JUSUF THAÇI: GJYKATA SPECIALE DO TË JETË GJYKATË POLITIKE QË S’DUHET LEGJITIMUAR NGA KUVENDI I KOSOVËS

Prishtinë, 25. 04. 2015 – Le të na gjykojnë e dënojnë të tjerët kur të duan, sa të duan e kë të duan, por të mos lejojmë që vetë ne t’i legjitimojmë këto dënime politike që do t’i bëhen UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj. Kaq i kemi borxh UÇK-së dhe historisë së shkuar dhe historisë së të ardhmes!
Kam përcjellë pothuajse të gjitha debatet e diskutimet në lidhje me themelimin e “Gjykatës Speciale” dhe ende nuk kam parë e dëgjuar të jetë shtruar pyetja qenësore në lidhje me këtë “gjykatë”, sepse vetëm pasi t’i jemi përgjigjur kësaj pyetjeje mund të konstatojmë nëse duhet thënë po ose jo themelimit të këtij institucioni nga Kuvendi i Kosovës.
Pyetja është fare e thjeshtë:
– “A do të jetë kjo një Gjykatë Politike apo do të jetë një Gjykatë që do të ndajë drejtësi?”
Por, përgjigjja në këtë pyetje nuk është aq e thjeshtë sa edhe pyetja! Megjithatë, edhe përgjigjja mund të thjeshtohet.
Dijetarët tanë vendorë të jurisprudencës, të quajtur ekspertë e analistë, dhe përfaqësuesit e vendeve aleate e mike të Kosovës, të quajtur ambasadorë, ka ditë, javë e muaj të tërë që po mundohen të përndritin dhe t’i vetëdijësojnë qytetarët dhe deputetët tanë se pse duhet themeluar kjo “Gjykatë Speciale” nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dhe, argumenti i tyre kryesor në fakt nuk është argument, por kërcënim dhe shantazh!

Sipas këtij krye-argumenti, nëse institucionet e Kosovës nuk e themelojnë këtë “Gjykatë Speciale”, atëherë me iniciativën dhe insistimin e Rusisë këtë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, prandaj dhe kjo do të ishte e rrezikshme për Kosovën dhe për reputacionin e UÇK-së, sepse ndikimi i Rusisë dhe i aleatëve të tjerë të Serbisë mund të jetë shumë i madh në punën dhe vendimet e kësaj gjykate.
Ky është argumentimi më vetë-rrënues që kam dëgjuar ndonjëherë.
Duke argumentuar kësisoj, ata pavetëdijshëm po na tregojnë drejtpërdrejt që praktikisht bëhet fjalë për një Gjykatë të pastër Politike, pra varësisht se kush e themelon e kush ushtron ndikim ashtu do të jenë edhe vendimet e saj. Sepse, po të qe fjala për një gjykatë që do të kishte për qëllim të ndajë drejtësi dhe e cila do të bazohej në konventa, ligje e norma ndërkombëtare, atëherë nuk do të kishte fare rëndësi se nga kush themelohet e nga kush udhëhiqet, sepse drejtësia nuk njeh as etni e as miqësi e armiqësi, por vetëm fakte dhe prova.
Për më tepër, sikur kjo gjykatë do të ishte më e dëmshme për Kosovën sikur të themelohej nga KS i OKB-së, atëherë përse Serbia me ndihmën e Rusisë nuk e kanë iniciuar një gjë të tillë atje, por po presin që këtë ta themelojë vet Kuvendi i Kosovës, duke i dhënë kështu një mundësi më të mirë Kosovës.
– Vallë të jetë kaq zemërgjerë dhe e mëshirshme Serbia e Rusia me Kosovën?! As i çmenduri s’mund ta besojë këtë.
Dikush mund të mendojë që këtë nuk e kanë lejuar shtete mike të Kosovës, prandaj ato po insistojnë që këtë gjykatë ta themelojë vet Kosova. Kurse unë ju përgjigjem atyre që kjo kërkesë e vendeve mike të Kosovës në të vërtetë është kërkesë dhe insistim i Rusisë (pra dhe Serbisë).
– Po përse atëherë këtë po na e kërkojnë vendet mike të Kosovës? Përgjigjja është fare e thjeshtë.
Kjo është kërkesë dhe kusht i Rusisë, dhe as SHBA-të e as shtetet e BE-së nuk konfrontohen dhe nuk i cenojnë interesat e tyre dhe raportet me Rusinë për shkak të reputacionit të UÇK-së. Kjo është më se normale dhe është qasje tipike pragmatike perëndimore dhe as që mund të kërkojmë e të presim nga vendet mike të Kosovës që të cenojnë interesat e tyre për hir të mbrojtjes së reputacionit të UÇK-së.
– Po përse atëherë Rusia (pra dhe Serbia) janë të interesuara që këtë “Gjykatë Speciale” ta themelojnë institucionet e Kosovës dhe jo KS i OKB-së?
Përgjigjja është fare e thjeshtë.
Kjo gjykatë do të jetë Gjykatë Politike dhe do të merret me akuza politike dhe do të merr vendime politike, pra do të shqiptojë dënime të motivuara politikisht dhe jo bazuar në fakte e prova, meqë ato s’ekzistojnë. Duke qenë Gjykatë Politike, nëse ajo do të themelohej nga KS i OKB-së, atëherë do të kishte vetëm bazën legale për të vepruar e gjykuar, por nuk do të kishte legjitimitet as moral e as historik për këtë “drejtësi politike”. Por, nëse kjo gjykatë do të themelohej nga institucionet e Kosovës, atëherë ajo do të kishte edhe bazën legale e edhe legjitimitetin e plotë për çfarëdolloj gjykimi e vendimi që do të merrej kundër pjesëtarëve të UÇK-së, pra kundër UÇK-së si organizatë, meqë UÇK-në e përbëjnë individët e nuk ekziston si qenie në vetvete.
Përndryshe, po të dëshironte Rusia e Serbia drejtësi, ato i kanë pasur të gjitha mundësitë për ta realizuar këtë.
– E kanë pasur Gjykatën e Hagës, e cila përkundër akuzimit, ka shpallur të pafajshëm udhëheqës të rëndësishëm të UÇK-së.
– I kanë pasur gjykatat e kontrolluara nga UNMIK-u, të cilat veçse kanë dënuar pjesëtarë dhe udhëheqës të UÇK-së për banalitete.
– I kanë pasur gjykatat e kontrolluara nga EULEX-i, të cilat kanë hetuar dhe akuzuar pjesëtarë dhe udhëheqës të UÇK-së, por nuk kanë arritur të dënojnë askënd, për mungesë provash e faktesh.
E pra, mosdënimi i udhëheqësve të UÇK-së, pra i vet UÇK-së, nga këto gjykata i ka dëshmuar Rusisë dhe Serbisë që lufta e UÇK-së është e pastër dhe nuk mund të dënohet juridikisht nga asnjë gjykatë që ndanë drejtësi, madje as nga këto gjykata të korruptuara moralisht dhe anuese politikisht.
Dhe tashmë Rusia dhe Serbia janë të bindura që UÇK-ja mund të dënohet vetëm nga një Gjykatë Politike, e cila ka bazën legale dhe legjitimitetin e plotë për punën dhe vendimet e saj.
Dhe një Gjykatë Politike e tillë, me legalitet dhe legjitimitet të plotë mund të ekzistojë vetëm nëse themelohet nga vet shteti i Kosovës, sepse pastaj vendimet e saj, pavarësisht pse janë politike, nuk do të mund të kontestoheshin nga shqiptarët as politikisht e as historikisht. Pra, sadizmi patologjik i Rusisë dhe Serbisë karshi shqiptarëve nuk kënaqet vetëm duke e ndotur UÇK-në dhe duke i dënuar funksionarët dhe pjesëtarët e saj, por duan që të na detyrojnë që ne ta ndotim dhe ta dënojmë vetveten, me miratimin tonë.
Shpresoj, uroj dhe i lus deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos lejojnë që një gjë e tillë të ndodh. Le të na gjykojnë e dënojnë të tjerët kur të duan, sa të duan e kë të duan, por të mos lejojmë që vetë ne t’i legjitimojmë këto dënime politike që do t’i bëhen UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj. Kaq i kemi borxh UÇK-së dhe historisë së shkuar dhe historisë së të ardhmes!
P.S.:
Ideja, nisma dhe insistimi për themelimin e kësaj “Gjykate Speciale” ka ardhur nga Serbia. Dihet botërisht që shteti serb dhe strukturat udhëheqëse të tij, politike e ushtarake, janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për nisjen e disa luftërave dhe vrasjen e qindra-mijërave civilëve në vendet e ish-Jugosllavisë. Pavarësisht kësaj, shteti serb vazhdon të ketë në kreun e saj, politik e ushtarak, përgjegjësit e këtyre vrasjeve, të cilët as nuk janë ndëshkuar e as që pritet të ndëshkohen nga drejtësia serbe e as nga drejtësia ndërkombëtare. Për më tepër, shteti serb as që pranon t’i kthejë kufomat e viktimave që ka shkaktuar para disa viteve. Prandaj, del të jetë logjikisht e papërligjshme që Serbia të jetë duke kërkuar një “Gjykatë që do të ndajë drejtësi”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura