Prishtinë, 14. 03. 2015 – (Lindje normale apo mbarsim me dhunë) – Formimi i Gjykatës Speciale u mbajtë fshehur nga ata (vendorët) që u pajtuan me këtë sikur që një adoleshente përpiqet ta mbajë fshehur shtatzëninë e saj pas një akti për pasojat e së cilës nuk ka qenë e informuar sa duhet. Për fat të keq të sajën, sa më shumë që e shtynë ballafaqimin me të vërtetën se pas atij akti ka ndryshuar gjendja e saj emocionale dhe fizike , pasojat do të jenë më të rënda. Kësaj edhe mund t’i falet sepse mosha dhe mungesa e përvojës mund dhe duhet të merren si rrethana lehtësuese ndërsa kodoshët që e mashtruan janë të rryer dhe këmbëngulës në realizimin e epsheve të tyre. Ata nuk duhet të falen. Sepse kodoshët gjithmonë janë mashtrues. Vendimi për formimin e Gjykatës Speciale është marrë shumë më heret dhe për këtë kanë qenë të njoftuar krerët më të lartë institucionalë të Kosovës të cilëve u është dhënë kohë që këtë Gjykatë ta shesin të ambalazhuar në atë formë që, sikur , në fund të fundit është e domsodoshme për Kosovën dhe madje pa të as që mund të paramendohet ardhmëria e Kosovës! Kemi dy pikëpamje rreth kësaj Gjykate Speciale që do të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së përkatësisht të gjeturat e një ish prokurori zviceran (i afërt me patrioten e saj , gjithashtu ish prokurore, Karla del Ponte në mbrojtje të intereseve të Serbisë) e që pastaj përfunduan me krijimin e një Task Force Në Kosovë ndërkombëtarët pas çdo pordhe e kanë formuar një Task Force, që në rastin konkret udhëhiqej nga një prokuror amerikan (për të qenë më të besueshëm duke e ditur lojalitetin deri në nënçmim dhe nënshtrim të udhëheqësve kosovarë ndaj çdo gjëje që vjen nga Amerika madje edhe ndaj disa mashtruesve ordinerë sikur që ishte aksionari i Behtel Enkas , Kristofer Dell dhe disa mashtrues të tjerë) i cili gjeti se Dik Marti paska bërë punë të mirë prandaj qenka e domosdoshme të formohet kjo Gjykatë që do të gjykojë ekskluzivisht në baza etnike (vetëm shqiptarët) ndërsa serbët do të amnistohen nga krimet që i kanë bërë në Kosovë. Ndërkombëtarët janë të vendosur ta bëjnë këtë Gjykatë që do të gjykojë vetëm në baza etnike (shqiptarët) për shumë arsye. Ata me këtë hapin vende të reja të punës për veten e tyre! Pastaj, ata në këtë mënyrë e amnistojnë Tribunalin e Hagës i cili, po të punonte si duhej nuk do të kishte nevojë për kët farë Gjykate të çoroditur sepse të tillë nuk ka pasur askund në botë pavarësisht faktit se ka pasur viktima milionëshe në njerëz. Kjo Gjykatë e amniston Gjykatën kolonialiste të UNMIK-ut e cila ka dështuar në tërësi në ndjekjen dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës për krime lufte në Kosovë. Kjo Gjykatë e amniston edhe Gjykatën e EULESH-it e cila më shumë i përngjanë një agjencioni për palujshtmëri apo një dege të Agjencionit kosovar të privatizimit të kriminalizuar se një misioni për vendosjen e rendit dhe ligjit për çka edhe ka mandat. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se të gjitha këto gjykata kanë hetuar rastin për të cilin Dik Marti do të dekorohet me Orden Drazhe Mihajlloviqa Prve Kllase (Medalen e Drazhë Mihajlloviqit e Klasit të Parë). Për të rinjtë dua të sqaroj se Drazha Mihajloviq ka qenë kryeçetniku të cilin e amnistoi Tomisllav Nikoliq, president i Serbisë ndërsa e përjetësoi me emërtimin e një rruge në Ranillug ( në Kosovën e pavarur dhe sovrane !!!), Gradimir Mikiq, kryetar i këtij fshati të shndërruar në qytet, pas decentralizimit në baza etnike. Me formimin e kësaj Gjykate ndërkombëtarët e sulmojnë padrejtësisht dhe në mënyrë të pamoralshme drejtësinë dhe gjyqësinë kosovare e cila për gjykimin e rasteve të krimeve të luftës dhe atyre ndëretnike ka pasur kompetenca zero (0). Ndërkombëtarët e kanë ndarë gjyqësinë kosovare në atë poshtë lumit Ibër dhe asaj lartë këtij lumi apo , “Parku i Paqes“ mbi këtë lum i ndanë këto gjykata. Ndërkombëtarët janë ata që e kanë “ndërtuar“ gjyqësinë kosovare duke integruar në të gjykatësitë dhe prokurorët që kanë dënuar me shekuj dhe shekuj burgim të rëndë shqiptarët që kanë kërkuar të drejta njerëzore , kombëtare dhe politike. Tash, si gogol përdorin kërcënimin se nëse formimin e kësaj Gjykate Speciale nuk e votojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, atëherë do të forfmohet nga rusët, kinezët, serbët dhe miqtë e tyre në Kombe të Bashkuara?! Po çka ka lidhje kush e formon këtë gjykatë?! Madje , mendoj se do të ishte shumë më mirë që këtë ta bëjnë Kombet e Bashkuara sepse qartazi do të shihej se është imponim dhe dhunim se të formohet në këtë mënyrë sikur ne po e dëshirojmë dhe që është idiotizëm i llojit të vet edhe të thuhet se kjo Gjykatë do të jetë pjesë e sistemit gjyqësorë të Kosovës! Viktimat janë viktima dhe si të tilla duhet të trajtohen sikur që duhet të kërkohet drejtësi në bazë të kësaj e jo në bazë të përkatësisë etnike, fetare, racore etj. Ashtu duhet të trajtohen dhe dënohen edhe kriminelët e jo të ndahen në vija etnike sepse në këtë rast krijohet mjedis për arsyetimin e krimeve “të heronjve tanë“ dhe gjykimin e kriminelëve të palës tjetër! Kjo Gjykatë që do të formohet nuk do të punojë sipas këtij parimi prandaj edhe do të ndajë pa-drejtësi selektive dhe do të jetë e kushtëzuar politikisht në marrjen apo mosmarrjen e vendimeve.
Po ç’mendon dhe çka fiton pala tjetër: Po del se pala kosovare e ka pritur me padurim formim e kësaj Gjykate. Sepse, vet presidentja paska kërkuar nga Brukseli (kush e pyet presidenten pashë Zotin!!!) këtë sikur që 2/3 e Kuvendit ka votuar që llogaritet se është arritur një konsensus i shkallës së lartë për rrethanat aktuale në Kosovë ku vazhdimisht bëhen përpjekje t’i nxerrin sytë njëri – tjetrit. Vetëm Vetëvendcosje ka kundërshtuar an bloc këtë Gjykatë. Dhe disa deputetë të vetmuar! Tash e kemi një situatë tjetër . Përveç Vetëvedosjes që ka qenë truri i koalicionit ( L) VAN-it , tash kanë paralajmëruar mosvotimin e kësaj Gjykate edhe AAK dhe Nisma , opozita aktuale. Po të ishin në pushtet ( përjashuar VV) edhe AAK si dhe Nisma do ta votonin formimin e kësaj Gjykate. Tash, ndonëse mund të binden gjatë një kafe të mëngjesit te Orakulli i Dragodanit po e luajnë lojën e mbrojtjes së parimeve dhe mbrojtjes së luftës së UÇK-së që është e pandershme. Po bëjnë llogari tipike për ballkanasit duke ua lënë përgjegjësinë (këmbët e arushës) pozitës , që me ndihmën e pakicave nuk e kanë problem t’i sigurojnë votat të cilën pastaj mund ta sulmojnë se janë kundër luftës së UÇK-së duke e votuar këtë Gjykatë! Që pastaj t’i mbërthejnë në kryqin e tradhëtisë kombëtare. Lista Srpska formimin e kësaj Gjykate e pret me gëzim sikur dikur që serbët e Fushë Kosovës, së bashku me disa shqiptarë që sot trajtohen si luftëtarë të rezistencës pasive, kandidatë shumë të mundshëm për veteranë të UÇK-së e prisnin dhe e duartrokisnin Sllobodan Millosheviqin. Kjo Gjykatë më së shumti do ta godasë PDK, AAK, VV, Nismën dhe ndonjë të pavarur ndërsa LDK fërkon duart se mund të dali fituese pas gjithë kësaj! E kuptoj entuziazmin e një pjese të LDK-së me këtë Gjykatë por nuk e kuptoj vullnetin politik të PDK-së që ta votojë këtë Gjykatë pa pasur fare vërejtje ! Më shumë po e arsyeton formimin e kësaj Gjykate PDK se vet ata që janë prapa saj ! Kjo Gjykatë e formuar në baza etnike do t’i përqajë edhe më shumë subjektet politike të cilat akuzojnë njëra- tjetrën për vrasje politike, pa pasur fare fakte në ndërkohë që kjo Gjykatë do të merret ekskluzivisht me raportin e Dik Martit që trajton zhdukjen e serbëve dhe joshqiptarëve gjatë dhe pas përfundimit të luftës . Kjo Gjykatë nuk do të merret me vrasjet në Kosovë që dyshohet se janë bërë me motive politike, nuk do ta dënojë krimin e organizuar e as korrupsionin. Të gjitha krimet që janë bërë në Kosovë duhet të hetohen dhe ata që janë përgjegjës duhet të dënohen por është e pakuptueshme, e pamoralshme dhe, për vendet normale e papranueshme të lejohet formimi i Gjykatës Speciale për një rast (Raporti i Dik Martit ) ndërsa të lihen të pahetuara dhe të padënuara masakrat në Prekaz, Meje, Krushë, Poklek, Lybeniq dhe Qyshk, Reçak, Studime e sidomos masakra në Burgun e Dubravës ku janë ekzekutuar afërsisht 200 të burgosur shqiptarë ndonëse është dashur të mbrohen sepse i mbrojnë të gjitha konventat ndërkombëtare nënshkruese apo trashëguese e të cilave kanë qenë Serbia dhe ish Jugosllavia. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të kundërshtojnë vendosjen e drejtësisë për viktima dhe dënimin e kriminelëve por nuk duhet ta votojnë drejtësinë selektive që e ofron kjo Gjykatë Speciale. Ata duhet të kërkojnë dhe votojnë drejtësi për të gjithë ndryshedo të llogariten si pjesë përbërëse e prokurorisë së kësaj Gjykate.
A janë 10 apo 100 raste: Dikush tha se do të trajtohen jo më shumë se 10 raste para kësaj Gjykate duke krijuar komoditet se: “qenkan shumë pak prandaj nuk kemi pse të brengosemi“. Dhe se kemi më shumë gjasa të shpëtojmë! Grupi i Drenicës që aktualisht po gjykohet ka 15 të akuzuar. Bëjeni një llogari të thjeshtë dhe lehtë vini te rezultati se numri i të akuzuarve mund dhe do të jetë treshifrorë. Jam i sigurt se është lista e personave të dyshuar dhe vetëm pritet operacionalizimi i kësaj Gjykate që ata të arrestohen. Arsyetimi se kjo Gjykatë do ta dënojë luftën e drejtë e UÇK-së nuk qëndron fare sepse përgjegjësia është dhe mbetet individuale dhe nëse dikush do të ishte kandidat serioz për përgjegjësi kolektive për krime lufte , ajo do të ishte Serbia! Kjo që po bëhet në Kosovë është ndoshta përpjekje që të vendoset drejtësi për një pjesë të viktimave ndërsa është padrejtësi e madhe ndaj pjesës dërmuese të viktimave ! Por, i forti të rreh dhe nuk të lenë të qajshë ….!