TAHIR GECAJ: SPASTRIMI ETNIK I KOSOVËS QËLLIM THEMELOR I UDHËHEQJEVE SERBE

Pashtriku.org, 09. 09. 2012 – (Nga Ditari: Vjeshtë e vitit 1966’të) – Në fillim të korrikut të vitit 1966-të, opinioni publik qe informur mbi shkarkimin e Aleksandër Rankoviçit nga pozita e minisitrit të brendshëm të federativ. Lajmi i publikuar shkaktoi befasi, por edhe gëzim në radhët e popullsisë shqiptare si në Kosovë, ashtu edhe edhe në viset tjera në kuadër të RSFJ-së, shtetit të atëhershëm jugosllav. Largimi i Aleksandër Rankoviçit nga funksionet politiko-shtetërore të RSFJ-së, qe mirëpritur nga shqiptarët e Kosovës, mbështetur në faktin se ai, në cilësinë e ministrit të brendshëm federativ, përmes shërbimeve sekrete jugosllavo-serbe, vite me radhë kishte ushtruar dhunë e terror ndaj popullsisë shqiptare në tërësi, e ndaj shqiptarëve të Kosovës në veçanti.
Udhëheqjet serbe të cilësdo periudhë dhe të cilit do orientim politik qofshin, në raport me shqiptarët dhe me Kosovën, nuk u liruan nga politika teologjike mbi Kosovën si “Djep serb”, e as nga programet për krijimin e “Serbisë së Madhe”. Dhe, në kontekst të atij indoktrinimi antishqiptar, preokupimet e udhëheqjes serbe për shfarosjen e shqiptarëve patën vazhduar edhe pas vitit 1945-së, e, madje, gjatë viteve në vijim, ajo arriti ta realizojë një pjesë të strategjisë së vet për likuidimin dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike, pikërisht në emër të socializmit dhe të ideologjisë së shoqërisë së pa klasa. Gjatë atyre fushatave antishqiptare, Aleksandër Rankoviç në cilësinë e ministrit të brendshëm të RSFJ-së, qe vënë në rolin e realizuesit të politikave serbe për pastrimin etnik të Kosovës, qoftë sipas modelit të aplikuar mes viteve 1876-1878, kur udhëheqja serbe përmes dhunës e terrorit ushtarak e kishte bërë spastrimin etnik të Sanxhakut të Nishit, qoftë sipas metodave shfarosëse kundërshqiptare të aplikuara më 1912 – 1913-të, gjatë dhe pas okupimit të Kosovës, siç kishte qenë therja e njerëzve me bajoneta dhe arsyetimi i atyre vrasjeve barbare me nevojën e kursimit të municionit, hudhja e njerëzve të gjallë në zjarrin e shtëpive që ushtarët serbë ua kishin vënë flakën, konvertimi i detyrueshëm në ortodokësi etj. Në atë kuptim, Udhëheqja serbe, si në kuadër të Jugosllavisë së Jajcës, ashtu edhe më vonë, deri më 1999, i përdori të gjitha mjetet për ta zbrazur Kosovën nga shqiptarët.

Aleksandër Rankoviç (Shtator 1964).

…………………………………………………………

Shkarkimi i Rankoviçit u mirëprit nga shqiptarët
Periudha mes viteve 1948-1966, në atë kohë, cilësohej si njëra ndër më reprersivet, që iu nënshtruan shqiptarët e Kosovës, ndërkaq si kulm i asaj dhune shtetërore vlerësohej “Aksioni për mbledhjen e armëve”, i organizuar dhe i realizuar nga shërbimet sekrete të quajtura OZN-a dhe UDB[1]-a gjatë dimrit të vitit 1955-56. Numri i shqiptarëve të vrarë me tortura fizike gjatë asaj periudhe ka ngelë enigmë, ndonëse flitet për më shumë se 100 shqiptarë të likuiduar me mjete dhune, si dhe për disa mijëra të tjerë të rrahur e të gjymtuar gjatë atij dimri të ftohtë. Si dëshmi e terrorit dhe represionit gjatë periudhës 1945 -1966 kanë ngelë mbi 150 mijë dosje[2], prej të cilave 50 mijë kishin të bënin me çështje politike, prandaj, për rrethanat e asaj kohe, largimi i Rankoviçit dhe i bashkëpunëtorëve të tij nga funksionet shtetërore, kishte rëndësi të madhe për shqiptarët e Kosovës dhe, pavarësisht nga fakti se ai veprim i ndërmarrë në udhëheqjen e lartë jugosllave nuk kishte të bënte vetëm me sjelljen e tyre kundër shqiptarëve, veprimi si i tillë, pra shkarkimi i tyre nga funksionet u mirëprit nga shqiptarët e Kosovës në tërësi.
Rënia e Aleksandër Rankoviçit nga pushteti, e pat ngjallur shpresën se edhe shqiptarët, si populli i tretë për nga numri, pas serbëve e kroatëve, në kuadër të atij shteti, do të trajtoheshin si popujt tjerë dhe do t`i gëzonin të drejtat e garantuara me ligje, të drejta ato që u ishin uzurpuar me forcë e dhunë në të gjitha sferat e jetës, që nga viti 1945-së.
Largimin e atij grupi antishqiptar nga funksionet, në veçanti e patën mirëpritur gjeneratat e reja, të cilat, pavarësisht nga rrethanat në të cilat gjendej Kosova në cilësi të Qarkut autonom, në kuadër të RS të Serbisë, dhe pavarësisht nga fakti se në shumicën e shkollave të mesme, mësimi zhvillohej kryesisht në gjuhën serbe, kishin nisur të shkolloheshin. Në atë kontekst, edhe disave nga ne, studentëve që studionim në Grupin e Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe, në kuadër të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, klima e krijuar politike na pat nxitur që të ktheheshim pak më herët në Prishtinë qoftë për t`u takuar, por edhe për t`i komentuar së bashkut ato ngjarje në rrethanat e krijuara pas ndryshimeve të ndërmarra në udhëheqjen e lartë të shtetit, duke shpresuar se do të ndërpritej presioni i dukshëm, por edhe i padukshëm, që kishte ushtruar në vazhdimësi Shërbimi i UDB-ës, si ndaj mësimdhënësve, ashtu edhe ndaj studentëve.
Studentët e shfaqën dramën “Trimi i mirë me shokë shumë”
Në fillim të vitit të ri studentor, në shtator të vitit 1966-të, brenda radhëve të studentëve ndjehej një lehtësi, e mbase edhe një gjallëri e pazakontë, e cila pat bërë ndikim pozitiv si në aspektin e qëllimit themelor, pra të studimit dhe të pregatitjes profesionale, ashtu edhe të angazhimit të tyre për organizimin e jetës kulturore në kuadër të Shoqatës Kulturore të Studentëve “Ramiz Sadiku”. Për më tepër, rrethanat e krijuara e patën lehtësuar angazhimin kulturor të studentëve në prag të kremtimit të Përvjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Dhe, në rrethana të tilla, në fillim të atij semestri, pas orëve të mësimit nga lënda e Historisë e gjuhës, më pat ftuar për një bisedë Prof.dr. Idriz Ajeti, shefi i Katedrës së Degës së Gjuhës dhe Letërsisë shqipe dhe, me atë rast më pat propozuar që të përkujdesesha për Bibliotekën e Katedrës, pra, të punoja si bibliotekist me orar të shkurtuar, duke ma bërë me dije se një angazhim i tillë nuk do të paraqiste pengesa për t`i ndjekur me rregull ligjeratat dhe, për të shtuar se ajo punë do t`më sillte edhe paksa të ardhura gjatë vitit të fundit të studimeve. E pata pranuar me kënaqësi ofertën e Prof. Ajetit dhe, nga kabineti i tij, patëm kaluar së bashkut në lokalin e bibliotekës, që gjendej në të njëjtin kat, në Objektin e ri të Fakultetit Filozofik.
Profesor Ajeti, pas udhëzimeve për punën që do të duhej ta bëja, m`i pat treguar të gjitha raftet e mbushura me literaturë kryesisht shkencore, të autorëve shqiptarë e të huaj, e , në veçanti ato me veprat e albanologëve gjermanë, për ta theksuar, në mënyrë të posaçme, nevojën që, secili nga ne studentët, pavarësisht nga fakti se nuk e dinim gjuhën gjermane, së pakut do të duhej t`i shfletonim ato vepra dhe t`i mbanim në kujtesë emrat e albanologëve gjermanë. Dhe, para se të dilnim nga lokali i bibliotekës, profesor Ajeti ma pat treguar edhe një dollap të posaçëm, i cili ishte i mbyllur me çelës dhe, në të cilin gjendeshin veprat e ashtuquajtura nën censurë, veprat, të cilat, sipas rregullave, nuk do të duhej t`u jipeshin as studentëve e as dikujt tjetër për lexim, pa dijen e tij.
Në ato rrethana, deri sa isha duke i dëgjuar udhëzimet e profesor Ajetit rreth librave të censuruara, më ishte kthyer në kujtesë një ngjarje tjetër, e ndodhur rreth dy vite më parë, kur ne, një grup studentësh të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe, të nxitur nga presioni që ushtronin organet partiake dhe ato të UDB-ës ndaj Katedrës së Albanologjisë, e në veçanti ndaj disa prej profesorëve tanë, patëm kërkuar bisedë me kryetarin e atëhershëm të Komitetit të LK të Qarkut autonom, V. D., i cili, pas pak ditësh, na pat pranuar, pra, po e rikujtoja veten dhe disa prej kolegëve të mi, të asaj kohe, gjatë asaj bisede maltretuese, me ç`rast V.D., pasi i pat dëgjuar ankesat tona përkitazi me presionin e ushtruar, sipas nesh, na pat dhënë një porosi shumë të qartë: “Ju duhet të mësoni dhe mos të përziheni në punët që s`ju përkasin”, ndërkaq, në përfundim, na pat dhënë edhe një porosi kërcënuese për Prof.Dr.Idriz Ajetin, shefin e Katedrës së Albanologjisë, porosi të cilën, nuk ia patëm përcjellë profesorit tonë të respektuar.

Autori i këtij shkrimi së bashkut me një koleg të studimeve

në Bibliotekën e Katedrës (1966/67)

……………………………………………………..

Pas atyre sqarimeve e pata falenderuar prof. Ajetin dhe i pata premtuar se do t`u përmbahesha udhëzimeve të tij, për të nisur me punën në fillim të javës në vazhdim, dhe, natyrisht, për t`i shikuar titujt veprave të censuruara dhe për t`i lexuar gjatë ditëve në vijim. E, pra, në atë dollap me “Literaturë të censuruar” gjendej edhe vepra “ Trimi i mirë me shokë shumë “, e Sylejman Pitarkës, e botuar rreth nëntë vite më parë në Tiranë.
Që nga ajo kohë “Ka hyrë shumë ujë nën urë”, prandaj s`mund ta them me saktësi se cili prej kolegëve të Grupit më pat treguar se në kuadër të Shoqatës së studentëve “Ramiz Sadiku” ishin duke i bërë pregatitjet për një shfaqje kushtuar 500 vjetorit të vdekjes Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut dhe se regjinë e kishte marrë përsipër regjisori Kristë Berisha, por, më ka ngelë në kujtesë se atyre ditëve, pas kosultimit me Prof. Ajetin, e kam nxjerrë nga “Dollapi nën censurë” veprën “Trimi i mirë me shokë shumë” dhe, së bashkut me kryetarin e Shoqatës Ali Gojanin, kemi shkuar te regjisori Berisha me ç`rast ia kam dhënë veprën e S. Pitarkës: “Trimi i mirë me shokë shumë”. Pas ca ditësh, sërish njëri prej kolegëve më pat informuar se më kishte ftuar Kristë Berisha për të shkuar në Shoqatë dhe për t`u takuar me të. Dhe, posa qemë takuar regjisori Berisha, duket se në shenjë falenderimi për librin, më pat ofruar një rol të shkurtër “të një njeriu të madh”, pat thënë regjisori Berisha, pra rolin e princit Lekë Dukagjini. Pas asaj bisede, i pata filluar përgatitjet së bashku me kolegët tjerë, që kishin marrë role shumë më të komplikuara dhe, të cilat, i realizuan për mrekulli, si të kishin qenë aktorë profesionistë.
Flamuri kombëtar shpaloset publikisht
Pregatitjet për shfaqjen nuk kanë zgjatur shumë. Shfaqjen e parë e dhamë në Teatrin Krahinor në Prishtinë, nëse nuk gaboj, në fillim të muajit nëntor 1966. Ndërkaq, me ka ngelë në kujtesë si diç që nuk mund të harrohet, entuziazmi i shfaqur i publikut përmes duartrokitjeve të gjata, në fund të shfaqjes, të nxitura në veçanti, si nga shpalosja e flamurit tonë kombëtar, me rastin e mbulimit të arkivolit të Palush Dibrës, ashtu edhe nga loja e aktorëve amatorë.
Ishte hera e parë që në një institucion kulturor të Kosovës në pozitë të Qarkut autonom, të shpalosej hapur dhe legalisht flamuri ynë kombëtar nga Grupi i studentëve të Shoqatës kulturore “Ramiz Sadiku” të Prishtinës, pas rënies së Aleksandër Rankoviçit nga pozita e ministrit të brëndshëm të RSFJ-së. S`do mend se që nga korriku deri në nëntor të vitit 1966, kur u shfaq për herë të parë “Trimi i mirë më shokë shumë” para publikut prishtinas, ishin zhvilluar shumë aktivitete politike, si në nivelin federativ ashtu edhe atë republikan, por nuk ishte marrë kurrfarë vendimi zyrtar për përdorimin e lirë të flamurit tonë kombëtar. Përkundër atij fakti, anë e kënd Kosovës, populli krye në vete, e kishte nxjerrë flamurin kuq e zi nga arkat e pajës, e kishte shpalosur dhe kishte filluar të përdorë hapur dhe pa droe kryesisht gjatë gazmendeve private, e në veçanti gjatë dasmave, të cilat, të shumtën e rasteve organizoheshin gjatë stinës së vjeshtës.
Prandaj, në qoftëse ka ngelë diç për t`u theksuar apo kujtuar nga ajo kohë, si përpjekje pozitive apo diç e ngjashme, edhe në këtë kohën tonë, tashmë të shqiptarëve – “kosovarë” me një tjetër flamur, ajo, para së gjithash, do të duhej t`i takojë regjisorit, aktorit, e intelektualit të mirënjohur, tashmë të ndjerit Kristë Berisha dhe rrethit të intelektualëve, e jo vetëm atyre, që e përkrahën për ta vënë në skenë dhe për ta shfaqur “Trimin e mirë me shokë shumë” të Sylejman Pitarkës, si në Kosovë ashtu edhe në trevat shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi.
Periudhën kohore të angazhimit tim në kuadër të atij Grupi studentësh amatorë, që nga tetori i vitit 1966 e deri në shtator 1977, edhe sot e gjithë ditën, pas kaq shumë vitësh, e konsideroj si një periudhë sprove për të arritur të pamundurën, kur secili nga ne patëm bërë përpjekje për të kaluar nga Un-i ynë vetiak – nga vetvetja dhe, për t`u identifikuaar, si me Un-in e personazheve që i luanim, ashtu si edhe me kohën e famshme të të qenit pjesëtarë të formacioneve ushtarake të periudhës së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut, personalitetit historik, vlera dhe rëndësia historike e të cilit, sa më e largët të jetë koha nga vdekja e tij, po bëhet aq më e rëndësishme dhe më vetëdijesuese për të qenë pjesëtar i kombit shqiptar. Mendoj se nuk gaboj nëse them hapur se në të njëjtën mënyrë na pritën dhe na konsideruan dhe shikuesit e shfaqjes, të rinj e të vjetër, nga do që shkuam nëpër trojet shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, gjatë atij viti shumë dinamik e të suksesshëm për Grupin tonë dramatik.
Më ka ngelë në kujtesë shumëçka nga ajo periudhë e shkurtër e angazhimit, por do t`i veçoja, si rastin e nxjerrjes nga podrumet e errëta të një busti të Skëderbeut dhe venien e tij në një kënd të skenës, para se ta shfaqnim dramën në qytetin e Strugës, ashtu sikundër që nuk mund ta harroj as bujarinë dhe dashamirësinë e familjeve dibrane, strugane dhe atyre të Ulqinit me rrethinë, para e pas shfaqjeve, tek të cilat ishim mysafirë gjatë turneve tona për ta shfaqur “Trimin e mirë me shokë shumë”, në periudhën kohore mes nëntorit 1966 deri në shtator 1977- të.
Po ashtu një kaptinë në vete, paraqet pjesëmarrja e Grupit tonë amator në Festivalin e tetrove amatore në ishullin Hvar të Kroacisë dhe debati i zhvilluar pas shfaqjes së “Trimit të mirë me shokë shumë”, debati që mori formën e polemikave mes nesh dhe përfaqësuesve të malazezëve reth përkatësisë kombëtarë të Dinastisë së Balshajve, si themelues të Malit të Zi. Pos tjerash, më ka ngelë në kujtesë se pas asaj bisede, grupit tonë iu pat bashkuar një kritik i teatrit nga Kroacia, në atë kohë i moshuar, i cili pas shfaqjes na pat folur gjerë e gjatë për Aleksandër Mojsiun, aktorin me origjinë shqiptare. Për fat të keq, tashmë nuk më kujtohet emri i kritikut të zënë ngojet.
Fund
______
______
Referencat:
[1] I pari ishte Shërbim sekret ushtarak, kurse i dytë Shërbim sekret policor. Në vitin 1955 – 56 në OZN dhe në UDB punonin ekskluzivisht serbët. Këto shërbime kishin instaluar një rrjet të gjerë spiujsh të përkatësisë kombëtare shqiptare.
[2] Jens Reuter: Der Kosovo Konflikt – Serbien und Kosovo – Das Ende eines Mythos (139-155), Weiser Verlag, Klagenfurt, 2000. Faqe 148.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura