(Prishtinë, 10. 12. 2012) –
I. I dashur lexues,
Po e ndjej të nevojshme që të ndaj me ju përjetimet e mia emocionale që kam provuar kur vizitova Mesharin e Gjon Buzukut (1555) në Bibliotekën Kombëtare ku ishte i ekspozuar për disa kohë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar.
Me 13 nëntor, së bashku me një shok timin u nisëm nga Prishtina për në Tiranë. Qëllimi parësor ishte ta vizitonim dhe shikonim nga afër Mesharin së bashku me sivëllezërit e tij. E kam fjalën për disa nga veprat e Matrangës, Budit, Bardhit dhe Bogdanit si më të vjetrat që janë.
II.
Data e 14 nëntorit ishte një ditë e bukur me diell.
Sado që ishim në nëntor, ajo ishte një ditë vere e vërtetë. Rreth orës 10 arrijmë te Biblioteka Kombëtare. Gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte se sado që brenda saj ishte libri më i vjetër në gjuhën tonë, numri i njerëzve që hynin në objektin ku tani më ishte monumenti i parë i shkrimit shqip ishte i pakët. Kjo disi më lëndoi. Kur hymë në hollin që të shpinte në mjedisin ku ishte i ekspozuar libri, sado që kishte njerëz na mbështolli një atmosferë heshtjeje. Ajo heshtje ishte e përhershme aty dhe mbështillte cilindo individ apo grup që hynte. Heshtje të tilla rëndom mbretërojnë në objekte të veçanta siç janë bibliotekat dhe muzetë. Por në këtë rast kishte edhe diçka tjetër që atmosferën e bënte edhe hijerëndë. Ishte prania edhe e dy njerëzve të uniformuar (dy policë) që ia shtonte seriozitetin e pamjes. Ata qëndronin aty për shkaqe të sigurisë.
Tre-katër persona ishin para meje. Radha e vizitorëve po lëvizte ngadalë. Ngadalë sikur të ishte kolonë kortezhi. Edhe unë mbaja ritmin e saj. Sapo vura hapin e parë në hollin ku ishte libri, mu duk sikur po zbrisja në botën e të vdekurve. Me dukej sikur do të takoja vet Buzukun, Budin, Bardhin e Bogdanin. Do të takoja secilin prej tyre veç e veç dhe të gjithë së toku. Për herë të parë në jetën time po provoja diçka të tillë. Në atë moment mu kujtua zbritja e Odiseut në Had. Me dukej se diçka e tillë po ngjante edhe me mua. Por, mes meje dhe Odiseut kishte një ndryshim. Ai kishte zbritur në Had për të takuar miqtë dhe bashkëluftëtarët e vet, ndërsa zbritja ime imagjinare e atij çasti me dukej se do të më mundësonte të takoja udhërrëfyesin tim kur ishte fjala për Buzukun ose udhërrëfyesit e mi nëse bëhej fjalë për të katër B-të.
Të tillë ndjenja po provoja në atë pak kohë që më kishte mbetur derisa duhej të arrija pranë Librit.
Ndërsa prisja radhën që të arrija pranë Mesharit, sa vinte dhe më sforcohej dëshira që sa më parë të ndodhte kjo gjë. Zvogëlimi i distancës që më ndante prej tij (Librit) shoqërohej me forcimin e dëshirës që t’i afrohem sa më shpejtë. Në të njëjtën kohë sa vinte e më zbehej durimi i pritjes.
Ndjenja të përziera ma përshkonin qenien time.
Më në fund arrij!
Arrij pranë një libri jo dosido!
…… pranë librit të parë të gjuhës sime!
…… pranë librit që ka moshën 457 vjeçare!
Si për habi fillova të mos i besoja atij momenti.
M’u bë sikur isha në ëndërr.
Nuk i besoja sepse më dukej vetja me fat të jashtëzakonshëm që po e shikoja së afërmi librin e parë të gjuhës sime. Monumentin e parë të shkrimit shqip. Pikënisjen e cila shënonte fillimin e mbarë të shtjellimit të rrugëtimit tonë historik. Këtë pikënisje shpirtërore kisha tani pranë vetes dhe isha me fat. Me fat sepse shumë, vërtetë shumë kanë ikur këtu e në të shkuarën pa e parë këtë libër dhe shumë të tjerë këtu e në të ardhmen do të ikin po ashtu pa e parë atë.
Përballë këtij fakti, a nuk duhet të ndjehet me fat njeriu?
Po!
Dhe atë shumë bile!
Kjo po ndodhte me mua!
Sa i detyruar po e ndjeja veten në atë moment përballë të të birit të Bdek Buzukut!!!
Përpiqem ta përthith atë çast të tërin!
Isha në një gjendje transi.
Megjithatë e kisha vetëdijen se nuk mund të qëndroja gjatë dhe më duhej t’u lija radhën të tjerëve që vinin pas meje për ta parë Librin.
Më në fund vendosa të lëviz ngadalë. Pasi u ndava nga Meshari, vajta pranë E mbësueme e krishterë të Lekë Matrangës e deri te i fundit Çeta e profetënvet të Pjetër Bogdanit.
Në të dal të Sallës, në librin e përshtypjeve bëj një shkrim në lidhje me emocionet e atij momenti.
Kur mbarova atë shënim, ndërsa po dilja nga Salla u ndjeva shumë i lodhur, për të mos thënë disi i dërmuar. Tani e marr me mend se mund ta kem pasur për shkak të tendosjes emocionale.
Sa gjë e bukur është kur njeriu provon situata të tilla!
Ashtu i kapitur nisem në drejtim të daljes.
Në dalje me përshëndesin rrezet e një dielli që kishin një shkëlqim prej ari.
Aty më kishte zënë pritën një ekip i një TV-je që as nuk i pashë ndonjë shenjë se i kujt Televizioni qe dhe as që e pyeta për këtë gjë.
Gazetarja, një vajzë e re, më bëri me dije se më kishte përcjell gjatë kohës sa kisha vizituar librat dhe kisha lënë një shënim në librin e përshtypjeve. Ajo kërkoi prej meje që të thosha diçka në lidhje me Mesharin dhe qëndrimin e tij në Shqipëri për ca kohë. Unë do të thosha për pak kohë.
Se do të gjendesha në një situatë të tillë, këtë nuk e kisha parashikuar dhe paramenduar. Prandaj, edhe nuk kisha menduar diçka që duhet të thosha në atë rast.
Për këtë arsye për një moment u stepa.
U përpoqa të mbledh vetën dhe energjitë e duhura, të bëjë një sistemim të mendimeve dhe të them atë qe kisha dëshirë. E merrja me mend se do ta kisha të vështirë. Megjithatë, më duhej ta bëjë këtë gjë.
Andaj fillova.
– Është fat sot për mua që e pashë nga afër librin e parë të gjuhës sonë, monumentin e parë të kulturës së shkrimit shqip. Sa e sa njerëz para meje nuk e kanë parë edhe pse mund ta kenë dëshiruar këtë gjë më tepër se sa unë dhe sa e sa te tjerë do të vijnë pas nesh e nuk do ta shohin pa çka se edhe ata mund ta dëshirojnë këtë gjë shumëfish më tepër se sa unë. Një moment i tillë s’ka se si të mos shoqërohet me emocione të forta.
– Po si mund ta komentoni këtë ndjeshmëri për Mesharin? – pasoi pyetja e radhës nga gazetarja.
– Meshari, ka vlera të veçanta jo vetëm për atë se është libri i parë në gjuhën shqipe dhe monumenti i parë i shkrimit të kësaj gjuhe. Ai në vete bart edhe një vlerë tjetër. Për shkak të tematikës që ka dhe vetë titullit që iu ka vënë Meshari. Si i këtillë, për ne shqiptarët dhe gjuhën tonë ai shkon përtej atyre vlerave që kanë përmbajtje tokësore. Vini re vetëm titullin: Meshari. Ai mëton të na lidh me hyjnoren, te pavdekshmen.
Prandaj, ka peshë kaq të madhe për ne.
Kjo ishte përgjigja ime në interesimin e atij ekipit të një Televizioni e që më vonë e mësova se kishte qenë TV Klan i Tiranës.
III.
Nga Biblioteka deri te pika ku Shëtitorja Dëshmorët e Kombit bashkohet me Sheshin Skënderbe e përshkova në heshtje.
Gjendjen time e pikasën edhe ata që ishin me mua.
As ata nuk flisnin.
Kur arritëm pranë pikës së fillimit të Shëtitores, me mbërtheu një ngashërim i brendshëm.
Nuk rezistova dot.
Meshari më nxori në shesh dobësinë njerëzore.
………………………………………..
Meshari i Gjon Buzukut (1555) në Bibliotekën Kombëtare…
___________________________________