Prishtinë, 5 Maj 2020: Po re nga fiku nuk do të thotë se erdhi kijameti
Kosova, si shtet dhe vend me një pavarësi, ende të kushtëzuar dhe me një sovranitet të ndarë me, në radhë të parë me Serbinë pastaj edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe, pastaj të fortit e vendit ushtrojnë sovranitet ekonomik, fizik dhe politik mbi të dobëtit e vendit. Kur të kemi parasysh të gjitha këto, nuk e kemi edhe aq keq punën! Tash, ra kjo pandemi e shkaktuar nga COVID -19 dhe u pamë, me maska të çjerrura apo vetëm me këto maskat, made in pandemia që dikend e bëri milioner duke i shitur me çmim sikur të ishin të praruara me platinë dhe me kopse prej gurëve të çmuar apo sikur të ishin brekët e Rihanas. Koha e pandemisë ishte sikur koha e Fadil Hoxhës: “bira e miut, 300 groshë.. Nëse në fillim kishte arsye për shqetësim sepse u bë një kaos, unë e them i organizuar dhe i kontrolluar dhe na futën në karantinë duke na ngujuar, si të ishim leprozët e shekullit XV-të, te shumica pa mundësi elementare për mbijetesë duke i mbyllur të gjitha bizneset përjashtuar këtu ushqimoret dhe barnatoret që, në fiilim i ropëm qytetarët më keq seç i ripnin shtrigat në kohën e inkuizicionit. Qeveria që ishte në pushtet dhe që kishte pushtet 100% në vendimarrje, me refuzimin 100% të opozitës për të bashkëpunuar, bënte eksperimente, in vivo, me qytetarët dhe disa kryetarë komunash që COVID-19 u erdhi si bingo për të mbuluar dështimet kolosale në realizimin e premtimeve që u kishin dhënë qytetarëve. Politikanët e veshur me pushtet tregonin muskujt ndaj qytetarëve duke ua kufizuar maksimalisht lirinë e lëvizjes dhe duke ua mohuar çdo mundësi për punë në kohën kur shtetet tjera, me një ekonomi dhe qëndrueshmeri qindra herë më të madhe se Kosova, dhe ku kishte shumë më tepër raste të të infektuarve , as përsëafërmi nuk ua shtrëngonin lakun në fyt qytetarëve sa që e bënte këtë Kosova. Përhapja e panikut ishte kontributi kryesor i atyre që e menaxhonin “luftën“ kundër pandemisë të ndihmuar nga një pjesë e mediave , krejtësisht të papërgjegjeshme. Ta mbashë Prishtinën me më shumë se 200,000 banorë, dhe me 65 raste të infektuara me COVID-19 nuk mund të vlerësohet ndryshe përveçse një papjekuri e skajshme ! Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 nxori në sipërfaqe analistë që , përveç njohurive të shkëlqyera ekonomike, politike, të sigurisë e sidomos njohës të shkëlqyer të Kushtetutës së Kosovës, e treguan edhe një talent, të pazbuluar deri më tani, ishin edhe ekspertë të shkëlqyer të mjekësisë, infektologë të jashtëzakonshëm, dhe për mua, budallenjë kujdestarë dhe të përhershëm ! Në kohën kur në të gjitha vendet normale , pozitë dhe opozitë , shoqëri civile dhe jocivile , hoxhallarë dhe priftërinj , sportistë dhe artistë, dhunues dhe viktima e kur madje u ndalën edhe veprime ushtarake për ta luftuar këtë pandemi , në Kosovë u mbajtë një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti duke e votuar shkarkimin me , më duket 82 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në Korenë e Jugut, në kohën e pandemisë u mbajtën zgjedhjet por , ku është Koreja (e Jugut), se me Korenë e Veriut jemi disi afër, e ku është Kosova ?! Nuk e kam të qartë , apo e kam shumë të qartë pse partitë politike, në njërën anë LVV dhe në anën tjetët të gjitha partitë që e votuan mocionin e mosbesimit , nuk janë ulur me ç’rast do ta bënin një marrëveshje me të cilën mocioni do të shtyhej për 2 muaj dhe pastaj të votohej , nëse në ndërkohë nuk do të kishte ndonjë ndryshim. Pse në lojën e pokerit politikë apo ruletit rus në Kosovës, si atu u përdorën Grenell, Tramp, proamerikanizmi (shumë herë servilë dhe i pasinqertë) dhe antiamerikanizmi (i vërtetë apo i trilluar)?! Realisht , edhe në mesin e “proamerikanëve“ kishte të tillë që deri më tani nuk kishin lënë të zezë pa bërë, kryesisht në fushën e korrupsionit, prandaj mocioni i mosbesimit ua lante duart, si Pont Pilati para kryqëzimit të Krishtit! Por, edhe në mesin e atyre që cilësoheshin si antiamerikanë kishte budallenjë ekzemplarë e që nuk mund t’i gjeni as edhe nëse i kërkoni me një teleskop me të cilin kërkohen trupat, ende të pazbuluar të Gjithësisë !
Mocioni në kohën e pandemisë , sikur lindja si e virgjër e Shën Mërisë
Po të kisha të drejtë vote , edhe nëse Qeveria e Kosovës do të udhëhiqej nga Milan Radojçiq , në këtë kohë nuk do të votoja për rrëzimin e saj. Për këtë arsye unë i bie fyellit kurse këta deputetët i bien pushtetit ! Se mocioni do të përfundonte siç përfundoi ishte e sigurt 100% dhe askush nuk e besonte të kundërtën. U krijua një organizëm prej dy poleve të kundërta , krejtësisht armiqësorë ; në njërën anë LVV me 3-4 deputetë të LDK-së kurse në anën tjetër koalicioni i postmocionist , i projektuar mbase menjëherë pasi përfunduan zgjedhjet , me PDK-në , që e votoi mocionin por se nuk pranoi të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti , në pritje të vendimit të Gjykatës kushtetuese të Kosovës. PDK-ë nuk ka pse del nga Zyrat e partisë prej vijave të kuqe që ia vendosën patriotët e mëdhenj , njëri ndër themeluesit e LVV –së , i dyti si z.kryeminister , Haki Abazi dhe ashiku nga Gjilani , njëri ndër spermatozoidët e ngjizjes së LDK-së , Lutfi Haziri ! Po të mos e kishte votuar mocionin PDK-ë , në zgjedhjet e radhës do të dilte si partia fituese ! Kështu , ende duhet të herret politikisht nga barishtat e këqija që kanë lëshuar rrënjë thellë në themelin e partisë dhe janë bërë si oktapodi , me një dorë e marrin një tender , me tjetrën , një pozitë dhe kështu me radhë ! Po është fakt se të gjithë ishin kundër LVV –së , madje edhe pakicat përjashtuar këtu 2-3 vota që abstenuan apo nuk u pajtuan. Pastaj , mocionistët , hiç këtu PDK-në , filluan bisedimet për , jo zyrtarizim të koalicionit ( ishte si projekt edhe para zgjedhjeve ) por për ndarje të posteve. Ky zhvillim zgjoi kurreshtje edhe te ndërkombëtarët ; disa ( kryesisht europianët )e kundërshtuan kurse amerikanët e mirëpriten. Sidomos ishte luftarake anëtarja e LVV në Parlamentin Europian e cila nuk pati ditë që nuk i komentoi zhvillimet duke e sulmuar, në radhë të parë LDK-në dhe kryetarin e saj , Isa Mustafa . Ishte interesante se menjëherë pasi u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti filluan spekulimet dhe paragjykimet , fillimisht ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e pastaj u ritransmetuan këngët “patriotike“ : “Isë , Isë , argat i Serbisë dhe shërbëtor i Rrahman Morinës “. Pasi u nënshkrua Koalicioni i “ shpresës “ midis Albin Kurtit dhe profesorit të nderuar Isa Mustafa, dëgjohej një muzikë tjetër ! Filluan spekulimet se LVV nuk do t’i lëshojë zyrat dhe se Albin Kurti , si dikur Salvadore Alende në Kil nuk do ta lëshonte zyrën , deri në vetflijim ! Prijatare e saj ishin disa , mendermethënë të shoqërisë civile në Kosovë dhe në Shqipëri , revolucionarë dhe protestues të përhershëm , proletarë të bindur por që jetojnë sikur yjet e Beverly Hills , duke vjelur dhe mjelur donacione të shumta dhe duke punuar në disa vende pune , pikërisht si politikanët e Kosovës. Bënin plane për protesta në kohë të pandemisë , bllokadë të rrugëvee deri te gjakderdhja sikur Kosova të ishte “ lamë e thive “ e jo vend që e ka një Polici shumë profesionale , ushtri në krijim e sipër e sidomos kur këtu janë edhe Policia e EULESH-it dhe KFOR-i e në vendet ku jetojnë serbët dhe shqiptarët të mërzitur deri në vuajtje për ish – Jugosllavinë dhe Serbinë , në mbrojtjer të tyre është Policia e Serbisë e maskuar me ndonjë detyrë humanitare etj.Po kujt i konvenon destabilizimi i Kosovës përveç budallenjve , Serbisë dhe armiqve të Kosovës ! Përnjëherë të gjithë u bëmë njohës dhe interpretues të Kushtetutës , nuk mbeti kush pa e komentuar Kushtetutën edhe në rastin se nuk e di fare se çka është Kushtetuta . Sot në Kosovë kemi një grup juristësh oborrtarë të të gjitha oborreve dhe garniturave qeverisëse , që dje kanë folur ndryshe , sot flasin ndryshe. Vetëm i kanë ndërruar pjatat ! Kushtetuta e Kosovës , me sa e kam të qartë,nuk ka ndryshuar deri më sot prandaj nuk mund të ndryshojë as interpretimi ! Po pse jemi në këtë situatë :
Lëvizja Vetëvendosje
Është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 me një dallim të vogël me LDK-në por është fituese dhe nuk mund të kundërshtohet . E pati të drejtën që të zgjedh se me kend do të martohet dhe e bëri ate pas dashurisë që ekishte me LDK-në. Të tjerët nuk i donte as edhe për një natë e lëre më për një lidhje serioze përjashtuar këtu pakicat . Gabimi i LVV –së ishte se e nisi punën me stuc në krah duke e përdorur fillimisht ndaj partnerit me të cilin u martua politikisht – LDK-së e pastaj edhe ndaj të tjerëve. Nuk u soll , gjithnjë sipas LDK-së që thoshte se nuk po e respekton marrëveshjen sepse ia shkarkoi Agim Veliun e më vonë edhe Avdullah Hotin. Duket se shkarkimi i Agim Veliut ishte lirim i siguresës së bombës që shpërhtheu në formë të mocionit të mosbesimit dhe i cili , mendoj se ka qenë i planifikuar dhe i paraparë nga Albin Kurti. LVV bëri ministra , që as që e kishin vendin aty ku ishin dhe e dëmtuan LVV –në. Ministrja Roza Luksemburgu , e cila problemin më të madh e ka si të lexojë diçka që i kanë shkruar të tjerët , me një maskë të fytyrës ku nuk i lëvizë asnjë muskul, me gjakftohtësi të Bags Sigellit, i ekzekutoi të gjitha bordet e ndërmarrjeeve publike duke i çkapur ato nga eksponentët e politikës së mëparshme por duke i kapur nga eksponentë të LVV –së. Xhelal Sfeqla duket se nuk e ka të qartë se posti i ministrit është post politik e jo policor , së paku ashtu po sillet. Në personalitetin e tij është një bashkëdyzim tipik dhe praktik i inspektorit policor, inspektor Klyzo dhe talentes së jashtëzakonshme të artit dhe muzikës , Morena Taraku. Si inspektor Klyzo , me llupë zmadhuese po e kërkon Behgjet Pacollin për ta burgosur për shkak të shkeljes së rregullave të karantinës në Shqipëri ( kontribut për bashkim kombëtar të harruar ) ndërsa në rolin e Morena Tarakut kërkon lokacionin për Behgjet Pacollin dhe Hashim Thaçin ! E pabesueshme se çfarë gabimi mund të bëhet duke bërë përpjekje të hecësh para kohe. Arben Vitia , po të ishte artist , lehtësisht do ta fitonte çmimin Oskar për rol të dytë sepse roli i parë nuk i takon , e luan tjetërkush. Elegant , me kollare të bukura dhe mindila në xhaketë , flokë jo shumë të dendura por të shpërndara në mënyrë simetrike dhe të xhelosura , me një lehtësi të pabesueshme ia vuri shpatën mbi kokë Institutit Kombëtar të Shëndetësisë përkatësisht dr, Naser Ramadanit , pas vendimit se dy herë qenka shkelur Kushtetuta e Kosovës. Po le të bëhet kurban Doktor Naseri sepse jemi në muajin e Ramdanit e që i paraprinë Festës së Kurban Bajramit. Blerim Rekën e pata përkrahur publikisht për President të Maqedonisë dhe përkrahja ime përfundonte aty. Më bindi se kam të drejtë . Jam i sigurt se LVV i fiton zgjedhjet nëse ato mbahen deri në fund të vitit dhe besoj se do të mbahen prandaj nuk e kuptoj pse kjo këmbëngulje aq e madhe e LVV të qëndrojë në pushtet. Nëse LVV do të ishte më fleksisbile në transicionin e pushtetit duke mos e kundërshtuar Qeverinë Hoti , si Qeveri e pakicës absolute , fitorja e LVV do të ishte shumë më bindëse por , me gabimet që po i bënë , mendoj se po humbë vota ! Gjithashtu mendoj se LVV ka gabuar kur nga Gjykata Kushtetuese ka kërkuar pezullimin e Dekretit të Thaçit aq më parë që qenka e sigurt se Hashim Thaçi e paska shkelur Kushtetutën . Po të isha i sigurt për këtë , nuk do të kërkoja pezullim të Dekretit por do të luaja në kartën e shkeljes së Kushtetutës nga presidenti Thaçi dhe në këtë mënyrë , me një të rame , dy të vrame ; presidenti Thaçi do të shkonte në shtëpi kurse vendi do të shkonte në zgjedhje të pashmangshme. Me pezullimin e Dekretit LVV ka rënë në kurth që e ka ngritur vet ; në rast se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim pro Dekretit , duhet ta pranoni sepse nuk mund ta përkrahni Gjykatën Kushtetuese për pezullim të Dekretit presidencial kurse ta gjykoni nëse e merr një qëndrim pozitiv për Dekretin e Presidentit Thaçi. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jatë i pakundërshtueshëm dhe i pranueshëm për të gjitha palët dhe subjektet politike si dhe për shoqërinë civile prandaj çdo ftesë për protesta eventuale pas vendimit të Gjykatës duhet lënë anash , ndryshe do të merret përgjegjësia për destabilizim të panevojshëm dhe të situatës dhe rrezikim të sigurisë së vendit. Nëse LVV nuk do të distancohej nga këto protesta do të jetë humbëse e madhe aq më parë kur e ka provuar se me sa vështirësi ka kaluar nga protestat në rrugë e deri te një subjekt qeverisës dhe i pranuar edhe nga ndërkombëtarët. Nga dhuna eventuale duhet të distancohen të gjithë dhe duhet të mësohemi të mendojmë dhe veprojmë institucionalisht duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës pavarësisht nëse nuk ndaheni të kënaqur dhe të plotësuar me vendimet e kësaj gjykate. Nuk duhet të paragjykohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese por ai vendim duhet të pranohet në mënyrë të pakundërshtueshme.
Qeveria postmocioniste Hoti
Nëse kjo qeveri do të jetësohej pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të jetë absolutisht qeveri e pakicës dhe me kapacitet të reduktuar por edhe me të drejta të kontestuara të marrë vendime të mëdha për Kosovën. Kjo qeveri nuk e gëzon besimin e pjesës më të madhe të qytetarëve të Kosovës. Një Qeveri që e ka në opozitë LVV dhe PDK e që bëjnë 55 (me 2 të LDK-së) vota shqiptare nuk ka, as kredibilitet , as të drejtë morale e as politike të marrë vendime që e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës e sidomos nuk kanë të drejtë ta nënshkruajnë një Marrëveshje me Serbinë që do të prodhonte pasoja të dhimbshme dhe do ta rrezikonte integritetin territorial të Kosovës. Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njeh të drejtën koalicionit postmocionist ta formojë Qeverinë e Kosovës, LVV duhet të tërhiqet në mënyrë paqësore dhe të bëjë përgatitjet për zgjedhje të reja aq më parë që edhe PDK=ë është deklaruar për zgjedhje të reja , pas përfundimit të pandemisë.. Nëse LVV dhe PDK janë të vendosura për zgjedhje të reja , me disa vota të LDK-së , kur të duan dhe si të duan do ta rrëzojnë këtë qeveri ! Nëse ka tensionim të situatës , qeveria e re do të jetë në fuqi së paku dy vjet .
Behgjet Pacolli dhe Ismail Qemali
Kur Ismail Qemali deshi ta shpallë pavarësinë e Shqipërisë në Durrës , gati sa nuk e vranë prandaj iku për Vlorë ku e shpalli pavarësinë në një territor më të vogël sa Lagja Aktash në Prishtinë. Kur Behgjet Pacolli deshi të shkojë në shtëpi në Hajvali , pa u karantinizuar në Qendrën e Studentëve , Xhelal Sfeqla , politikan e jo polic , minister dhe jo drejtor i Policisë së Kosovës e kërcënoi se do ta arrestojë duke e shpërfillur edhe mandatin e deputetit të Kosovës që e pajisë nga mosndjekja penale dhe arrestimi çdo deputet që e ushtron detyrën brenda fushëveprimit të deputetit. Xhelal Sfeqla e ka bërë Behgjet Pacollin më të madh se vet Ismail Qemalin e mos të përmendim këtu Bacë Adem Demaçin dhe komandantin Legjendar Adem Jashari . Behgjet Pacolli nuk duhet të pengohet të ushtrojë punën e deputetit pasi aq shumë po e dashka Kosovën për të cilën , në të kaluarën nuk ka bërë asgjë të mirë dhe të dobishme përveç se e ka dëmtuar që nga koha: “kur e ka parë shokun Tito cipricullak…”kurse, në kohën e Hashim Thaçit dhe patriotëve të paraluftës, gjatë luftës dhe të pasluftës, vetëm ka fituar nga Kosova materialisht ndërsa është rehabilituar politikisht nga po këta patriotë! Në fund të fundit, nëse një Kuvend i Kosovës , në vend të një sakrifikuesi biblik që 30 vjet mbajti burg në llogoret e ish – Jugosllavisë për liri , çlirim dhe bashkim kombëtar, i Madhi dhe i Papërsëritshmi Bacë Adem Demaçi , përcaktohet për një përfitues dhe mohues të luftës për liri, çlirim dhe bashkim kombëtar, si puna e Gjat Macollit , çdo diskutim është humbje e kohës dhe i panevojshëm. E keni dashur , durojeni ! Ua ka mbushur cullat , mos e sulmoni dhe kot e keni të bëni përpjekje ta villni ate që e keni gëlltitur më heret . Ua ka mbushur xhepat me para, tash po u mbesin në fyt ! Këta që sot po e sulmojnë Gjat Macollin, nesër mund të bëjnë koalicion me te, pa pasur nevojë ta kërkojnë lokacionin. Të gjithë në Kosovë që merren me politikë kanë vizituar dhe kanë bërë pelegrinazh në atë lokacion përkatësisht në Vila B.P. Në Hajvali. Injorojeni ndershmërinë e shpifur!
Pasojat e pandemisë
Me urgjencë duhet të hiqen kufizimet shtrënguese që sot , në emër të mbrojtjes së jetës së njerëzve , nesër mund dhe do të shkaktojë katatrofë humanitare për shkak të humbjes së vendeve të punës , varfërisë , pamundësisë për të mbijetuar , stresit të përjetuar për shkak të mbylljes edhe kur nuk ka qenë e nevojshme. Tash kemi edhe viktima konkrete , rritje të rasteve të dhunës në familje dhe dëmtim apo rrezikim të shëndetit mendor.
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 3 maj 2020
Postime të Lidhura
BEHXHET SHALA: LUFTA PËR MBIJETESË E FISEVE POLITIKE NË KOSOVË!
(Prishtinë, 11 janar 2012) – Organizimi politik në Republikën e Kosovës si infrastrukturë ka organizimin fisnor ndërsa mbindërtimin…
SHERADIN BERISHA: PROPOZIM PËR ALBIN KURTIN! POZITA E KRYEMINISTRIT ME ROTACION, MURAT JASHARI PRESIDENT!
Pashtriku, 18 janar 2020: (Mos)marrëveshjet LVV – LDK për formimin e qeverisë duket që kanë arritur kulmin! Në zgjedhjet…
PARIM OLLURI: SHITJA E PTK-së PROMOVOHET NË LONDËR E STAMBOLL!
(Prishtinë, 18. 05. 2012) – Kompanitë që janë angazhuar si Këshilltarë të Transaksionit në procesin e shitjes së…
Prof.dr.Eshref Ymeri: Brukselizmit i ka zënë rrota bishtin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Feniks, Arizona, 4 mars 2021: Në mbështetje të analizës së nacionalistit Gjok Dabaj Në numrin e sotëm të…