BEHXHET SH.SHALA – BAJGORA: BOMBAT E ZAEVIT DHE BETEJA PËR STALINGRADIN!

Prishtinë, 13. 12. 2016: (Zgjedhjet që e thellojnë krizën në Maqedoni) – Përfunduan zgjedhjet në Maqedoni ku, me plotë merita shqiptarët dhe “shqiptarët “ e morën ate që e merituan, “ topet e daisë së Muços“. BDI, e lakuriquar nga meritat e luftës ndonëse këtë retorikë e keqpërdori edhe gjatë fushatës, u tkurrë duke e marrë një teposhtëze që, si përfundim do ta ketë shndërrimin në një parti minoritare e cila, nëse nuk reformohet dhe nuk risocializohet në aspektin njerëzor, kombëtar, politik dhe moral pashmangshëm do të përfundojë në theqfje. Qëndrimi i gjatë në “pushtet” përmes përshtatjes dhe sigurimit të një fature qeverisëse për Gruevskin, birin imagjinar të Filip Makedonskit, e ka shndërruar këtë parti në një parti që i ofron shërbime VMRO – DPMNE-së por edhe LSDME-së e jo popullit shqiptarë dhe qytetarëve që i kanë besuar këtij subjekti politik. Nëse BDI vazhdon edhe më tutje të ofrojë shërbime politike dhe të tjera vetëm partive maqedonase , ka gjsë të shndërrohet në një kurtizanë politike apo , me fjalë të popullit në një lavire apo rrospi politike . Është çasti i fundit që BDI ta krijojë një udhëheqje partiake të re, të kualifikuar politikisht ndërsa elefantët partiakë të shkojnë në varrezat politike nëse duan të lënë një trashigimi politike dhe partiake. Oferta tjetër është ajo e Luixhit të XV –të : “pas meje, kijameti“. Partia Besa apo Xhemijeti shqiptar e vë në spikamë , më shumë interesin fetar se ate kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni. E përfolur se ka përfituar fonde për fushatë nga Turqia e Erdoganit përmes importimit të këpucëve nga ky shtet ku, në vend të këpucëve kishte euro dhe valuta të tjera , ishte fituese e këtyre zgjedhjeve , në vend të sanksionohej nga votuesit . Realisht , në Maqedoni asnjëherë nuk ka ngjarë që shqiptarët të përndjeken apo të burgosen shkaku se kanë ndërtuar një xhami por janë përndjekur kur kanë dashur ta ndërtojnë një shkollë , universitetin apo kur janë identifikuar me flamurin kombëtar. Madje ishte një rregull , sa më shumë xhami të ndërtuaar aq më shumë i pëlqenin regjimit diskriminues maqedonas ! Megjithatë, Besa i fitoi 5 mandate . Rilindja e Ziadin Selës me tri mandate nuk u nda keq dhe për momentin çdo pritje më e madhe ishte joreale. PDSH e Menduh Thaçit pësoi debakël ndonëse kam pritur që t’i ketë së paku 5 mandate . Menduh Thaçi , me atë mjekrrën e bardhë i plotëson të gjitha kushtet ta përfundojë pelegrinazhin politik duke i prirë kopesë së quajtur PDSH dhe t ‘i përkushtohet pelegrinazhit të vërtetë duke e vizituar Mekën , me rekomandim të Besës dhe me përkrahje të Erdoganit. Për mua ishte shumë e habitshme dhe jonormale që Menduri , nuk merrej me dabaklin e partisë individ – PDSH por se gëzohej me debaklin që e paska pësuar BDI dhe Ali Ahmeti ! Merreni me mend, kush ka mend! Kjo më përkujton një kohë kur një figurë e fuqishme politike më thoshte se : “ shkau më i keq në Serbi është më i mirë se Hashim Thaçi…” .

70,000 votuesit “shqiptarë“ të Zorançe Zaevit
Zaevi , për bindjen time ishte dhe mbeti një mashtrues dhe maskara në skenën politike maqedonase që i shfrytëzoi shqiptarët maksimalisht , deri në përçarjen definitive me ç’rast shqiptarët humbën 70 , 000 votues apo , së paku tetë ( 8 ) mandate në Kuvendin e këtij shteti . Ai mobilizoi shqiptarët duke i përdorur si mjet për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme , i futi në listën zgjedhore të LSDME –së mirëpo asnjëri nga këta “ votues shqiptarë të Zaevit “ nuk u bë deputet. E morën ate që e merituan duke përfunduar si lecka të pariciklueshme ! Nëse Maqedonia do të ishte një shtet qytetarë ku nuk do të kishte fërkime dhe probleme ndëretnike atëherë do të kuptohej dhe do të pranohej ky përcaktim i shqiptarëve që , duke votuar për Zaevin do të votonin për ngritjen e cilësisë së jetës së tyre . Mirëpo , në kohën kur shqiptarët në Maqedoni ende po bëjnë përpjekje për njohjen e identitetit kombëtar i cili u mohohet , si nga Gruevski ashtu edhe nga Zaevi , të bëhesh makinë votuese e një perfidi siç është Zaevi , është një injorancë e skajshme dhe e kushtueshme. Po pse aq shumë “ shqiptarë” shkuan pas Zaevit , me të drejtë do të pyesni ? Kishte naivë që vërtetë besuan se mund ta marrin një post duke e përkrahur këtë manipulues por , jam i sigurt se pjesa dërrmuese ishte e shantazhuar nga “ bombat e Zaevit “ me të cilat edhe i provokoi zgjedhjet e parakohshme . Zaevi ishte dhe mbeti shantazhues kurse “ shqiptarët “ që votuan për te ishin të shantazhuar dhe , deri sa Zaevi të jetë i armatosur me këto bomba, këta votues shqiptarë do të mbeten peng të shantazhimit të Zaevit . A janë në mesin e të shantazhuarve edhe ata shqiptarë që votuan për Zorançe Zaevin e që ishin vendlindja e UÇK-së , si në Haraçinë dhe gjetiu ?! Realisht , fajtorë pse shqiptarët u defaktorizuan në Maqedoni janë udhëheqësist e tyre injorantë dhe të korruptuar përjashtuar rastet e rralla e jo votuesit që ishin në gërshërë midis Erdoganit , Zaevit dhe banditëve politikë ! Nëse nuk bëhet një koalicion i madhe midis djalit imagjinar të Filip Makedonskit e që veten e konsideron si Aleksander Makedonski apo Leka i Madh dhe mashtruesit Zaev ku ky i fundit do të bëhej keryeministër atëherë një qeveri që del nga këto zgjedhje nuk do të ketë jetë të gjatë. Madje as një vit të plotë ! Një gjë duhet ta kemi të qartë ; Gruevski dhe Zaev , kur është fjala për interesin e popullit që i takojnë , shumë lehtë do të merren vesh, në dëm të shqiptarëve ! Shqiptarët , në vend se të shkojnë me një listë të përbashkët drejt statusit të popullit shtetformues , po margjinalizohen deri në autonomi kulturore ! Për ta që kanë kulturë!
Stalingradi dhe Drenasi, a kanë ngjashmëri?
Në Stalingrad gjatë luftës së dytë botërore gjermanët dhe Hitleri morën në thua duke e thyer kurrizin pas së cilës kurrë nuk e morën veten. Pastaj u bombardua Drezdeni dhe shumë qytete gjermane nga aletët duke u fshinë nga harta gjeografike për të përfunduar me Gjyqin e Nurenbergut ku u dënuan të gjithë ata që ishin në anën e humbësve të luftës pavarësisht posteve ushtarake dhe politike në emër të denacifikimit dhe të defashizimit të Gjermanisë , gjë që nuk e bëri asnjëherë Tribunali për Krime Lufte në Hagë për defashizimin e politikës fashiste të Serbisë që ishte shkaktare për katër luftëra në hapësirat e ish Jugosllavisë me qindra – mijëra të vrarë , mijëra e dhjetëra mijëra gra të dhunuara , miliona refugjatë dhe të zhvendosur brenda vendi, dhjetra mijëra të zhdukur dhe milarda euro dëme materiale. Për dallim nga Gjyqi i Nyrenbergut, Tribunali i Hagës asnjëherë nuk ndau drejtësi dhe nuk ishte në anën e viktimave por ndau drejtësi në interes të politikës ku barazpeshimi i krimeve ishte argumenti kryesor i drejtësisë për ndërtimin e paqes dhe pajtim. Mos të flasim tani për këto Dhomat Speciale që, (nëse) ndajnë drejtësi ekskluzivisht në baza etnike e ka të ngjarë se po, atëherë do t’i përgjasojë një Krematoriumi ku do të bëhen shkrumb dhe hi drejtësia dhe pritjet e viktimave për një drejtësi në favor të tyre ! Edhe në Drenas po mbahen zgjedhjet e parakohshme shkaku se “drejtësia“ caktoi datën e zgjedhjeve. Drenasi dhe Drenica llogaritej si zemra e UÇK-së sepse aty u krijua dhe veproi e lavdishmja UÇK-ë sikur që ishte edhe vendi ku luftuan deri në flijim Azem Bejta , Shotë Galica , Shaban Polluzha , Mehmet Gradica dhe Komandani Legjendar, i Pavdekshmi dhe i Amshueshmi, Adem Jashari me 50 Profetë të Lirisë së familjes Jashari ! Mirëpo, këtu katërcipërisht u dëshmua se është dallim i madh midis asaj që e fiton dhe asaj që e trashigon! Të gjithë besuan , duke më përfshirë edhe mua se PDK do ta fitojë Drenasin pa balotazh , se kjo nuk vihet në dyshim dhe se nënkuptohet . Unë , ashtu kam menduar duke mos e ditur se kush do të jetë kandidat i PDK-së dhe pas bërjes publike të emrit kisha dyshime sepse shumë gëra u bënë shpejt , në një mënyrë irituese për votuesit dhe u nda elektoratim gjë që u manifestua me thuja 13% e fituara të kandidatit të pavarur të PDK –së , Xhavit Drenori . Kjo edhe nuk ka shumë rëndësi sepse asgjë në këtë jetë nuk është e përjetshme përveç veprave për njerëzimin dhe kombin. E sidomos partitë politike nuk janë të përjetshme dhe nuk duhet të jenë të përjetshme . Më bëri përshtypje reagimi dhe opinionet sikur, e pati PDK , iu thye kurrizi PDK –së , ra bastioni i PDK-së, Hashimi ia punoi Kadrisë etj. Sikur që balotazhi për Drenasin apo e dhe humbja që mund të ndodhte identifikohej me fundin e njerëzimit dhe të botës. Kur ndodhën përçarjet dhe ndarja në dysh e LDK-së kishte komente se ishte fillimi i fundit i LDK-së e që nuk u tregua , as reale e as e vërtetë ! Opinionistët dhe ata që vrapojnë pas tyre, duke mos parë më larg se hunda e tyre krijuan situata euforike duke e gjetur veten ulur në ndonjë karrike apo post . Kështu u fol edhe pas ardhjes në krye të LDK-së së Isa Mustafës që menjëherë ia shkruan nekrologun duke e shpallur LDK-në si të vdekur ! Realisht , LDK vetëm sa u forcua , e mori për herë të parë postin e kryeministrit , ministri të rëndësishme , borde fitimprurëse , poste diplomatike dhe të tjera që nënkupton se punësoi aktivistë partiakë sikur që e bënë shumë parti apo të gjitha partitë tjera . Isa Mustafa ishte përzgjedhje e LDK-së dhe jo e imja. Kurrë në jetën time nuk kam votuar , as për LDK-në , as për PDK-në e as për ndonjë parti tjetër pas përfundimit të luftës. Pas daljes së burgut në vitin 1990 kam votuar në nivelin qendror në zgjedhjet e para për Ibrahim Rugovën kurse në nivelin lokal për Rifat Blakun. Pas këtij votimi ka përfunduar karriera ime si votues! Po , ajo që dua ta them është se LDK dhe PDK kanë elektorat tradicionalë apo të ashtëzuar dhe nuk thyhen lehtë. Madje , në këtë drejtim LDK ka elektorat edhe më të vendosur se PDK shkaku se , thuaja të gjithë ata që janë larguar nga LDK , më vonë janë kthyer në LDK si dhe të gjithë ata që kanë qenë opozitë brenda LDK-së kanë mbetur brenda kësaj partie. Ndërkaq, PDK e kanë lëshuar individë që nuk janë kthyer më me përjashtim të Shaip Mujës që u kthye si vlerë e shtuar. E kanë sharë dhe e kanë sulmuar Isa Mustafën , brenda dhe jashtë LDK-së po pikërisht Isa e ka shpëtuar LDK-në nga përçarjet e mëdha. Fitohej përshypja se Isa po nënshtrohet dhe ka frikë nga komandantët mirëpo koha po tregon se ai po i “ hanë” një nga një dhe nuk i ka frikën askujt. Ndryshe , moti do të dorëzohej dhe do të largohej . Mendoj se PDK do ta fitojë Drenasin por se do të jetë fitore e Pirros. Kandidati Xhemajlaj do të kishte shumë më tepër gjasa nëse nuk do të bënte koalicion me partitë humbëse dhe të shkonte i vetëm , me subjektin Nisma se kështu me gjithë këtë koalicion. E vlerësoj shumë përkrahjen e një politikani brilant sikur që është Agim Bahtiri por nuk e besoj se do t’i fitojë zgjedhjet . Ramizi do t’i fitojë zgjedhjet por nuk do të jetë ndonjë fitore për të. Pastaj, PDK do të duhej të nxjerrë mësim sepse , merreni me mend sa kohë dhe mund po shpenzon për ta fituar Drenasin e çka do të duhej të bëjë t’i fitojë zgjedhjet në komunat tjera ku, peta e lakrorit është shumë më e hollë se kjo e Drenasit. Për fund sa i përket Drenasit apo Stalingradit të Kosovës por edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe të përgjithshme , me këtë opozitë , nëse nuk ndodhin koalicione të papritura , nuk do të ketë ndryshime të mëdha . Është një tendencë në rritje që LDK do të lirohet nga komunistët dhe titistët kurse PDK do të fisnikërohet nga komunistë dhe titistë e që do të jetë përcaktuese për zgjedhjet e ardhshme ! E shohim nëse do jemi gjallë deri atëherë !
Ura e Mitrovicës dhe m..i me lule
Serbët po bëjnë politikë me kosovarët me prajardhje shqiptare dhe nuk e kanë vështirë ta bëjnë këtë. Mbrojtja e Kosovës në përgjithësi dhe mbrojtja e Mitrovicës në veçanti ka mbetur në duart e dy politkanëve trima , të mençur , largpamës dhe sakrifikues , në EditaTahirin dhe Agim Bahtirin. Edita Tahiri është mashtruese e pashembullt prandaj edhe është e suksesshme në politikë . Përveç politikës ka edhe një vend pune tjetër , asaj të stjuardeses në linjen Prishtinë- Bruksel Madje punon me orar të zgjatur. Agim Bahtiri nuk ka njohuri elementare për politikë por paraqitet si biznesmen i zoti. Ky sot është edhe profili i politikanit inteligjent dhe brilant ballkanik dhe bizantin ! Serbët , me arkitektin Rakiq që është edhe kryetar i komunës së Mitrovicës së Serbisë e ndërtuan një mur të lartë mbi dy metra e gjysmë ( 2.5 metra ) dhe të gjithë reaguan fuqishëm , duke e kundërshtuar këtë. Edita dhe Agimi , si Romeo e Xhuljeta ishin të gatshëm të sakrifikohen te muri i cili i bashkon mitrovicat e ndara . U lëshua kushtrimi ; te ura , te ura , vraponi o gra dhe burra ! Kërkuan ndihmë nga Brukseli dhe ndihmën e morën nga zonja Maja e cila tha se nuk sheh kurrfarë muri aty por se po ndërtohet një hapësirë sikur Koloseumi i Romës apo Teatri në Butrint për shfaqje për të cilat qytetarët kanë aq shumë nevojë. Mund lehtësisht të shndërrohet në arenë gladiatorësh . Për të na hedhur pluhur syve , filluan shkurtimin e këtij muri që do të jetë në fakt shkallare e një amfiteatri të turpit ku të gjithë ne e kemi një rol . Askush nuk po merret me themelet e këtij muri por me një pjesë që po shkurtohet e që nesër mund të mbindërtohet edhe me disametra shtesë betoni . Madje, po më dhimbset shumë Xhavit Haliti që nuk paska qenë i informuar për ndërtimin e këtij muri në ndërkohë që , si pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë e ka të qartë se Mitrovica është ndarë aty dhe me pëlqimin e palës kosovare ! Po na llogarisin si budallenj shkaku se tani, nuk po kërkojnë të shembet muri sepse na qenka shndërruar në atraksion turistik. Hajt bacë , hajt ! Dhe krejt në fund për murin ; po bëjnë përpjekje të na bindin se është në të mirën tonë sikur që po mundohen të na bindin se një m.. i madh i bërë nga politikanët , i stolisur me 2, 3 lule na qenka një buqet apo me kurorë me lule !
Prishtinë – 12 dhjetor 2016 Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura