REXHEP KASUMAJ: IDENTIFIKIM ME HUMBJEN!

Berlin, 6 shkurt 2019:
1.
Atllantizmi i ri ka tëholluar kësomotshëm ndjeshmërinë, gati doktrinare, për spastrimet etnike.
Franca e Egal-Libertesë nismëtoi cilësimin “gjenocid” për shfrenimin popullshojtës të ushtrive turke kundër armenëve qysh në fillimshekullin e ikur.

Sepse, krimi, sipas shkencëtarëve të së drejtës, nuk i nënshtrohet preskripcionit. Nuk vjetrohet kurrë.
Mirëpo, për ballkanës tani, e poashtu, retroaktivisht dikur, do të ketë prorë një sens e masë tjetër. Është një skajim i braktisur fisesh, do thonë teoricienë të varieteteve racore, i padenjë për qytetni e vetëjetesë. Por, sërish, dhe midis tyre gjeopolitika hartonte tabelën e ftohtë selektive…
2.
Shqipëria e vjetër që vente deri te Vërzja e Nishi (si e quante Konica) do të dëbohej biblisht nga kostumprerësit e zinj të Kongresit të Berlinit (qershor 1878). E pas do linte tokën e saj të shkrumuar dhe emrat, dëshmitë, varret, kujtesën e barit dhe shiut…
Në hullinë e po kësaj doktrine,
rreth 60 vjet më vonë, çamët do vriteshin e priteshin nën akuzën e kolaborimit fashist, duke i dorëzuar, tashmë thikës greke, hapsirën e tyre jetike.
Ndërkaq, në nisje të mijëvjetit të ri, shohin një shfaqje tjetër. Një miklim krimi e dredhkë interesi rrëzojnë atë idenë e ndjesisë me të cilën do niste ky shkrim.
Serbët e veriut të Kosovës, edhepse kolaboratorë të zjarrtë, madje të rreshtuar si falangë e regjimit fashist të Sllobodanit (pushtime, kampe përqëndrimi, varre masivë, dyndje përdhunore, therje fëmijësh, zbrazje vendjete) pretendojnë shpërnguljen bashkë me territorin e huaj.
Një paralele mes dy rasteve, ndaj, jep pozicione morale e historike krejtësisht të kundërta.
Në të dy kohët, së pari, do të kishte një Führer: i madh në Berlin dhe i vogël në Belgrad.
Pastaj, së dyti, ndërsa akuza e bashkëpunimit çam ishte e shpifur – bashkëpunimi i serbëve lokalë me programin e vozhdit të tyre ishte real.
Dhe, tutje, çamët do të banonin kryehershëm dhéun e vet atnor, kurse serbët s’janë veçse mbeturina rojash koloniale të regjimeve serbe n’për kohë ndryshme.
Së fundmi, kosovarë e çamë do të zhbëheshin forcërisht nga votër e lashtë, ndërkohë që serbët bëjnë shantazhin e ulët: ose mbeten si element denigrues ose ikin, por vullnetarisht, si pjesë e ideologjisë së “Anschluss”-it ariozofik me shtetin e Serbisë!
3.
E, pra (veç episodit austrohungarez), a nuk identifikohen shqiptarët me Europën vetëm përmes humbjes?
Këtë vrajë do t’a dëshmonin kanceleri e interesa heterogjenë të saj edhe së voni: gjatë luftës, kur do t’a sabotonin lirinë dhe gjatë paqes, kur sabotojnë pavarësinë.
Por ishte një urdhër i epërm në Zyrën ovale që copëtoi e i rimori Serbisë atë truall arbnor që i kishin dhënë si pajë Serbisë. Është, poaq sot, vullneti i saj madhnor që ruan kufijtë dhe asiston edukimin e vështirë politik e shtetëror të Kosovës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura