BEHXHET SH. SHALA: KMDLNJ KËRKON NJË TRIBUNAL PËR TË GJITHA KRIMET NË KOSOVË, PËRKATËSISHT NJË TRIBUNAL PËR VIKTIMAT E DHUNËS SEKSUALE!

Prishtinë, 08. 04. 2014 – (Reagim i KMDLNj’së) – Paralajmërimi në heshtje më herët mediale e sidomos institucionale se është në formim e sipër Tribunali për Kosovën apo Tribunali për krimet e UÇK-së tash duket se ka marrë formë dhe përmbajtje e cila do të përligjet në Kuvendin e Kosovës me votat e 2/3 të deputetëve të këtij Kuvendi. Tash, kur jemi para një akti dhe një fakti të kryer po zgjidhen format e ambalazhimit të jashtëm për t’ua “ruajtur fytyrën” bartësve të lartë të këtyre institucioneve të cilët, së paku para një viti kanë qenë të informuar ( pa u kërkuar pëlqimi i tyre ) se ky tribunal do të formohet nga ndërkombëtarët që caktojnë rregulla në Kosovë se si duhet të jetohet, që nga çasti i lindjes e deri te koha kur duhet të vdiset.
Kjo është Kosova e ditëve tona! Ky është realiteti që nuk na pëlqen por që nuk bëjmë fare përpjekje ta ndryshojmë. Për ta “zbutur” situatën tash po luhet me terminologji gjuhësore; jo nuk është ky Tribunal (të mos asociohet me Tribunalin e Hagës), jo nuk do të jetë Gjykatë Speciale por një Dhomë e Veçantë brenda sistemit të drejtësisë të Kosovës që nuk është aspak e vërtetë! Jo ky Tribunal, Gjykatë Speciale apo Dhomë e Veçantë nuk do të ketë të drejtë të rihapë raste të reja por do të merret me rezultatet e hetimeve të Task Forcës, në krye me prokurorin amerikan Viliamson që doli si rezultat i një raporti çoroditës të senatorit zviceran Dik Marti, edhe ai ish prokuror për dyshimet se pjesëtarët e UÇK-së paskan kryer krime kundër civilëve serbë duke i marrë peng dhe duke i dërguar në Shqipëri. Si përfundim i këtij raporti çoroditës të senatorit Dik Marti del se viktimave u janë marrë organet të cilat pastaj qenkan trafikuar!! Kështu deklaronte edhe ish prokurorja e Tribunalit për Krime Lufte për ish’Jugosllavinë Karla del Ponte, pasi e pati përfunduar mandatin dhe pasi nuk u rizgjodh si prokurore!
Kështu deklarojë edhe Bruno Vekariq, prokuror për krime lufte në Beograd. Këtë e përkrahin edhe disa parti apo politikanë projugosllavë të Kosovës të cilët presin me padurim, si korbat që përsëri ta marrin shtetin pa pushtet!

– Golgota shqiptare 1999 ! –

 Gjithashtu, për t’ua “ruajtur fytyrën” bartësve të institucioneve u është lënë mundësia që Kuvendi i Kosovës të votojë edhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it por edhe për formimin e Tribunalit të Kosovës ndryshe këtë do ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara! Unë nuk shoh këtu fare dallim! Madje, do të ishte ndoshta edhe më mirë që ky Tribunal të formohet nga OKB-ja. Realisht, në rrethanat aktuale, PDK, AAK (shkaku se rrezikohen shumë pikërisht nga ky Tribunal) dhe VV për shkaqe parimore (ndonëse edhe këtu mund të ’shkëputet’ ndonjë kokë nga Tribunali) vullnetarisht nuk do të votonin për formimin e këtij Tribunali. Partitë e tjera, duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes si vlerë demokratike, verbalisht e kundërshtojnë, formimin e Tribunalit për Kosovën (për krimet e UÇK’së) ndërsa, në të vërtetë i fërkojnë duart nga gëzimi, se më në fund “kriminelët” e luftës dhe “kriminelët” e UÇK-së do të përfundojnë në burgje ndërsa, pushteti do t’u dhurohet në pjatë! Këtu qëndron pandershmëria dhe dyfytyrësia e tyre! Jo se duan drejtësi për viktimat që do të ishte krejt e natyrshme dhe e pranueshme.
Si aktivist shumëvjeçar për të drejta të njeriut dhe të drejta kombëtare nuk e kundërshtoj formimin e asnjë Gjykate, Tribunali, Dhomë Speciale apo quaje si të duash, që për qëllim ka ndriçimin e vrasjeve gjatë luftës në Kosovë në periudhën 01 janar 1998-12 qershor 1999. Viktimat i trajtoj si viktima pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, të moshës, gjinisë, bindjeve politike, statusit social etj., dhe angazhohem në radhë të parë në mbrojtje të viktimave. Gjithashtu, as të dyshuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nuk i dalloj në baza etnike, fetare, gjinore, të moshës, bindjeve politike apo statusit të tyre social. Mbroj qëndrimin personal dhe të KMDLNj-së se të gjithë ata që kanë bërë krime në Kosovë gjatë luftës e që kanë shkelur zakonet e luftës dhe Ligjin për të Drejtën Humanitare duhet të dalin para gjyqit dhe duhet të marrin dënimin e merituar!
A munden gjykatat e formave me vendime politike t’i shpaguajnë vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre dhe t’i dënojnë përgjegjësit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit:
– Praktika e deritanishme tregon se këto gjykata nuk kanë pasur qëllim vendosjen e drejtësisë dhe dënimin e kriminelëve por vendosjen e një baraspeshe politike, ruajtjen e sigurisë dhe interesat ekonomike të palëve ndërluftuese si dhe atyre vendimmarrëse.
1. Tribunali për Krime Lufte për ish Jugosllavinë në Hagë ka qenë Gjykatë e themeluar nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i financuar nga shtetet anëtare prandaj asnjëherë nuk ka qenë i pavarur në marrjen e vendimeve. Gjithmonë i është nënshtruar presioneve politike dhe për këtë arsye kryeprokurorja e parë e këtij Tribunali, znj.Luiz Arbur, kanadeze pati dhënë dorëheqje. Shtetet ku ishin strehuar të dyshuarit për krime lufte nuk kanë treguar gatishmëri të bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës deri në çastet kur ndaj tyre është bërë presion nga shtetet e fuqishme. Tribunali i Hagës ka negociuar me të dyshuarit për Krime Lufte duke i fyer viktimat dhe familjet e tyre. Janë marrë vendime fyese që kanë qenë në shpërputhje të madhe me peshën e krimit. Statuti i këtij Tribunali nuk ka siguruar ndarje të drejtësisë por pazare politike gjë që e pranojnë thuaja të gjithë zyrtarët e këtij Tribunali pasi e kanë përfunduar mandatin. Dosjet e të akuzuarve janë falsifikuar dhe janë mshehur nga opinioni. Definitivisht, Tribunali për Krime Lufte në Hagë është shembull i keq për ndarje të drejtësisë dhe parandalimit të dhunës si dhe shkelje të drejtave të njeriut në të ardhmen. Kosova, përkatësisht krimet që janë kryer në Kosovë janë trajtuar shumë pak para këtij Tribunali. Tribunali i Hagës për shkak të ndikimeve politike nuk e ka kryer punën në bazë të mandatit prandaj mund të llogaritet si Tribunal i dështuar. I cili as për së afërmi nuk i ka realizuar pritjet për drejtësi e as mjetet e shumta financiare.
2. Gjykatat e UNMIK-ut në Kosovë kanë pasur ekskluzivitet në gjykimin e rasteve të krimeve të luftës, krimeve me motive etnike dhe politike, krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore dhe rasteve të tjera të ndjeshme. Të gjitha rastet, pas përfundimit të luftës në të cilat janë dënuar për krime lufte të dyshuarit serbë janë anuluar nga gjykatësit ndërkombëtarë. Të gjitha kallëzimet penale që janë bërë nga KMDLNj janë blombuar në sirtare dhe nuk janë shqyrtuar asnjëherë. Për shkak të oportunitetit politik dhe projekteve politike ndërkombëtarët kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe autoritet serbe duke i anashkaluar autoritetet kosovare. Këto gjykata vetëm kanë blerë kohë. Dështimi i tyre nuk ka qenë për shkak të mungesës së profesionalizmit por të motivuara politikisht.
3. Gjykatat e EULEX-it: fillimisht ishin kopje e UNMIK-ut ndërsa më vonë “çuditërisht” u aktivizuan shumë. Prej rasteve të hetuara dhe të gjykuara 80% ishin të drejtuara kundër të arrestuarve shqiptarë të dyshuar për krime ndaj serbëve dhe shqiptarëve. Ndërkaq 20% ishin të arrestuar dhe gjykuar të dyshuar serbë për krime ndaj shqiptarëve. Prej tyre 85% janë liruar apo u është shqiptuar masë e lehtë e dënimit.
Për lexuesit e nderuar duhet t’u përkujtojmë se në Kosovë gjatë luftës janë vrarë dhe konsiderohen si të zhdukur afërsisht 12.000 civilë prej të cilëve 97.2% janë shqiptarë. Në këtë kontekst kemi një shpërputhje të madhe midis shqiptarëve të ekzekutuar dhe serbëve të dyshuar dhe të dënuar për këto vrasje. Prandaj, askush nuk ka besuar në drejtësinë e ndërkombëtarëve përkatësisht në vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për vendosje të drejtësisë. Prandaj edhe ka dyshime dhe hezitime për punën e Tribunalit për Kosovë (për krimet e UÇK-së) i cili pashmangshëm do të dështojë në përmbushjen e drejtësisë ndërsa do të jetë i suksesshëm në fushën e riprogramimit të skenës politike të Kosovës që është duket edhe qëllimi kryesor i këtij Tribunali.
Refuzimi në heshtje për formimin e këtij Tribunali me arsyetimin se në këtë mënyrë po njolloset lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është fakt i qëndrueshëm dhe i pranueshëm aq më parë që përgjegjësia është individuale dhe jo kolektive. Përgjegjësia kolektive nuk është zbatuar as ndaj Serbisë ndonëse Serbia, si përgjegjëse kryesore për të gjitha luftërat në hapësirat e ish Jugosllavisë i ka plotësuar kushtet për një cilësim të tillë.
– Institucionet vendore duhet të bashkëpunojnë me drejtësinë e imponuar ndërkombëtare duke ofruar të dhëna (nëse ka) për krimet e supozuara dhe siguruar mbrojtje efektive për personat e dyshuar për të dëshmuar pafajësinë e tyre. Nëse sigurohen fakte për përfshirjen e individëve të caktuar në krime kundër civilëve apo thyerje të ligjeve të luftës atëherë duhet t’i binden vendimit të Gjykatës.
– Institucionet vendore duhet të kundërshtojnë që si krime lufte mund të llogariten edhe viktimat pas përfundimit të luftës përkatësisht viktimat pas 12 qershorit 1999 kur llogaritet se kanë përfunduar veprimet ushtarake. Nëse pranohet që si viktima të luftës të llogaritet data deri me 31.12.2000 atëherë hetimet për krime lufte duhet të shtrihen edhe para vitit 1998.
– Nëse llogaritet koha deri me 31 dhjetor 2000 atëherë duhet të zhvillohen edhe hetimet ndaj forcave ndërkombëtare që kanë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të Kosovës në atë kohë.
– Duhet të kërkohet edhe hetimi i të gjitha rasteve të krimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës e që nuk janë trajtuar nga Tribunali i Hagës.
– Duhet të kërkohet të formohet një Task Forcë për hetimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për këtë të formohet një Tribunal.
Ndryshe, nëse veprohet në këtë mënyrë ky Tribunal do të jetë paragjykues sepse do të formohet për gjykimin vetëm të dyshuarve shqiptarë. Do të jetë Tribunal i cili do të ndajë drejtësi në baza etnike duke dënuar të dyshuarit e një përkatësie etnike dhe duke falur të dyshuarit e përkatësisë tjetër etnike. Duke dënuar shqiptarët e dyshuar dhe duke amnistuar serbët.
Kjo Gjykatë do të ketë karakter ekskluzivisht etnike duke ndarë drejtësi ekskluzivisht në baza etnike.
Sipas këtij parimi, as nuk do të ketë ndarje dhe vendosje të drejtësisë e as nuk do të ketë shpagim për viktima.
Përfundimisht kjo Gjykatë do të jetë mbi autoritetet kosovare, duke i shpërfillur ato dhe do të ketë shtrirje edhe në Shqipëri por jo edhe në Serbi.
Nëse punon sipas këtyre parimeve atëherë do ta ketë fatin e Tribunalit të Hagës, Gjykatave të UNMIK-ut dhe EULEX-it që nënkupton se do të dështojë edhe në mbrojtjen e dëshmitarëve, edhe në vendosjen e drejtësisë, edhe në shpagimin e viktimave, edhe në stabilitetin politik e sidomos në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe procesin e pajtimit nëpër të cilën po kalon Kosova. Në këtë mënyrë do të dhunohej skajshmërish universaliteti i të drejtave të njeriut që është parim themelor i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Behxhet Sh. SHALA, Drejtor Ekzekutiv i KMDLNJ’së
Prishtinë, 8 prill 2014

*************************

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

Që ta dini!
TRIBUNALI I HAGËS ISHTE NË SHËRBIM TË POLITIKËS

SË FUQIVE TË MËEDHA, E JO TË DREJTËSISË!

(***)
Edhe pas 15 vjetësh nga përfundimi i luftës, nuk e dimë numrin e saktë, të nënave e motrave tona të dhunuara mizorisht nga forcat kriminale serbe. Është shkruar shumë herë në mediet tona, se gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë përdhunuar 20 mijë femra shqiptare, por askush deri më sot nuk e ka vërtetuar këtë shifër kaq të lartë, madje as vetë organizatat e huaja të cilat kanë bërë hulumtime të shumta në këtë drejtim.
Kur flasim për shifrat, është i habitshëm edhe një fakt tjetër!
(Ne ende nuk e dimë as numrin e saktë të njerëzve të vrarë e të masakruar gjatë luftës në Kosovë (1998-1999). Në shumë prezentime të politikanëve, historianëve, publicistëve, analistëve, të shoqatave për të drejtat e njeriut etj., përmenden shifra të ndryshme. Thuhet se gjatë luftës në Kosovë janë vrarë: – 10 000, – 12 000, – 13 000 apo – 15 000 shqiptarë! Kjo shpërfaqje (shumësi) e shifrave tregon se, sa të papërgjegjshëm jemi si shtet dhe shoqëri, ndaj njerëzve tanë që u flijuan për këtë vend!)
Deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e UNNMIK’ut as këta të EULEX’it, por as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, madje as institucionet tjera ndërkombëtare apo ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar gatishmëri, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë. Për çudi as Tribunali i Hagës, i cili aktet e dhunimit të femrave në Kosovë i specifikonte si krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., asnjëherë nuk është interesuar t’i trajtoj në gjyq, dhe prandaj asnjë dëshmitare e dhunuar nuk ishte ftuar në gjykim për të dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq dhe gjeneralëve të tij. Në mënyrë selektive janë trajtuar edhe krimet dhe gjenocidi, që kryen forcat ushtarako’policore e paramilitare serbe në mënyrë të planifikuar, kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Prokurori i kësaj gjykate Richard Goldston, i cili ka deklaruar se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar”!

* * *
Për më tepër, ky tribunal as që është munduar ndonjëherë t’i ndjek kriminelët e organizuar në nivelet më të ulëta të sistemit shtetëror serb, që kryen krime dhe gjenocidë në Kosovë!

Prokurori Richard Goldston

Florence Hartmann, Zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, nga tetori 2000 deri në tetor 2006.

* * *

Për këtë fakt flasin vetë hetuesit e OKB-së për krime të luftës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një raport për masakrën e Qyshkut (14. 05. 1999), të publikuar nga Michael Montgomery dhe Stephen Smith, hetuesi i OKB-së për krime të luftës, Dennis Milner – ka theksuar (po citoi): “Puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit jugosllavë Sllobodan Millosheviq”. “Mund të thuhet se Tribunali (i Hagës – vërejtja ime) as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta”… “Ne do të insistojmë”, – thotë Milner – “në atë se ata në krye janë personat përgjegjës, dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën.” Edhe M. Cherif Bassiouni, një tjetër hetues i OKB-së për krime lufte në Kosovë, mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës vetëm mbi Sllobodan Millosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Madje Z. Bassiouni, për çudi deklaron (po citoi): “Çështja themelore, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme”…!!! Ndërsa Florence Hartmann, Zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, nga tetori 2000 deri në tetor 2006, në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, ka shkruar (po citoj): “Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë” (Florence Hartmann: Paqja dhe ndëshkimi, Koha – mars 2011, f.30)
Si përfundim!
Duke u bazuar në deklarimet e përgjegjësve ndërkombëtarë të hetuesisë, duket se vrasësit e mijëra shqiptarëve dhe dhunuesit e femrave shqiptare, nuk do të dalin kurrë para drejtësisë, dhe se ky krim do të mbetet përjetësisht i pandëshkuar!


(Kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

=============================

 NJË FOTO FLET MË SHUMË 10 000 FJALË!


**********************

(Përgatiti: Sheradin Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura