Prishtinë, 17. 11. 2015: (Keni dëgjuar se …po bashkohet Mitrovica) – Mitrovica është ndarë në Rambuje dhe u caktua që francezët të vendosin kufirin në urën mbi lumin Ibër gjë që e bënë me shumë dëshirë. Si brigadë e veçantë e BIA-së së Serbisë u formuan Rojat e Urës, njësi paramilitare e MUP-it serb. Në të njëjtën kohë këta paramilitarë u shndërruan si njësi ndërlidhëse për bashkëpunim midis ndërkombëtarëve dhe Serbisë. Realisht, kjo njësi paramilitare e legalizuar nga ndërkombëtarët dhe e paguar nga Serbia sikur edhe nga haraçi që e mblidhnin në pikat kufitare u bë faktor përcaktues për lirinë e lëvizjes së shqiptarëve dhe joserbëve në këtë pjesë të okupuar të Kosovës ku institucionet e Kosovës kishin qasje për aq sa kam unë te Talibanët e Kandaharit. Këto njësi paramilitare serbe bashkëpunonin ngushtë me njësitë paramilitare politike dhe kriminale shqiptare në jug të lumit Ibër nga gjeneronin të hyra të shumta materiale. Këto njësi paramilitare të MUP-it serb, pa u penguar nga xhandarmeria franceze, në shkurt të vitit 2000 e spastruan etnikisht pjesën veriore të Mitrovicës duke vrarë 12 civilë shqiptarë dhe boshnjakë dhe duke shpërngulur me dhunë afërsisht 13,000 shqiptarë dhe joserbë të cilëve nuk u lejua të kthehen në shtëpitë dhe pronat e uzurpuara të tyre. Madje edhe atyre pak shqiptarëve të mbetur atje u shkaktoheshin shumë probleme nga serbët e sidomos nga ndërkombëtarët që nuk lejonin rindërtimin e shtëpive apo të infrastrukturës sepse, sipas tyre, po trazohej qetësia e serbëve lokalë dhe atyre të ardhur nga Kroacia dhe Bosnja ku kishin kryer krime prandaj nuk kishin lënë vend për t’u kthyer atje. Mozaiku etnik ndryshoi rrënjësisht (për qëllime ekskluzivisht politike) duke u krijuar një realitet tjetër etnik si rezultat i spastrimit etnik. U krijua një bërthamë parashtetërore disi sikur Republika Srpska në Bosnjë. Ishte një grushtë bore i cili, me gjasë do të nxisë një ortek të madh për ta bërë Kosovën, edhe ashtu të brishtë dhe të lëndueshme, krejtësisht jofunksionale. Serbia atje e ndërtonte rrjetin e merimangës së zgjatur të shtetit serb me fije ekskluzivisht etnike, me fije të shovinizmit serb! Sa qinda miliona euro u investuan nga Serbia, në praninë e ndërkombëtarëve dhe me pëlqimin e tyre për mirëmbajtjen dhe fuqizimin e krimit të organizuar të udhëhequr nga Rojat e Urës që kontrollonin çdo gjë në atë pjesë të okupuar të Kosovës. Strukturat kriminale paramilitare , me ndihmën logjistike të ndërkombëtarëve organizonin zgjedhje të Serbisë në territorin qoftë edhe nëse formalisht i takonte Kosovës! Të gjitha shërbimet publike kontrolloheshin nga strukturat kriminale të Serbisë sikur që edhe gjyqësia ndahej nga ta . Serbia , përmes angazhimeve logjistike , materiale dhe politike faktorizoi aq shumë strukturat kriminale sa që i bëri pjesë të bisedimeve në Bruksel. Ura mbi lumin Ibër e fitoi rëndësinë strategjike sikur që dikur Gjiri i Derrave në Kubë ishte në raportet SHBA – BRSS e që gati solli te lufta e tretë botërore. Të gjitha protestat, bllokimi i rrugëve, vendosja e barrikadave në veri të Kosovës ishin të natyrës politike dhe orkestroheshin nga Serbia dhe një pjese e bashkësisë ndërkombëtare për ta rritur pazarin në Bruksel! Në bisedimet për “parime“ në Bruksel pala kosovare ishte e hendikepuar, si në planin e përfaqësimit e sidomos në planin e mbrojtjes së qëllimeve dhe intereseve shtetërore. Pala kosovare përfaqësohej nga analfabetët funksionalë dhe intelektualët jofunksionalë për të cilët interesi kombëtar dhe ai shtetëror ishte diçka fakultative e që nuk duhej të mbrohej me çdo kusht . Madje ata e ulnin pazarin edhe nën çmim kur Serbia, aty për aty e rriste çmimin kurse ndërkombëtarët , si lehtësues që ishin ndihmonin që të realizoheshin kërkesat e Serbisë ndërsa Kosovën e lëvdëronin për “konstruktivitetin“ e treguar duke i premtuar perspektivë evropiane në ndërkohë që Serbisë i kishin hapur dyert e Evropës dhe i vardiseshin pa asnjë kriter! Mjafton ta bëni një analizë fare të thjeshtë të atyre që ishin pjesë e Kosovës në bisedimet “teknike“ dhe të bindeni se shumë mirë jemi ndarë në këto bisedime! Ndërkombëtarët, duke e barazuar arrivizmin, analfabetizmin dhe lakminë tonë antologjike për famë dhe bërjes pjesë së historisë e kanë pasur lehtë të përcaktohen se kujt duhet t’i mbajnë anën! Janë përcaktuar për Serbinë sepse kanë menduar se interesi strategjik është të përkrahet ky shtet me një të kaluar kriminale dhe me një të tashme destruktive për shtetet e rajonit në fazën më të ndjeshme të rindërtimit të paqes! Serbët i kishin shumë të qarta synimet, të fitojnë sa më shumë duke bërë tregti me tokat e huaja (të Kosovës)! Dhe, fituan shumë më tepër se që pritën; po bëhen bashkëpronarë të 30% të territorit të Kosovës në ndërkohë që kanë qerasur Maqedoninë me disa pjesë të Kosovës kurse Malin e Zi duan ta zgjerojnë për disa mija hektarë toke të Kosovës. Bakllavanë po e ruajnë për fund kur të bëhet demarkacioni me Serbinë kur ajo (Serbia) do të marri sa të dojë toke të Kosovës ! Kosova, përveç se humbi territorialisht dhe politikisht, u nda edhe e turpëruar duke u trajtuar sikur çifutët në prag dhe gjatë luftës së dytë botërore. Çifutët dhe pronat e tyre shënoheshin me një shenjë karakteristike dalluese sikur që edhe Kosova, ndonëse i pranuar shtet i pavarur dhe sovran nga më shumë se 110 shtete, u damkos me një fusnotë që nuk njihet në historinë e shteteve se të jetë vepruar në këtë mënyrë me një shtet ! Së paku jo deri me sot.
Si reaguam ndaj këtij poshtërimi
Ata që e kundërshtuan këtë trajtim poshtërues u cilësuan si antievropianë dhe antiamerikanë e që janë kundër proceseve integruese. Një endacake e Brukselit për të cilën u shpik një post ministror, Ministre për Dialog, atëbotë pati deklaruar se fusnota diskriminuese që i trajtonte shqiptarët si çifutë duke i veçuar ata, do të shkrihet si një fjollë bore me rrezet e para të diellit. Kjo fjollë bore, jo që nuk u shkri me rrezet e para të diellit por u bë shenjëzim mohues i pavarësisë së Kosovës duke e shndërruar Kosovën në familjen e shteteve të Evropës si një geto çifute para dhe gjatë luftës së dytë botërore . Kur Mitrovica përfundimisht u nda në Mitrovicën e Veriut (me Rakiqin kryetar) dhe Mitrovicën e Jugut (me Bahtirin kryetar) dhe kur po bëhet luftë për çdo centimetër sipërfaqe midis dy kryetarëve, të vetmit që po deklarojnë se Mitrovica po bashkohet janë favoritja e Piter Fejtit për kryetare të Kosovës, Zezdita e Brukselit dhe kryetari i Mitrovicës i cili vetëm te ne do të zgjidhej kryetar komune (në shtetet normale do të llogaritej si vepër penale vet ideja e propozimit) dhe askush tjetër. Rakiqi po zgjerohet territorialisht ndërsa Bahtiri po qet fall. Si arbitër për ndarjen e pleqnisë për territoret midis dy Mitrovicave po lajmërohet dhunuesi i pashpirtë dhe i pashembullt i deputetëve për disa mandate deri sa nuk e larguan nga puna punëdhënësit e tij , Barjam Gecaj që , sikur në pleqnitë tradicionale, pleqninë po e ndanë në favor të të fortit, në favor të Rakiqit! Hvala ti puno Barjame i srdaçan bratski pozdrav od Gorana Rakiça (Faleminderit shumë Barjam dhe një përshëndetje të sinqertë vëllazërore nga Goran Rakiqi)! Edhe ndërkombëtarët, në planin e “ringjalljes“ së Urës së Mitrovicës po udhëhiqen nga gjendja ekzistuese në terren ku nuk ka vend për xhaminë e shkatërruar afër kësaj Ure të famshme të Mitrovicës! Po veprojnë njëjtë si Barjami, zëvendës i ministrit të qeverisë së Kosovës nga Republika Srpska i cili po urdhëron komunat që kanë votuar kundër Zajednicës t’i tërheqin vendimet e kuvendeve komunale ndërsa nuk e ka as edhe një kërkesë (urdhëresë jo se jo) për komunat që udhëhiqen nga serbët e të cilët nuk i respektojnë ligjet e Kosovës por sillen sikur të ishin komuna në Serbi ku një hajneshë në fron e merr një post të lartë institucional! Kjo Zezdita endacake, promovuese e nepotizmit dhe turiste me para të Kosovës në hotelet më mondane të Brukselit , së fundi deklaroi se këta që po e kundërshtojnë ze-zonjën në fjalë janë të cekët nga mendja, sipërfaqësorë dhe se janë kundër integrimit në BE dhe, rrjedhimisht edhe kundër integrimit në shtëpitë publike të Amsterdamit apo Brukselit! Edita apo Zezdita është një parazite që ka mbijetuar dhe po mbijeton falë llaskucërisë së saj, vardisjes dhe dëmeve që po i shkakton Kosovës! Asaj nuk i intereson fare Kosova dhe për të Kosova ka një sipërfaqe të ulëses së aeroplanit në buiseness class apo të një shtrati në hotelet me 5 dhe 6 yje (fusnota) që ajo, me shpurën e saj frekuenton çdo herë kur Serbia ka nevojë t’i përafrohet Evropsë përmes bisedimeve me këtë të paditur të cilës Kosova i intereson aq sa edhe Erdoganit Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut! Jam i sigurt se shumë shpejt do të vjen një kohë ku e e paturpshmja e Brukselit megjithatë do të turpërohet për fyerjet që po ua drejton atyre që janë sakrifikuar në kohën kur ajo ka bërë dhe po bënë shtatë palë qejfe! Qartazi, për Editën që llaskucërisht po e zbaton një rend dite që është kundër Kosovës, turpërimi është shprehje e panjohur qoftë edhe si folje e lëre më kategori psikologjike apo morale !
Opozita rreth 28 Nëntorit të përbashkuar
Opozita që po përpiqet t’i provokojë zgjedhjet e parakohshme, të marrë pushtetin pa kaluar nëpër procesin zgjedhor apo të bëhet pjesë e pushtetit duke përfituar nga situata, ndërhyrja e ndërkombëtarëve apo “mëshira“ e pozitës (në përpjekje për të mbetur në pushtet), vazhdimisht po kërcënohet me protesta gjithëpopullore të cilat , as vet nuk e di se kur do t’i organizojë dhe a do t’i organizojë fare! Hezitimi opozitar vjen si rezultat i pasigurisë se, nëse protesta do të jenë gjithëpopullore apo protesta të Smaljit me do shokë nga Rahoveci plus ato të kryetarit të Deçanit me grupin e asambleistëve të AAK, VV dhe Nismës! Xhafa i Kastriotit zor se do të sillte shumë protestues në Prishtinë madje nuk është e sigurt se edhe ai do të ishte pjesë e protestës. Komuna të tjera nuk e besoj se kanë ndonjë interesim për protesta “gjithëpopullore“. Uh, gati e harrova një komunë shumë të fortë, ate të Malishevës! Dhe këtu përfundon tregimi apo përralla! Po të kishte kapacitet opozita për protesta gjithëpopullore, moti do ia kishte krisur! Sikur me vezë dhe gaz lotsjellës! Ate që i ka në dispozicion, po i përdorë me kapacitet të plotë. Popullin nuk e ka në dispozicion prandaj vazhdimisht po e shtyen organizimin e protestave gjithëpopullore! Opozita tash nuk do të protestojë por ka vendosur që me 28 Nëntor, dita e Flamurit Kombëtar të cilën e duan të gjithë shqiptarët përjashtuar kosovarëve, të manifestojë kundër këtyre marrëveshjeve, Demarkacionit dhe Zajednicës! Po llogarisin se në atë ditë festive në Prishtinë do të mblidhen shumë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina dhe diaspora dhe se këtë festë kombëtare ta (keq) përdorin për qëllimet e tyre politike! Natyrisht se është i pakundërshtueshëm fakti se këto dy marrëveshje janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën dhe si të tilla nuk duhet të pranohen por a është argument i mjaftueshëm që një festë e tillë të shfrytëzohet nga opozita e cila, për shkak të pafuqisë së saj të organizojë protesta që do të shkundnin qeverinë aktuale, një festë e shndërrojnë në fushat elektorale! Qeveria aktuale aspak nuk është e sigurt në fuqinë e saj sa është e sigurt në pafuqinë e opozitës për ta rrëzuar këtë qeveri! Qeveria, po e lypë në katër anët që të rrëzohet në shpinë sepse me këmbëngulje po deklaron se nuk hjek dorë nga marrëveshjet e dëmshme por nuk ka kush ta rrëzojë! Prandaj e ka komoditetin e sjelljes së shkujdesur dhe deklarimit se edhe refuzimi i anëtarësimit në UNESC-o paraqet sukses për Kosovën . Është non sens i llojit të vet dhe vetëm te ne mund të ndodhë që pas këtij dështimi flagrant, të gjitha kokat politike të mbesin të ruajtuara! Opozita , ose duhet të përcaktohet vetëm në organizimin e protestave gjithëpopullore, ose duhet t’i kthehet punës në Kuvend. Nëse vazhdon të gjuajë vezë dhe gaz lotsjellës në Kuvend, duhet të hjek dorë nga pagat, mëditjet, veturat dhe udhëtimet jashtë vendi. Edhe pozita duhet t’i nënshtrohet procedurës së njëjtë sepse nuk është duke punuar asgjë. Politikanëve të Kosovës sot mund t’ua bësh Kosovën lesh dhe ata nuk do të reagojnë fare. Po ua preke xhepin, kuletën, privilegjet apo pozitën, nuk ta falin dot, t’i nxjerrin sytë pa e bërë fjalën dysh!
Futbolli i turpit dhe i politikës
Në një ditë të caktuar dhe datë të caktuar u luajtën ndeshjet futbollistike miqësore midis Kinës dhe Tajvanit, Koresë Veriore dhe Koresë Jugore, Vietnamit të Veriut dhe Vietnamit të Jugut, Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore, Sudanit të Veriut dhe Sudanit të Jugut dhe Kosovës dhe Shqipërisë. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe thuaja vëllazërore. Ishte sikur të luheshin ndeshjet midis pjesëtarëve të popujve të njëjtë por të ndarë në mënyrë të dhunshme. Të gjitha përfunduan me rezultat 2:2. Turp, turp dhe turp!