MID’HAT FRASHËRI (1880 – 1949)

Me rastin e 143-vjetorit të lindjes

MID’HAT FRASHËRI (1880 – 1949)

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 26. 03. 2023

Mid’hat Frashëri ka lindur në Janinë më 25 mars të viti 1880. Vdiq në Long Ajllend, Nju-Jork, më 3 tetor të viti 1949. Është bir i politikanit dhe ideologut të Rilindjes – Abdyl Frashërit (1893-1982) dhe i Ballkëzes së Ibrahim Laçit. Është nip i Naim Frashërit (1846-1900) dhe i ideologut të Rilindjes Kombëtare Shqiptare – Sami Frashërit (1850-1904).

Emri i tij paraqitet edhe si Mithat ose Mit’hat. Shfaqet shpesh edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka.Ështëveprimtarpolitik, publicist, prozator dhe përkthyes. U vendos familjarisht në Stamboll. Pas vdekjes së të atit, Abdylit, për arsimimin e tij u kujdesën Naimi dhe Samiu. Nën ndikimin e tyre dhe si autodidakt fitoi kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Pas vdekjes së Abdylit, Samiu u martua me Ballkëzen dhe i rriti nipat e mbesat. Në rininë e tij, Mid’hati ka qenë nëpunës i Perandorisë Osmane. Sipas disa studiuesve, shkollimin e filluar për farmaci, e ndërpreu. Në vitet 1905-1910 punoi në administratën osmane në vilajetin e Selanikut, si drejtor për çështje politike.

*   *   *

Mid’hat Frashëri është veprimtar i Rilindjes Kombëtare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit (14-22 nëntor 1908) ku zgjodh kryetar. U caktua edhe  nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit. Në këtë kongres mbështeti alfabetin e Stambollit.

Veprimtaria politike e tij mori një karakter më nacionalist gjatë luftërave ballkanike (1912-1913) dhe shembjes përfundimtare të Perandorisë Osmane, kur Shqipëria ndodhej para rrezikut që të gllabërohej nga fqinjët ballkanikë të saj.   

Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 dhe nënshkroi aktin e shpalljes së pavarësisë. Në qeverinë e Ismail Qemalit (1844-1919) u emërua ministër i Punëve Botore. Më pas u emërua konsull i përgjithshëm i Shqipërisë në Beograd. Përkrahu qeverinë e Princ Vidit (Wilhelm Wied, 1876-1945) ku u ngarkua me detyrën e ministrit të Postave dhe të Punëve Botore. U largua pas shpërthimit të kryengritjes antikombëtare në Shqipëri të Mesme (1914-1915). Qëndroi në Itali, në Zvicër e Bullgari ku bashkëpunoi me shtypin. U zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme, të dalë nga Kongresi i Durrësit (1918) dhe të kryesuar nga Turhan pashë Përmeti (1839-1927). Për shkak të orientimit proitalian, përkatësisht qëndrimit kapitullues ndaj pushtuesve italianë dhe veprimeve në kundërshti me vendimet e Kongresit të Durrësit, qeveria e tij u rrëzua nga Kongresi i Lushnjës, që u hap më 21 janar 1920, e që punimet i zhvilloi prej 28 janar deri më 31 janar  1920.

Mid’hati qe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920) të organizuar nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës I Botërore: Anglia, Franca, ShBA-ja, Italia dhe Japonia, veçanërisht nga tri të parat, për të vendosur me vendet e mundura kushtet e paqes. Në vitin 1919, qe përfaqësues i Federatës “Vatra” në këtë konferencë. Në vitin 1920 përsëri e përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve. Në Paris jetoi deri në vitin 1922. Këtu e vazhdoi veprimtarinë publicistike në shtypin francez dhe e propagandoi qëndrimin e Shqipërisë në ristrukturimin e Evropës së pasluftës. Artikujt e tij u botuan në France-Orient, L’Europe nouvelle, Mercure de France,, Revue de Genève dhe Les Peuples libres.Në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku protestoi për shpërnguljen me dhunë për në Turqi të popullsisë çame.Sipas të dhënavetë caktuara,në dhjetor të viti 1925 ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrëpër shkak të nënshkrimit të marrëveshjes sipas së cilës Shën Naumi iu dha Jugosllavisë. Në periudhën e qeverisjes së Ahmet Zogut (1895-1961), për njëfarë kohe e la politikën.

Në vitet 1926-1939 hapi dhe drejtoi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. Vetë kishte një bibliotekë private me rreth 20.000 vëllime, më e madhja në Shqipëri në atë kohë, të cilën në shkurt të viti 1938 e ofroi për krijimin e një Instituti të Studimeve Shqiptare. Sipas disa të dhënave, në bibliotekën apo në librarinë e tij ka pasur rreth 40.000 libra. Në periudhën e pluralizmit është krijuar në Shqipëri çmimi për bibliofili “Lumo Skëndo” dhe ndahet në Ditën Botërore të Librit. Për herë të parë ky çmim u nda në vitin 2006.       

Sipas të dhënave të caktuara, më 4 prill 1929, Mid’hat Frashëri thotë:

Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilie, karta, plaçka etj. i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjie” që të jetë një qendër e studimeve shqiptare, të mbrojë, të zhvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqë studimet që i përkasin Shqipërisë dhe Shqiptarëve.”

*   *   *

Në vitet e pushtimit fashist të Shqipërisë, përkatësisht nga fundi i vitit 1942 krijoi dhe drejtoi organizatën politike Balli Kombëtar, lëvizje antikomuniste e qëndresës. Në gusht të viti 1943 mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes. Duke qenë kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, në nëntor të viti 1944, u detyrua të largohej nga Shqipëria. U vendos në Italinë e jugut, më pas në Londër, ku edhe e formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Biblioteka e tij në Tiranë u konfiskua dhe përfundoi në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Në vitet e para të pas Luftës II Botërore u përpoq për të formuar një koalicion të forcave opozitare antikomuniste në Angli dhe në ShBA.

Më 12 maj 1949 iu dha viza amerikane. Vdiq nga një krizë zemre në hotelin Lexington / Winthrop, në avenynë Lexington të Nju-Jorkut më 3 tetor 1949. Aty ishte vendosur edhe selia e Komitetit. Arkivoli me trupin e rilindësit të madh, i mbuluar me flamurin kombëtar, u përcoll prej miqve të tij në varrezat “Ferncliff”.

Më 14 nëntor 2018, 69 vjet pas vdekjes, eshtrat e këtij personaliteti të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës shqiptare u kthyen në atdhe, që të prehen në gjirin e tokës mëmë. Ceremonia e rivarrimit u zhvillua në Parkun e Madh të Tiranës, për t’u prehur pranë vëllezërve Frashëri. Me këtë rast, figurën e këtij patrioti, intelektuali të shquar dhe mendimtari të kombit e vlerësuan shumë studiues. Midis tyre edhe studiuesi, shkrimtari dhe përkthyesi Aurel Plasari (1956- ).

*   *   *

Pas vdekjes së tij, kryetra i Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe kryetar i Ballit Kombëtar u zgjodh juristi Hasan Dosti (Kardhiq, Gjirokastër, 1895 – Los Anxhelos, 1991), i cili në vitet 1922-1927 kishte ndjekur studimet e larta në Universitetin e Sorbonës në Paris dhe ishte diplomuar në drejtësi dhe në shkencat politike.   

*   *   *

Veprimtaria letrare dhe publicistike

Mid’hat Frashëri është autor i një game të gjerë veprash edukative: tekste shkollore, përkthime, artikuj gazetaresk, broshura politike dhe rrëfenja didaktike. Deri në vitin 1926 kishte botuar rreth njëzet vepra shqip.

Nga botimet joletrare mund të përmenden: “Istori e shkrimit shqip”, botuar më 1901 në revistën “Diturija”, një nga historitë më të para të letërsisë shqiptare; “Këndime” (1901); Dhetregonjë” (1902); “Këndime për shkollat e para”, Selanik 1910; “Istori e mbretëris otomane”, Kostandinopojë 1912; Shkurtabiqi i verdhë” (1914); “Letra mi një udhëtim në Svicrë”, Sofje 1915; Një re e zezë për Shqipërinë” (1918); Rilindja e Shqipërisë (1918); Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe” (1921); “Plagët tona. Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”, Tiranë 1924 – një traktat 61-faqesh për gjendjen morale, materiale dhe psikologjike në Shqipëri; “Kalendari kombiar për vitin 1926”, Tiranë 1926. Në të u ribotua Fjalori greqisht-shqip i komandantit suljot, hero i luftës për pavarësinë e Greqisë, Marko Boçarit (1790-1823), të hartuar në vitin 1809.               

*   *   *

Në moshën 17-vjeçare Mid’hat Frashëri ndihmoi Kristo Luarasin (1875-1934) dhe Kosta Jani Trebickën për botimin e almanakut kulturor të njohur me emrin Kalendari kombiar, që shtypej në shtypshkronjën “Luarasi” në Sofje. Një vit pas vdekjes së Naimit, me pseudonimin Mali Kokojka, botoi një biografi të shkurtër të tij me titull “Naim be Frashëri”, Sofje 1901. Në korrik 1908, me pseudonimin Lumo Skëndo, nisi botimin e gazetës së përjavshme “Lirija” në Selanik, që zgjati deri në vitin 1910. Në janar 1909 nisi të botojë në Selanik revistën mujore “Diturija”, organ periodik i ilustruar me interes kulturor, letrar dhe shkencor. Më 1916, revista botohej në Bukuresht, ndërsa në vitet 1926-1929 – në Tiranë.

Luajti rol të rëndësishëm në klubin atdhetar të Selanikut, që shquhej për qëndrimin relativisht pajtues ndaj xhonturqve e që më pas u kundërshtua prej figurave kombëtare më radikale. Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, për njëfarë kohe u internua në Rumani. Pasi u lirua, iu kthye përsëri botimeve. Nga 5 maji i viti 1916 drejtoi të përdyjavshmen “L’indépendance albanaise” (Pavarësia shqiptare). Më vonë vajti në Lozanë të Zvicrës ku banoi me kushëririn – Mehdi Frashërin* (1874-1963). Këtu shkroi një numër artikujsh publicistikë dhe studimorë.                 

Shënim: Mehdi Frashëri ka qenë kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936; funksionar i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, guvernator i Jerusalemit; funksionar i lartë edhe në administratën e shtetit shqiptar; përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1934, 1937); veprimtar politik. Është autor i veprës “Historia e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”, 1928, e ribotuar në vitin 2000. Lindi në Frashër të Dangëllisë (Përmet), vdiq në Romë.

*   *   *

Mid’hat Frashëri botoi shkrime edhe në gjuhën frënge: “L’affaire de l’Epire” (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919).

*   *   *

Përktheu në shqip “Gyjom Telli” (Guillaume Tell (Sofje 1898) të poetit francez Alfons dë Lamrten (Alphonse-Marie Prat de Lamartin, 1790-1869); “Bëje të mirën pa hidhe në det”(Thust du was gutes, wirf’s ins Meer),  Sofje 1900 – rrëfenjë moralizuese gjermane e Franc Hofmanit (Franz Hoffmann); më 1909 përktheu dhe botoi në Selanik pjesë nga romani “Robinson Crusoe” (1719)të prozatorit anglez Daniel Difo (Daniel Defoe, 1660-1731); “Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen” të studiuesit suedez Johan Tuman (Johann Thunmann, 1746-1778); “Psikologji e edukatës”, Tiranë 1923 (Psychologie de l’education) të psikologut frëng Gystav Lë Bon (Gustave Le Bon, 1841-1931); “Shkurtabiq’ i verdhë”, “Miu i vockël”, “Sorkadhe e bardhë”, 1913, ribotuar më 1934, të autores frënge Mari Katrin, Baronesha Olnoj (MarieCatherine Le Jumel de Barneville, Baroness d’Aulnoy (1650/51-1705). 

*   *   * Në fushën e letërsisë burimore Mid’hat Frashëri nuk ka botuar ndonjë poezi. Ai botoi një përmbledhje me poezi në prozë, tregime të shkurtra dhe përsiatje me titullin “Hi dhe shpuzë”, Sofje 1915. Janë tregime, të përshkuara nga një notë didaktike, për vuajtjet nën zgjeshën turke, për gjakmarrjen, dhe për luftërat në Ballkan.  

Total
0
Shares
1 comment
  1. HEU, MITHAT FRASHËRI ËSHTË NJËRI NGA TRE INTELEKTUALËT EMBELEMATIK
    MË MADHESHTORË MBARË KOMBËTARË, MBARË SHQIPTARË O, NGA MERGATA
    MBARË SHQIPTARE NË USA QË, NGA LUFTA E PARË BOTËRORE DHE GJERË PAS
    LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, KY SËBASHKU ME TRE KORIFEJTË E SHQIPTARISË
    NOLI-KONICA-FRASHËRI A, KËTA VEPRIMTARË KANË RINGRITUR E RILINDUR OU,
    FAMËN DHE NAMËN ME NJOHJE PËR PERKRAHJE TË ÇESHTJËS MBARË KOMB-
    ËTARE NGA USA DHE, KANË PASUR NDIKIM DHE PËRKRAHJE TË MADHE O, PËR
    PAVARËSINË E SHQIPËRISË!! DHE NË NJË THËNJË NË CA LIBRA DHE BROSHURA
    TË MITHAT FRASHËRIT, VEPRMTAR I RËNDËSISHËM PËR ÇËSHTJE KOMBËTARE
    QË KISHTE PASË APELUAR DHE KËRKUAR: JU LUTEMI TË GJITHË SHQIPTARËVE,
    SE KUSH I KA DUARTË E PËRGJAKURA ME GJAK TË SHQIPTARIT OH, MOS TË NA
    BASHKOHEJ FARE, N’LËVIZJEN TONË PËR RIBASHKIM T’MBARË SHQIPTARISË!!.”
    MANI USA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura