ARDIAN RAMADANI: KUFIJTË E ARDHSHËM TË EUROPËS…

Kumanovë, 16. 04. 2013 – Duke lexuar librin e bukur të ish komisionerit të lartë për zgjerim Oli Ren «Kufijtë e ardhshëm të Europës» impresionohesh me argumentet, stilin dhe penën e tij bindëse dhe tejet të mprehtë. Autori nuk bie na grackën e euroskeptikëve që parashohin linja mazhino (kufizuese) për anëtarët aspiruese. Ai thekson rëndësinë e aderimit të shteteve të reja në kuadër të kësaj organizate, por kuptohet duke plotësuar një sërë kushtesh dhe kriteresh. Duke potencuar thënien e ish presidentit francez Zhak Shirak se «Krijimi i Euopës është art. Një art i së mundurës », autori mëton të paraqesë këtë mundësi të ndërtimit të Evropës ashtu siç në fakt ajo do të duhej të ishte, e plotë dhe e tërë, duke funksionuar jo në bazë të ekskluzivitetit dhe përjashtueshmërisë, por unitetit dhe plotshmërisë.

Autori parasheh 4 kufinj të ardhshëm të Evropës:
1. Transformimin e pakryer të saj duke dashur të theksojë impenjimin dhe persistencën e tij për të pranuar edhe më tej anëtarë të reja.
2. Rindërtimin e besimit ekonomik, e gjithë kjo duke pasur parasysh që edhe qëllimi fillestar i krijimit të kësaj organizate ishte në thelb ekonomik
3. Evropë që funksionon mirë, respektivisht ringjallje politike të Europës, duke marrë si shkas JO në kushtetuese franceze dhe holandeze.
4. Ndërtimin e koncensusit për zgjerim dhe hapjen e saj, duke potencuar se Europa duhet të jetë e hapur për shtetet e reja, duke krahasuar rastin me SHBA, që sipas tij nuk mund të imagjinohej ky shtet, pra SHBA në momentin kur shpalli pavarësinë, po të limitohej vetëm në 13 shtetet e saja të athershme.

Oli Ren – Ish komisioneri i lartë për zgjerim në BE.

Autori Oli Ren lëshon kushtrimin e tij kumbues që bën thirrje për anëtarësim dhe zgjerim të Europës drejt lindjes, duke mos u pajtuar me zhgënjimin dhe burokracinë e Brukselit, si dhe me refuzimin që i bëhet shteteve të caktuara. Ai potencon dhe kritikon thënien e ish kryeministrit të Luksemburgut Zhan Klod Junker: «më parë raketat nga Lindja ishin të kthyer drejt nesh dhe shfaqnin kërcënim, tani shpresat e Lindjes janë drejtuar kah ne dhe na shfaqen edhe më tmerruese.
Oli Ren duke kërkuar bashkim më të fuqishëm të Europës, potencon edhe një fakt tjetër atë se UE arriti suksesin e saj me monedhën e përbashkët, por kjo nuk duhet të ekzaltojë institucionet dhe zyrtarët. Edhe pse me euron secili evropian ka një pjesë të Evropës në xhep (R. Prodi) ai kërkon strategji dhe përkushtim më të madh për një sukses më të madh drejt politikave koncensuale dhe efiçience më të madhe. Oli Ren i zhgënjyer tej mase me refuzimin francez dhe holandez thekson thënien e Adenauerit « Historia e botës është gjithashtu përmbledhje e asaj që do të mund të shmangej» andaj me këtë mundohet të bindë lexuesn se ka mundur të evitohen JO të franceze dhe holandeze.
Duke bërë krahasimin me SHBA të, Oli Ren përmend shifrën për atë kohë kur është shkruar libri, pra më 2007, se Europa kishte 430 milionë shërbyes të telefonisë mobile, ndërsa në SHBA kishte 200 milionë sish, dhe kjo sipas tij flet për fuqinë e Europës. Poashtu sipas tij Evropa duhet të finansojë edhe mjetet për hulumtime të ndryshme duke marrë si shembull Kinën që shpenzon secilin vit 20 % nga mjetet e saj buxhetore për hulumtime.
Sipas Oli Renit, Europa edhe pse është krijuar duhet të krijohen evropianët, (me gjasa merr thënien e Mancinit më 1860, Italinë e krijuam tani le t`i krijojmë italianët). E krijimi i europianëve ka sfida dhe vështirësi, por jo edhe të patejkalueshme. Sipas ish komisionerit Ren, krijimi i tyre bëhet duke folur me zë të ulët si dhe duke bërë reforma të mëdha, e jo aktualisht siç ndodh me zërat kumbues e shurdhues në njërën anë, e në anën tjetër me reformat gojore dhe sipërfaqësore ala bruxelloise.
Oli Ren në familjen e madhe evropiane don të shoh edhe vendet e Ballkanit që prodhojnë shumë histori e nuk konsumojnë asgjë prej saj. Pas zgjidhjes së një sërë problemeve duhet që sipas tij, edhe ky rajon të marrë vendin e merituar.
Oli Ren impenjimin e tij kryesor ka futjen e Turqisë në UE. E gjithë kjo ngase ky vend është me të vërtetë atraksion dhe shembëlltyrë për shtetet tjera, duke arritur të tejkalojë vështirësi dhe sfida që rrallë kush prej shteteve evropiane do t`i tejkalonte. Sipas Oli Renit një shtet si Turqia ka vendin në familjen europiane. Sipas tij është me të vërtetë shembull i mirë dhe i pashoq rasti i Kajzerit të Turqisë, me 2350 hektarë, i cili më 2004 hyri në librin e Ginisit të rekordeve me 139 kompani që u hapën vetëm për një ditë. Kësisoj një fuqi e tillë ekonomike si Turqia do të ishte mëkat të qëndronte jashtë UE së.
Sipas tij Europa që të ketë glorifikimin e saj, duhet të shmangë mekanizmat frenues, të evitojë pikat ekstreme të saja që aktualisht janë 70 ° në Veri, 22 ° në Jug, 63 ° në Perëndim dhe 56 ° në Lindje, duhet të stimulojë mekanizmat këshillues dhe lehtësues, që nënkuptojnë jo shkelje të rregullave dhe kushteve, por një ofrim dhe mbështetje për shtetet aspirante, duke i inkurajuar dhe jo dekurajuar, që me të vërtetë të shndërrohet edhe Europa në një art të së mundurës, e une do të shtoja në art të së mundurës dhe art i patjetërsueshëm dhe i domosdoshëm.
– Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura