BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: KUSH PO MUNDOHET TË SHES MEND NË KUVEND?!

Pashtriku.org, 03. 10. 2014: (Është shtyrë takimi dhe u gëzua Hashimi, plasi kijameti se fort na u hidhërua Ismeti): Kryesuesja e seancës konstituive, zonja Flora Brovina e caktuar si kryesuese e mbledhjes në bazë të certifikatës së lindjes e kishte caktuar vazhdimin e saj për datën 2 tetor 2014. Thuhej se e treta është e vërteta e që nënkuptohej se më në fund, trimat dhe trimëreshat e politikës e të gjitha fiseve (partive) politike të Kosovës kishin mbledhur mend dhe se kjo seancë do të përmbyllej me sukses. Aq më parë që në këtë proces apo më mirë të them lojë të maskave, si lehtësuese ishte angazhuar presidentja e Kosovës, znj.Atifete Jahjaga, aktualisht lojtari më i fuqishëm dhe më i besueshëm politik e që jo fort moti ishte personi më i injoruar, më i nënçmuar dhe më i përçeshur pikërisht nga këta që sot duan ta marrin pushtetin me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet, të lejuara apo të ndaluara! E mos të flasim për analistë apo gazetarë që shkathtësitë e tyre gjuajtëse i stërhollonin pikërisht duke e shndërruar presidenten Jahjaga në një pëllumb prej argjili për ta pushkatuar publikisht. Tash kërkojnë ndërhyrjen e saj të shpejtë dhe të vendosur në përputhje me Kushtetutën për ta shpëtuar vendin nga “ngërçi“ politik që e paska katandisur PDK, si “pakicë“ parlamentare dhe duke ofruar si alternativë një “qeverisje të shpresës“ e cila aspak nuk dallon nga ndonjë grupim i ardhur nga Kolumbia. Thënë të drejtën, as këta që janë tash në pozitë, disa prej tyre, nuk dallojnë fort nga këta”kolumbianët kosovarë” që po na ofrojnë “shpresë “.

2 tetori 2014 – dita e të moshuarës Flora Brovina dhe “ngërçi” I V’LAN’it!

Keni vërejtur se ata që na ofrojnë “shpresë“ nuk dinë as të lexojnë atë që ua kanë shkruar dikush tjetër, intelektual me vlera të larta morale dhe kredibilitet profesional gjithsessi sikur që as në aspektin material nuk mund të radhiten në kategoritë sociale! Këta që kanë bërë miliona duke i shërbyer popullit dhe atdheut sigurisht se do ta hudhnin një, dy apo disa milionë vetëm ta bënin një “selvije“ me Barak Hysein Obama e lëre më të hynin në senduiç midis Barakut dhe Mishel siç bëri zonja presidente pa shpenzuar edhe një cent të vetëm! Por, realisht e kemi këtë gjendje që e kemi dhe këta që po na udhëheqin sot apo ata që duan të na udhëheqin nesër prandaj të gjitha kombinimet bëhen brenda këtyre mundësive deri në kohën kur do të ketë njerëz që vërtet e duan vendin, i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të vendit. Ne, përfundimisht nuk jemi të tillë! Të gjithë shpresonin dhe po shpresojnë se presidentja Jahjaga, me një recetë amerikane do t’i bindë “kolumbianët kosovarë“ të merren vesh por duket se s’ka gjë prej kësaj pune prandaj edhe kryesuesja e seancës , zonja Flora Brovina u detyrua ta shtyjë vazhdimin e seancës për një afat të pacaktuar dhe bëri shumë mirë! Një popull që ende nuk i ka shëruar traumat e luftës nuk e meriton t’i përjetojë traumat e paqes! Nga ata që çdo e bëjnë për pushtet e jo për shtet! Dhe zonja Brovina, si mjeke dhe humaniste është mbështetur pikërisht në faktin se qytetarët e Kosovës duhet të kursehen nga dhunuesit mujsharë të cilët kanë hyrë në një rrugë qorre ndërsa përpiqen të na bindin se jemi në autoudhën e Kombit “Xhevë Lladrovci – Krasniqi“. Po të kishte sens politik në PDK, menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen kundërkushtetuese të Isa Mustafës për kryetar të Kuvendit është dashur ta tërheqin zonjën Brovina nga kryesimi i seancës konstituive në mënyrë që të krijojnë hapësirë për tetka Millkën e LS apo Muhamet Mustafën e LDK-së që janë më të moshuarit në Kuvend pas zonjës Brovina. Në këtë mënyrë do të kursehej Flora Brovina nga fyerjet e shumta që i janë bërë, akuzat për kapjen e Kuvendit dhe bllokimin e proceseve për formimin e institucioneve e që nuk janë aspak të sakta sepse ajo ka punuar në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Po të vepronte kështu PDK, edhe ajo do të lirohej nga akuza se e ka kapur Enver Hasanin dhe gjyqtarët e tjerë të GJK përjashtuar gjyqtarin Carolan që në “mbrojtje të parimeve“ nuk ka pranuar të kapet! Gjithashtu nuk do të akuzohej se ka kapur institucionet dhe se ka bllokuar formimin e institucioneve. Këtë nuk e ka bërë dhe nuk e bënë PDK sepse nuk dinë ta kapin momentin e volitshëm politik ndonëse akuzohen se janë kapës të mëdhenj pikërisht nga këta që edhe vet duan të shndërrohen në kapës. Kështu, e kanë vënë në siklet të madh Florën por edhe veten në vend që t’ua lënë në duar patatet e nxehta tetka Millkës së LS dhe Muhamet Mustafës së LDK-së! Paramendoni se si do të zhvilloheshin ngjarjet nëse seancën konstituive, pas vendimit të GJK do ta udhëhiqnin tetka Millka e LS apo Muhamet Mustafa i LDK-së ?! As këta, kurrën e kurës nuk do të kishin guxim të vepronin sipas “skenarit“ të VLAN-it sikur që as Isa Mustafa nuk do të merrte guximin ta pranonte kandidimin për postin e fituar me votat e restoranit – Te Pishat! Do të shihnim nëse do të bënin debat apo do të mblidhnin nënshkrime. Përralla janë këto mirëpo PDK nuk e shfrytëzoi mundësinë, që në mënyrë krejt të rregullt ta fusë VLAN-in në luftë me Gjykatën Kushtetuese. Do ta kishte kot Donika që në pauzë ( sikur midis dy raundeve të boksit) të defilojë me 126 dhe 127. Duket se edhe në PDK kishte panik dhe nuk po del se janë kapës shumë potentë! Prej 120 deputetëve i kam pasur frikën vetëm Ismet Beqirit sepse ai është i paparashikueshëm dhe trim i “çartun“! Kur e thotë diçka Ismeti, nuk e luan as topi! Edhe në aspektin profesional, juridik dhe sidomos kushtetuese mendimi i Ismetit nuk mund të kundërshtohet. Kot e ka Enver Hasani, i kapuar nga PDK, SHIK, FBI, CIA, BIA, MOSAD, SAVVAK, UDB, KOS, AL NUSRA dhe organizatat tjera bëmirëse që thotë se 127 nuk paraqet asgjë për VLAN kur Ismeti tha botërisht dhe heroikisht se ky është mendim personal dhe privat i Enver Hasanit dhe se Isa Mustafa do të jetë kryeparlamentar i Kosovës. Imagjinatë simpatike ka Ismeti! Kështu mund të thotë deri me datën 1 prill kur mund edhe t’i besoj! Këto pikat 126 dhe 127 në Kosovë u bënë të famshme si të pasmet e Kim Kardashianit, 2+2. Vetëm për to flitej. Madje disa miq dhe mikesha që i kam në VLAN e që kohëve të fundit më përshëndesin gjysëmilegalisht, në vend të mirëmëngjes apo mirëdita thonin 126 dhe 127! Sidomos ata ose ato që kanë mbetur jashtë lojës dhe këto pika i shndërruan në vota për rikthim të tyre në politikë! Duket se shpresa nuk vdes e fundit por vdes pas pikave 126 dhe 127-të! Flora Brovina është duke gabuar rëndë që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese po pranon të jetë kryesuese. Ajo duhet të tërhiqet dhe për këtë i ka 100 arsye.
Okupojeni Kuvendin e Hajkobillës
Duket se opozita e ka shumë seriozisht. Në mungesë të Florës dhe me lejen e Bajram (jo Gecaj) por Begut hynë në sallën e Kuvendit të Kosovës duke e kundërshtuar Florën pse e ka shtyrë vazhdimin e seancës. Dhe e bënë gabimin e radhës që më shumë shkon në mullirin e PDK-së dhe Hashim Thaçit se që e ndihmon VLAN-in. Nuk patën guxim ta propozojnë Isa Mustafën për kryetar por “debatuan“ për Shkup e Shkodër. As Isa nuk pati guxim të bëhet kryetar. Çuditërisht as Ismeti që për mua është befasi e madhe nuk pati guxim ta propozojë Isën! Zhvillime dramatike! Gjendja mbeti e njëjtë por opozita i futi veti një autogol! Me rëndësi është të shënohet! Edhe kjo është një arsye shtesë që Flora Brovina të mos pranojë më të udhëheqë vazhdimin e seancës. VLAN ka pasur të drejtë të shpreh mospajtim me shtyrjen e seancës konstituive në oborrin e Kuvendit, në holin e Kuvendit apo në zyrat e grupeve parlamentare por jo në sallën e Kuvendit, sepse aty kanë hyrë ilegalisht dhe të paftuar nga askush. Ky është rast i mirë që presidentja e Kosovës, në bazë të autorizimeve kushtetuese që i ka, ta shpërndajë Kuvendin duke e çuar vendin në zgjedhje të reja. Nëse nuk merren vesh atëherë të dalin para votuesve ku do ta marrin, ose dënimin ose do të shpërblehen me votat e tyre. Natyrisht se këta deputetë nuk do të duhej të merrnin rroga fare për aq kohë sa sillen në këtë mënyrë. Çka janë duke bërë për t’i merituar rrogat! Duhet të paguhen me mëditje për aq kohë sa sillen në këtë mënyrë apo në përputhje me punën që e bëjnë. E tash, lexues të nderuar vlerësojeni ju se sa punojnë këta deputetë që për mospunën e tyre paguhen sa 45 deri në 50 pensione të një pensionisti kosovar! Apo sa 15-20 paga mesatare që janë sot në Kosovë! Për diçka jam shumë i sigurt; pa një marrëveshje politike kurrë Isa Mustafa nuk do të bëhet kryetar i Kuvendit. Sikur që jam i sigurt se edhe me një marrëveshje politike (e vonuar tash) nuk garanton se Hashimi, Ramushi apo Isa do të marrin postin e kryeministrit! Këta janë kurbanët për Festën e Kurban Bajramit! Mishin e të cilëve nuk duan ta hanë askush. Përveç kanibalëve politikë që presin në radhë ta zënë vendin e tyre!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura