ENIS VELIU: KOSOVA – SHTET I MJERIMIT!

Prishtinë, 03. 12. 2014 – Bazuar në të dhëna zyrtare shihet qartë se 43 mijë e 910 punëtorë janë të punësuar nëpër komunat e Kosovës, e derisa 37 mijë e 418 të tjerë në institucione qendrore e të pavarura në vend. Por, në anën tjetër bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shihet shumë qartë se më shumë se 1 milion qytetarë janë të aftë për punë, e ku vetëm 282 mijë janë të punësuar rregullisht, aq sa figurojnë në të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Në bazë të një matematike të thjeshtë del se të papunësuar janë më shumë se 700 mijë kosovarë të aftë për punë, numër ky shumë më i madh sa ai që e prezantojnë zyrtarët e Qeverisë në largim… Nëse Qeveria e re vazhdon me avazin e vjetër, atëherë nuk do të shkojë shumë larg kur vendi do të zbrazet në tërësi. Këtu do të mbeten dhe do të jetojnë mirë pushtetarët e korruptuar dhe shërbyes civilë që me pagat e tyre nuk po arrijnë të përfundojnë muajin.
***

Të dhënat zyrtare flasin për një gjendje të rëndë ekonomike në vend, sado që zyrtarë të institucioneve në largim, po mundohen ta mohojnë një gjë të tillë. Këta të fundit për veten dhe familjarët e tyre janë përkujdesur më shumë sesa duhet, por jo edhe për qytetarët, nga të cilët ata kanë marrë vota për të marrë mandatin.
Krimi, korrupsioni, nepotizmi, janë tre faktorë që së fundi po e identifikojnë Kosovën në aspektin ndërkombëtar. E në anën tjetër të mirat e pakta që kanë mundur të ndodhin, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, kanë mbetur në hije nga të këqijat e shumta.
Ikja e të rinjve përmes Beogradit në shtete të ndryshme të Evropës, apo edhe më larg, ditëve të fundit është bërë normalitet.
Derisa më herët Qeveria ishte në “luftë” me të rinjtë që tentonin ta merrnin një rrugë për një jetë më të mirë. Por, tash kjo e fundit, më shumë po bën spektakël në pikat kufitare sesa veprime për të ndalur si dihet migrimin ilegal të të rinjve nga vendi ynë.

Këta të fundit (të rinjtë, por edhe të tjerat më të vjetër) nuk kanë rrugë tjetër për të siguruar bukë për veten dhe familjet e tyre, përpos ikjes në ndonjë vend më të mirë evropian, apo edhe më larg.
Bazuar në të dhëna zyrtare shihet qartë se 43 mijë e 910 punëtorë janë të punësuar nëpër komunat e Kosovës, e derisa 37 mijë e 418 të tjerë në institucione qendrore e të pavarura në vend.
Por, në anën tjetër bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shihet shumë qartë se më shumë se 1 milion qytetarë janë të aftë për punë, e ku vetëm 282 mijë janë të punësuar rregullisht, aq sa figurojnë në të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Në bazë të një matematike të thjeshtë del se të papunësuar janë më shumë se 700 mijë kosovarë të aftë për punë, numër ky shumë më i madh sa ai që e prezantojnë zyrtarët e Qeverisë në largim. Këta të fundit për interesa të tyre personale mundohen që Kosovën ta prezantojnë si është më së miri, por përpjekjet e tyre shpesh kanë qenë të kota.
Para pak vitesh përmes kampanjave të ndryshme të emetuara nëpër media të ndryshme të botës, Kosova ka shpenzuar miliona euro për përmirësim të imazhit. Por, tash pa dhënë para hiç, imazhi i Kosovës çdo ditë e më shumë po keqësohet nga imazhet që po publikojnë këto media, e ku ikja e të rinjve nga Kosova me autobus përmes Serbisë është bërë temë kryesore që hap edicionet qendrore të lajmeve të këtyre mediave, që më herët merrnin para për reklamim të Kosovës.
Varfëria në vend gjithnjë e më shumë po thellohet, pasi që e gjithë ekonomia e vendit është e varur nga importi. Prodhuesit vendorë në Kosovë edhe më tutje nuk po mund të jenë konkurrentë me prodhuesit serbë të cilët edhe më tutje kontrollojnë tregun kosovar përmes “miqve” që kanë në Kosovë.
Andaj hapja e vendeve të reja të punës në prodhim dhe bujqësi edhe më tutje mbetet e vetmja shpresë për ta ndalur emigrimin ilegal përmes Serbisë. Përndryshe nëse Qeveria e re vazhdon me avazin e vjetër, atëherë nuk do të shkojë shumë larg kur vendi do të zbrazet në tërësi.
Këtu do të mbeten dhe do të jetojnë mirë pushtetarët e korruptuar dhe shërbyes civilë që me pagat e tyre nuk po arrijnë të përfundojnë muajin.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura