BEHXHET SHALA BAJGORA: KOHË E PAKOHË PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME TË CILAT NUK SJELLIN ASNJË NDRYSHIM!

Prishtinë, 16 nëntor 2018: (Kush e kruan , me dhimbje do ta ç’kruan) – Nëse i kemi parasysh numrat në Kuvendin e Kosovës , fitohet një përshtypje se kemi një pozitë të fortë dhe një opozitë duke dhënë shpirt, e mbaruar fare. Realisht ky mendim apo qëndrim më tepër është mashtrim optik sesa që e kemi gjendjen faktike. Opozita ka pak numra por ka muskuj për marrje të vendimeve për dallim nga ish – koalicioni i madh që kishte shumë numra por nuk e mori thuaja asnjë vendim. Kishte mungesë guximi të marrjes së vendimeve prandaj vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme e që e solli situatën që e kemi tani. Në atë kohë ishte një rritje e madhe e LVV , tëkurrje të PDK-së , vendnumërim të LDK –së me leckat parapolitike si AKR dhe Alternativa, mbijetesë të Nismës dhe një komoditet për AAK-në , pasi u bë “ nuse “ ku ngarendnin të gjithë mësitët e që i siguronte martesë të mirë , me pajë mbresëlënëse sikur që me pajë të mirë u nda edhe Nisma . Ishin përpjekjet për një koalicion midis LDK-së dhe LVV e që , për shkak të lakmisë për postin e kryeministrit nuk pati marrëveshje. LVV u tregua politikisht filloriste sepse këmbëngulte që vetëm Albini të bëhet kryeministër në vend që këtë post t’ia ofrojë LDK-së ndërsa për vete t’i ndajë ministritë kryesore e që do ta mbanin kryeministrin të kufizuar në marrje të vendimeve, sikur zogun në kafaz. Pastaj edhe do zgjedhje tjera e që aspak nuk e ndryshoi situatën politike. Në ndërkohë patëm ndarjen e planifikuar të PSD nga LVV e të cilën LVV nuk e menaxhoi si duhet e që tash po i hakmerret, qoftë në nivelin qendror ashtu edhe në ate lokal ! PSD , e forcuar materialisht dhe e rënë në dashuri interesi me subjektet tjera politike po e qëron pushtetin lokal në komunat ku i ka fituar zgjedhjet LVV nga anëtarë të LVV sikur që edhe ndërmarrjet që udhëhiqen nga PSD po i largojnë anëtarë të LVV si të ishin talebanë e jo bashkëpartiakë me të cilët vepruan një kohë të gjatë. Aktualisht , për PSD –në më së shumti po punon LVV duke bërë përpjekje ta zhbëjë nga skena politike dhe duke shpenzuar kështu energji të panevojshme . LVV , në rrethanat që janë tani fare nuk do të duhej të merrej me PSD por të punojë për konsolidimin e partisë dhe ndërtimin e koalicioneve , pa përmendur vija të kuqe , nëse mendon të marrë pushtetin ! Edhe para 3-4 muajve , në një analizë për Epokën e Re për rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve kam parashikuar shifra që nuk dallojnë shumë as sot e që , për koincidencë përputhen me “ sondazhet “ e një “ gazetari “ , mik i ngushtë i Hashimit në Kosovë dhe Hashimëve në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët e që janë në pushtet ! Edhe atëherë por edhe sot e them se nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme dhe se edhe zgjedhjet eventuale nuk do të sillnin asnjë ndryshim . Opozita , sipas një automatizmi , që nga dita e parë e qeverisjes ka kërkuar zgjedhje të parakohshme ndërsa më e zëshmja ka qenë LDK –ë për faktin se ka vlerësuar se i fiton zgjedhjet gjë që e kam thënë edhe unë dhe që e them edhe sot , nëse zgjedhjet do të mbaheshin në 4 mujorin e ardhshëm e që nuk besoj se do të ndodhë kështu . Kushti i parë , kryesori e mos të them i vetmi që do të sillte ndryshime në qeverisja dhe vendimmarrje është një reformë e mirëfilltë dhe përmbajtësore e sistemit zgjedhor e që duket se nuk do të bëhet shpejt. Të filojmë nga LDK si kryekruarësi kryesor.

1. LDK-ë , i fiton zgjedhjet e parakohshme duke fituar jo më shumë se 24% të votave e , që në rrethanat aktuale , më shumë i sjellë kokëçarje , se komoditet. Pse ? Me përqindjen e fituar LDK nuk do të jetë në situatë të vë kushte por të pranojë kushte nga partitë tjera , pa të cilat nuk do të jetë në gjendje ta formojë qeverinë. Përsëri posti i kryeministrit do të mbetet vetëm dëshirë e LDK-së . Koalicioni me LVV nuk sjellë asnjë stabilitet për LDK-ë , përkundrazi e futë në kanalizimin e ankthit permanent dhe i rri mbi kokë sikur shpata e Demokleut. Nëse LVV fiton 18 – 20% të votave e që nuk e besoj , fort do ta kushtëzojë LDK-ë , aq më parë që elefantët ( më moçmit ) e kësaj partie nuk kanë ndonjë dashuri për LVV sepse për ta është hamshor i paprovuar dhe , më me dëshirë do të bënin koalicion me PDK-ës apo AAK-ë por se nuk e kanë guximin të e thonë publikisht. Thënë të drejtën , disa krerë të kokës së oktapodit të LDK-së e që sillen si kryetarë të ardhshëm , me kohë i kanë lidhur “ bishtat “ me PDK-ë apo janë në vartësi të tyre e sidomos të kryetarit në hije të PDK-së , Hashim Thaçit , mik i pandashëm i Batonit dhe vëllam i Behgjet Pacollit me të cilin nuk e kanë bashkuar gjakun por paratë , më pak të pista dhe më shumë të pista. Skifterët e LDK-së ( të rinjë në politikë dhe me një moshë mesatare ) kanë ambicie të mëdha e mendojnë t’i realizojnë duke i dërguar të moçmit e LDK-së në varrezat e elefantëve . LDK nuk ka udhëheqje por ka shumë udhëheqës , LDK thirret në parime por në çaste vendimtare ka demonstruar parime pa koçe sikur që u shit te Hashimi për një post ambasadori , por një post konsulli , për një dekoratë, për një vend pune në borde apo ndërmarrje fitimprurëse , për një terminal doganor apo për një mosndjekje penale ose , për një premtim se një ndekje penale , për hajni kryesisht apo një proces gjyqësorë nga kjo ndjekje do ta merr epilogun lirues. Realisht , LDK i ka vetëm dy kandidatë për kryetar ; Kujtim Shalën dhe Avdullah Hotin i cili është bartës i testamentit politik të Isa mustafës por që e kundërshtojnë Agim Veliu , Lutfi Haziri , Ismeti ( më i rrezikshmi si kundërshtues ) dhe disa elefantë të tjerë politikë të cilëve u ka përfunduar jeta politike por se këta mendojnë ndryshe. Mbajeni mend , nëse mbahen zgjedhjet e parakohshme e që nuk besoj se në afatin 6 mujorë do të ketë zgjedhje , fituesi i këtyre zgjedhjeve , LDK do të jetë humbësi më i madh !
2. LVV e ka një mungesë në piramiden udhëheqëse apo vendimmarrëse , mosha kineze e të bërit politikë. Nuk ka potencial ripërtëritës për vendimmarrje, PSD po e qëron në nivelin lokal nga çdo post kurse koalicioni me LDK nuk është se e forcon LVV. Mund t’i ndihmojë që eventualisht të bëhet pjesë e pushtetit por jo se i hapë shtigje të reja. LVV po përmend vija të kuqe për PDK dhe dy vija të kuqe për PSD e që asnjë subjekt politik serioz nuk do ta bënte këtë. LVV fort është duke punuar për forcimin e PSD- në sepse , nëse dikend e përmendni edhe në kontekstin negativ, do ta faktorizoni ate. LVV nuk e kalon 22% e votave dhe , nëse zgjedhjet mbahen në 4 mujorin e ardhshëm përqindja e votave do të sillet kah 18- 20 %%. Retorikën patriotike më nuk po e përmend as Edi Rama dhe as Zafir Berisha , si dy patriotët par exellance të shqiptarëve . Bashkimi me Shqipërinë në kohën kur nuk jeni në gjendje t’i mbroni as tokat tuaja , e ka humbë kuptimin dhe është bërë mundësi e parealizueshme. Përfundimisht , e vetmja shpresë apo strehë puro kombëtare për LVV ka mbetur Sali Berisha , gjyshi i PD-së në Shqipëri. As çamët më nuk janë me Albinin , nuk po angazhohen për bashkim këmbëtar por janë bërë jeniçerë të Hashimit e që po angazhohen për bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën , pasi e kanë bashkuar Çamërinë. Dikush do të thotë se me LVV është vështirë të arrihet marrëveshja për koalicion e unë e them se është shumë lehtë ; vetëm ia ofroni kryeministrinë .
3. PDH (Partia Demokratike e Hashimit), ose PDK ( Partia Demokratike e Kurkujt ) e që po i atribuohet Kadri Veselit , është në gjumë apo në një gjendje të komës politike. Kjo parti nuk ka bërë ndryshime rrënjësore por makiazhin po e përdorë për mashtrim se kinse është reformuar. Kadri Veseli po rri prapa timonit e që Hashimi po e drejton qerren e thyer . Kjo parti duhet ta falenderojë Hashimin për një kontribut dikur , por , sot duhet të distancohet fuqishëm nga Hashimi duke e respektuar si president të Kosovës e jo si president të PDK –së. Kjo parti duhet të lirohet nga ministra abuzues ( përkthyer shqip i bjenë hajna ) që mbajnë pushtet , që janë gënjeshtarë patologjik dhe që e kthejnë prapanicën në drejtim të çdo sundimtari të partisë por që e kanë standardizuar formatin e prapanicës sipas nevojave të Hashim Thaçit . PDK duhet ta përtërijë politikisht Forumin e Gruas sepse , politikanet aktuale të PDK-së , nëse i përbashkoni të gjitha sikur Himnin Kombëtar , nuk i përmbushin kualitetet politike për një temë diplome politike për maturantët e shkollës së mesme të një shkolle të mesme në Malishevë , Rahovec , Podujevë apo Drenas. Në çdo aktivitet , riciklimi pastron dhe sjellë cilësi , në PDK riciklimi i kuadrove që nuk riciklohen sipas asnjë formule ( llaskucë ordinerë ) e ka sjellë partinë pranë vdekjes klinike. PDK është parti që më së shumti shantazhohet , jo nga kundërshtarët por nga vet anëtarët e partisë ! Nëse ua mohoni një tender , ua përçajnë degën , nëse nuk ua siguroni një post udhëheqës në parti , kalojnë në parti tjetër apo kërcënohen me formimin e një partie të re. Një udhëheqës i vërtetë dhe i vendosur dhe i cili merr përgjegjësi për pasojat eventuale , këto zhvillime i merr si mundësi të arta për reformimin e partisë . PDK nuk ka rini që merr vesh në politikë por ka rini politike që është e dëgjueshme ! Dhe , intelektualët e PDK-së , asnjëherë nuk kanë qenë të PDK-së ! Edhe kësaj radhe , falë votuesve që nuk dallojnë fort nga partai , PDK mund t’i fitojë deri në 22% të votave. Me LVV garon për vend të dytë.
4. AAK –ës , sipas meje , nëse zgjedhjet do të mbahen në 4 mujorin e ardhshëm dhe nëse Ramush Haradinaj e mbanë qëndrimin kundërshtues për “ kurvëri territoresh “ , do të jetë fituese më e madhe në Kosovë. Jo se AAK ka politikanë që shkëlqejnë nga intelektualizmi politik por se ka një trup votues stabil , të qëndrueshëm dhe të ashtëzuar , me palcë kurrizore Ramush Haradinaj . Në këto rrethana , AAK do të fitojë së paku 13 % të votave dhe do të bëhet faktor i pashmangshëm për koalicione , sikur LSI në Shqipëri ndërsa Ramush Haradinaj si Ilir Meta .
5. PSD nuk do ta ketë problem ta kalojë pragun zgjedhor , madje parashoh të fitojë 7 – 8 % të votave. Po tregohet parti që nuk ka vendosur vija të kuqe , po shitet si e reformuar , e kanë ndryshuar veshjen e sidomos e kanë zbutur gjuhën . PSD nuk e ka problem të bëjë koalicion me asnjë parti madje as me LVV nëse kjo i ofron një mundësi të tillë dhe paraqet interes politik për këtë parti.
6. Nisma për Kosovën do ta kalojë pragun duke u lodhur fort sepse do ta ketë shumë vështirë të mbërrijë deri në shkallën e 5 % , nëse zgjedhjet mbahen në 4 muajt e ardhshëm.
7. AKR , nëse vendosë të shkojë e vetme në zgjedhje gjasat për ta kaluar pragun zgjedhor janë të barabarta me gjasat e mia që me tuta dhe atlete t’i pushtojë majat e Mont Everesit të Himalajave . Megjithatë , AKR e ka një përparësi të bëhet pjesë e çdo pushteti shkaku se duke u shndërruar në kondom të programuar për të gjitha rekuizitet e partive që i fitojnë zgjedhjet , asnjëhere nuk mbetet jashtë pushtetit .
8. Alternativa për Gjakovën është parti që shërben si patericë për të gjitha partitë dhe pushtetin që kanë probleme për ecje të baraspeshuar. I plotëson të gjitha kushtet që kërkohen për të qenë paterica ; janë dy veta , me kondicion të mirë , me moshë premtuese dhe me kurriz shumë të lakueshëm ! Besoj se në zgjedhjet e parakohshme dhe nëse ato mbahen në 4 mujorin e ardhshëm e që jam i sigurt se nuk do të mbahen , renditja e subjekteve politike , në bazë të rezultateve do të jetë e ngjashëm apo e përafërt më renditjen në analizën time.
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 15 nëntor 2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

KONSERVATORIZMI

KONSERVATORIZMI Nga Xhelal Zejneli, Shkup 26 Maj 2022 Konservatorizmi është pikëpamje që vlerëson dhe që synon të ruajë…