Prishtinë, 29. 08. 2016: (Çdo gjë rreth demarkacionit) – Dita D apo 1 shtatori 2016 kur do të votohet në Kuvendin e Kosovës ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është shumë afër prandaj palët kundërshtuese apo , më mirë me thënë “ ndërluftuese “ i kanë intensifikuar aktivitetet e tyre. Më duhet ta pranoj se në këtë drejtim pozita , mbase për shkak të rrethanave të favorshme që e mbajnë pushtetin , është më e organizuar dhe më agresive duke përdorur dhe keqpërdorur mediet publike dhe jo publike për qëllimet e tyre . Kohëve të fundit , më shpesh po duket në RTK të cilën e quaj shtëpia e vetme publike me letra në Kosovë , Shkëlqesia e Tij , Presidenti i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi se Festim Kabashi i cili ka kontratë të rregullt pune në RTK. A është kjo për faktin se Festimin disi e kanë margjinalizuar apo se Hashim Thaçi po tregohet më i shkathtë si gazetar , ende nuk e kam të qartë . Edhe kryeministri Mustafa , sigurisht për shkak të afërsisë fizike të shtëpisë ku jeton me objektin e RTK –së , më shpesh po e kalon kohën me Ridvan Berishën dhe Ngadhnjim Kastratin se me anëtarët e familjes ! Duket se i kanë lënë përshtypje të mirë këta dy gazetarë të devotshëm të RTK-së ! Opozita , që dikur përbetohej në dashuri të përjetshme u nda në dy pjesë ; AAK dhe Nisma si kundërshtarë paqësorë të demarkacionit kurse VV si krah militant për pengim të ratifikimit , me të gjitha mjetet e lejuara demokratike ( gazi lotsjellës , shishe me ujë , ndonjë kubëz guri në kokat e Policisë së Kosovës dhe të tjera ) është mobilizuar më shumë mirëpo nuk po hasin në përkrahje të AAK – Nismës ! Është një situatë e rëndë , me dy të vërteta të mëdha apo me dy gënjeshtra edhe më të mëdha . Pozita që për zëdhënës e ka caktuar zotin president , po këmbëngul se Kosova nuk e humbë as edhe një pëllëmbë toke të Kosovës ( po mbrohet një pëllëmbë fytyrë ) kurse opozita , që nga fillimi ka deklaruar se Kosova humbë midis 8200 – 10000 hektarë që është shumë më e madhe se një pëllëmbë toke. Realisht kemi një dallim aq të madh në sipërfaqe prandaj është i pamundur përafrimi i qëndrimeve duke na vënë në dilemë se cila është adresa e së vërtetës . Fitohet përshtypja se të dyja palët po manipulojnë ; pozita po fshehë diçka që vdekatarët e thjeshtë që i quan qytetarë të dashur të Kosovës nuk kanë fare idenë se çka ka ndodhur në ato bisedimet krejtësisht jotransparente me Malin e Zi kurse opozita , me një over dozë të patriotizmit po bënë përpjekje ta detronizojë pozitën dhe të bëhet vet pozitë që përkthyer në shqip duhet të kuptohet se e dëshiron pushtetin jashtë procedurës dhe me një rrugë të shkurtuar ! Në këtë luftë të ftohtë edhe komisioni shtetëror ka kaluar në kundërsulm duke shkuar fërkemëve të pozitës dhe duke e vënë ekipin e ekspertëve në një pozitë mbrojtëse . Jemi dëshmitarë se ata që ishin shumë të zëshëm para një muaji , tash nuk po dëgjohen fare ! Ose kanë shkuar në pushime ose ….kanë pirë kafe me ndonjë mik ndërkombëtar të Hashimit ! Realisht po bëhet presion mbi deputetët ndonëse , po të ishte në pyetje ndonjë interes thjesht partiak do të kishin të drejtë mirëpo, për një interes shtetëror dhe kombëtar duhet një pajtim i gjerë dhe çështjet partiake as që do të duhej të përmendeshin. Pozita po e keqpërdorë skajshmërisht faktorin ndërkombëtar ( që në rastin konkret po tregohet shumë më miqësorë ndaj Serbisë dhe Malit të Zi ) dhe procesin e liberalizimit të vizave sikur edhe Bajram Gecajn , duke i cilësuar kundërshtarët e demarkacionit si antiamerikanë dhe pengues të liberalizimit të vizave e që nuk është aspak e vërtetë ndërsa opozita , për shkaqe politike gjithsesi , po e keqpërdorë kartën e patriotizmit duke i akuzuar për tradhëti kombëtare dhe duke grryer në zorrët e së kaluarës te të gjithë ata që janë për demarkacionin ndonëse , edhe në mesin e tyre si edhe të ekspertëve ka të tillë që thonjtë dhe zorrët i patën lidhur me Jugosllavinë dhe Serbinë ! Deputetët janë të hutuar sepse në të shumtën e rasteve kurrë nuk kanë votuar si të pavarur por vetëm kanë qenë mekanizëm automatik për votim ! A duhet t’u besohet atyre deputetëve që janë shndërruar në yje mediatike duke deklaruar se do të votojnë kundër demarkacionit ? Duhet të jemi të kujdesshëm nëse i kemi parasysh përvojat e mëparshme ! Se me çfarë deputetësh kemi të bëjmë po e ilustroj me disa shembuj . Lista serbe e Beogradit po e shantazhon votën me formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë . Me këtë rast , çdo shtet normal do të ndërmerrte veprime ligjore kundër këtij shantazhi sepse veprimet politike nuk vlejnë asgjë. Disa deputete të partisë më të madhe në pushtet kanë deklaruar se votën e tyre do t’ia besojnë grupit parlamentar ndonëse votimi është individual dhe deputete janë zgjedhur me vota individuale e jo si grup parlamentar. Sikur të jenë kërcënuar nga partia prandaj po struken në gjirin e partisë ! Përfaqësuesi i komunitetit kinez në kuvendin e Kosovës ndryshe anëtar i LDK-së , Nur e din Ibi Shi i ka thënë fjalët më të “ zgjedhura “ për komisionin shtetëror dhe demarkacionin në kontekstin më negativ të mundshëm por .., por .., shihe ti , për interesa të shtetit do ta votojë ratifikimin !!! Po të fliste në gjuhën kineze , për shkak të mosnjohjes së kësaj gjuhe ndoshta do ta kaloja ate çka e tha Ibi Shi , mirëpo , ta thuash shqip e mos të reagosh atëherë do ta vëje veten në pozitën e një injoranti të çmendur ! Shumë deputetë që i kanë vënë topet në tavolinë për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes , me ta parë xherrahun që nuk flet shqip , ndryshe mik i Hashimit , do t’i fusë brenda ose do të mbetet pa to ! Mendoj se në rastin konkret është shumë më mirë të mbetet pa to se sa t’i bartë për së rëndi , si tepricë fiziologjike e që nënkupton se marrëveshja nuk duhet të ratifikohet , pa sqarime plotësuese dhe pa një konsensus të përgjitshëm . Miqtë ndërkombëtarë të Hashimit janë pragmatikë në veprim dhe vendimmarrje , asgjë nuk iu pengon që në emër të largimit të Malit të Zi nga ndikimi i Rusisë , t’i japin toka të Kosovës ! A mos do të ishte hera e parë dhe mbase jo edhe e fundit që tokat shqiptare t’i “ privatizojnë “ në dobi të shteteve fqinje, joshqiptare ?! Në fund të fundit , a mos bëhet kijameti nëse ky proces shtyehet për 2-3 muaj dhe në ndërkohë të bëhen përpjekje për arritje të një konsensusi ! Pastaj , po flas si një injorant i përcaktimit të vijave kufitare , nëse komisioni shtetëror i Kosovës është i sigurt se e ka bërë punën mirë dhe nëse Mali i Zi gjithashtu është i sigurt se çdo gjë është në rregull rreth shënimit të vijës kufitare , atëherë vet do të kërkonin të takohen , deri në sqarimin e moskuptimeve të mundshme ! Kështu , me vet faktin se po fshihen prapa politikës , na bëjnë të dyshojmë se diçka po krimbet në këtë marrëveshje ! Nëse , sipas Malit të Zi çdo gjë është në rregull , pse atëherë e kundërshtojnë arbitrazhin ndërkombëtar duke deklaruar se për Malin e Zi kjo çështje ka përfunduar . Prandaj , në këto rrethana , ratifikimi i marrëveshjes nuk duhet të votohet në asnjë mënyrë dhe me asnjë kusht ! Jo pse këtë e kërkojnë Ramushi , Fatmiri , Visari por se ende ka shumë mjegull mbi këto territore!
Goditje e rëndë për Demarkarcionin : Të gjithë së bashku , opozitë , shoqëri civile , individë me ndikim , medie dhe ekipi i ekspertëve të pavarur nuk e kanë luftuar dhe sfiduar demarkarcionin sa e ka bërë Diellza e cila, e vetme dhe e armatosur vetëm me asetet e saja hyri në tokat e Kosovës, tash të okupuar nga Mali i Zi duke e kundërshtuar këtë proces . Nuk ka hajgare , me zanat e malit ! Ja ku jam !
Çka të bëhet pas ditës D : Policia e Malit të Zi u vendos te kufiri i Muratit . Ajo nuk lejoi që rugovasit të shkojnë më tutje duke iu thënë se :” ovde je Crna Gora – këtu është Mali i Zi “. Ata, marrëveshjen e ratifikuar njëanshëm e morën si kufi zyrtar midis dy shteteve deri sa ne ia nxjerrim sytë njëri – tjetrit , sikur Korbi i Edgar Allan Posë . Në rast të mosratifikimit të marrëveshjes pozita do i adresojë të gjitha dështimet te opozita sikur që opozita do vë vulën pozitës ( atyre që votojnë për ratifikim të marrëveshjes ) për tradhëti kombëtare dhe shitje të territorit të Kosovës. Nuk e besoj se do të ketë përshkallëzim aq të madh të situatës që ajo të mos mund të menaxhohet apo mbahet nën kontrollë ! Koalicioni do të shpërbëhej po të kishte kushte që të lidhnin koalicione parazgjedhore dhe paszgjedhore pa ndikuar ndërkombëtarët . Ishim dëshmitarë që ndërkombëtarët nuk e lejuan VLAN-in të vinte në pushtet sikur që nuk do të lejonin një koalicion midis PDK , AAK dhe Nismës . Tutje , ndërkombëtarët nuk do të lejonin një opozitë të fuqishme me LDK dhe LV kështu që , subjektet politike që tani duhet t’i fillojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm sepse , në këtë rast , rezultati i zgjedhjeve lokale do të jetë përcaktues edhe për zgjedhjet e përgjithshme . Kosova do të kalojë nëpër disa procese që nuk do të jenë aspak të lehta prandaj , edhe për një kohë “ miqve “ të Hashimit do t’u duhej koalicioni i madh. Gjykata Speciale do të shndërrohet në elektorat për një a dy subjekte politike kurse do t’i cungojë disa subjekte tjera por jo në atë masë që dikush e pret . Po ta kalojmë së pari një ( 1 ) shtatorin e pastaj flasim për dy shtator ! Megjithatë , jam i sigurt se , ndonëse me vonesë , edhe në Kosovë do të fillojë dekriminalizimi i shoqërisë !
Kujtim Shala u lirua nga posti i zkryemistrit . A është ky fillim i riformatimit të qeverisë apo ndërlidhet me votimin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion , ende nuk e kam të qartë !
Një mik imi që është jashtëzakonisht i informuar më tregoi se kufijtë na janë caktuar dhe rrobat na janë prerë me Marrëveshjen e Kumanovës ku shqiptarët nuk kanë pasur qasje si palë e barabartë mirëpo , ai më siguroi se materialet që i kanë paraprirë kësaj marrëveshjeje i janë dorëzuar në Bon të Gjermanisë , Hashim Thaçit , Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Qosjes me të drejtë t’i japin komentet e tyre . Gjithnjë sipas këtij burimi , Trojka nga Kosova nuk i ka lexuar fare këto dokumente prandaj nuk ka pasur fare komente apo kundërshtime. Është kjo në natyrën tonë, nëse është e vërtetë informata e mikut tim!
24 gusht 2016 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
***
QETËSI PARA FURTUNËS APO DJERSITJE PARA FLLADIT!
Midis dy të vërtetave apo midis dy mashtrimeve: Çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi u bë përallë e cila nuk po e kryen detyrën e përrallës që i qetëson dëgjuesit por po prodhon pasiguri dhe ankth. Ky demarkacion , së paku vitin e fundit e ka krijuar një gjendje të jashtëzakonshme ku gazi lotsjellës u bë meny e përditshme e qytetarëve të Prishtinës , deputetëve të Kosovës si dhe e policëve të këtij vendi që thuaja janë rritur me gazin lotsjellës. Në këtë situatë të jashtëzakonshme është bërë e zakonshme që deputetët , në vend të pyetjeve parlamentare , draftimit të ligjeve dhe përfaqësimit së të drejtave të qytetarëve , armatosen me bombola gazi duke i aktivizuar pastaj në vende të caktuara gjithnjë brenda Kuvendit të Kosovës . E kemi një situatë kur alamet burra aktivizojnë bombola të këtij gazi sikur edhe kur zonja të nderuara , sharmante dhe të respektuara e bëjnë tymnajë Kuvendin e Kosovës me gaz lotsjellës! Është një ndjenjë jashtëzakonisht e rëndë të shohësh deputetë të Kosovës të prangosur sikur të ishin hajna pulash apo hajdutë të xhepave . Këso pamje nuk mund të gjeni në asnjë vend të botës . Gjithashtu , e kemi një pamje të keqe dhe ndjenjë gjithashtu të keqe kur përballeni me gjendjen kur policët e Kosovës , pa fajin e tyre , bombardohen me gjësende të forta vetëm pse janë në zbatim të ligjit . Qytetarët e Kosovës , së paku këtë vitin e fundit kanë mbetur të ndrydhur midis çekanit dhe kurdhës apo midis të vërtetës apo mashtrimit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi! I kemi në të njëjtën kohë dy të vërteta të mëdha apo dy mashtrime edhe më të mëdha për këtë demarkacion . Komisioni Shtetëror që identifikohet me pushtetin apo pozitën , nuk e lë asnjë dyshim për rregullsinë e këtij procesi të demarkacionit ndonëse ky proces njihet për mungesë të skajshme të transparencës dhe gjërat janë bërë të ditura vetëm pasi i doli tymi ! Ky komision edhe tash këmbëngul se çdo gjë është në rregull dhe se Kosova nuk humbë asnjë pëllëmb toke .Ekipi i Ekspertëve prapa të cilit janë opozita dhe ata që nuk pajtohen me këtë demarkacion , me siguri absolute thotë se Kosova humbë mbi 8200 hektarë të territorit dhe se tërë procesi i bisedimeve ka qenë i mbuluar me errësirë dhe të panjohura gjë që deri diku edhe ka të drejtë. Pikërisht mendoj në mungesën e transparences kur e them se deri diku ka të drejtë! Nuk jam ekspert për shenjimin e kufijve sikur që duket se askush në Kosovë nuk është ekspert për këtë çështje prandaj , shifra prej 8200 hektarë më trondit deri te thonjtë e këmbës . Shtetet kanë bërë luftë për territore shumë më të vogla se humbja e supozuar , nga ana e Ekspertëve të Pavarur , e territorit të Kosovës e lëre më nëse e humbni thuaja 1% të territorit të vendit . Loja me shifra në Kosovë është shumë e rrezikshme edhe nëse flitet për qëllime të mira apo zbulim të së vërtetës ! Jemi dëshmitarë se , për një çështje shumë të ndjeshme sikur është ajo e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës , është shkaktuar konfuzion sepse vazhdimisht është përmendur shifra prej 20.000 femrave të dhunuar ndërsa askush nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një listë të saktë edhe me vetëm 500 femra të dhunuara . Prandaj e them se është shumë e rrezikshme loja me shifra sidomos kur ajo ka për qëllim përfitime materiale apo përfitime politike ! Pastaj lista e veteranëve të luftës , atyre të skemave sociale apo të tjera ! Sot , nuk më hynë në kokë se ka shqiptarë që i falë tokë një shteti tjetër ! Thjesht nuk ma kapë kjo rradakja ime këtë ose , mund të jetë se jam krejtësisht i painformuar apo injorant në këtë lëmi . Prandaj , më ka tronditë kjo shifër! Nëse del e vërtet se Komisioni Shtetëror ka falur apo shitur tokë të Kosovës atëherë nuk do të ketë burg që do t’i mbajë ata dhe nuk do të ketë tokë që do t’i durojë varret e tyre përveç se nëse vorrosen në Serbi sikur që është rasti me Esat Pashë Toptanin. Gjithashtu , nëse del se Ekipi i Ekspertëve e ka shndërruar profesionalizmin e tyre në bastore prej 8200 hektarësh duke u bërë mashë e politikanëve të opozitës , atëherë edhe këta duhet të barazohen për kah përgjegjësia me Komisionin Shtetëror ! Këtu nuk mund të kenë të drejtë të dyja palët sikur që as përgjegjësia nuk u takon të dy palëve ! Është krijuar një hapësirë e artë për manipulim ; pushteti manipulon me masa se nuk mund t’i kemi vizat pa demarkacion prandaj duhet të pranohet ashtu siç është kurse opozita çdo gjë në Kosovë e lidhë me 8200 hektarë , sidomos të ardhmen e saj politike ! Në këtë rast viktima reale janë qytetarët e Kosovës që janë ndarë edhe brenda familjeve për këtë çështje , deri më tash të paverifikuar dhe të ngelur në fushën e spekulimeve ! Nuk e besoj se ka të tillë që sot pajtohen me humbje të territorit sikur që nuk besoj se ka aventurierë aq të marrë që u hynë këtyre punëve ! Prandaj u bë mirë që kjo çështje u shty deri më 1 shtator dhe se kjo kohë duhet të shfrytëzohet për sqarimin e gjërave dhe përafrimin e pozicioneve në mënyrë që të arrihet një pajtueshmëri midis pozitës dhe opozitës . Madje , besoj se duhet të ndodhë edhe një shtyrje tjetër ! Nëse nuk ndodhë kështu , do ta kemi një tensionim të situatës ku të pakënaqurit e politikës do të manipulojnë me masën e pakënaqur dhe pasojat do të jenë të pashmangshme ! Shumë më brengos fakti apo lehtësia e pabesueshme e ndarjes në tradhëtarë dhe patriotë në përputhje me intereset personale dhe politike duke e shfrytëzuar apo keqpërdorur situatën e tashme ! Një numër jo i vogël i atyre që po ngrejnë akuza për tradhëti e njëkohësisht vëjnë mbi kokat e tyre aureolën e patriotëve , i kanë pasur familjarët që qençe i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë kurse tash , duke mos iu nënshtruar lustracionit po bëjnë përpjekje të pastrohen nga e kaluara ! Nuk mbulohet dielli me shoshë ! Kosova është shumë e vogël andaj dihet se kush dhe çka ka bërë për këtë vend ! Në vendet e transicionit e Kosova po e kalon një transicion të stërzgjatur bëhet me shumë sukses riciklimi i horrave në njerëz të ndershëm prandaj edhe prodhojmë këso situate sikur që i kemi dhe , prandaj ndërkombëtarët bëjnë ç’të duan ndonëse në vendet e tyre nuk janë kurrfarë vlere ! Në Kosovë dikush po luan me zjarr duke akuzuar për shitje territoresh apo duke shitur territore apo duke ndarë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë ! Dhe , përfundimisht , ai që luan k..e me të tjerët , ose nuk ka fare k..e ose do të mbetet pa to !
Gjykata Speciale dhe gjeografia politike : Gjykata Speciale e “ Kosovës “ me seli në Holandë dhe me staf 100% ndërkombëtarë dhe me të dënuar 100% shqiptarë që gjithashtu 100% do të vuajnë dënimet 100% jashtë territorit të Kosovës , është Gjykatë raciste sepse arreston , gjykon dhe dënon ekskluzivisht një përkatësi kombëtare kurse amniston një përkatësi kombëtare tjetër . Është një përshtypje se më shumë i gëzohen kësaj Gjykate disa shqiptarë dhe sa vet serbët që , përmes lobistit të tyre Marti ( ç ) ndikuan në themelimin e kësaj gjykate speciale vetëm për shqiptarët ! Askush që e don të drejtën për vete dhe kombin e vet nuk do të duhej t’i amnistojë kriminelët që kanë bërë krime ndaj të tjerëve , qofshin ata edhe armiq ! Lufta çlirimtare nuk ju amniston nga krimet që i keni bërë , nëse keni vepruar kundër zakoneve të luftës prandaj as Kosova nuk duhet të jetë përjashtim ! Krimi nuk ka përkatësi etnike sikur që as viktimat nuk mund të ndahen në bazë të përkatësisë etnike . As kriminelët nuk bëjnë përjashtime dhe nuk ka kriminelë pozitiv nëse i përkasin kombit tuaj dhe kriminel negative nëse i përkasin kombit që është armiqësuar kundër ! Vetëm në këtë baza mund dhe duhet , edhe të kërkohet drejtësia , edhe të ndahet drejtësia ! Po këta që po i gëzohen kësaj Gjykate Speciale Raciste nuk e kanë qëllimin e drejtësisë por e bëjnë për përfitime politike duke shpresuar se kjo gjykatë do ta gjymtojnë kapacitetin politik të kundërshtarit ! Dhe këtu gabojnë shumë sepse asnjë gjykatë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit , përjashtuar ate të Nyrebergut , nuk ka shkaktuar tërrmete politike por vetëm ka bërë gërvishje sipërfaqësore apo ka areestuar njerëz me afaft të skaduar politik , si mbeturina dhe plehra të papërshtatshëm për riciklime politike . Kështu do të ndodhë edhe në Kosovë sepse në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë qëllimi vendosja e drejtësisë dhe shpagimi i viktimave përmes drejtësisë ! Gjykata Speciale Raciste në Kosovë nuk do të shkaktojë tërmete por do të dështojë në rehabilitimin e viktimave . Përfitues të kësaj Gjykate Speciale Raciste do të jenë hetuesit , prokurorët , gjykatësit , guardianët , avokatët dhe administrate burokratike ndërkombëtare që do të paguehen shumë për hiç asgjë! Nëse e luftoni krimin në mënyrë selektive atëherë nënkuptohet se do të keni drejtësi dhe padrejtësi selektive që për rezultat do të ketë pakënaqësi selektive ! Dhe pasoja selektive. Kështu që , nuk ka gjë prej kësaj Gjykate dhe nuk ka shpresa që kjo gjykatë t’i fitojë zgjedhjet për një apo më shumë subjekte politike në Kosovë të cilat të gjitha ëndrrat për të ardhmën politike të tyre i kanë lidhur me Gjykatën Speciale Raciste !
Majlinda e majave të suksesit : Majlinda Kelmendi lindi për arritjen e majave të suksesit . Në Rio arriti majat mbi të cilat nuk mund të shkojë asnjë sportist. Do të ishte fenomenale sikur mbi ato maja të mos dukej Hashim Thaçi që , për mendimin tim kishte marrë rrugë të gabuar . Ishte anomali që ekipi i Kosovës përbëhej nga 8 garues dhe 18 përfaqësues ! Aty e kishte vendin vetëm ministri i Sportit , Kujtim Shala kurse të tjerët , kanë mundur të shkojnë vetëm si turistë apo haxhinj ! Këta turistët institucionalë të Rio de Zhanerios ishin vetëm maska të cilat Shtëpia e vetme Publike me letra në Kosovë RTK përpiqej t’i promovonte kot si koti ndërsa përmbajtja , protagonisti dhe kuptimi i Kosovës në Rio ishte Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj , Driton Kukaj. Respekt edhe për sportistët tjerë që u përpoqën dhe asnjë respekt për ata që me para të popullit u rrezitën në plazhin e Kopakabanës !
11 gusht 2016 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
***
KUR I FORTI TA LUAN SYRIN , E HARRON DEMARKACIONIN DHE KUFIRIN !
Debat për lustrim apo debat për ekzekutim : Salla alternative e Kuvendit të Kosovës apo salla për tërheqje strategjike të pozitës pas sulmeve të LV në sallën kryesore u bë një arenë gladiatorësh që luftonin për një çështje që ka rëndësi strategjike dhe jetike për çdo vend dhe shtet që nëkupton edhe Kosovën pasi Kosova e ka statusin e gjysëm shtetit dhe gjysëm vendit ! Problemi i shenjëzimit të kufirit me Malin e Zi u shndërrua në luftë të hapur politike dhe shërbeu si xhoker për vazhdimin e luftës së vjetër , tash me armë tjera, përkatësisht me demarkacion ! Sikur dikur që e bëri Klauzevici ! Me vendim të qeverisë së Kosovës u formua një Komision Shtetëror i përbërë nga një mjeshtër kadastre , një drejtor policie , një arkivist i shndërruar në diplomat , një profesor i gjeografisë dhe një vegetë që u është hedhur të gjitha gjellërave ( ligjeve ) në Kosovë , që nga viti 1999 e deri në infinit! Realisht , asnjëri nga ta nuk kishte përvojë për shenjëzimin e kufijve andaj shkuan pas inercionet duke përcjellur propozimet dhe vullnetin e palës malaziase sikur edhe duke zbatuar urdhërat politikë të rrenacakes së Brukselit dhe shefit të saj , ish kryeministrit të Kosovës tash Shkëlqesia e Tij , President i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi. Në vend të një komisioni profesional , u shndërrua në një instrument të politikës , për shkak të mosdijes dhe mungesës së profesionalizmit apo interesit , mbetet të kuptohet më vonë , nuk dua të paragjykoj sepse në këtë përbërje ka njerëz të mirë e që nuk mjafton të marrin vendime të drejta , aq më parë që ata nuk kanë qenë vendimmarrës. Debati ishte fushë mejdani sikur fusha e Hajkobillës pas të fshirave të para të grurit kur organizoheshin gara paraolimpike . Realisht aty kishte individë që nuk e kishin vendin prandaj u shndërrua në një kakofoni zërash ku kishte fyerje , denigrime , etiketime , kërcënime e më së paku debat shkencor . Pati individë që donin ta pastronin të kaluarën me tirada patriotike , ta pastrojnë të sotmen duke e promovuar veten sikur edhe duke hapur rrugë për karriera politike për të ardhmën. Në situatë të sikletshme ishte kryesuesi i debatit shkencor por ia doli që këtë debat ta përfundojë , pa probleme të mëdha. Probleme kishte edhe administrata e Kuvendit sepse kurrë në kuvend nuk ka pasur pjesëmarrës më heterogjenë . Kryetari i Kuvendit kësaj radhe shpëtoi lehtë pasi barra kryesori i takoi zëvendësit dhe bashkpartiakut të tij i cili kishte kondicion të mjaftueshëm fizik dhe psikik të përballet me debatuesit që shpesh harronin se ku ishin dhe pse kishin ardhur këtu ! Disa prej tyre , me emra ddhe mbiemra të shquar thjesht ia kishin huqur temës dhe kapeshin për bishti të temës duke e promovuar veten dhe duke folur për “ lisa dhe fshisa “ , në cilësinë e “ ekspertëve “ ! Unë i kisha dhe ende kam dyshime se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është i rregullt dhe se Kosova do të ndahet mirë me këtë demarkacion . Nuk kam besuar e as nuk besoj ate çka thotë pozita e as opozita për këtë proces por më ka interesuar përballja e argumenteve midis Komisionit Shtetëror që po identifikohet me pozitën dhe Komisionit të Ekspertëve që po identifikohet me opozitën ndonëse kanë deklaruar se janë të pavarur . Pas përballjes së argumenteve , rezultati përfundimtar , sipas meje , e që nuk nënkupton se kam të drejtë ishte 8 me 2 në favor të ekipit të Ekspertëve . Komisioni Shtetëror nuk ofroi fakte bindëse sidomos pse në harta ishin dy vija kufitare dhe ndjehej inferiore përballë ekspertëve që ishin përgatitur mjaft mirë dhe dominuan në debat ! Nuk jam njohës i çështjes së kufijve mirëpo pas këtij debati jam shumë i sigurt se është krijuar një situatë ndryshe dhe se do të duhej të bëhen përmirësime për ato pika të kufirit ku , me fakte është vërtetuar kundërshtimi i ekspertëve si i drejtë dhe profesional. Në këtë debat shkencor politikanët nuk e kanë pasur vendin fare sepse ata , të pozitës dhe një pjesë e opozitës e kanë krijuar dhe forcuar këtë problem ! Sikur edhe as disa “ shkencëtarë “ që i kishin hypur dhisë nga para ! Dega e Shtëpisë për të Moshuar e quajtur Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që në shtetet normale konsiderohet si ajka e kombit kurse te ne nuk është as hirra e kombit , nuk pati ndonjë punim shkencor përveç se kryeplaku i saj pati një paraqitje personale në stilin , as mish e as peshk duke u kapur pas pushtetit dhe duke i fyer ish studentët me stilin se : “ ku u bëtë ju ekspertë për kufij …”! Çdo profesor , arsimtar apo mësues mburret me sukseset e nxënësve apo studentëve të vet kurse kryeamkademiku që kishte ardhur edhe i pakrehur dhe paqethur në këtë debat shkencor mburrej me fyerjet që ua bënte ish studentëve të tij . Mendonte ky amkademik politik se pas tij koha duhet të ndalet dhe shkenca duhet ta përcjell bioritmin e këtij politikani akademik të dështuar dhe se studentët e tij gjithmonë duhet të sillen sikur të ishin në provim para tij ! Merreni me mend, kur në këtë debat dhe për këtë çështje aq të rëndësishme për vendin dhe kombin Akademia nuk ka qëndrim , çfarë mund të bëjmë ne të tjerët , pa tituj shkencorë , me shkolla të mesme , me shkolla fillore apo me shkolla të banovinës apo mbretërisë serbo – kroato – sllovene . Mos të harroj se aty kishte individë me grada të larta shkencore , nga koha e ish Jugosllavisë , koha e Serbisë , koha e UNMIK-ut dhe koha e ringjalljes intelektuale përmes këpurdhave të kolegjeve dhe universiteteve private të pasluftës dhe Universitetit publiktë pa emër të Prishtinës ! Debati ishte i vonuar dhe ç’kuptim fare ka debati kur pozicionet e palëve mbesin të njëjta , nuk merren fare parasysh konkluzionet e debatit dhe me shpejtësi të dritës procedohet ligji për demarkacion ! Është një situatë tepër e rëndë ku mund të kemi përshkallëzim dhe rrezikim të sigurisë në vend sepse , pas Deamarkacionit e kemi Asociacionin e komunave serbe …!
Urdhër i prerë për ekzekutim të vendimit : Ambasadori amerikan në Prishtinë , sipas rendit të ditës ishte paraparë të ishte njëri nga folësit por ai erdhi shumë më vonë . Unë nuk e kam të qartë pse në këto takime ku diskutohet për çështje të brendshme të një shteti apo vendi , ambasadorët e huaj duhet të jenë edhe lojtarë kryesorë sikur edhe referë kryesorë ! Ambasadori amerikan në këtë tubim shkencorë nuk e la asnjë mundësi për vazhdim të dialogut duke e cilësuar opozitën dhe ekspertët si mashtrues dhe përfitues të situatës sikur që e qortoi qeverinë për zhagitje dhe vonesë 11 mujore të votimit të marrëveshjes për demarkacion. Pas kësaj u krijua një situatë tjetër dhe debati mori kahe tjetër apo , më mirë të them hyri në një rrugë njëkahore , rruga e domosdoshmërisë së votimit të demarkacionit , sa më parë të jetë e mundur dhe pa asnjë ndryshim. Ambasadori amerikan me këtë rast dhe me këtë pozicionim u bë anëtari i 6 –të i Komisionit Shtetëror për Demarkacion. Pas qortimit të qeverisë së Kosovës për vonesë , ishte një vendim që qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme të njëjtën ditë , në ora 19.00 me të vetmën pikë, procedimi i demarkacionit për votim në Kuvendin e Kosovës ! Realisht , mendoja se qeveria e Kosovës , pas qortimit të ambasadorit amerikan , do ta mbajë mbledhjen e qeverisë në sallën alternative të Kuvendit të Kosovës. Përveç kryeministrit , aty ishte njëri zëvendëskryeministër dhe disa ministra sikur edhe këshilltari kryesor prandaj kishte kuorum të nevojshëm për mbledhje. Nuk e di pse por mbledhje u caktua për ditën në vijim dhe ishte përmbushje e kërkesës së ambasadorit amerikan . Tash mbetet të caktohet seancë e jashtëzakonshme ku do të VOTOHET demarkacioni i kufirit me Malin e Zi në formën dhe përmbajtjen e caktuar nga Komisioni Shtetëror, tash i përforcuar edhe me një ambasador të fuqishëm ! Është e pështirë dhe neveritës fakti se kundërshtimi i demarkacionit interpretohet dhe identifikohet me antiamerikanizëm e që është në kundërshtim të plotë me vlerat elementare të demokracisë për lirinë e shprehjes dhe mendimit ndryshe. Unë jam kundër këtij Demarkacioni që nënkupton se nuk jam antiamerikan sikur që ka edhe shumë të tillë si unë ! Në anën tjetër, nuk dua të zvarritem para askujt vetëm të mos cilësohem si antiamerikan sepse , është krejt e natyrshme që interesin e vendit tim dhe kombit tim e vë para intereseve tjera dhe kurrë nuk pretendoj e as që dua të bëhem më amerikan se vet amerikanët ! Injorantët politikë po e keqpërdorin këtë duke eliminuar kundërshtarët politikë dhe ata që kanë mendim ndryshe nga këta politikanë ! Sikur që është poshtëruese dhe jokurrizore të bëhesh proamerikan dhe madje më amerikan se vet amerikanët duke u zvarritur si jargë dhe amebë jokurrizore dhe duke punuar në dëm të kombit dhe shtetit tënd! Të padinjitetshmin nuk e do as miku e as armiku sikur edhe as djalli e as engjulli . Me qëndrim të padinjitetshëm dhe jokurrizor nuk fitohet respekti e as nuk bëhet shteti ! Për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk mund të kenë të drejtë edhe Komisioni Shtetëror , edhe Ekipi i Ekspertëve . Dikush duhet të jepë përgjegjësi , ose për cenim të integritetit territorial të Kosovës për çka po akuzohet Komisioni Shtetëror nga ekspertët , ose Ekipi i Ekspertëve për mashtrim dhe manipulim për çka po akuzohet nga qeveria e Kosovës , Komisioni Shtetëror dhe ambasadori amerikan ! U folën fjalë të rënda për falsifikim të dokumenteve dhe vendimeve ! Ky dyshim e bënë përgjegjësinë edhe më të madhe ! Dikush po thotë se deputetët nuk do ta votojnë demarkacionin sepse ka zëra të zhurmshëm kundër këtij votimi. Jam i sigurt se pikërisht ata që po bëjnë më së shumti zhurmë, të parët do ta votojnë këtë demarkacion dhe do të vazhdojnë publikisht ta akuzojnë Esat Pashë Toptanin për tradhëti kombëtare dhe Ahmet Zogun pse ia fali Shën Naumin Jugosllavisë. Patrioti mbetet gjithmonë patriot vetëm nëse ka qëndrime të forta para medieve dhe nëse ia kërcet ndonjë kënge patriotike . Këto paraqitje janë publike kurse votimi mbetet i fshehtë ! Deputetët tanë nuk mund të fajësohen për ligësi por përkundrazi , ligësinë e kanë vetëm si shprehje virtuale dhe votimi për demarkacionin do e bëjnë vetëm pët miqtë ndërkombëtarë dhe për inat të armiqve vendorë siç i konsiderojnë kundërshtarët politikë! Përgjegjësia për votim është indiviiduale kurse pasojat do të jenë të përgjithshme ! Mendoni mirë para se të votoni ..! Votimi nuk është çështje politike por shprehje e lirë e vullnetit , në rastin konkret për një çështje të shndërruar në problem të natyrës ekzistenciale për kombin dhe vendin ! Uroj ta kem gabim !
4 gusht 2016 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA