Sinani e Jozefi: të ndershmit e dy kohëve!

Sinani e Jozefi: të ndershmit e dy kohëve!

(Mbi renegatët e karrierës)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 15 tetor 2021

1.

Ah, këta renegatët!

Kurriz i tyre i thyer një urë kalimi e stemave dhe flamujve armiqë.

Në fakt, armiqësia, madje e armatosur,  fshehet përherë pas idesh për mbrojtje, qytetërim apo aleancë natyrale…

Kujtojmë gjithnjë lozhën e tyre të denjë për lektyrë në Dhéun e shqiptarëve.

Koha e re, sidomos, ruan jehun e trishtë të bëmave të liga.

Një nga këta figurantë ishte dhe Sinan Hasani me suitë.

Nëna e gjorë i kishte kënduar në djep ninulla shqipe. Por ai, me t’u burrnuar, do t’i kthente ato në formula politike serbe që i përçonte të diktuara në djepëra fëmijësh shqiptarë.

Një fat e profil më tragjik nuk mund t’ia kërkonte kush Hyjit në këtë botë.

2.

Në këtë evokim që të firon gëzimin e ditës, do t’më shtynte Jozefi i Borrelëve të Spanjës.

Tehu i fjalërëndës, ç’është e drejta, duhej të binte mbi trilerin e tij politik.

Tash sa kohë, i mandatuar për paanësi, ai braktis mantelin e diplomatit dhe vesh gëzofin mashtrues të Serbisë. E, ashtu, merr anën e krimit etnocidal.

Dhe, ndërsa i mendoja motivet, e kisha të vështirë një ftillim.

Përse?

Por një ndihmë, për çudi, do t’më vinte nga s’e prisja kurrë.

E thashë: meqë Borrel është katalonës, a s’është dhe ky Sinan Hasani i atdheut të vet?

Dikur shqiptarët lojalistë ndaj Serbisë quheshin të ndershëm! I tillë, sa i ndershëm, ishte dhe Sinani ynë.

Ndaj, ngjashëm, Jozefi s’është tjetër veçse një lojalist ndaj Spanjës, e pra një katalonës i  ndershëm!

3.

Që këndej, kështu e parë, ç’do t’mund të prisnin katalonësit sikur, në një situatë paralele, të kishin patur ndërmjetës mes tyre e Madridit, Sinan Hasanin, shqiptarin e ndershëm të Jugosllavisë?

Do lëmonte Spanjën, e, padyshim, do qortonte Carles

Puigdemont-in

dhe aspiratën e ligjshme të Pavarësisë!

Dhe tani, kësaj hullie, po tashmë njëj kohe e realiteti tjetër, ç’mund të presë Kosova nga një Sinan lojalist spanjol? Nga Jozefi, katalonësi i ndershëm i Dhéut të vet, që vuan më gjatë se jeta e tij, hekurat e robërisë?

Një renegat karriere, duke lënë në baltë popullin e Katalonjës, nuk mund të drejtojë punët e botës. Për së mbari kurrësesi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura