RKL: DEFORMIMI I LAJMEVE PËR “GJYKATËN SPECIALE” KUNDËR UҪK’së – ME BURIME “ANONIME”!

Prishtinë, 25. 06. 2015 – Zezona që po përhapin disa medie e portale shqip-shkruese kundër vlerave të luftës së UÇK-së, pse jo edhe kundër bazës historike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka kulmuar sidomos në ditët e fundit, kur ka filluar të marrë përmasa fushata për themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, mundësisht me aprovimin e shumicës së deputetëve dhe përkrahjen pa rezervë të kësaj gjykate nga kryetarja, Atifete, nga tandemi qeveritar: Mustafa -Thaçi, (komplet nga kabineti qeveritar), nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nga të gjitha OJQ-të, dhe jugo- analistë-shqipfolësit dhe jugo-jaranët e Serbisë.
Me qëllim për ta ndihmuar Qeverinë dhe institucionet në këtë drejtim, disa medie e portale edhe pse kritikojnë “ashpër” Qeverinë dhe institucionet për sikur thuhet “abuzime dhe keqqeverisje”, tani iu kanë bashkuar fushatës për themelimin e Gjykatës Speciale, duke frikësuar shqiptarët pacifistë dhe të pa informuar me “gogolin” e Rusisë në OKB dhe rikthimin e pozitës ekzekutive të UNMIK-ut në Kosovë.
Ky kor sorrashkash na përkujton kohën kur në prill dhe maj të vitit 1998, kishte filluar lufta mediale kundër UÇK-së, e cila paraqitej si sajesë e Beogradit, si dorë e zgjatur e Serbisë dhe si një krijesë që duhej të zhdukej sa më parë për të mirën e LDK-së dhe të Republikës së improvizuar të Kosovës, të cilën atëbotë e kishte pranuar Shqipëria dhe Republika e Melkizedekut.
Mediet pro-qeveritare dhe ato të njohura për qëndrim kundër UÇK-së në vazhdimësi thirren në burimet e veta gjithnjë anonime, diplomatike, me qëllim për ta frikësuar opinionin në Kosovë se mos-votimi i gjykatës Speciale kundër UÇK-së do të kishte për pajojë kthimin e EULEX-it dhe minimin e pavarësisë. Në propagandën e tyre të zezë këto medie dhe portale si: “Ekspress”, “Koha Ditore”, “Zëri” “Je-ta Bi-rni në Kosovë”, “Telegraf” etj, për çdo ditë citojnë burime anonime me qëllim për ta ngjallur ndjenjën e frikës te qytetarët se mos-votimi i Gjykatës Speciale po e kthyeka Serbinë në Kosovë. Një shembull të tillë e ka përhapur edhe RTK, duke cituar një burim anonim ku thuhet se për Gjykatën Speciale duhet të vendoset në Kosovë nga deputetët dhe me ligjet e Kosovës, ose në të kundërtën për këtë do të vendosë KS i OKB-së në New York.

Sa janë të vërteta e të besueshme burimet anonime të medieve, të cilat arrijnë të funksionojnë duke e deformuar lajmin, duke afishuar sa e sa gënjeshtra në ditë, duke kurdisur skena e skenarë të ndryshëm dhe duke mos botuar reagimet e personave të apostrofuar, sikur ndodh pa përjashtim nga Koha Ditore e nga portale të tjera?
Burimet anonime, janë gënjeshtra notorne të vetë redaksive, janë gjella e tyre e përditshme që ua jep padroni dhe të cilën ata e mbllaçitin si çam-çakiz, pa e hequr dot nga goja.
Ja si do të mund të reflektonte besueshmëri një burim anonim kundër Gjykatës Speciale:
Burime anonime të Radios-Kosova e lirë në radhët e PDK-së, bëjnë të ditur se votimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së ka për qëllim diskreditimin e plotë të luftës çlirimtare, me qëllim që Serbia të kthejë sovranitetin e saj, të suspenduar me rastin e shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008. Nëse krerët e UÇK-së, të paragjykuar për krime lufte pranojnë themelimin e Gjykatës, ata do të kenë lehtësira në procedurë dhe mund të mos shpallen fajtorë. Ata tashmë në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare kanë nënvizuar emrat e atyre luftëtarëve të UÇK-së, të cilët do të akuzohen për krime lufte, duke u mbështetur në dëshmitarë anonimë, të mbrojtur dhe pa identitet publik. Pikërisht sepse OKB-ja nuk ka mandat ta themelojë një Gjykatë të tillë, qarqet antishqiptare të Brukselit po bëjnë përpjekje t’ i frikësojnë dhe t’i detyrojnë shqiptarët të vetë akuzohen, me qëllim që para opinionit ndërkombëtar të zhvlerësohet lufta e UÇK-së dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës.
Kush mund ta mohojë, apo ta pohojë një lajm të tillë, në kohën kur gënjeshtra në medie ka marrë përmasa infinite dhe është bërë “ buka jonë e përditshme, që na e falë i madhi padron”?
Të thirresh në burime diplomatike, pa dhënë qoftë edhe inicialet e akëcilit diplomat, të thirresh në burime brenda një partie, apo klani partiak, në burime qeveritare pa cituar asnjë zyrtar, në burime nga komuna, pa cituar asnjë zyrtar të akëcilës komunë, të bësh lajm të ballinës, burimin e fejsbukut të famshëm, kjo të do të thotë se gazetaria serioze dhe e vërteta e afishuar në to po shkon drejt katandisjes. Po ja që shumë nga lexuesit, dëgjuesit dhe shikuesit e medieve të shkruara dhe elektronike, kanë më shumë prirje t’i besojnë gënjeshtrave sesa të vërtetave.
Me qëllim të deformimit të informatës, medie të caktuara në vendin tonë nuk i japin hapësirë mendimit ndryshe, në këtë rast mendimit kundër Gjykatës Speciale. Nuk lejohet botimi i asnjë komenti apo analize, i cili me gjuhën e fakteve kundërshton themelimin e kësaj Gjykate, nuk publikohen madje as qëndrime të autoriteteve ndërkombëtare, të cilët janë më të matur në këtë segment dhe të cilët porosisin politikanët e Kosovës, që ta kenë të qartë paraprakisht se çka fitojnë e çka humbin me themelimin e kësaj Gjykate. Në mediet e apostrofuara nuk zuri fare vend konstatimi i analistit amerikan, Daniel Server i cili tha: “Evropa ka qëndrim racist kundër shqiptarëve”, apo shprehja kundër Gjykatës e diplomatit dhe mikut të shqiptarëve, Viliam Voker dhe e jo pak diplomatëve të huaj.
Deformimi i lajmit, duke u bazuar në të ashtuquajturat burime anonime dhe burime të besueshme të medieve, po e çon gazetarinë drejt katandisje, po e helmon opinionin dhe po i jep “kontribut” thellimit të anarkisë në vend. Është koha e fundit që gazetarët me kredibilitet dhe aftësi të dëshmuar në publikimin serioz të lajmit të marrin nismë dhe të themelojnë një organizatë apo shoqatë me qëllim për ta ruajtur gazetarinë e vërtetë, hulumtuese e serioze nga dëmi që po i shkaktojnë sharlatanët, hipokritët, gënjeshtarët, apatridët, plastofilët, gazetarët e prostituuar të padronëve dhe nga një soj i tërë i të pafytyrëve, të cilët e lakojnë fjalën sipas interesit të tyre meskin, gjithnjë me qëllim përfitimi individual apo klanor.
Burimet anonime, burimet e fejsbuqeve, burimet e “besueshme” të akëcilave mediume, nuk janë burime, por gënjeshtra të qëllimshme, për qëllime të caktuara politike, asnjëherë me qëllim të mirë për kombin e atdheun.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura