Prishtinë, 24. 04. 2015 – Ku mund të pritet drejtësi nga një Gjykatë që po formohet me vendim politik, nën shantazh, me kërcënime dhe krejtësisht jashtë sistemit gjyqësor të Kosovës. Përralla pa tupan janë pohimet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe duhet të jesh, së paku i marrë e ta besosh këtë. Vërtet Gjykata do të jetë multietnike (nga ndërkombëtarët) mirëpo të akuzuarit dhe të dënuarit do të jenë vetëm shqiptarë, në kohën kur na shurdhuan për një Kosovë multietnike. Si po bëka që të gjitha projektet në Kosovë të ndërtohen në bazë të multietnicitetit, ndërsa drejtësia të ndahet në baza etnike. Këtu është kundërshtimi im sepse nuk mund të ketë krime njëetnike dhe drejtësi njëetnike në një mjedis multietnik.
Ndarja s’bën fuqi
Shqiptarët janë populli më i ndarë në Evropë apo Europë. Janë të ndarë si kurdët dhe jetojnë në së paku gjashtë (6) shtete apo territore që mendojnë se janë shtete. Për dallim prej kurdëve, shqiptarët i kanë dy korniza qe quhen shtete por se kanë probleme të theksuara në shtetndërtim ndonëse Shqipëria, që nga viti 1912 e ka shpallur pavarësinë ndërsa Kosova këtë e ka bërë në vitin 2008 e që mund të llogaritet si shtet foshnjërak që në fakt edhe është, sidomos nëse e kemi parasysh gjendjen aktuale që karakterizohet me funksionalizimin e shtetit apo përpjekje që të bëhet sa më e vështirë rruga e shtetndërtimit dhe konsolidimit. Ku ka shqiptarë po ka shumë probleme të cilët na i kanë mbjellur të tjerët ndërsa po i korrim ne. Pikërisht ndarja e dhunshme dhe copëtimi i trupit shqiptar në së paku gjashtë (6) shtete ka ndikuar që tërë kohën po merremi me gjëra të dorës së dytë duke e luftuar njëri – tjetrin, deri në asgjësim. Shqipëria, nga viti 1912 kur e shpalli pavarësinë në një hapësirë disa kilometërshe katrorë nuk ka mundur ta ketë një ndërtim normal shtetëror sepse vazhdimisht ka qenë e rrezikuar nga fqinjtë kusarë dhe në 95% të kësaj periudhe ka qenë e udhëhequr nga Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha që asgjë nuk kanë bërë për bashkimin kombëtar por tërë kohën e kanë kaluar duke e bërë bashkimin e prapanicave të tyre me karriken ku janë ulur e që nënkupton se janë angazhuar vetëm për pushtet! Nëse jeni në pushtet mbi dy mandate katërvjeçare dhe nuk kufizohen këto dy mandate (sikur në Amerikë) atëherë pashmangshëm do të përfundoni në diktaturë, të majtë apo të djathtë qoftë ajo, nuk ka fare rëndësi. E krijoni rrethin që u bindet për ta mbajtur pushtetin në kohën kur edhe ata bëhen aksionarë të pushtetit. Prandaj nuk zgjedhin mjete për ta mbajtur pushtetin qoftë përmes lëshimeve të dëmshme politike dhe dhunimit të interesave kombëtare dhe shtetërorë deri te eliminimi fizik i kundërshtarëve apo atyre që ua rrezikojnë pushtetin. Çka u duhen një grusht shqiptarëve 50 parti politike sikur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës ndërsa në Greqi kanë kufizime nga shteti?! Asgjë fare, vetëm sa e thellojnë ndarjen dhe e dobësojnë faktorin shqiptar. Është lehtë të shihet se çfarë të drejtash kanë shqiptarët në këto shtete përjashtuar Shqipërinë në ndërkohë që në Kosovë me masa politike është sanksionuar dhe pamundësuar bashkimi kombëtar, që nuk ka rast të ngjashëm në botë. Tash po bëhen përpjekje të përligjet një ide monstruoze e konvertimit nacional, nga ai shqiptar në ate kosovar gjë që nuk e ka bërë as Ilia Garashanin dhe Vaso Çubriloviq në kohën e tyre. Nëse angazhoheni për bashkim kombëtar ju cilësojnë si nacionalist, primitiv, të paemancipuar, kundër kohës në të cilën jetojmë dhe margjinalizoheni nga rrymat që përcaktimin kombëtar e lidhnin me interesin politik dhe material dhe nuk kishin probleme fare t’i mbajnë disa identitete kombëtare. Nuk e kundërshtoj askend që dëshiron të deklarohet serb, turk, rom, boshnjak, kinez, rus, vijetnamez, gjerman apo edhe kosovar por nuk e pranoj që përcaktimin për identitet kombëtar të ma imponojnë si standard afirmativ dhe të domosdoshëm për integrime eu(v)ropiane, në NATO apo në lesh të Marisë. Asgjë më tepër.
Mbane në mend! Gjykata speciale do ta “vras” përfundimisht UҪK’në
– me dorën tonë! /sh.b/
* * * *
Vëllezërit manipulues e të ndarë me ne në ballë
Tash, në Kosovë , ndërkombëtarët janë prijatarë kundër bashkimit kombëtar. Ju kujtohet kur Fitu, ish ambasador i Francës në Prishtinë, në një prononcim pati deklaruar se shqiptarët e Kosovës duhet të gjithë të deklarohen si kosovarë. Pati një reagim tepër të butë kundër këtij propozimi çoroditës sepse vinte nga një “ mik ndërkombëtar” e dihet se propozimet e këtyre “ miqve “ nuk duhet të refuzohen. Së fundmi, kur kryeministri Rama foli si duhej të fliste rreth bashkimit kombëtar, reagimet ishin bukur të ashpra nga Serbia dhe “miqtë ndërkombëtarë“ ndërsa politike dhe spekulative nga opinion i brendshëm. Ambasadori norvegjez në Kosovë që shpesh e më shpesh po paraqitet si zëdhënës i vendeve të kuintit tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy vëllezër të ndarë që jetojnë në shtëpi të ndara duke mos e njohur apo injoruar të drejtën se ata vëllezër nuk janë ndarë vullnetarisht por me dhunë prandaj edhe pritet që ribashkimi i tyre të bëhet në saje të vullnetit të tyre ( që do të ishte më së miri ) apo edhe në mënyrë të dhunshme që nuk do ta dëshiroja. Shumë më larg shkoi ambasadori i Holandës në Kosovë i cili , duke komentuar deklaratën e Ramës dhe duke u mallëngjyer me vajtojcat e Serbisë u kërcënua haptasi se Rama lehtë mund të përballet me problemet në kufirin jugor duke aluduar në aspiratat greke për këtë pjesë të Shqipërisë . Gjithmonë kanë vepruar kështu me ne . Kur kemi kërkuar që Kosova t’i ngjajë shteteve tjera duke shtrirë sovranitetin në ato pjesë të okupuara nga Serbia na janë kërcënuar se nuk lejohet përdorimi i forcës ndryshe do ta humbasim përkrahjen e “miqve ndërkombëtarë“ dhe se KFOR-i mund të largohet nga Kosova. Në këtë mënyrë u janë mbrehur “ brirët “ ekstremistëve serbë dhe politikës neoçetnike serbe duke legalizuar okupimin e një pjese të Kosovës dhe duke e krijuar një shtet krejtësisht jofunksional siç është Kosova sot.
Pavarësisht kësaj, bashkimi kombëtar do të ndodhë dhe është proces i pandalshëm. Mund ta përshpejtojmë pak ose ta ngadalësojmë mirëpo procesi i bashkimit kombëtar është i sigurt se do të ndodhë përkundër “elitave“ politike këndej e andej kufirit që udhëhiqen, mendojnë, veprojnë dhe sundojnë sipas parimit se: ”është më mirë të jesh i pari në katund se i dyti në qytet…” Vetëm atëherë shqiptarët do të bëhen faktorë dhe do të respektohen ndërsa për ata shqiptarë që do të mbesin në shtetet fqinje do të ketë mundësi të kërkohen të drejtat që i kanë sot serbët në Kosovë. Në të kundërtën do të bëhemi pikë e pesë dhe nuk do t’i duhemi as dreqit e lëre më vetes sonë. Rrethanë lehtësuese për këtë bashkim është fakti se shumica e popujve të ndarë janë ribashkuar, përveç kurdëve. Zhvillimet politike në rajon e ndihmojnë bashkimin kombëtar dhe faktorizimin e shqiptarëve, nëse nuk shënojmë autogol siç kemi bërë shumë herë më parë !
Çka po të kruhet rreth kësaj Gjykate
Kështu më tha një mik imi i mirë i cili i shtroi disa argumente të respektueshme nëse ia vlente të kundërshtohej themelimi i kësaj Gjykate Speciale që do të merret vetëm me shqiptarë, si palë e akuzuar dhe mbase edhe e dënuar. Argumentet e mikut tim ishin se kjo Gjykatë nuk më rrezikon mua e me fjalë të tjera po del se prapanica ime nuk do të atakohej nga Gjykata Speciale. Argument tipik shqiptar për mbrojtje të prapanicës. Pastaj më tha se po dal në mbrojtje të opozitës sepse opozita po e kundërshton fuqishëm themelimin e kësaj Gjykate, duke më përkujtuar faktin se jam në valë të njëjta me Ramush Haradinajn i cili po e kundërshton këtë Gjykatë, në ndërkohë që para disa muajve më pati kërcënuar publikisht sepse mendonte se e pengoja të bëhej kryeministër. Gjithashtu tha se po del në mbrojtje të disa “komandantëve“ të pozitës dhe opozitës që mund të rrezikohen nga Gjykata Speciale dhe të cilët i paskan bërë njëqind të zeza pas luftës duke u bërë milionerë. Argument i tij ishte se, nëse në kohë paqeje i paskan bërë këto të zeza për të bërë pasuri kur i kemi të gjitha institucionet e drejtësisë të konsoliduara, plus EULESH-in atëherë mund ta marrësh në mend se çka mund të kenë bërë në kohën e luftës kur : “vet kanë vrarë e vet kanë thjellë…” Pastaj, vazhdoi miku im (nuk po më del fort mik!!!), pse kam nevojë ta kundërshtojë themelimin e kësaj Gjykate në mbrojtje të krahut të luftës kur vet ata e kanë dhënë pëlqimin për themelimin e Gjykatës dhe kur publikisht po deklarojnë se do ta votojnë në Kuvendin e Kosovës. Argument interesant, më duhet ta pranoj. E vazhdoi me faktin se edhe Presidentja e Kosovës, si përfaqësuese e unitetit të popullit dhe e zgjedhur pa vota të popullit është për themelimin e kësaj Gjykate sepse: ”lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe nuk rrezikohet nga kjo Gjykatë“. Duhet t’i besohet sepse, sipas Kushtetutës, Presidentja e Kosovës është komandante e forcave të armatosura të cilat janë vazhdimësi e UÇK-së. Kështu po deklarojnë edhe Kryeministri Mustafa, Teuta Sahatçiu, Besa Gaxherri dhe shumë emra të tillë si këta e që kanë shumë respekt në mesin ku jetojnë por edhe më gjerë. Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën jeshile se kjo Gjykatë nuk i pakëson të drejtat e njeriut në ndërkohë që të arrestuarit shqiptarë do të gjykohen para gjykatësve të huaj, teshat do t’ua prejnë prokurorët e juaj, të drejtat do t’ua “mbrojë “Ombudsperson i huaj e jo Sami Kurteshi, dënimet do t’i vuajnë të syrgjunosur në vendet e huaja e jo në Kosovë, familjet e tyre do të maltretohen duke pritur për viza para ambasadave të huaja dhe duke udhëtuar si refugjatë nëpër shtetet ku të syrgjynosurit dhe të dënuarit shqiptarë do ta vuajnë dënimin. A nuk po ua përkujton kjo kohën e nizamëve dhe robërve të luftës në kohën e okupimit mizor të Perandorisë Otomane. Apo udhëtimin mijra kilometrash të të parëve tanë që i vizitonin të syrgjynosurit dhe të dënuarit në kampet e Goli Otokut, Sveti Gërgurit, Pozharevcit, Nishit, Sremska Mitrovicës, Idrizovës, Zabellës, Tuzit, Plavës dhe Stara Gradishkës. Apo edhe ata që u dërguan nga Abu Grejbi në kampin e Guantanamos. Ku shihni këtu të drejta të njeriut zz. Ministër i Drejtësisë dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese? Ku mund të pritet drejtësi nga një Gjykatë që po formohet me vendim politik, nën shantazh, me kërcënime dhe krejtësisht jashtë sistemit gjyqësor të Kosovës. Përralla pa tupan janë pohimet se kjo Gjykatë është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe duhet të jesh, së paku i marrë e ta besosh këtë. Vërtet Gjykata do të jetë multietnike (nga ndërkombëtarët) mirëpo të akuzuarit dhe të dënuarit do të jenë vetëm shqiptarë, në kohën kur na shurdhuan për një Kosovë multietnike. Si po bëka që të gjitha projektet në Kosovë të ndërtohen në bazë të multietnicitetit, ndërsa drejtësia të ndahet në baza etnike. Këtu është kundërshtimi im sepse nuk mund të ketë krime njëetnike dhe drejtësi njëetnike në një mjedis multietnik. Aq më parë nëse dihet fakti kush e nisi luftën dhe kush kishte më së shumti viktima. Po del parashikimi vizionar i Milaim Zekës për një Kosovë mutietnike! Së fundmi, argumenti para të cilit palohen shumica e sidomos politikanët kosovarë sikur vejushat e Gostivarit ishte se kjo është dëshirë e “miqve ndërkombëtarë“, prandaj nuk duhet dhe nuk guxohet të kundërshtohet Gjykata Speciale. Ndërkombëtarët tash nuk po mjaftohen vetëm me rekomandim për themelimin e Gjykatës por e kanë shndërruar në urdhër sikur te republikat banana. Madje, po thonë se kjo është e mirë për Kosovën! Pasi është e mirë për Kosovën pse atëherë nuk e formuan në vitin 1999 apo pse e themeluan Tribunalin e Hagës për Krime Lufte? Problemi ka mundur të zgjidhet shumë lehtë. Të akuzuarit dhe të dënuarit eventual kanë mundur të gjykohen nga një Gjykatë Ndërkombëtare në Kosovë dhe dënimet, nëse dënohen është dashur t’i vuajnë në burgjet e Kosovës. Është Burgu për Siguri të Lartë që i plotëson të gjitha kushtet dhe Burgu për Mbrojtje të Dëshmitarëve dhe atyre bashkëpunues. Ka mundur të jetë stafi korrektues ndërkombëtar sikur që ishte Pavijoni 1 i Burgut të Dubravës i viteve 2000 ku ata që akuzoheshin dhe dënoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ruheshin nga stafi korrektues ndërkombëtar. Dhe nuk kishte fare probleme. Prandaj e kundërshtoj këtë Gjykatë, jo se jam kundër drejtësisë por se jam kundër gjykimeve të motivuara ekskluzivisht në baza etnike dhe për qëllime politike. Arsyetimi jonormal se kemi hyrë në obligime ndërkombëtare për themelimin e Gjykatës Speciale është …mos pyet çka është!!!
– Pse nuk keni hyrë në obligime ndërkombëtare për luftimin e korrupcionit,
– krimit të organizuar,
– hapjeve të reja të vendeve të punës,
– uljes së papunësisë,
– zbutjes së varfërisë,
– liberalizimit të vizave,
– kërkesës për kompensim nga Serbia,
– kontrollit të integritetit territorial,
– shtrirjes së sovranitetit e dukurive tjera negative?
– Pse nuk e keni forcuar sistemin e drejtësisë, sistemin e gjyqësisë dhe shërbimet e tjera e tash po nguteni që me procedurë të përshpejtuar ta formoni këtë Gjykatë?!
A nuk ishin këto që i përmenda më lartë më të ngutshme për Kosovën se kjo Gjykatë dhe a do të ndikojë kjo Gjykatë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarit të Kosovës pavarësisht përkatësisë etnike?
Përfundimisht jam kundër kësaj Gjykate, si për kah forma e sidomos për kah përmbajtja. Prandaj këto argumente të mikut tim që nuk po del të jetë aspak mik i deklaroj të papranueshme. Koha do të më jep të drejtë në qëndrimet e mia sikur që koha do t’i turpërojë themeluesit e kësaj Gjykate dhe ata që përmes kësaj Gjykate duan t’i ruajnë prapanicat e tyre që janë kapur për karriket sikur binjakët siamezë!
– Kontakti me autorin: [email protected]