DR.JAKUP KRASNIQI: KONFERENCA E RAMBUJESË, PËR DHE KUNDËR SAJ!

Prishtinë, 26 shkurt 2019: (Parathënie e një libri në dorëshkrim) – Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën, edhe për shumë vjet do të vazhdoj të jetë temë interesimi për qarqe të caktuara intelektuale e politike në Kosovë dhe në Botë. Vlerësimet janë edhe për edhe kundër saj, sidomos ndër shqiptarët. Nga ata që sot janë kundër, edhe ishin në kohën e duhur, konsekuent është vetëm njëri – Adem Demaçi, gjithë të tjerët që ishin brenda në Rambuje si anëtarë të delegacionit apo këshilltarë janë jo serioz dhe të pasinqertë sa herë që ngriten kundër Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën.
Për hir të vërtetës dua të them: Të gjithë shqiptarët që kanë qenë brenda Kështjellës së Rambujesë, si anëtarë të delegacionit, ekspertë, përkthyes, a budigard, kanë qenë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë, disa edhe na u janë lutur që mos ta humbasim këtë rast të favorshëm për Kosovën dhe popullin shqiptar. Tani, shumë vite pas asaj Konference, ndonjëri nga ata mund të flas e shkruaj çka e si të dojë, por e vërteta është krejt tjetër nga ajo që pretendojnë ta thonë apo shkruajnë sot. Pas dy jave të kthimit nga Franca edhe të gjithë komandantët e ZO të UÇK-së kanë qenë për nënshkrimin e Dokumentit të Marrëveshjes, ani pse ndonjëri as atëherë e as më vonë nuk e kanë pas lexuar Dokumentin përfundimtar të Marrëveshjes së Rambujesë. Ndoshta edhe po ta lexonin nuk do ta kuptonin pasi dokumenti kishte nivel të lartë profesional dhe intelektual. Ky ishte niveli intelektual, profesional dhe politik i disave atëherë, ndoshta tani edhe kanë ndryshuar për çka me vjen mirë! Ani pse angazhimi i tyre asnjëherë, qe shtatë vjet e më shumë pas lufte, nuk ka qenë për të bërë ngritje e punë intelektuale, profesionale a politike serioze. Edhe angazhimi i ndonjërit në politik më vonë nuk ka sjellë ndonjë kthesë për tu mbajtur në mend për të mirë, veç kriminalizimit të jetës politike dhe ekonomike. Ndonjëri do të mbahet në mend për pasurim galopant e të pa ligjshëm duke shfrytëzuar të gjitha rrugët e trafiqeve të ndaluara e pisllëqe të tjera. Këtu ata kanë shfrytëzuar edhe biznismen tepër të dyshimtë që janë pasuruar shumë edhe gjatë periudhës së luftës çlirimtare kur të tjerët vriteshin, humbasin gjymtyrët dhe anëtarët e familjes. Pas lufte angazhimi i tyre (i ndonjë komandanti të vetëquajtur), kryesisht bëhej për çështje tepër personale, duke u shmangur kështu, shumë nga idealet e luftës çlirimtare dhe këtu, në sferën e interesit personal, ata vazhdojnë të jenë shumë serioz e të suksesshëm. Këto veprime të pas luftës së lavdishme çlirimtare, kanë ndikuar që të krijojnë përshtypje deri dhe bindje të gabuara edhe për periudhën e Luftës Çlirimtare.

Rambuje, shkurt 1999: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Bilall Sherifi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Milaqim Zeka…

***
Konferenca e Rambujesë për Kosovën është një ngjarje e shënuar, ndër më të shënuarat e historisë sonë kombëtare në raport me faktorin ndërkombëtar. Me gjithë kundërshtimet që mund t’i ketë kjo ngjarje, me gjithë dobësitë e saja të shumta, duke mos i përfillur të drejtat e liritë tona kombëtare, luftën tonë çlirimtare edhe duke mos e shpallur fajtor pushtuesin klasik serb për krimet e kryera në Kosovë, rëndësia e saj historike, për perspektivën që i ka hapur popullit shqiptar dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, nuk mund të zbehet as sot e as mot. Konferenca e Rambujesë si ngjarja e rëndësishme ndërkombëtare, kryesisht ishte për Kosovën, por në Rambuje dhe rreth saj ishin të gjithë shqiptarët, të gjitha institucionet përfaqësuese pa dallim kufijsh.
Ishin drejtuesit e shtetit shqiptar, të politikës e të diplomacisë shqiptare, ishin edhe drejtuesit e kulturës dhe shkencës humanitare shqiptare. Ishte e gjithë diaspora. Të gjithë ishin në mbështetje të Delegacionit, të Marrëveshjes, që në asnjë mënyrë Delegacioni mos të lejonte humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Popujt e vegjël siç është populli ynë, gjithnjë kanë nevojë për mbështetje ndërkombëtare, këtë e tregon edhe historia e jonë që nga koha e Skënderbeut, e Ali Pashë Tepelenës, e Ahmet Zogut dhe e Enver Hoxhës. Edhe pse kemi të bëjmë me periudha të ndryshme të historisë, me personalitete të fuqishme kombëtare apo dhe akombëtar, ata janë kujdesur që të kenë lidhje me vende e shtete të fuqishme të botës (ndonjëherë edhe lidhje të dyshimta), për të siguruar mbështetje për mirëqenien kombëtare, ndonëse jo gjithherë kanë pasur sukses në gjetjen e aleatëve mbështetës për vendin dhe politikën e tyre.
Numri i kundërshtarëve të arritjes së Marrëveshjes në Rambuje të Francës për Kosovën dhe qytetarët e saj ishte tepër i vogël. Në fund të fundit edhe delegacioni i UÒªK-së kishte shkuar për të fituar përkrahjen e shqiptarëve kudo ku ata ishin dhe mbështetjen ndërkombëtare, për të hapur perspektivën e lirisë e të ardhmërisë për qytetarët e Kosovës. Dhe mbështetja e fuqishme ndërkombëtare ndodhi ndonëse jo si e ëndërronim ne, përfaqësuesit e popullit shqiptar të Kosovës që përfaqësonim Lëvizjen Kombëtare për Çlirim. Ndodhi një mbështetje më e fuqishme edhe brenda për brenda kombit tonë, mbështetje kjo që nuk kishte ndodhur para Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën. Kjo mbështetje bëri që e gjithë makineria vrastare serbe, të gjitha aparaturat serbe, politike, militare dhe administrative që kishin ushtruar dhunë dhe gjenocid të dëboheshin nga Kosova.
Çka tani?!
A nuk është kjo faza e parë e madhe kah shteti i pavarur dhe sovran?
Ne e dimë, ëndërra e Lëvizjes Politike Klandestine në kontinuitet ka qenë: për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, çlirimi dhe bashkimi i trojeve të robëruara të Shqipërisë, por në politikë gjithënjë arrihet e mundshmja, por jo pa synuar të pamundshmen. Shqiptarët në politikë e arritën të mundshmen, ndonëse jo pa sakrifica të shumta. Brezi i Adem Demaçit dhe ai i Adem Jasharit, i Komandantit Legjendar të shqiptarëve bën një hap tjetër të madh pas atij të vitit 1912.
Në mes Konferencës së Rambujesë dhe vazhdimit të saj në Paris, në zonat e lira të Kosovës SHP dhe Drejtoria Politike e UÇK-së kanë zhvilluar biseda të ndryshme me shumë ushtarë dhe qytetarë dhe nuk kanë pas hasur askund dhe asnjëherë asnjë rast, e më asnjë rast që ta kenë kundërshtuar nënshkrimin e Dokumentit të Marrëveshjes së Rambujesë, bile shumë na kanë pas thënë: “pse nuk e keni nënshkruar Marrëveshjen”, “ke keni pasur ta pyesnit” e të ngjashme. Dhe kishin të drejt, pasi disa nga këta dinin ta përdornin mirë vetëm kallashnikovin që në atë kohë meritonin respekt. Edhe komandantët që bëheshin se po e kundërshtonin Marrëveshjen, më kanë pas thënë edhe mua personalisht: “Opinionet e ushtarëve dhe të qytetarëve me të cilët kemi biseduar, kanë qenë e janë që të nënshkruhej Marrëveshja e Rambujesë“. Kur kësaj i shtojmë edhe bllokadën që i ishte bërë UÇK-së, ushtarakisht nga Serbia e financiarisht nga Bukoshi e njerëzit e tij si dhe krerët e LDK-së në anën tjetër, nënshkrimi i Marrëveshjes ishte bërë domosdoshmëri e kohës. Marrëveshja edhe pse nuk i plotësonte kërkesat e vullnetin e plotë të popullit shqiptar të Kosovës, e as qëllimin jetësor timin e shokëve të mi, çlirimin dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve, nënshkrimi i saj ka qenë në përputhje me interesin nacional të shqiptarëve në përgjithësi e atyre të Kosovës në veçanti. Në rrethanat ku konjukturat e të fuqishmëve që diktonin aso kohe, jo vetëm që nuk pranonin të bisedohej për pavarësi, por as për Republikë në kuadër të Federatës se atëhershme jugosllave. Marrëveshja e arritur ishte një sukses. Në fund të fundit jo pak herë në histori edhe popuj më të mëdhenj kanë qenë të shtrënguar të bëjnë marrëveshje me kondita të pa favorshme. Kujtoni Marrëveshjen e Brest Listovskit e arritur mes Gjermanisë dhe Qeverisë Sovjetike në përfundim të Luftës së Parë botërore. Kjo, Marrëveshje (e Rambujesë) nuk përputhej me ëndrrën tonë shekullore, por gjendja operative në terren na diktonte veprimin e vendimin politik. Të gjithë kundërshtarët e luftës çlirimtare dhe të pavendosurit dje, vazhdojnë të jenë kritizer të fuqishëm edhe sot pas shumë vjetësh. Po cilat ishin e janë njohurit e tyre për gjendjen në radhët e ushtrisë sonë? Në fakt, ata nuk dispononin as far njohurish.
Marrëveshja e Rambujesë për Kosovën mund të këtë shumë dobësi, edhe ka shumë të meta që i dinim dhe zemra na dhimbste e na dhemb edhe sot për shumëçka, por Marrëveshja e arritur me shumicën ndërkombëtare e jo me palën serbe, në Rambuje të Francës në mënyrë të shkëlqyer ka arritur këto suksese të mëdha:
• Ka ndërprerë dëbimet dhe shfarosjet e shqiptarëve nga trojet e tyre, e ka ndihmuar e përshpejtuar fitoren e luftës nacional – çlirimtare të shqiptarëve për liri, jo pa humbje të mëdha njerëzore e materiale, por “liri pa gjak nuk ka”, thotë një urti popullore. Jo më kot thuhet: “Liria i ka rrënjët në gjak”. Ben Dupre, thotë se liria është “një ideal për të cilin ia vlen të luftosh dhe nëse është e nevojshme të japësh edhe jetën”. Historia e jonë e dëshmon ketë. Një gjë dihet, Serbia kurrë nuk do të bëhej aq humane sa të na dhuronte pavarësinë formale, bile asnjë autonomi formale. Pavarësia e ka edhe aktin e saj formal, por në asnjë rast ajo nuk ndodh dhe nuk do të ndodhte pa aktin de facto – Luftën Çlirimtare dhe mbështetjen e saj nga vendet e demokracisë Veriatlantike me SHBA-të në krye. As bota demokratike nuk do ta detyronte Serbinë, as regjimin e Millosheviqit ta pranonte referendumin e vitit 1991 për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, as nuk do ta e ndërpriste valën e të shpërngulurve në drejtime të ndryshme të Globit. Vetëm lufta nacionalçlirimtare e UÇK-së, politika largpamëse e drejtuesve të saj politikë e ushtarakë, solli bombardimet e NATO-s e më pas i krijoj të gjitha dispozitat për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kush është ai apo ata që nuk e shohin këtë edhe pas kaq vitesh? Cili ishte e vazhdon të jetë angazhimi i tyre sot në rrethanat e reja? Mos angazhimi i tyre edhe sot vazhdon të jetë për ndonjë Federatë apo Konfederatë me Serbinë apo mbetje nën Serbinë? Apo ndoshta është frika e mosbesimi i grumbulluar për gjithë të tjerët pse ata nuk janë pjesë e zgjidhjes!!! Një zgjidhje më e mirë se sa e kishim në Kosovë është bërë dhe nuk e kemi bërë pa flijime të shumta. Gjeneratat e reja mund të gjejnë dhe arrijnë edhe zgjedhje më të mira se kjo që e bëri brezi ynë. Le ti kërkojnë dhe kanë të drejt t’i kërkojnë ato, secili brez i ka kërkesat e veta, ka dhe duhet ta ketë vizionin e vetë, për jetën dhe të ardhmen e vendit e kombit të vet. Detyra e brezit të ri edhe është të kërkojnë e realizojnë zgjidhje edhe më të mira se këto që i bëri gjenerata jonë, më të dinjitetshme se kjo që kemi bërë ne, si për vete ashtu edhe për gjeneratat që vijnë pas tyre, por vlerat zingjirore të brezave duhet të ruhen të paprekshme, bile edhe të avancohen. Populli ynë, gjatë gjithë historisë ka krijuar vlera të tilla kombëtare që duhet ruajtur si sytë e ballit. Kushdo që shkëputet nga e kaluara, nga vlerat që ka prodhuar ajo, rrezikon të ardhmen.
• NATO-ja ka bombarduar në tërë hapësirën e ish RFJ-së, çka ne nuk do ta bënim kurrë, se paku jo brezi ynë. Bombardimet e NATO-së mbi objektet shtetërore, ushtarake, policore dhe objektet tjera që ishin vërë në shërbim të makinerisë ushtarake serbe, nuk do të ndodhnin kurrë pa luftën e UÇK-së, pa flijimet e shumta të popullit të Kosovës, pa valën e të shpërngulurve dhe krizën humanitare që e shkaktoj regjimi i Millosheviçit. Prandaj, çka i shtyn disa ish ushtarë a ushtarakë të UÇK-së të kalojnë në taborin e kundërshtarëve të luftës çlirimtare?! Ku i kanë shitur dardhat?! Apo ndoshta janë në pyetje interesa tepër të ngushta e meskine. Interesa xhepi apo për xhipa e vetura luksoze të “dhuruara”. Komandantët e UÇK-së nuk e kanë merituar të shiten kaq lirë e për interesa kaq meskine?!
• Bombardimet e NATO-s nga qielli dhe UÇK-ja nga toka i kanë detyruar forcat armike të largoheshin të mundura nga Kosova, ndoshta këtë do ta bënim pas një lufte të gjatë me forcat tona, por me një mbështetje tjetër nga populli ynë e me humbje shumëfish më të mëdha. Në ketë rast kundërshtarët e shkuarjes dhe të nënshkrimit të Dokumentit të Marrëveshjes duhet t’i kenë parasysh edhe veprimet puçiste të disa të krisurve që nuk shihnin përtej hundëve të tyre, që lehtë mund të shiteshin e bliheshin nga kushdo që do t’ju afronte deviza siç ka ndodhur në disa raste, ndonëse të kufizuara gjatë luftës çlirimtare. Ndonjëri nga ata, pas lufte i kanë „shitur donet“ te biznesmenë udbashë e ish financues të grupeve paramilitare dhe kjo nuk është diçka që nuk shihet e dihet, por kjo lë të mbetet varur në ndërgjegjen e tyre. Gjenerata tjera le të merren më gjëra të tilla të dëmshme, ata le t’i sheshojnë këto mbi bazën e burimeve autentike që do të zbulohen në të ardhmen dhe sigurisht e ardhmja do të zbardhë shumë deformime të kohës sonë.
• Ka krijuar kushte që në Kosovë të mbahen zgjedhje të lira, të fshehta dhe demokratike, tepër larg tankeve serbe, ushtrisë dhe policisë okupatore dhe çka ndodhi, dalzotësit e Kosovës nuk fituan?! Ndoshta nuk ka rëndësi se kush fitoi, fituan ata që luftuan apo ata që sabotuan, të dy palët ishin shqiptar, por mesazhet që u dhanë në këto zgjedhje, ishin tepër të dëmshme për proceset politike që ishin në vazhdim. Nuk fituan njerëzit e pavarësisë dhe me këtë kundërshtarëve të pavarësisë u kishte “rënë shi në kallamboq” siç thotë populli. Dhe në tërë këtë proces dhe në shumë procese të më vonshme nuk ishte fajtore Konferenca e Rambujesë! A na ka faj Marrëveshja e Rambujesë për njerëzit që i kemi zgjedhur në institucionet kryesore në Kosovë në dhjetor 2004? A na ka faj që në Kosovë sundon paligjësia, krimi i organizuar politik e ekonomik, kontrabanda, trafiqet e korrupsioni? A na ka faj Rambujeja që edhe pas gjashtë-shtatë e më shumë viteve pas, ne vazhdojmë të mos kemi Strategji Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik? Çka drejtuesit e institucioneve të legjislaturës së dytë i lidh me luftën nacionalçlirimtare që ka zhvilluar populli ynë pas Luftës së Dytë Botërore? Çka ata kanë investuar për lirinë e Kosovës veç mashtrimit, nënshtrimit e përgjumjes para xhelatit Millosheviq? Dhe
• Në fund të fundit, bombardimet e NATO-s do të sjellin për Kosovën dhe qytetarët e saj më shumë se sa parashihej në Dokumentin e Rambujesë, pasi më 21 qershor 1999 e gjithë makineria policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme serbe, largohen nga Kosova. Çka bënë kundërshtarët e luftës çlirimtare apo ata të Konferencës së Rambujesë qe gjashtë – shtatë e më shumë vjet pas kësaj lufte e kësaj Konference? Çfarë ndryshimesh sollën në jetën politike kundërshtarët e Rambujesë në rrethanat e reja që krijoj lufta çlirimtare?! Veç ndjekjeve të luftëtarëve të lirisë, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës? Burgosjeve të tyre në Kosovë e deri në Tribunalin e Hagës, me dëshmitarë kryesisht shqiptar ose thënë më mirë shqipfolës, me dëshmitë e rrejshme që ata ngritën për luftën dhe çlirimtarët?!
Kundërshtarëve të Rambujesë dua t’ju përkujtoj:
Pas luftës çlirimtare në Kosovë janë zhvilluar katër palë zgjedhje të lira (lokale e nacionale marrë së bashku), a i dinë rezultatet e atyre zgjedhjeve? Po të votonin qytetarët e Kosovës, që me shumicë janë shqiptarë për çlirimtarët, luftëtarët e vërtetë të pavarësisë, cili do të ishte masazhi që do ta merrnin ndërkombëtaret? Mesazhi do tu thoshte: shqiptarët janë rreshtuar me çlirimtarët, për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës që është zgjidhja e vetme. Po të ndodhte kjo, Kosova do ta kishte harruar njohjen ndërkombëtare të shtetit, ashtu siç ndodhi me Timorin Lindor. Flamuri i Kosovës do të valonte në Selinë e Kombeve të Bashkuara. Zotërinj, kundërshtarë të Marrëveshjes së Rambujesë, përgjigjuni vetë në këtë pyetje, nuk është e vështirë. Besoj që keni forcë intelektuale ta bëni një gjë të tillë.
Në fund të kësaj parathënie mund të konstatojmë se: Konferenca Ndërkombëtare e Rambujejsë për Kosovën, ka përmbyllur me sukses shembullor një kaptinë të rëndësishëm të historisë sonë më të re, fal gjakut të dëshmorëve të UÇK-së, fal organizatorëve dhe drejtuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që për ideal kishin çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Fal rreshtimit në anën e fituesit e më aleatet e duhur. Prandaj edhe gjashtë – shtatë e më shumë vitesh pas luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vazhdohet lufta speciale e drejtuar nga Beogradi në bashkëpunim me qarqe ndërkombëtare avokat të Serbisë, të lidhura këto me grupe e klane mafioze „kombëtare“ „të politikës“, „të informimit“ e „të sigurimit“ në Kosovë për denigrimin dhe zvetënimin e vlerës kulmore kombëtare – UÇK-së dhe drejtuesve të saj. Zotërinj, populli dhe historia kanë obligim t’i nderojnë gjithë heronjtë që bien për liri e atdhe, por, heronjtë e lirisë e zënë Ballin në altarin më të lartë të Lirisë e të Atdheut, këtyre duhet ngritur Memorialë Lavdie, përmendore e monumente lirie në çdo kënd të atdheut e jo vetëm në Kosovë.
Sigurisht edhe drejtuesit politikë dhe ushtarak të UÇK-së kanë bërë gabime njerëzore gjatë luftës çlirimtare, siç kanë pasur mundësi të bëjnë gabime edhe anëtarët e delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë. Se është me së e vërtetë, se këto dy ngjarje më kulmore të historisë sonë të lavdishme, janë dy ndeshje të mëdha të shqiptarëve të Kosovës me pushtuesin shekullor (Serbinë), në rrafshin politik, diplomatik dhe ushtarak dhe rezultati është pozitiv për Kosovën. I pari rezultat pozitiv në raport me Serbinë, pas më shumë se njëqind vitesh. Kur Kosova ka pasur rezultat më të mirë në raport me Serbinë, me politikën dhe diplomacinë serbe? A nuk është kjo fitore e shqiptarëve në përgjithësi e atyre të Kosovës në veçanti që meriton dhe duhet të përshëndetet nga të gjithë. Në ndeshje futbolli, fitues shpallet ai që jep gol apo një gol më tepër, jo ai që bënë lojë më të mirë. Fitorja është tepër e rëndësishme për ne. Ne kemi arritur një fitore të madhe, më të madhen pas Pavarësisë së Shqipërisë në nëntorin e vitit 1912. Pritje e nderim tjetër duhet t’ju bëhen fitimtarëve, ashtu si ndodh kudo ne botë. Të gjithë brezat e Lëvizjes Kombëtare i kanë meritat e tyre, pse mbajtën gjallë flakadanin e lirisë, por brezi i Adem Jasharit, i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë meritën e fitores mbi armikun shekullor, prandaj meritojnë respektin e veçantë.
____________
1) Ky shkrim është botuar në gazetën “Kosova Sot”, në gjashtëvejtorin e Konferencës së Rambujesë (1999 – 2005). Autori kohëve të fundit shkrimin e ka përpunuar dhe do të jetë Parathënie e një libri në dorëshkrim.

Paris, mars 1999: Akti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë!

==============================================

Paris, mars 1999: Hashim Thaçi, afër tij Milaim Zeka dhe Jakup Krasniqi, duke dalur nga Hoteli…

( Ilustrimet: © Pashtriku.org )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura