BEHXHET SHALA – BAJGORA: A PO Ç’KAPET SHTETI PËR T’U KAPUR PUSHTETI?!

Prishtinë, 29. 08. 2014 – (Të gjithë të mençur e punët i kemi llugë) – Gjykata Kushtetuese duket se është caku më i shënjestruar pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Sipas reagimeve, sidomos pas vendimit për shqyrtimin e kërkesës e PDK-së për ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës për kryekuvendar, sulmet ishin aq të shumta, aq të ulëta, aq joprofesionale, aq jokompetente, aq inatçore dhe aq injorante sa që ishin thuaja në kufi të marrëzisë intelektuale. Këta të “politikës” mbase kishin të drejtë të reagojnë siç kanë reaguar sepse fjalët e forta dhe të papeshuara janë arma kryesore e disave që pretendojnë se merren me politikë ndonëse në jetën e tyre nuk e kanë lexuar një libër të vetme përjashtuar abetaren e përkthyer nga gjuha serbe nga i ndjeri Mehmet Gjevori. Ra kjo dekë (vendim i GJK) dhe u pa (më) se sa shumë njohës dhe interpretues të Kushtetutës kemi! Nga kjo del se angazhimi i gjykatësve ndërkombëtarë është krejt i panevojshëm kur kemi aq shumë gjykatës vendorë. Injorohej fakti se nga shtatë (7) gjyqtarë të GJK, tre prej tyre ishin ndërkombëtarë ndërsa katër ishin vendorë. Ndërkaq vendimi thuaja ishte unanim sepse vetëm gjyqtari amerikan Carolan, i ndjerë si pakicë absolute në vendimmarrje u nda nga grigja kushtetuese duke u lavdëruar shumë nga Isa Mustafa të cilin GJK e dërgoi në pensionim të detyrueshëm. Në fakt, të gjithë “vrasësit“ e GJK thirreshin në z. Carolan i cili edhe në sqarimin që e kërkoi presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga e ndau mendimin. Askush, besoj nuk ka të drejtë ta fajësojë z. Carolan për qëndrimin e tij, edhe në rastin e parë edhe në të dytin sikur që nuk kanë të drejtë t’i akuzojnë gjyqtarët tjerë që e morën vendimin si e morën. Askush nuk e akuzoi z. Carolan se këtë vendim ka mundur ta marrrë i ndikuar nga Shuk C Stiveni, këshilltar i kryetarit të AAK-ës që është mik i tij i zemrës ndryshe i njohur si urdhërdhënës për vrasjen e dy protestuesve paqësorë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj në demonstratat e organizuara nga LVV!

Ҫekiçi i “Babës” tashmë ka rënë mbi kokat e PDK&BLLOK’ut!

Po të ishte vendimi 4 me 3 do të krijonte hapësirë për interpretime të ndryshme (ndonëse as atëherë nuk do të mund të kundërshtohej ) por rezultati që ishte dhe është duhet të jetë i padiskutueshëm. Së paku ashtu u zotuan të gjithë liderët politikë se do ta respektojnë dhe zbatojnë çdo vendim të GJK edhe në rastin kur është në disfavor të tyre! Ndryshe deklaruan e ndryshe vepruan! Pikërisht liderët politikë që nuk ishin të kënaqur me vendimin e GJK kryqëzuan gjyqtarët e Kushtetutës për t’u nënshtruar një pushkatimi verbal publik ku analfabetët kushtetues shtinë mbi ta me të gjitha armët (fjalët) e lejuara dhe të palejuara! Bëhej garë se kush do të përdorë fjalë më të rënda dhe më fyese. Për mua (si laik i skajshëm i çështjeve juridike e lëre më kushtetuese) ishte i habitshëm fakti se sa të padijshëm ishin pikërisht ata që për kohë të gjatë kanë ligjëruar pikërisht këtë lëmi dhe të cilët pastaj kanë nxjerrë gjenerata serike të kopjeve të tyre nga fusha e së drejtës kushtetuese të shpërfaqur si gazetarë, analistë, njohës të çështjeve politike, ekspertë juridikë, etj., etj. Për një kategori të bosëve politikë nuk befasohem fare sepse dihet si kanë ardhur te diplomat e fakultetit , titujt shkencorë dhe pozitat akademike. Të kufizuar kanë qenë dhe të tillë edhe kanë mbetur. Pozita dhe posti politik të jep mundësi pasurimi, pushtet mbi vartësit ( kryesisht atyre me kurriz fleksibil dhe intelektualëve pa dinjitet ) por nuk të bënë aspak më të mençur se që ke qenë madje i krijon të gjitha mundësitë ta demonstrosh karakterin , talentin dhe përmbajtjen e një injoranti! Të tillët sot ngriten mbi Kushtetutën , nuk e pranojnë ate , i përqeshin vendimet e saj, bëjnë plane si t’ia hedhin GJK dhe kërcënojnë haptas se pas marrjes së pushtetit do t’i dërgojnë në burgje pasi t’i kenë larguar nga posti që e paskan kapur. Mirëpo nuk i refuzojnë 2500 ojro të buta që i marrin pa punuar asgjë në ndërkohë që thërrasin ta lëshojnë Kuvendin apo vendin e punës për të cilin paguhen! Nuk e kuptoj se botërisht i pranoni vendimet e GJK, në njërën anë kurse në anën tjetër thoni se ajo është qendër e krimit , se është kapur nga krimi, se është degë apo zyrë e një subjekti politik , se është varrmihës i demokracisë, se është kundër vullnetit të shumicës, se është joprofesionale , se nuk është e pavarur , se i lexon vendimet që shkruhen në zyrat e PDK-së dhe shumë “ margaritarë “ të tjerë që në çdo vend normal do të duhej të ishin kushtrim për prokurorinë që , ose t’i vërtetojë pohimet e këtyre “ ekspertëve “ kushtetuse duke marrë masa ligjore , ose të marrin masa ligjore ndaj shpifësve dhe ndotëseve të ambientit që shpifin majats – djathtas pa frikë se mund të përballen me ligjin!
Fakte dhe realitete
Kurrë nuk ka pasur mobilizim më të madh të medieve, analistëve , shoqërisë civile për ta përkrahur opozitën para zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 dhe për ta rrëzuar nga pushteti pozitën e cila thuaja ishte e vetrrëzuar. PDK-ë, për ta ruajtur pushtetin u mobilizua duke bërë koalicion me disa subjekte të vogla por që i siguruan një fitore me më shumë se 5% para rivalit kryesor, LDK-së. LDK-ë ishte aq e sigurt në fitoren “me duar në xhepa“ prandaj nuk bëri koalicion me një subjekt politik ( cilin do ) dhe në këtë mënyrë i humbi zgjedhjet . LVV doli pak më mirë, AAK kishte ambicie të mëdha por ishte te margjinat standarde ndërsa Nisma u kacavjerr për pragu dhe ia doli të bëhet parti parlamentare. Me t’u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve , ata që nuk i fituan zgjedhjet u organizuan duke u përbetuar se nuk do të ketë Thaçi III. Që në takimin e parë i ndanë postet dhe tërë kohën e kaluan duke pirë kafe dhe duke bërë llafe nëpër kafiteritë dhe restorantet e Prishtinës! U lidh një dashuri jonormale (kryekëput e mbështetur në interes personal dhe gjakim për të marrë postin e premtuar) duke u përafruar me pakicat dhe duke e sforcuar refuzimin , madje edhe e takimit me PDK-ë ! Këtu më nuk bëhej fjalë e as që bëhet fjalë për rivalitet politikë, luftë politike , përballje e programeve politike ose programeve qeverisëse por bëhej dhe bëhet fjalë për urrejtje , armiqësi dhe mosdurim, deri në asgjësim. Shihni se kush është më i zëshmi në kultivimin e këtij “ bashkëpunimi “, ngritjes së tensioneve , ringjalljes së armiqësive , si parakushte për një dhunë shumë të mundshme fizike ! Ata që dështuan në zgjedhje, ata që premtuan shumë gjatë fushatës dhe që nuk e linin as dyshimin më të vogël për fitore , ata që nuk e kaluan pragun për t’u bërë deputetë e sidomos ata që kurrë në jetën e tyre nuk dinin çka është dinjiteti dhe tërë mbijetesën e tyre e siguruan dhe e planifikuan duke u aziluar nën hijen e topeve të ”të fortëve“ në partinë e tyre. E shfrytëzuan këtë përafrim jomoral duke kërcënuar të gjithë ata që i perceptonin si pengues në rrugën e tyre. E fyen presidenten kur nga GJK kërkoi sqarim që asaj i ndihmonte në ushtrimin e detyrës kushtetuese të saj për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së Kosovës. I pushkatuan publikisht dhe kërcënuan ata që nuk u futën në zgjedhën e tyre! E treguan karakterin e vërtetë në mbledhjen e turpshme të 17 korrikut kur duhej të konstituohej Kuvendi dhe kur duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe kryesia e cila procedurë ishte përcaktuar qartë me ligjet dhe rregulloret në fuqi! E ( ng)ulën Isa Mustafën në karriken e kryetarit , jo me ligjet në fuqi por me Marrëveshjen e Papillonit ! Pasi GJK e ktheu Isën në karriken e deputetit dhe pasi koalicionit paszgjedhor u bind se nuk mund ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, fjalori u ashpërsua edhe më shumë. Krejt për arsye që të mbrohet dhe të mos negociohet posti i kryeministrit brenda partnerëve të LAN-it. Isa Mustafa aktualisht është në pozitën më të rëndë sepse vet anëtarësia e LDK-së do të kërkojë përgjegjësi nga ai për postin e kryetarit të Kuvendit dhe pse hoqi dorë me aq lehtësi nga posti i kryeministrit. Është thjesht i gozhduar midis pozitës së rëndë në të cilën gjindet dhe ambicieve të disa që e rrethojnë për ta marrë drejtimin e LDK-së. LAN-i po të kishte sens politik do ta votonte që në mbledhjen konstituive kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit dhe do ta fitonte pozitën e kryeministrit si dhe do të udhëhiqte me vendin për mandatin e ardhshëm qeverisës. Kështu, grykësia e madhe ua ka humbur arsyen e të gjykuarit dhe veprimit racional politik dhe tash lehtë mund t’i dobësojnë pozitën vetes. Realisht LAN- i është një hap para divorcit!
Cila është zgjidhja : Këmbëngulja e LAN-it për t’i marrë të gjitha postet e mundshme pas së cilës do ta fillonin pastrimin nga të gjithë ata që nuk janë pajtuar me ta, nga GJK e deri te nivelet më të ulëta , ka prodhuar një ngërç politik që për pasojë ka eskalimin e situatës dhe bllokimin e institucioneve. Kësaj duhet shtuar edhe PDK – ë, e cila ndonëse është fituese e zgjedhjeve nuk i ka numrat as për kryetar të kuvendit e as për formimin e qeverisë. Së paku jo deri më tani dhe e cila këmbëngul se asaj i takon e drejta për formimin e institucioneve. Në aspektin legal mund të ketë të drejtë ndërsa në aspektin moral mendoj se nuk kanë të drejtë! E mira e gjithë kësaj është se pjesëtarët e pakicave këtë muaj janë shëndoshur tej mase duke ngrënë dreka dhe darka belesh nga PDK dhe LAN në përpjekje për t’i fituar votat e tyre! Është e papranueshme dhe mjerim që sot në Kosovë me së paku 90% shqiptarë të ndërtoni qeveri me 60% shqiptarë dhe 40% pakica dhe se pakicat të jenë përcaktuese për formimin dhe mbijetesën e qeverisë! Kjo paraqet vetvrasje politike , kombëtare dhe strategjike. Çdo qeveri e cila nuk do t’i kishte së paku 65 shqiptarë plus pakicat nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë jetë të gjatë. Madje, nuk duhet as të formohet. Në këtë rast do të vendosej në korniza të kushtetutës roli i pakicave e sidomos i asaj LS të cilës do t’i merrej mundësia e shantazhimit për formimin dhe funksionimin e institucioneve duke shtruar kërkesa të papranueshme sikur që veprohet në të gjitha vendet normale të botës! Nëse vazhdon lufta e bunkerizuar midis shqiptarëve dhe nuk arrihet një marrëveshje politike brendashqiptare atëherë e vetmja zgjidhje mbesin zgjedhjet e parakohshme të cilat presidentja e Kosovës, në bazë të kompetencave kushtetuese që i ka duhet t’i shpallë në kohën së më të shkurtër. Arsyetimi për këto zgjedhje do të ishte mosfunsionalizimi i institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet , në mungesë të një marrëveshjeje politike apo fleksibiliteti do ta zgjidhnin ngërçin politik. E kemi një situatë të qartë ku janë dy blloqe të fuqishme politike dhe jam i sigurt se në rast se shkohet në zgjedhje njëri nga blloqet do t’i fitojë më shumë se 43 mandate e që do të mjaftonin që të mos përsëritet ngërçi politik. Arsyetimet se këto zgjedhje janë të kushtueshme nuk qëndrojnë fare aq më parë që as pozita e as opozita që donë të bëhet pozitë nuk janë identifikuar si ruajtës të Buxhetit të Kosovës. Dhe as që e kanë për synim këtë! Zgjedhjet e reja do të ishin shpëtim për reputacionin e këtyre liderëve politikë që janë armiqësuar deri në masën sa nuk kanë filluar të luftojnë kundër tjetrit . Do të kurseheshin nga situata që nesër nën “ lutjen “ e miqve ndërkombëtarë të detyrohen t’i hanë fjalët e veta dhe të bëhen bashkë! Fytyrë është kjo ! Ka mbetur edhe një zgjidhje :
Ademi dhe Remi
PDK-ë me partnerë dhe pakica maksimalisht ka 57 kokrra. Adem ninxha po thotë se ka së paku 65 vota dhe se mjaftojnë edhe për kryeparlamentarin , edhe për mandatarin e qeverisë. Matematikat nuk po na përputhen. Në votim të fshehtë ndoshta edhe sigurohen ata numra. Në votim të hapur do të ngelë në numrin 37. Më duket se më realist është Remi. Ai po e shtynë koalicionin PDK – LDK si zgjidhje për t’i mënjanuar zgjedhjet. Po kërkon një rimartesë të PDK-ë me LDK-ë. E shohim. Mendoj se në 10 ditët e ardhshme mund të duket një zgjidhje apo marrëveshje. Ose , në të kundërtën zonja presidente, si personi më fuqishëm në Kosovë do të caktojë zgjedhjet e parakohshme për fund të tetorit apo fillim të nëntorit. Shpresojmë te gjindet një zgjidhje . Pa shkuar në zgjedhje! Përfundimisht besoj se zgjidhja më e mirë dhe më e arsyeshme për situatën e krijuar janë zgjedhjet e parakohshme.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura