BEHAR GJOKA: POLITIKA QË E LA QYTETARIN PA TË SOTME

Tiranë, 6. 7. 2016: Po të dëgjosh liderët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë, që flasin për drejtësinë, korrupsionin, për gjithë problemet rajonale dhe globale, habitesh me pohimet e tyre. Të lë pa mend, aftësia që të flasin pa doganë, pa marrë përgjegjësi dhe, mbi të gjitha veçohet mjeshtëria për të qenë të pakuptueshëm në ligjëratat e tyre.
Nga sa flasin, e sidomos nga sa bëjnë çdo ditë, në kapërcimin e 25 viteve në pushtet, kupton se ata nuk kanë të bëjnë me këtë mjedis, me morinë e problemeve që ka shoqëria dhe qytetari shqiptar. Pa hyrë në detaje të imta, për gjëra që dihen dhe mbi të gjitha, që janë të pranishme çdo ditë në televizon dhe shkruhen nëpër gazeta, do të ndalemi vetëm te diskuri i liderëve kryesorë të politikës shqiptare.
Ligjëratat e përditshme pohojnë shkëputjen nga realiteti, lënien e qytetarit në mëshirë të fatit, mbase në rënie të lirë, në varfëri dhe përbuzje të thellë. Kjo ngjet, pashkëputje nëpër këto vite, nga të dy krahët e politikës shqiptare, madje shpaloset prej tyre me krenari absurde. Diskuri politik, mbizotërues i politikëbërjes shqiptare, është ikja prej kësaj kohe fiktive, me vetëdije apo rastësisht nuk dihet, e veçmas prej problematikave të mprehta të shoqërisë shqiptare.
Pavarësisht nuancave dallimore në ligjërimin e tyre, përgjithësisht palët bashkohen në lënien në mëshirë të fatit të qytetarit, të zhvillimit ekonomik të vendit, të lënies bosh të sotmes, ku megjithatë bie në sy: Nga njëra anë: Mbetja në të djeshmen e politikës së pozitës qeverisëse, ku tashmë po hyhet në afatet e mbylljes së vitit të tretë në qeveri, dhe sytë janë hedhur nga viti zgjedhor 2017, ende nga ministrat e PS, po kaq nga kryeministri Rama, mosrealizimet në qeverisje, në mbledhjen e taksave, të zhvillimit të ekonomisë, të “rrugëve pa rrugë”, ende lidhet me “qeverinë e mplakur”, pra me qeverinë e djeshme.
Nëse për gjashtë muajt e parë, kjo parullë e lodhur nëpër vitet e tranzicionit të zgjatur, kishte njëfarë kuptimi, për të justifikuar mosrealizimet, tani ngjan me kangën e kukuvajkës, që këndon në majë të çatisë, për qef të qefit. Kjo situatë përgjumje e militantëve të PS-rilindase, do me thënë me mbet përjetësisht në të djeshmen.

Vetë ligjërimi në optikën politike, më shumë të ndërmend kohën kur pozita e sotme ishte në opozitë dhe priste që të merrte pushtetin. Duke vendosur në qendër të vëmendjes, projektimin e të djeshmes si shkaku, pasoja, por edhe për të motivuar një luftë të ashpër politike, mbeten larg vëmendjes problemet e qytetarit, e përparimit të vendit, e përmirësimit të standardeve të demokracisë së brishtë shqiptare.
Në anën tjetër: Opozita, sidomos PD, që përsëri vijon të ketë dy koka udhëheqëse, doktor Berisha, që përveç mjeteve të tjera, në parlament dhe media, përdor moton, shpif-shpif se diçka mbetet, e Basha, në jo pak raste, hesht me bindjen se heshtja flet vetë. Një parti me dy koka, ka gjasa të dobësojë edhe ca më tepër shtatin e partisë, gjymtyrët ekzistenciale të saj, gjë që përpos tjerash, dobëson aspiratën e pushtetmarrjes.
Megjithatë, në herët kur Basha flet, në takimet me elektoratin, me shumë gjasa për të ikur nga e djeshmja, e qeverisjes së dështuar, me përllogaritje politike, projekton të nesërmen. Në takimet e liderit demokrat Basha, të zhvilluara më tepër në fshatra e qyteza, mirë do të ishte të zhvillonte takime edhe në qytetet e mëdha, diskuri politik, më tepër lidhet me premtimet për ulje çmimesh, për zbutje taksash, si dhe për rritje rrogash, bash sikur të ishte kryeministri qeverisës.
Këto janë premtime të pastra elektorale, për fushatën e zgjedhjeve, dhe ka të bëjë me rrafshin e dëshirave për të ardhur në pushtet, pra duke e lënë në mjegullnajë të tanishmen, të sotmen me kaq shumë vuatje, mjerim dhe padrejtësi. Si ngjyresë e rëndësishme e politikës shqiptare, e midistë dhe konformuese, e ulje-ngritjes së taksave, e kompromisit dhe pazarit, e fasadës qeverisëse, është edhe formulimi i LSI, me qetësi dhe dashuri, që ka një këmbë në qeveri, pra në të djeshmen e qeverisë së vjetër, e njërën në të nesërmen e mjegulltë, të qeverisjes që do të vijë, e cila vështirë se shpëton nga bataku një çerekshekullor, ku është zhytur politika shqiptare.
Pra, duke e lënë qytetarin pa të sotme, politika shqiptare ka dështuar, në aspiratë dhe në sipërmarrjen e ndryshimeve, për të patur në qendër të vëmendje perspektivën zhvillimore të shoqërisë dhe ekonomisë sonë. Të flasësh për të djeshmen, duke harruar të sotmen, është një situatë përgjumje dhe hallakame, që qytetarin e largon nga analiza, vështrimi i mungesave në jetën e përditshme.
Po kaq, të flasësh për të nesërmen, gjithnjë duke lënë anash përditshmërinë, është të projektosh ëndrrën fiktive të radhës, që vetëm sa ndërron duart e pushtetit, e ndryshimin për ndryshim e bën lubrifikant të mosndryshimit, që nuk garanton dinamikën e zhvillimit. Të flasësh për reformat, për rëndësinë jetike të reformës në drejtësi, të reformave ekonomike dhe politike, shoqërore dhe të zgjedhejeve të lira, me këtë politikë dështake, më tepër është miopi dhe naivitet.
Vetë politika, e zhytur në korrupsion dhe krim, në papërgjegjshmëri dhe imoralitet, duhet të futet, një orë e më parë në procesin e reformimit, të katarsës së largimit të fjatorëve, që ky vend dhe popull, të mos e humbas perspektivën e të sotmes e cila mundëson të nesërmen.
Kur sheh këtë hartografi politike, të majtë e të djathtë, që në fushatat elektorale, thur ëndrra në diell, më vjen në mend shprehja e Xhorxh Oruell, kur shprehej: Popujt që zgjedhin politikanë të korruptuar, mashtruesa, hajdutë dhe tradhëtarë nuk janë viktima… por bashkëfajtorë.
A nuk është faji ta lësh pa të sotme qytetarin shqiptar, dhe ai të mërgoi ku sytë këmbët, duke mbetur kështu pa të nesërme, e mbi të gjitha duke e kthyer atdheun në të pajetueshëm?
*) Autori është studiues i letërsisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura