DR.JAKUP KRASNIQI: PSE HESHTIN QEVERITARËT TANË PËR SULMET QË VIJNË NGA BEOGRADI

Prishtinë, 09. 10. 2105: Nuk duhet të jesh lexues e dëgjues i vëmendshëm që mos të vëresh inferioritetin e krerëve të koalicionit qeverisës (Kryeministrit dhe vartësit të tij), para sulmeve të vazhdueshme që vijnë nga kryeparët e politikës së Beogradit. Vetëm ditëve të fundit nga tre të parët e politikës se Beogradit (Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi), pra pas marrëveshjeve të 25 gushtit, të thoshin, Nikoliqi: “Gjithçka në Kosovë është e Serbisë”, Vuçiqi: “Kërkon nga Greqia që mos të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në UNESK-o”, ndërsa Daçiqi: “Shqiptarët janë si ISIS-i”. Të gjitha këto dhe shumë çka tjetër që në kontinuitet vijnë nga Beogradi, nga krerët e koalicionit dhe jo vetëm nga ta, është një heshtje varri. Ndërsa në të njëjtën kohë, kërret e koalicionit dhe deputetët, besa dhe deputetet, nuk lënë që tu shpëtoj asnjë rast për t’ju kundërvë opozitës që është vërë në mbrojtje të shtetit, e cila po kundërshton me dinjitet, Marrëveshjet komprimituese të 25 gushtit 2015.
Unë e kam vështirë që ta kuptoj,

– pse ky qyqarëllek i krerëve të qeverisë së Republikës së Kosovës pas pavarësisë dhe njohjeve të shumta ndërkombëtare?!
– Nga ç’ideale udhëhiqen Kryeministrat tanë?
– Nga idealet e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim apo nga “idealet” e lëvizjes pacifiste për vetënënshtrim?
– Ku dhe si u tretën idealet kombëtare ke brezi i lirisë e i pavarësisë?
– Cilat ideale i përvetësuan pas gjashtëmbëdhjetë viteve të lirisë?
– Ku ju zu “bishti me derë”, këtyre njerëzve që kanë varë qafën kaq shumë, para kriminelëve të dëshmuar të luftës, siç janë: Nikoliqi, Vuçiqi e Daçiqi?
– Madje, po në ketë frymë, në frymën e vetënënshtrimit, shpesh shfaqën të vetëquajturit “intelektual”, të cilët na i penguakan, kush tjetër veç heronjve, të cilët nuk mund t’ju përgjigjen, këtyre sulmeve “kafshore” “intelektuale”?!
Dhe intelektualët “tanë” heshtin dhe heshtja është një lloj pranimi i asaj që prodhon “kafshëria” “intelektuale” antikombëtare. Këtu natyrshëm shtrohet një pyetje, sigurisht jo vetëm për ketë rast.
– Pse ky kafshim “intelektual” ndaj shqiptarëve të sotshëm e të djeshëm, ndaj heronjve të sotshëm e të djeshëm?
Kur para kafshërisë armike zvarritet kafshëria “intelektuale”. Është keq që më të tillë kafshëri “intelektuale” a “politike”, mund ti përsëritet historia këtij vendi të nëpërkëmbur e të këtyre njerëzve të mjerë që durojnë gjithçka derisa durojnë “t’ju shitet shapi për sheqer”?! Ashtu si po ju shiten marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndoshta edhe këto marrëveshje mund të pranoheshin si një kompromis i hidhur, siç është bërë në rastin e pakos së Ahtisarit kur kompromisi u përpi në shkëmbim të Pavarësisë së Mbikëqyrur. Ndoshta ka pasur mundësi të përpihet si kompromis i hidhur Marrëveshjet e Brukselit, sikur të normalizoheshin marrëdhëniet me Serbinë dhe të kishim njohje të dyanshme, sikur Kosovës ti hapej rruga e anëtarësimit në OKB, njohja nga të gjitha vendet e BE-së, liberalizimi i vizave dhe të krijohej një frymë e re në Ballkanin tonë. Por diçka e tillë nuk po duket në horizont dhe fusnota nuk po “shkrihet si fjollë borë”?!
Ky koalicion qeverisës duhet ta kuptoj dhe dëgjoj zërin e arsyeshëm të opozitës së bashkuar, se marrëveshjet janë të dëmshme dhe jo vetëm për një mandat qeverisës, por për gjenerata të tëra. Vetëm ky fakt do të duhej ta obligonte Kryeministrin Mustafa ta tërhiqte nënshkrimin dhe me ketë hap nuk do të bënte ndonjë veprim të pa njohur. Nëse ketë nuk mund ta bëjë, ai duhet ta shpallë një moratorium, të dorëheqej dhe vendi të shkohej në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të ishin një lloj referendumi. Në zgjedhje do të duhej të shkohej për ose kundër marrëveshjeve në fjalë. Po të verifikoheshin të njëjtat parti në zgjedhje, atëherë mund të konsiderohet se me veti e kanë edhe vullnetin qytetarë. Nëse Kryeministri e tërheq nënshkrimin, atëherë nuk shkohet në zgjedhje dhe opozita e bashkuar i kthehet punës normale të Kuvendit. Nëse nuk tërhiqet nënshkrimi, atëherë si zgjidhje e kësaj krize mbeten moratoriumi e zgjedhjet e parakohshme. Çdo veprim i dhunshëm apo kryeneçësi tjetër mund të prodhoj efekte të pa kontrollueshme! Zëra të arsyeshëm duhet të dalin në sipërfaqe, si nga vendorët ashtu edhe ndërkombëtare, me qëllim që të këshillohet mirë Kryeministri. Deri tani nuk mund të themi se kemi pasur këshilltarë të mirë në qeverisjen e vendit dhe në marrjen e vendimeve që kanë pasoja afatgjata.
Kthimi i normalitetit në jetën institucionale, politike e demokratike mbeten në duart e Kryeministrit. Ai duhet të zgjedh e të merr, për interesin e vendit, Kryeministër i të cilit është. Ai duhet të jetë i përgjegjshëm për gjendjen në të cilën është. Qenia e tij si akademik duhet ta bëjë që të sillet me përgjegjësinë e akademikut e jo me gjuhën me të cilën ai komunikoi, vritmëni!!! se nga Vuçiqi nuk ndahem dot?! Ndërsa, Vuçiqi dhe shteti i tij, nuk e kanë gatishmërinë që t’i normalizojnë marrëdhëniet me shtetin që e qeverisë koalicioni qeverisës. Në FAKT atij po i kërkohet dorëheqja e jo jeta, mbase dorëheqjen e kupton, si jetë a vdekje..
Ndoshta në ketë rast do të duhej që ta ndihmonte Akademia e Shkencave dhe e Arteve te Kosovës, anëtar i së cilës është zoti Mustafa?!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura