar i saj.
Çështja shtrohet hapur: A ka forcë morali e arsyetim juridik Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë ligjin e lustracionit, nisur edhe nga ky precedentë apo të tjerë që ka në radhët e saj(!). A mundet që përsëri, edhe pas 20 vjetësh, anëtari i Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiu, prapë “ta mbajnë të varur” Havzi Nelën në 75 vjetorin e lindjes së disidentit (!).
Çështja duhet shtruar edhe ashtu sic shfaqet: Kujt, qoftë nga e majta apo nga ndërkombëtarët, iu intereson mbajtja e këtyre “pengjeve” në kupolat e larta të shtetit shqiptar, si në Parlament, në Gjykatën Kushtetuese, në Prokurorinë e Përgjithshme, etj.?!
Çështja është e qartë: Askush nuk mund të blejnë të kaluarën. Atëherë, kush nga e majta e nga disa ndërkombëtarë, interesohet të na mbajnë “peng” të ardhmen, të mbajnë ende të varur poetin disident Havzi Nela ?!
Këmba e dytë: disa politikanë, diplomatë e deputetë në disa shtete e organizma ndërkombëtare euro-atlantike.
Çështja është e ditur: Në të gjithë historinë komuniste të Europës Lindore, të paktën nga fundi i viteve ’60, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë e deri në rënien e “Murit të Berlinit” asnjë nga ndërkombëtarët që flasin për ligjin e lustracionit, nuk mund të sjellin një shembull të vetëm si ky i poetit disident Havzi Nela. Atëherë shtrohet pyetja: Ligji i lustracionit kërkohet të jetë “lustër” e të tejzgjatet tranzicioni shqiptar, të mos integrohemi realisht ndërveti brenda shtetit shqiptar, apo të shkojmë drejt integrimeve europiane edhe me poetin disident Havzi Nela “të varur në litar”?!
Në maj të vitit 1991, në një konferencë në Paris, 42 parti demokratike të Europës, në rezolutën e tyre e cilësuan Enver Hoxhën “Hitlerin e pasluftës”.
A i dënoi Europa e Bota krimet e Hitlerit? Po. Atëherë, ne, Shqiptarët, në shtetin tonë demokratik, a nuk paskemi të drejtë të dënojmë krimet e Enverit. 14 rezoluta ndodhen në “Rekordet e Kongresit Amerikan” që i dënojnë krimet e Enver Hoxhës e kërkojnë përmbysjen e regjimit të tij. Edhe vetë Hrushovi i pjellës së komunizmit e ka kritikuar në një fjalim të tij diktatorin Enver Hoxha për krimet e tij, si në rastin kur dënoi me pushkatim me fëmijë në bark në dhjetor të vitit 1956 bashkëpunëtoren e kundërshtaren e tij, Liri Gegën.
As nazistët e Hitlerit nuk u sollën me bolshevikun Dimitrov të Bullgarisë në vitin 1933, siç ka vepruar Enver Hoxha e Ramiz Alia gjatë komunizmit në RPSSH, nga pushkatimi i 21 vjeçares partizane Ramize Gjebrea me akuzën “ për dashuri” në fillimet e komunizmit e deri tek varja e poetit Havzi Nela në agoninë e komunizmit.
Në historinë europiane, pas mundjes së Hitlerit, në dekadat e “Luftës së Ftohtë” ka pasë dy- Gjermani, në dy shtete: RFGJ e RDPGJ. Ndërsa, në Shqipëri, me pushtimin komunist të diktatorit Enver Hoxha, ka pasë disa shtete: “Shteti i Bllokut”, në Tiranë, që ende mbron njerëzit e vet të së shkuarës komuniste nga prekjet prej ligjit të lustracionit, dhe “Shteti i Popullit”, që bënte jetën e vet të vështirë. Ishte “Shteti i Emigrantëve Politikë”, që jetonte edhe në vendet euro-atlantike dhe “Shteti i Telave me Gjemba” i quajtur “RPSSH”, (vetëm tela me gjemba për klonin e kufirit e burgjet importoheshin 18 mijë tonë në vit). Ishte “Shteti i të Përndjekurve Politikë”, që ekzistonte edhe në kampet e internimit edhe në çdo “shtëpi të prekur” nga lufta e klasave, që nuk mund të bënin as vizita familjare e as martesa me shtetet e tjera brenda RPSSH. Ishte “Shteti i Kavalishencave” për udhëheqjen komuniste në Durrës, Dajt, Drilon, Vlorë, etj. dhe “Shteti i Burgjeve”, në Burrel, Spaç, Qafë Bari, etj.
Pas shembjes së Murit të Berlinit u bashkuan të dy Gjermanitë në një të vetme, u integruan në mes të tyre, kanë arritur nivele të larta zhvillimi të gjithanshëm.
Ne, në Shqipëri, pas shembjes së Murit të Berlinit, na u deshtë të “shembnim” muret e “shteteve” të krijuara nga Enveriada komuniste gjatë komunizmit në Shqipëri, që vetë Europa e ka cilësuar “Komunizëm i Epokës së Gurit”.
Ne, në Shqipëri, tani duam të integrohemi brenda vetit edhe me ligjin e lustracionit, por e kemi tepër më të vështirë se në Gjermani. Kjo për faktin se në Gjermaninë Lindore, gjatë sundimit komunist, u dënuan me vdekje vetëm 250 vetë, ndërsa, në vendin tonë, për 48 vjet të komunizmit, numërohen mbi 6 mijë vetë, përndryshe: vetëm gra e vajza shqiptare me dënime kapitale për jetën e tejkalojnë këtë shifër tragjike. Në çdo 70 mijë vetë në Gjermaninë Lindore një është dënuar me vdekje, ndërsa në Shqipëri ky raport shkon 1 në mbi 600 vetë(!).

Para disa ditësh, Polonia, vend anëtar i Bashkimit Europian, NATO-s, Këshillit të Europës, OSBE-së, po ecën në linjën e ligjit të lustracionit duke marrë edhe sanksione sociale ndaj atyre që kanë një të kaluar të errët në periudhën e komunizmit, ndërsa në Shqipëri këto masa janë kaq të zbutura saqë kërkohet vetëm të mos jenë ende në funksione të larta.
Rezoluta e Këshillit të Europës zbret deri në ato nivele që ligji i lustracionit të “kapin” edhe një “roje burgu”, në rast se gjendet fajtor, ndërsa në Shqipëri ka kaq shumë jehonë e presione që të mos lëvizet një prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme, një gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, etj.
E dinë këta ndërkombëtarë që flasin për ligjin e lustracionit se pse u dënua 20 vjet poeti disident Havzi Nela? Për parimet universale të lirisë, për idealet e demokracisë, që u mohuan nga ideologjia komuniste, që u përgjakën nga diktatura e Enver Hoxhës, që shqiptarët ishin skllevër të regjimit komunist. E dinë Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, teksa flet për ligjin e lustracionit, çfarë shkruante poeti disident Havzi Nela: “Fryma e Helsinkut u derdh porsi era,/Na përkdhel zemrat, çeli si pranvera/Këtu në votrat tona futi gaz e shpresë,/Na zgjoi afsh e vrull, ndoshta nuk do vdesë/”.
Këmba e tretë: mbahet nga mëkatarët e të shkuarës komuniste, që përfitojnë nga mungesa e ligjit të lustracionit dhe duan ta pengojnë zbatimin e tij.
Në këtë përballje demokratike të ditës shihet se kush ka vlerë të lartë: fytyra apo maska. Në rast se vlerësohet fytyra integrohemi drejt Europës. Ka ardhur koha që maskat të marrin damkën e merituar prej vetvetes e prej demokracisë shqiptare.
Havzi Nela, poeti zemërzjarrtë ligjëronte burgjeve: ”Thoni: Dritë kërkoi/E vetë Dritë nuk pa me sy/Thoni: Për njerëzinë këndoi/E për vete mbajti zi/”, në vitin 1993, e nxorën nga një gropë shtylle betoni, të hedhur ashtu në këmbë, në breg të liqenit të Fierzës, dhe e futën në arkivol duke e rivarrosur me nderime të traditës shqiptare në fshatin e lindjes.
Mbi krimin shtetëror politik ndaj tij, mbi varrin e vjetër e të ri të tij, firmëtarët genocidistë të ekzekutimit të tij me varje në litar u kacavjerrën triumfalisht shkallëve të karrierës në nivele tejet të larta. Fehmi Abdiu u zgjodh në dy mandate Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Fatmira Laskaj, Kryetare e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive të politikanëve e zyrtarëve shqiptarë.
Disidenti epope, Havzi Nela, (i dekoruar ”Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha, në 5 vjetorin e ekzekutimit, më 1993), donte të vetmin nderim: ”Mbi vorr tim me gurë e ferra/Një tufë lule me ma lëshue/”, por shpirti, idealet e vepra e tij nuk mund të pranojnë që ende të qëndrojnë i “varur” në trekëmbësh edhe pas 20 viteve të ekzekutimit të tij barbar, në kohën e demokracisë.
Fakti i parë: Më 7 maj 2003, Kukësi, vendlindja e tij, i nisë një propozim Presidentit Alfred Moisiu për ta nderuar Havzi Nelën (pas vdekjes) me Urdhrin ”Nderi i Kombit”, por e përçmon disidentin e panënshtruar dhe e dekoron me përulje në vitin 2004 ish-kryetarin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Fehmi Abdiun, që firmosi për varjen në litar të poetit zemërzjarrtë e qëndrestarit të flaktë. Kjo dekoratë duhet lexuar në të dy anët e saj: motivacioni flet për kontribute e merita të shquara në drejtësi, ndërkohë që ka kryer edhe këtë akt kriminal ndaj poetit dhe i jepet pak ditë para 70 vjetorit të lindjes së poetit e pas përkujtimit të 15 vjetorit të varjes tragjike të tij(!).
Fakti i dytë: Më 4 tetor 2007, përsëri, vendlindja e poetit disident, Kukësi, i kërkon Presidentit Topi ta dekorojë me Urdhrin ”Nderi i Kombit”, por, edhe ky, vepron si paraardhësi i tij, e dekoron me himne, në korrik 2008, me Urdhrin ”Naim Frashëri të Artë”, ish-gjykatësen Fatmira Laskaj, një nga tre firmëtarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Kjo dekoratë i jepet në 20 vjetorin e hedhjes së firmës së saj për dënimin me varje në litar të martirit Havzi Nela.
Presidenti Topi, për ligjin e lustracionit, zgjedh ”heshtjen” si për dekretimin dhe për komentet, çka nuk i takon për shumë arsye e arsyetime, por ”zgjohet” për të dekoruar e dekretuar persekutorët e poetit Havzi Nela, biles dekoron edhe nga 200 komunistët e parë të vitit 1941, të themelimit të PKSH, çka nuk e nderon për vet gjeneralitetet e atributet e tij.
Të thuash se këta dy presidentë, Moisiu e Topi, nuk e njohin poetin tonë kombëtar Naim Frashërin, nuk e pranoj, të më thonë se nuk e njohin poetin disident Havzi Nela, nuk e besoj, por të arrijnë që gjyqtarët persekutorë Fehmi Abdiu e Fatmira Laskaj, që dënuan me varje në litar një poet, t’i dekorojnë me Urdhrin ”Naim Frashëri të Artë” ky është një paradoks presidencial, një njollë turpi kombëtar. Ky fakt, ky akt, i befason jo vetëm ata ndërkombëtarë që spirraven për ligjin e lustracionit, por edhe një plak analfabet në liqenin e Prespës apo në këmbë të malit Jezercë, por edhe një fëmijë që sapo e ka mësuar Abetaren në Dropull apo në një qytet në Bregdet.
Poeti disident Havzi Nela arrestohet më 15 qershor 1988, në ora 5.30 të mëngjesit, ndërsa në mesditën e kësaj dite nisë hetuesia ndaj tij dhe për 7 ditë Dosja e tij me “Çështjen Penale Nr.60” shkon në Gjykatën e Rrethit të Kukësit. Dy ditë para gjykimit, kryetari Agim Hoxha, për këtë çështje, në Dosjen 13532/A, në faqen 2, paragjykon dënimin: “Duke parë çështjen në kompleks, interesin e partisë në rreth, si dhe përhapjen e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit duhet t’i jepet dënim kapital. Që t’i shërbehet më mirë parandalimit të veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit, duhet të jepet si mënyrë ekzekutimi: vendim me vdekje e varje, ku mund të ekspozohet i dënuari”.(!) Mbi këtë dosje të Havzi Nelës, të montuar, paragjykuar e përshpejtuar, kanë hedhë firmat e tyre Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj,…Kristaq Rama e deri tek Ramiz Alia(!), ku Abdiu thekson se “s’kam asgjë që të më brejnë ndërgjegjen” 910 maj 2002), etj.
Shkrimtari Ismail Kadare, kandidat për Cmimin Nobël, në vitin e kaluar, në 20 vjetorin e varjes tragjike të poetit disident Havzi Nela, jep mesazhin, se kjo është “…një kambanë që ënde bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë Lirinë e Shqipërisë”.

– Autori është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Tiranë.
(Ky shkrim për herë të parë u botua në fillim të vitit 2009)

===================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG


Havzi Nela (1934 – 1988)

Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të regjimit komunist. Më pas ai filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij. Pas shumë vështirësish, ai gjeti një punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Ai u dëbua edhe nga ky fshat për shkak të aktivitetit të dyshimtë – u lexonte nxënësve poemat e tij. Më pas ai arriti të përfundojë Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme të tilla si Kruma, Lojma, dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan. Topojani ishte vendi ku filluan ngjarjet më dramatike të poetit dhe familjes së tij.
Havzi Nela kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë, dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe se ku ai mund të jetonte. Pasi u lexoi nxënësve të tij poemën “Shko dallëndyshe” shkruar nga Filip Shiroka, Havzi Nela, me gruan e tij, Lavdie, rrezikuan jetët e tyre duke marrë rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun …” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit.
Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllav i vunë në prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij, i burgosën në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj, 1967, jugosllavët i kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB.
Më 22 maj, 1967, poeti u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. Gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Poeti kurrë nuk u pajtua me diktaturën dhe marionetat e tij në burgje.
Më 8 gusht, 1975, atij iu shtuan edhe tetë vjet në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Më 19 dhjetor, 1986, ai u lejua të dalë nga burgu, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor, 1987, ai u arrestua dhe u internua në fshatin Arrën. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë e Shqipërisë të përbërë nga gjyqtarët komunist: Fehmi Abdiu, Vili Robo dhe Fatmira Laskaj e hodhi poshtë kërkesën Lavdie Nelës kundër dënimit burrit të saj me vdekje. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në ekzekutimin Havzi Nelës.
Më 10 gusht 1988, në orën 02:00 të mëngjesit, ai u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit.
Pasi u ekspozua gjatë gjithë ditës më 10 gusht, 1988, në mesnatë terroristët komunistë e morën trupin e tij dhe e futën atë vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtyllë druri. Ai ishte i privuar nga mundësia për tu shtrirë si të gjithë të vdekurit. Ai qëndroi në këmbët e tij për pesë vjet dhe dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993. Pas përpjekjeve të shumta nga qeveria demokratike e Shqipërisë, kjo ishte dita që u bë e mundur që të gjendej vendi, i mbuluar me gurë dhe shkurre pranë fshatit Kolsh, dy kilometra larg nga Kukësi. Me dekretin presidencial të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, Havzi Nelës i është dhënë titulli “Dëshmor i Demokracisë.”
Në përkujtimin e 75 vjetorit të lindjes së Havzi Nelës shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante: “Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.
Krijimtaria letrare:
• Në qelitë e burgut
• Nuse më dhanë robninë
• Eni të vajtojmë Shqipërinë
• Nusja e flamurit.

………………………………

– HAVZI NELA –

————————————————

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktoi i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura