BEHXHET SH.SHALA: MË 3 NËNTOR GAROJNË KANDIDATË TË ‘ZGJEDHUR’, ME OFERTË TË TREDHUR!

Prishtinë, 06. 09. 2013 – Zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 janë zgjedhje të Serbisë që organizohen në territorin e Kosovës… KQZ është bërë si një nënkomision për organizimin e zgjedhjeve lokale të ndonjë fshati në Kragujevc, Nish apo Smederevska Pallanka. Vetëm zbaton urdhëra të politikës vendore, ato ndërkombëtare dhe të Serbisë!… Në shtetet normale certifikimin e Listës Unike Srbija nuk do ta bënte KQZ por me te do të merrej Prokuroria e shtetit… Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 vjedhja e votave do të llogaritet si vlerë etike dhe detyrim patriotik në ndërkohë që si mbulesë arsyetimi do ta ketë një gabim të vogël teknik! Më 3 nëntor, për të parin e Prishtinës garojnë, Isa i LDK-së, Agimi i PDK-së, Shpendi i VV-së, Besniku i AAK-së, Kaqusha e PSD-së, Valoni i LB-së dhe Korabi i AKR-së!
Isai me apostujt tjerë
Zgjedhjet lokale në Kosovë që do të organizohen me 3 nëntor 2013 janë vërtetë historike! E çka nuk mbeti pa u bërë historike në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri te përpjekja që kjo luftë vërtetë të përfundojë fizikisht në kohën kur është intensifikuar lufta e ftohtë apo lufta speciale siç e quajnë strategët ushtarakë dhe të sigurisë. Fatmirësisht Kosova ka sa të duash kësi strategë të sigurisë dhe ushtarak ndonëse nuk kemi fare ushtri ndërsa sigurinë e kemi më të qëndrueshme se në Çeçeni. Sigurinë e kemi të shkëlqyer në Kosovë falë punës së palodhshme të EULESH-it i cili ra cop duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupcionin si pjesë aktive e saj dhe krimet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare Sidomos është treguar i mrekullueshëm duke luftuar krimet kombëtarë pasi i ka mbushur burgjet me “kriminelë” shqiptarë të të gjitha profileve, strukturave, moshave, besimeve, përkatësive politike etj. Këtu e kanë mbajtur fjalën sepse gjithmonë kanë premtuar se do t’i kapin “peshqit e mëdhenj” në ndërkohë që po merren me do sardele të lodhura fare. Ndryshe, po të kishte drejtësi dhe zbatim të ligjit edhe disa hetues, gjyqtarë, prokurorë dhe ekspertë të ndryshëm të vendeve të ndryshme brenda EULESH-it do të duhej të bëheshin banorë të Dubravës apo burgut për Siguri të Lartë në Gërdofc të Besianës. Prandaj edhe e kemi gjendjen si e kemi. Dhe do ta kemi edhe një kohë të gjatë! Për sigurinë në Kosovë gjithashtu po kontribuon BIA e Serbisë, strukturat kriminale në veri që do të legalizohen përmes procesit të dekriminalizimit falë Ligjit për Amnisti i cili ua mundëson institucionalizimin e krimit pas zgjedhjeve historike! Për sigurinë në Kosovë kontribuojnë shumë edhe më shumë se 25 shërbime të huaja informative dhe kundërinformative. Për këtë arsye edhe jemi aq të sigurtë!

Më 3 nëntor, për të parin e Prishtinës garojnë, Isa i LDK-së, Agimi i PDK-së, Shpendi i VV-së, Besniku i AAK-së, Kaqusha e PSD-së, Valoni i LB-së dhe Korabi i AKR-së!

Do të isha injorant i certifikuar nëse nuk do ta përmend edhe Policinë e Kosovës e cila është jashtë (zakonisht) kontribuese në luftë kundër të gjitha krimeve. Të organizuara apo spontane! Edhe ne jemi me fat që e kemi një Agjencion (në mes shumë të tjerave) Kosovar të Inteligjencës i cili është bërë si xhebraili! Ata që po verifikohen nga AKI, deri në vlerësimin përfundimtar po kanë problem me gjumë! Ka filluar të këndohet një këngë e re: “Bashkim Smakaj e mbrehu shpatën, edhe një herë o për situatën…”. Partitë politike në Kosovë dhe institucionet e vendit në nivelin lokal e sidomos ate qendror janë kontribues për sigurinë në Kosovë, rajon, nivelin global dhe procesin e integrimit në BE, NATO, anëtarësimit në OKB si dhe në shoqatën e tredhjes së cjepërve dhe deshëve në Mallakastër! Brilante, duhet ta pranoni edhe ju! Talibanët e Al Kaidës vetëm sa kanë filluar të kontribuojnë në aspektin e sigurisë në Kosovë me mundësi që ky kontribut të intensifikohet në të ardhmën ! Premtuese gjithssesi! Ne jemi vërtetë legjendarë! Në Siri ka vullnetarë shqiptarë që luftojnë kundër Beshar-et al Asadit në ndërkohë që edhe kryeministri ynë kërkon të bombardohet ushtria e Asadit. Presidentja ka qenë e prerë dhe jashtëzakonisht bindëse kur ka kërkuar që të bombardohen forcat e Beshar-et el Asadit! Keni kujdes në këtë rast! Udhëheqësit tanë nuk po përkrahin intervenimin ushtarak në Siri por po kërkojnë të intervenohet! Këtë e bëjnë vetëm ata që kanë forcë. Asnjëherë nuk i kam pranuar vullnetarët shqiptarë në luftën e Spanjës. Ata luftonin për “lirinë” e popullit spanjoll në kohën kur edhe Shqipëria si dhe Kosova si pjesë e saj ishin të okupuara nga serbët dhe okupatorët tjerë! Prandaj nuk e kuptoj pse shqiptarët duhet të vriten në Siri ! As në Spanjë e as në Siri nuk ka qenë dhe nuk është luftë e shqiptarëve dhe nuk bëhet për interes të shqiptarëve. “Heronjtë“ e luftës qytetare në Spanjë binin në emër të radikalizmit ideologjik sovjetik (Kominternës) ndërsa “martirët“ e Alepit ranë në emër të radikalizmit islamik. Të dyja janë të huaja dhe të dëmshme për ne! Puna e Kominternës u pa ndërsa puna e radikalizmit islamik po shihet dhe do të shihet edhe më shumë në të ardhmën!
* * *
Bëra një hyrje për situatën e sigurisë sepse kjo është vendimtare për organizimin e zgjedhjeve historike të 3 nëntorit 2013. Çfarë e kemi sigurinë, të tilla do t’i kemi edhe zgjedhjet. Besoj se më keni kuptuar se kur kam shkruar për akterët dhe aktorët përgjegjës për sigurinë në Kosovë në fakt kam dashur të them se këta janë kontribuesit kryesorë për këtë siguri çeçeniane dhe e mirëmbajnë këtë siguri si të tillë! Që nënkupton mirëmbajtjen dhe lulëzimin e krimit të të gjitha profileve. Si në aspektinë e cilësisë ashtu edhe atij sasiorë. Zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 janë zgjedhje të Serbisë që organizohen në territorin e Kosovës. Sepse, deri më tani janë përmbushur 100% të kërkesave të palës serbe ndërkaq kosovarët e Halilit, Nexhit, Imerit, Xenit të Edit e shpërndarësve të tjerë të farës së keqe janë radhitur në anën e atyre që po e krijojnë historinë e re “kombëtare“ dhe ”shtetërore“ duke e shkërdhyer dhe dhunuar pikërisht shtetin në fazën e pubertetit të hershëm! Politikanët, të ngulur në kunxh (si në kohën e sulltanëve “çlirimtarë“) besojnë fort në teorinë e forcës së gravitetit andaj nuk po kundërshtojnë fare sepse do të nguleshin thellë e më thellë. Kështu, mirë është puna! Ndërkombëtarët e kanë zgjedhur problemin e shkopit dhe të karrotës duke e ndarë në dysh. Karrotën e kanë ndarë për Serbinë ndërsa shkopin për Kosovën! KQZ është bërë si një nënkomision për organizimin e zgjedhjeve lokale të ndonjë fshati në Kragujevc, Nish apo Smederevska Pallanka. Vetëm zbaton urdhëra të politikës vendore, ato ndërkombëtare dhe të Serbisë! Hiqeni llogon dhe simbolet tjera shtetërore dhe ato hiqen! Ndryshe shkoni në shtëpi! Në shtëpi nuk shkohet sepse përballeni me një situatë depresive duke qenë të detyruar të jeni bashkë me gruan apo burrin. Aty nuk ka rroga, mëditje, turizëm gjeografik, shkëlqim të kamerave dhe përfitime të tjera. Shtëpia ka përgjegjësi, KQZ është e papërgjegjshme sepse askujt nuk i përgjigjet!
Zajedniçka lista iz Srbije i lista kosovara iz Kosova i Metohije
Janë këto dy blloqet kryesore që do të garojnë në zgjedhjet lokale historike të 3 nëntorit 2013. Zajedniçka lista iz Srbije apo përkthyer në gjuhën e pakicës shqiptare në Kosovë, Lista unike Srbija është lista e kandidatëve serbë që e kanë përpiluar Daçiqi, Vulini etj., dhe të cilët do të garojnë për kryetarë komunash në Kosovë dhe për kuvendarë të kuvendeve komunale dhe është listë unike për tërë Kosovën. Nga emërtimi i kësaj liste (Srbija) shihet qartë se ata vdesin nga dëshira të integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës dhe se me përkushtim i pranojnë autoritetet më të larta të shtetit të Kosovës siç janë: Tomislav Nikoliq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vuçiq, Vulinin, Drecunin etj. Nëse kjo listë i fiton shumicën e mandateve për serbët e Kosovës, të Serbisë, Vojvodinës, Malit të Zi dhe të Rusisë atëherë përfundimisht do ta përligj federalizimin e Kosovës. Më mirë do të ishte që kjo listë të vlente vetëm për komunat veriore sepse në këtë rast do të kishin më shumë gjasa partitë serbe që i kanë pranuar dhe që janë integruar me kohë në institucionet e Kosovës. Kjo listë do ta margjinalizojë shumë Slobodan Petroviqin por edhe Rashiqin të cilët nga Beogradi llogariteshin si serbët e Thaçit dhe do t’i fuqizojë strukturat radikale. Dhe po del se këtu humbësi më i madh do të jetë Hashim Thaçi sepse po mbetet pa serbët e tij në ndërkohë që me shqiptarë nuk i ka punët shumë mirë! Si ngushëllim për një kohë po i mbetet baronesha Ashton! Baronesha Ashton, ah baronesha Ashton! Mos më mbuloftë dheu pa përqafimin e saj dhe pa bekimin e myftiut Tërrnava! Në shtetet normale certifikimin e Listës Unike Srbija nuk do ta bënte KQZ por me te do të merrej Prokuroria e shtetit. Kosova si rast sui generis do ta lejojë edhe këtë. Me ndihmën e miqve ndërkombëtarë dhe me lehtësuesit e OSBE-së! Baca Adem tha se nëse kjo pranohet atëherë ky është kapitullim i shtetit të Kosovës. Unë po them; Bac u krye sepse moti i kemi çuar duart lart! Disa besa edhe këmbët! E pastaj po ankohemi se po na …..i shkelin të drejtat tona! Shpresat m’i mbanë gjallë Valdete Daka sepse jam i sigurt se kur do të votohet për certifikimin e Listës unike Srbija ajo do të tregojë vendosmëri! Do të abstenojë! Nuk e di nëse ka lidhje familjare me deputetin Hydajet Hyseni mirëpo sa i përket votimit janë si binjak njëvezorë. Oportunistë legjendarë sepse në rast të votimeve me rëndësi ata abstenojnë!
Blloku tjetër garues i përbërë nga të gjitha partitë tjera që janë certifikuar, demokratike dhe jodemokratike, iniciativat qytetare dhe koalicionet fshatare, klientë të prokurorit Besim Kelmendi, atdhetarë, dhunues dhe shkërdhyes të ardhmërisë së këtij vendi, bashkëpunëtorë të Serbisë dhe konsuj të Rusisë, muxhahedinë të Afganistanit dhe demokratë të Kazakistanit, milionerë që dikur mbathnin opinga të Pirotit dhe banditë që plaçkisin kosovarë në Rrugën e Kombit afër Milotit, vullnetarë të Gardës së Car Dushanit dhe politikaj analfabetë që kundërmojnë me parfum falso të Xhorxho Armanit, prostituta të kontrabanduara dhe prostituta intelektuale me grada shkencore të falsifikuara, hajdutë dhe injorantë të veshur me petkun e deputetit dhe ata që i kryejnë shërbime orale kryetarit – mbretit!
Pa dyshim se këta gladiatorë modern nuk do të dorëzohen aq më parë që hajnia do të jetë e lejuar, madje e stimuluar! Për zgjedhje historike nuk kanë fare rëndësi disa “lëshime të vogla teknike”! Prandaj, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013 vjedhja e votave do të llogaritet si vlerë etike dhe detyrim patriotik në ndërkohë që si mbulesë arsyetimi do ta ketë një gabim të vogël teknik!
Diçka për titullin:
1. Isa Mustafa për LDK-në po bëhet Hazreti Isai sepse po u siguron edhe mandatin e tretë për Prishtinën. Për këtë nuk kam fare dyshim. Duke ia siguruar mbijetesën LDK-së dhe disa elefantëve me mandat të përjetshëm brenda këtij subjekti. Nuk besoj se dikush nga apostujt (konkurentët) politik mund ta rrezikojë fitoren e tij. Aq më parë që edhe nuk është punuar fare për sfidimin serioz të Isës! Sikur nuk kanë pasur interesim ta bëjnë këtë! Të vetmin kundërshtim serioz që e kanë bërë ka qenë pengimi i ndërtimit të WC-ve publike! Merreni me mend! Po kush janë apostujt kundër Isait ?
2. Agim Çeku një ushtarak prej karriere. Me rastin e kandidimit ka vepruar pikërisht si ushtarak sepse ka zbatuar urdhërin e Shefit! Është kandidat për kryetar të Prishtinës ndonëse nuk është PDK-ist i bindur. Është uniseks partiak duke qenë anëtar i disa partive dhe padyshim PDK nuk do të jetë partia e tij e fundit! Kandidimi i tij është veprim i mençur sepse nuk ka qenë në rregull të hudhen në flakë dhe të digjen Liraku, Shemi, Blerandi apo Memli. Agimi është si xhami rezistues në temperatura të larta. Skuqet por nuk thyhet. Ky madje as nuk skuqet! PDK duhet të luftojë për sa më shumë vende në Kuvendin Komunal. Aty e shoh forcimin e saj. I vetmi kandidat i PDK-së i cili do ta sfidonte Isën seriozisht do të ishte Behgjet Pacolli. Po tash është vonë!
3. Shpend Ahmeti i VV ka kredibilitet dhe potencial për udhëheqjen e Prishtinës. Por jo edhe për fitore sepse në balotazhin eventual do të përballet me LDK, PDK, AAK dhe AKR që do të bëhen bashkë për të mos e lejuar fitoren e tij! Shpend Ahmeti po e paguan kryeneçësinë e VV për të mos bërë koalicione me subjektet tjera apo për të bërë koalicione sipas kushteve të saj.
4. Korab Sejdiu është si Garet Bejli i Realit. Transferi i tij në AKR u bë në çastet e fundit. Si ai i Bejlit nga Totenhem në Real. Transferi i Bejlit në Real kushtoi 100 milionë euro. Nuk dihet për shumën e transferit të Korab Sejdiut nga LDK në AKR. Nuk e besoj se e ka thye rekordin e transferit të Mimoza Kusarit! Politikisht ka humbur. Pacolli e ka transferuar Korabin në AKR për zgjedhjet e përgjithshme e jo për ato lokale. Po bën përpjekje Tit(o)anike, miku im Pacolli për ta kapërcyer pragun zgjedhor. Korab Sejdiu ka bërë gabim në hapa në politikë ndonëse mund të ketë bërë llogaritje të mirë në shifra!
5. Besnik Tahiri është këmbëngulës. I ka hyrë një maratone garuese. Ka vizion shumë të mirë për Prishtinën të cilën mund ta realizojë… vetëm nëse bëhet pjesë e ekipit të Isa Mustafës në një koalicion eventual!
6. Kontributi i vetëm i Kaqusha Jasharit është se nuk do të votojë për Agim Çekun.
7. Gjasat e Valon Muratit nga LB janë të përafërta me ato të Kreshnik Spahiut në Shqipëri. Edhe Valoni po kërkon që Prishtina të bashkohet me Fushë Kosovën në kohën kur po punohet në ndarjen e Prishtinës. Valoni mbetet luftëtar i përbetuar i bashkimit të trojeve shqiptare. Bashkimi me Shqipërinë nuk po shkon si duhet. Ta provojmë pra me Fushë Kosovën! Definitivisht Valoni është debatues elokuent, sharmant dhe i edukuar!
* * *
Kuvendarët e Zveçanit i kanë falur gjashtë (6) hektarë tokë të malit Mokra Gora regjisorit rus Nikita Mihajlov si përkrahje për mbështetje të popullit serb dhe Serbisë. Kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama ka emëruar këshilltar politik për rajonin Shkelzen Maliqin, mbijetuesin e të gjitha regjimeve në ish Jugosllavi, Serbi, nën UNMIK, EULESH dhe tash në Kosovën e pavarur dhe sovrane. A kanë të përbashkëta diçka këto ngjarje? Vlerësoni vet, lexues të nderuar!  Adriana Hoxhiq, shefe e Zyrës për Mitrovicën e Veriut ka deklaruar se do t’i deklasojë strukturat paralele në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Me këtë deklarim e ka humbur rastin të jetë edhe sekretareshë teknike në zyrën e Kërstimir Pantiq, shef i krahut politik të krimit të organizuar në veri dhe mbase edhe kryetar komune në të ardhmën!

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura