Prishtinë, 14 shkurt 2021: E moralshmja e pamoralshme : Me 14 shkurt 2021 në Kosovë do të mbahen zgjedhjet për Kuvend të Kosovës me pretendime që këto zgjedhje të jenë përcaktuese edhe për zgjedhje të Presidentit. Mendoj se , që nga përfundimi i luftës këto zgjedhje do të vendosin për shumë gjera dhe për kah pesha specifike politike , strategjike dhe të ardhmërisë së Kosovës , janë shumë të rëndësishme për faktin se Kosova duhet të dalë nga kjo rrugë qorre që po e mbajnë dhunshëm Serbia dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Jemi dëshmitarë se partitë politike në këtë parafushatë dhe fushatë zgjedhore nuk po ofrojnë ndonjë program të arsyeshëm e që , nëse jo i tëri atëherë në masë më të madhe do të zbatohej përveç improvizimeve të çastit dhe riciklimeve të premtimeve të mëparshme. Premtimet që po japin subjektet politike ma kthejnë një kujtim dhe ngjarje nga 23 maji 1981 në Sarajevë . Ishte fundi i muajit dhe si shumica e studentëve buxhetin e kisha trokë , isha në mbikëqyrje 24 orësh të sigurimit shtetëror jugosllav sepse kisha informatë të saktë sikur që vreja një prani më të madhe të fytyrave që vëzhgonin banesën ku banoja sikur edhe , po të njëjtat fytyra vinin në fakultetin e mjekësisë , më me rregull se unë. Që nga hëna vërehej se ishin sigurimca apo hetues policorë. Në ato rrethana , ndonëse isha i sigurt 100% se do të më arrestonin bëja përpjekje ta organizoj jetën dhe ta ruaj një normalitet. Shumë studentë shqiptarë në Sarajavë ishin nën vëzhgim të policisë prandaj ishin këputur lidhjet e komunikimit . Në atë ditë , 23 maj 1981 isha duke shkuar në Bashqarshi dhe në qendër të qytetit , përballë ndërtesës ku ishte vendosur Oslobogjenje ( gazetë ditore kryesore në B dhe H në atë kohë ) më ndali një grua rome , me një kuti druri në të cilën ishte vendosur një miush i bardhë dhe disa pliko prej letre , ngjyrë deti. Tërë kohën kjo fallxhorja thërriste : “ mish bijelli , srequ dijelli – miu i bardhë , ndanë fat .. “. Natyrisht , nëse paguani një sasi parash , miu e merr një pliko për ju , e grisë me dhëmbë e pastaj parashikuesja ua lexon fatin . Paraprakisht , e merr miun dhe e sjellë tri herë para fytyrës suaj e pastaj , duke ia shtrënguar qafën e shetit në kutinë me pliko. Kur ia afronte kokën te plikoja që donte , fallxhorja ia lironte qafën , miu e bënte punën dhe vazhdonte procedura. Fallxhorja thoshte se miu e tërheq plikon e duhur në bazë të erës së klientit , për të qenë më bindëse. Paraprakisht , fallxhorja më pyet për profesion , nga vijë , a jam i martuar , gjendja materiale etj. Me të mësuar se jam student , se jam shqiptar dhe se jam i pamartuar filloi “ ligjërimin “ që shkonte me profilin tim. Më tha se nuk ke para , se brenda një jave do të marrësh para ( e merrja bursën sikur edhe paratë nga familja në çdo fillim të muajit ) , se jam trim dhe besnik ( Shqiptar ) , se do të shkojë në pushim ku do ta kalojë shumë mirë , se do të bëhem ndërtues i madh ( i thashë se e studijojë arkitekturen ) ndërsa , në planin e dashurisë më tha se pas meje çmendet një brune , më sheh ëndërr një zeshkane sikur që ësht shumë xheloze një bjondinë . Realisht , prej asaj që më tha fallxhorja u konkretizuan këto parashikime : shkova në pushim aspak të mirë në afatin 3 vjeçar në Burgun e Foçës dhe të Mostarit me vendim të Gjykatës së Qarkut në Sarajevë , si nacionalist dhe irredentist shqiptar, më erdhi bursa dhe paratë nga familja por se nuk mund t’i shfrytëzoja nga Qendra e Paraburgimit në Sarajevë , të dashurat që mendonin për mua ku përfshihen të gjitha ngjyrat e flokëve munguan deri sa e përfundova burgun e parë. Në vend të tyre shihja policë dhe të burgosur , me flokë dhe pa flokë si dhe femra të vizatuara nga të burgosurit në muret e toaleteve të burgut. Paratë që ia dhashë fallxhores ma anuluan biletën për shfaqje të filmave paradite , matine , bardh e zi në një kinema në Sarajevë ku planifikoja ta shihja filmin Psiho të Alfred Hiçkokut. Pas dy dite , përkatësisht me 25 maj më arrestuan dhe më dërguan në ndërtesën e gazetës Osllobogjenje ku i kishin zyrat sigurimi shtetërorë i Bosnje dhe Hercegovinës. Për ta përmbushur parashikimin e fallxhores , inspektorë të sigurimit shtetërorë , pas seancave të gjata të marrjes në pyetje , e thirrën qendrën e paraburgimit në Sarajevë për të më rezervuar një vend për pushime me fjalët ? “ Mollim vas , pripremite jedan apartman za gospodina Shalu – Ju lutem e bëni një apartament gati për zotëri Shalen … “. Fjalor tipik për një Agjencion turistik ! Merreni me mend, nuk e rezervuan për mua një dhomë por një apartament apo suitë ! pas 40 minutave , apartamenti u zëvendësua me një birucë , sikur në romanet e Manxonit. A nuk po ju nxhanë , së paku pakëz fallxhorja e Sarajevës e vitit 1981 me premtimet e partive politike të vitit 2021 ? Fallxhorja e kishte të qartë se studentëve iu duhen paratë prandaj ofronte para , se kishin nevojë për pushim prandaj ofronte pushim , se , si të rinjë kishim nevojë për dashuri prandaj na ofronte tërë spektrin e botës femërore , se jam trim ( ndonëse edhe nuk isha aq i madh ) duke prekur krenarinë e shqiptarëve , se do të jem ndërtuse i madh ( bëri gabim sepse ia dhashë informatën e gabuar ) . Po e shihni se më ofroi të gjitha ato që i donë një njeri dhe që i bëjnë mirë dhe që ndjehet i lumturë . Jam i sigurt se të gjitha plikotë kanë pasur të njëjtën përmbajtje ! Edhe partitë politike ofrojnë rritje të pagave , vende të reja pune , liberalizim të vizave , jetë më të mirë , shërbime më të mira ! Kush do t’i kundërshtonte këto oferta të partive politike ?! Po flasin për referendum që do ta përligjte 100% pushtetin duke përjashtuar , mundësisht 100 % kundërshtarët politikë që i konsiderojnë si armiq. Po flasin për investime miliarda e miliarda euro në ndërkohë që buxhetin e kemi si thes i shqyer . Po flasin për njohje nga Serbia në kohën kur Serbia qe 21 vjet pasi ka përfunduar lufta , jo që nuk na njeh por nuk na lejon as t’i hapim sytë. Uroj që qytetarët e Kosovës ta kenë fatin më të mirë se që e pata unë në Sarajevë
Parashikimi i rezultateve : Nuk jam as studiues , as analist , as intelektual , as i mençur , madje në shumë shkrime kam deklaruar se nuk marrë përgjegjësi për ate që e shkruaj dhe e parashikoj , nuk më ka paguar asnjë studio televizive , asnjë portal dhe asnjë parti poltike e as politikan , nuk kam bërë sondazhe por , si i papërgjegjshëm që jam e marr guximin të parashikoj rezultatet sipas krutereve që vet i përcaktoj. Një ditë një mik imi më tha : “ valla Behxhet , trim je ..” e që unë e mora se më tha . “ valla Behxhet po budalla i madhe je ..” duke iu referuar thënies popullor : “ trim budallë .. “. Kështu :
1. VETËVENDOSJE – 39 % të votave
2. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – 23% të votave
3. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS — 23 % të votave
4. ALENCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS – 9%
5. NISMA – 4-5 % të votave
Marzha e gabimeve , 2-3 % që lejohet thuaja në të gjitha sondazhet. Pasi unë nuk kam bërë sondazh , marzha e gabimit te unë është , sa të dua unë. Vet pret , vet mbret!
Uroj zgjedhje të mira , të rregullta dhe të drejta . Krejt dhe Drejt në Shtetin. Shtet të Rimëkëmbjes , Me Forcën e Kosovës dhe Me Çlirimtarët .
12 shkurt 2021 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: POLITIKANËT E BRITANISË DHE FEUDALËT E KOSOVËS!
Pashtriku, 17 dhjetor 2019: Duhet të marrë fund politika feudaliste e Dukagjinit, e Malishevës, Drenicës, Llapit, Gollakut e…
GJOKË DABAJ: ‘BILDI’ I SOTËM DHE REMARKU I DIKURSHËM
Durrës, 18 Qershor 2019: Kur e pashë fytyrën e gazetarit Peter në ekranin e televizorit, mbasi e kisha…
PROBLEMET E ALKOOLIZMIT, NARKOMANISË DHE NIKOTINIZIMIT NË SHOQËRI
PROBLEMET E ALKOOLIZMIT, NARKOMANISË DHE NIKOTINIZIMIT NË SHOQËRI Nga Arif Ejupi, Gjenevë 22 Maj 2022 Fatkeqësisht sëmundjet e…
ARTAN LAME: SI PO SHKATËRROHET TRASHËGIMIA JONË HISTORIKE?!
Tiranë, 07. 07. 2012 – Që kur është zënë bota, njerëzit janë përpjekur të mbrohen dhe për këtë…