BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: PSE HASHIM THAÇI DO TË ZGJIDHET PRESIDENT I KOSOVËS ?!

 Prishtinjë, 26. 02. 2016: (Edhe të hidhëruar edhe të vonuar) – Opozita e bashkuar e që unë mendoj se nuk janë edhe aq të bashkuar, e ndërroi mënyrën e të kundërshtuarit politik të vendimeve të pozitës për marrëveshjet e arritura në Bruksel pjesë e së cilave ishte edhe vet opozita duke u vendosur në dy sheshe të kryeqytetit, me tenda, sikur Sulltan Sylejmani i Madhërishëm para portave të Vienës. Në këtë mënyrë opozita po e provon dhe po e promovon Revolucionin e Tendave dhe të Çadrave, jo më për ndryshim të marrëveshjeve por për rrëzim të qeverisë dhe marrjes së pushtetit përmes zgjedhjeve të parakohshme. Me një fjalë, opozita, përmes abortimit elektoral dëshiron ta marrë pushtetin e jo ta ruaj, mbrojë apo fuqizojë shtetin. Të dyja palët shtetin po e përdorin si plaçkë personale. I kemi dy pamje të mashtrimit optik dhe politik ku pozita përpiqet ta ruajë pushtetin duke u thirrur në fuqinë elektorale e shprehur në numra në Kuvend ku është shumicë absolute (me partnerët minoritarë dhe shumicën serbe që është forca përcaktuese dhe kushtëzuese) dhe opozita e bashkuar që është minoritet politik por që ka dëshmuar një potencial të pabesueshëm të kundërshtimit duke u viktimizuar përmes arrestimeve dhe presionit tjetër që i është bërë në ndërkohë që edhe kjo opozitë ka dëshmuar se dhunën nuk e ka diçka të panjohur duke e demonstruar këtë sidomos kundër segmentit që ka legjitimitet të ushtrojë dhunë , segmentit të sigurisë e që në rastin konkret është Policia e Kosovës. Opozita e bashkuar humbi shumë përkrahës pasi u shndërrua në makineri automatike për hedhje të gazit lotsjellës të cilin , vetëm ata (një copë e mozaikut opozitar) e konsideronte si mjet demokratik ndërsa të tjerët që ishin shumicë e kundërshtonin këtë! Ballafaqimi i vazhdueshëm dhe i panevojshëm me Policinë e Kosovës e cila u tregua shumë e durueshme (me përjashtim të disa rasteve) e uli dukshëm besueshmërinë në qëllimet e opozitës së bashkuar sikur që ishte edhe fjalori përjashtues ndaj atyre që mendonin ndryshe dhe të cilët kishin qenë përkrahës potencial të opozitës . Pastaj , e drejta ekskluzive e pronësisë mbi patriotizmin dhe standardizimi i patriotizmit sipas kritereve të opozitës e krijojë një çarje edhe më të thellë midis dy blloqeve politike dhe atyre që ishin të papërcaktuar politikisht por që kishin një simpati për opozitën ! Opozita e bashkuar , e tillë siç është nuk ka kapacitet t’i çojë proceset përpara sikur që nuk ka kapacitet ta rrëzojë qeverinë. Për shkak të veprimeve të deritashme. Realisht , po të kishte zëra të arsyeshëm në radhët e opozitës dhe që mendojnë përtej intereseve personale , menjëherë pasi e kanë hedhur gazin lotsjellës në Kuvend të Kosovës ( të cilin do ta quanin si veprim simbolik dhe do të pranohej si i tillë ) është dashur të tërhiqen nga Kuvendi sepse aty nuk kishte dhe nuk ka mundësi të bëhen ndryshime . dhe të vendosen në sheshet e kryeqytetit. Po të veprohej kështu , do ta kishim një situatë krejt tjetër dhe në favor të opozitës , me më shumë përkrahës dhe me më shumë mundësi për ndryshime . Vazhdimisht kam shkruar se Kuvendi nuk është vendi ku opozita e bashkuar mund t’i arrijë qëllimet por opozita ka vazhduar , me kokëfortësinë e pakuptueshme bombardimin e Kuvendit me gaz lotsjellës deri sa u bënë gazi i botës dhe e fituan kartën e identitetit si opozitë e dhunshme! Çdo gjë që i kalon kufijtë e normales është e dëmshme e sidomos është i dëmshëm patriotizmi i tepruar i cili, më tepër është virtual dhe mjet i propagandës se diçka që përkon me realitetin . Edhe te pozita edhe te opozita kemi një kombinim të patriotizmit shqiptar dhe jugosllav prandaj patriotizmi, si shtytës për ndryshime është kartë e djegur , si për pozitën ashtu edhe për opozitën aq më parë që, edhe në radhët e pozitës ashtu edhe të opozitës ka persona të korruptuar skajshmërisht, keqbërës të dëshmuar , persona të dyshimtë kombëtarisht , të deklasuar moralisht, njerëzisht dhe politikisht por që e sulmojnë njëri – tjetrin pikërisht me këto armë.

Arsyet përcaktuese për Thaçin president
Nuk e besoj se Thaçi nuk do të zgjidhet nesër president i Kosovës . Madje , lehtë mund të ndodhë që të kalojë në raundin e parë të votimit që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Thaçi do të zgjidhet president sepse :
1. Është një marrëveshje politike me partnerët e koalicionit sikur që të gjithë presidentët deri me tani janë zgjedhur pikërisht me marrëveshje politike duke filluar nga Ibrahim Rugova që është zgjedhur president pas një marrëveshjeje politike ndonëse ka qenë president i një shteti pa pavarësi por nën protektorat. A ishte president i një shteti i cili nuk ishte i njohur e as i pranuar ndërkombëtarisht. Sipas të njëjtit shabllon janë zgjedhur Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifete Jahjaga.
2. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të pranojnë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme sepse nuk e kanë të sigurt se do të jenë në listat zgjedhore nëse nuk përfillin urdhërat e liderëve të tyre dhe rrjedhimisht vetëm mund të andërrojnë të bëhen deputetë.
3. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të rrezikojnë të shkojnë në zgjedhje sepse pa përkrahjen e liderëve të tyre për t’u bërë deputetë duhet të blejnë vota e për këtë duhen mjete të konsiderueshem. Pse të shpenzojnë para për t’u bërë deputetë kur mund të bëjnë para nëse e mbajnë mandatin deri në fund ?!
4. Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, mandati i deputetëve dhe privilegjet që i kanë gjatë kësaj legjislature nuk do t’u pranohen sepse nuk e kanë mbaruar as gjysmën e mandatit prandaj nuk do të pranojnë t’i humbin beneficionet e ëndërruara.
5. Zgjedhjet e parakohshme do të shkaktonin dridhje tektonike në LDK duke e eliminuar gardën e vjetër dhe duke shkaktuar përçarje brenda këtij subjekti politik sepse do të fillonte lufta brenda llojit dhe do të kërkoheshin prerje kokash për këtë që ka ndodhur deri më tani.
6. Përkundër “neutralitetit“ të ndërkombëtarëve, këta në heshtje po e mbështesin Thaçin për shkak të projekteve politike.
7. Thaçi do të votohet president sepse të gjithë partnerët e koalicionit fitojnë duke e kushtëzuar votën për te me përfitime tjera, sidomos Lista Srpska. Pse të humbin kur mund të fitojnë ?!
8. Të gjithë deputetët që nuk do të jenë në sallë gjatë votimit (të pozitës) nëse refuzojnë të jenë të pranishëm do të llogariten si përkrahës të opozitës dhe të tillët nuk do të shihen me sy të mirë nga ndërkombëtarët, ndërsa këta as në ëndërr nuk mund ta paramendojnë jetën pa këta ndërkombëtarë.
9. Disa deputetë të LDK-së që deklarohen haptas kundër Thaçit president po duan ta luajnë rolin e opozitës brenda LDK-së dhe janë të pasinqertë sepse Votimi i Fshehtë është Eldorado (tokë e premtuar) për ata me dy fytyra ngase ua mundëson ta votoni Thaçin president e publikisht të deklaroheni se keni votuar kundër. Nëse edhe një votë e vetme është kundër zgjedhjes së Thaçit president do të përdoret si alibi për ata që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president të Kosovës.
10. Thaçi do të zgjidhet president sepse ka më shumë vota se krejt opozita e bashkuar dhe ky fakt e vesh me legjitimitet që nuk e kanë pasur presidentët e mëparshëm.
11. Fakti se Thaçi nuk është faktor uniteti rrëzohet lehtë nëse i marrim parasysh se çfarë faktorë uniteti kanë qenë presidentët e mëparshëm.
12. Ka deklarime se për shkak të së kaluarës së tij, Hashim Thaçi nuk do të duhej të zgjidhej president kurse e vërteta është se e kaluara e tij është shumë më e mirë se e presidentëve që ishin para tij. E tashmja është përcaktuese për të ardhmën e tij dhe të shohim si do të zhvillohen ngjarjet. Unë nuk do të dëshiroja të jam në lëkurën e tij por Gjarpri ka një përparësi që në çdo ndërrim të stinëve e ndërron lëkurën sepse biologjia ia ka dhënë këtë të drejtë.
13. Kërkesa që presidenti të zgjidhet nga populli është mashtrim sepse, sa të jetë në fuqi Kushtetuta e Ahtisarit, shumica nuk do të ketë të drejtë për referendum apo zgjedhje të presidentit nga populli pa 2/3 të votave të pakicave, kurse shumica serbe që është përcaktuese kurrë nuk do të pranojë që presidenti të zgjidhet nga populli.
Nuk jam ai që kam të drejtë të votoj për apo kundër Hashim Thaçit si president i Kosovës mirëpo argumentet e parashtruara më bindin se nuk ka asnjë mundësi që Hashim Thaçi të mos zgjidhet president i Kosovës. Madje, më shumë interes që Thaçi të zgjidhet president ka LDK-ja aktuale se vet Thaçi. Opozita e bashkuar është dashur ta gjejë një kandidat konsensual për president të Kosovës i cili do ta sfidonte Thaçin sepse me protesta nuk do të jenë në gjendje ta pengojnë Hashim Thaçin të zgjidhet president. Çdo dhunë e shprehur gjatë votimit, si në Kuvend apo jashtë tij vetëm sa do ta vështirësojë gjendjen e opozitës e cila po imtësohet çdo ditë me arrestime të reja apo shqiptim të masave që e paralizojnë aktivitetin opozitar. Parmendojeni një situatë nëse fillon nga ndërkombëtarët procesi i diferencimit të opozitës ku vetëm Vetëvendosje mund t’u bëjë ballë kësaj tendence diferencuese ndërsa AAK dhe Nisma e kanë të pamundur të mbijetojnë nëse mbajnë qëndrim konfrontues me ndërkombëtarët. Amasadori amerikan e luajti rolin dhe tash e kemi një situatë tjetër apo luhatje brenda opozitës. Unë nuk po e favorizoj Thaçin për president sepse po të kisha mundësi nuk do të votoja për te por e argumentova pse Thaçi do të zgjidhet president dhe se nuk ka mundësi të ndodhë ndryshe. Ne mund të shkruajmë skenarë që na pëlqejnë por kjo është e vërtetat dhe për këtë do të bindeni nesër.
Çka do të ndodhë pasi Thaçi të zgjidhet president
Nuk ka dyshim se do të ratifikohet marrëveshja me Holandën për Gjaykatën Speciale që është njëra ndër arsyet që ndërkombëtarët në heshtje nuk e kundërshtojnë Thaçin president, sikur që do të kërkohet edhe përshpejtimi i zbatimit të disa marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel e sidomos ai për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë. Thaçi do të jetë i kujdesshëm nëse pas kësaj do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa e siguruar një marrëveshje të sigurt me njërin nga subjektet politike për koalicion paszgjedhor që do t’i siguronte subjektit të tij ta udhëheq qeverinë e ardhshme. Thaçi nuk do të hyjë në aventurë sikur me VLAN-in sepse, në rast se shkurërëzohet nga LDK duke e lënë partinë e Isës në baltë , atëherë lehtë mund të riaktivizohet VLAN-i ndërsa PDK do të mrizonte në opozitë. E këtë nuk e dëshiron në asnjë mënyrë Thaçi së paku deri të kalojnë këto kohërat e rrezikshme me Gjykatën Speciale. E shohim , gjithsesi !

25 shkurt 2016 Prishtinë

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura