Prishtinë, 18. 05. 2013 – Mund të folni si të doni dhe mos ta pranoni si fakt mirëpo sot njeriu më i fuqishëm në Kosovë materialisht, politikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht është Behgjet Pacolli. Hashim Thaçi nuk bënë gjumë të qetë pa u konsultuar me Behgjetin. Për këtë arsye edhe e ka emëruar zëvendëskryeministër të Parë! Behgjet Pacolli u kërcënua se: ”nëse brenda 24 orëve Blerim Rexha nuk jep dorëheqje apo nuk shkarkohet Behgjeti do të hallashtiset me Hashimin. Hashimi nuk kishte zgjidhje tjetër prandaj Blerimi iku! A mundet lexues të nderuar njeriu të jetojë pa zemër, shpirt, sy, vesh, mendje dhe tru ?! Sigurisht se nuk mundet prandaj Hashimi u përcaktua për Behgjetin i cili i ka të gjitha këto! Pastaj, AKR kishte një argument të fuqishëm kur kërkonte largimin e Blerim Rexhës.
AKR – YLLI MË I RI NË FLAMURIN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKES!
Lefsh i keq dhe me nafakë
Dikush përfundimisht lind me fat dhe fati e përcjell tërë jetën. Pavarësisht punës që e bënë. Mbrapsht punon, mbarë i del! E ka gjakun e ëmbël dhe personat shumë të rëndësishëm kapen pas tij si mizat pas m..jaltit! Në fakt këta persona shumë të rëndësishëm nuk janë asgjë tjetër përveç mizave. Prandaj edhe shkojnë te vendi. Te m..jalti! Sepse tërë jetën e tyre ashtu kanë vepruar. Pavarësisht titujve të rendë akademik dhe shkencorë që i bartin. Thjesht, janë të përcaktuar që tërë jetën e tyre të jenë miza!
– Kryeministri dhe Zv-kryeministri –
Në jetë, nëse mendon të jetosh mirë duhet të kesh shumë kujdes me kend bëhesh mik. Mik me të fortin nënkupton të kesh kallauzin që i hapë të gjitha dyert! Nëse bëhesh mik me të ligun apo të lodhtin atëherë edhe çelësi i derës sate nuk ta hap atë derë! Megjithatë, jeta është shumë interesante dhe me shumë zhvillime të pa-pritura! Kohë më parë, Dino Asanaj që ishte në krye të korporatës më të madhe mafioze dhe kriminale në Kosovë e quajtur Agjencia Kosovare e Privatizimit u “vetëvra” duke e therur veten jo më pak se 11 herë! Përkundër dyshimeve se ai mund të jetë vrarë për shkak të keqpërdorimeve industriale materiale aty, u “bindëm” se ka bërë vetvrasje! Ishte një bord me vendorë dhe ndërkombëtarë që nuk bëri as përpjekjen më të vogël ta zbardhë fatin e shefit të tyre! As ndërkombëtarët që kanë ndikim të 100% nuk reaguan fare! Sepse AKP ishte Eldorado për të gjitha hajnitë dhe shpërdorimet që mbeteshin të pahetuara dhe të pandëshkuara. Në Bord kishte ministra injorantë të shndërruar në grabitçarë të pangopshëm dhe anëtarë të tjerë të padijshëm që të vetmin veprim të mirë që dinin ta bënin ishte shtrirja e qafës, mbyllja e gojës dhe humbja e të pamurit për një kohë të caktuar! Derisa shqyrtoheshin tenderët për privatizim! AKP u shndërrua në një grazhd për zhvatje dhe plaçkitje të mbuluara me fatura siç ishin ofertat për privatizim! Paraprakisht dihej se kush do ta blinte një objekt të caktuar apo një pronë të caktuar! Të gjithë e lavdonin procesin e privatizimit duke kërkuar përshpejtimin e privatizimit të objekteve të mbetura! I vetmi ndërkombëtar që nuk u ”pajtua” me AKP dhe procesin e privatizimit ishte Don Andrea Kapusella ndryshe ish frekuentues i grazhdit dhe i cili po kafshon vetëm pasi mbeti pa taxhi! Prandaj, për anëtarë të Bordit të AKP por edhe të disa bordeve tjera ku hedhin valle injorantët e të gjitha ngjyrave partiake, politike, etnike, seksuale etj. vlenë thënia e urtë popullore: ”lefsh i keq dhe me nafakë”! Megjithatë ky urim në këtë rast dhe raste të ngjashme shumë herë thuhet si mesele e Drenicës duke i bërë me dije se herët a vonë këtyre që: ”lindin të këqinj dhe me nafakë “ u kahet nëna, besa edhe baba por edhe do anëtarë tjerë të familjes. E lere më atyre!
Dorëheqje, tërheqje apo…?!
Lirisht mund të thuhet se koha më e mirë në AKP ishte koha kur mbeti pa kokë dhe kur nuk merreshin vendime. Mirëpo e mira zakonisht nuk zgjatë shumë! Është si një ëndërr. Më në fund, pas shumë problemeve në vend të Dino Asanaj u zgjodh Blerim Rexha. Një profesor fakulteti. Një intelektual i shkolluar në Austri. Premtues me gjasë në fushën akademike! E që nuk nënkupton të jetë premtues edhe si menaxher i një kompanie si AKP. Për të udhëhequr AKP nuk mjafton profesionalizmi por preferohet të jeshë i hurit dhe konopit! I ngjyer, i lyer dhe i pjekur në të gjitha vajrat! Duket se Blerim Rexha ka qenë larg së kërkuarës! Diplomat e Vjenës janë zero krahasuar me shkollën e nëntokës. Me të përfunduar studimet në Vjenë e fiton një diplomë ndërsa me t’u bërë anëtarë i Cosa Nostras në Kosovë si degë e amës në Itali, përveç postit dhe mbështetjes e merr një detyrim për t’i shërbyer familjes si njëra nga qelizat e kooperativës mafioze. Ky Blerimi nuk u pranua nga të gjithë sepse cilësohej si kandidat partiak. Kandidat i PDK për të cilin votuan pakicat dhe partneri i fuqishëm i kësaj partie, Aleanca për Kosovë të Re ndryshe pronë private e bosit Behgjet Pacolli! Thashë më lartë se jeta është e pa-parashikuar prandaj edhe mandati i Blerim Rexhës ishte si mandati i jetës së një fluture! Nuk zgjati as tre muaj të plotë! Nuk e di se cila ishte arsyeja e vërtetë e ”dorëheqjes” së tij mirëpo e them me përgjegjësi se nëse Blerim Rexha për çdo ditë të mandatit të tij do të merrte nga një thes me para nuk do ta dëmtonte AKP sa e kanë dëmtuar paraardhësitë e tij me një privatizim të vetëm që e kanë bërë! Aq më parë që ky nuk ka pasur kohë as të pijë kafe për këta tre muaj jo të plotë të mandatit. Natyrisht se djalli nuk duket në planin global por në detaje ! E unë nuk kam njohuri për detajet! Nuk më ka befasuar aspak ky përfundim sepse jam i sigurt se AKP ka qenë adresë e gabuar për Blerim Rexhën për të cilën ka kuptuar vetëm pasi i kanë lënë litarin në duar duke i treguar drurin ku do të duhej ta vendoste litarin së bashku me veten e tij! Po e them figurativisht sepse në çastin kur nga Bordi i AKP është tërhequr përfaqësuesja e SHBA, në fakt është nënshkruar ekzekutimi i Blerim Rexhës! Pastaj, kur “miku” i përbetuar amerikan dhe” proamerikani” më i madh në mesin e shqiptarëve Behgjet Pacolli ka urdhëruar që anëtari i Bordit të AKP nga radhët e AKR të tërhiqet nuk kam pasur fare dilemë se e pati puna e Blerimit! Mund të folni si të doni dhe mos ta pranoni si fakt mirëpo sot njeriu më i fuqishëm në Kosovë materialisht, politikisht, kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht është Behgjet Pacolli. Hashim Thaçi nuk bënë gjumë të qetë pa u konsultuar me Behgjetin. Për këtë arsye edhe e ka emëruar zëvendëskryeministër të Parë! Behgjet Pacolli u kërcënua se: ”nëse brenda 24 orëve Blerim Rexha nuk jep dorëheqje apo nuk shkarkohet Behgjeti do të hallashtiset me Hashimin. Hashimi nuk kishte zgjidhje tjetër prandaj Blerimi iku! A mundet lexues të nderuar njeriu të jetojë pa zemër, shpirt, sy, vesh, mendje dhe tru ?! Sigurisht se nuk mundet prandaj Hashimi u përcaktua për Behgjetin i cili i ka të gjitha këto! Pastaj, AKR kishte një argument të fuqishëm kur kërkonte largimin e Blerim Rexhës. Argumenti nuk ishte se Blerimit i mungon pregaditja shkollore dhe profesionale por se ai me veprimin e tij i kishte zemëruar amerikanët! Dikur mënyra më efikase për diferencimim ishte cilësimi se je kundër vëllazërim – bashkimit, socializmit vetqeverisës dhe bashkëjetesës. Pra se ishe kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Përkthyer në kohën e sotit diferencohesh shumë shpejt dhe në mënyrë efikase nëse cilësohesh si antiamerikan dhe antievropian! Unë pata dështuar në lidhjen e miqësisë me Tina Kajdanov dhe Kristofer Dell dhe sot e kësaj dite po i vuaj pasojat! Materiale dhe politike! Mirëpo kur po ndalem dhe mendoj disi po ndjehem mirë dhe i qetë shpirtërisht sepse nuk u kam hyrë në hak as Tinës e as Dellit. Për kokë të presidentit Pacolli dhe shokut Pushikar!
Prishtinë, 1981 – Restorant `DORA`: UDB’ashi Selim BROSHA (i pari nga e majta) duke ngrënë e pirë me bisnesmenin Behgjet PACOLLI (në mes) – aktualisht zv.kryministër në qeverinë e Kosovës! ( UDB-ashi Selim Brosha gjatë viteve të 70’ta dhe 80’ta ka rrahur e gjymtuar mijëra atdhetarë, të cilët u dergjën burgjeve të ish’jugosllavisë!!!)
* * *
Blerim Rexha nuk ka guxuar të jep dorëheqje sepse në këtë mënyrë po e pranon se ka përgjegjësi. Ai është dashur të qëndrojë deri në shkarkim. Atëherë të tjerët do të ishin përgjegjës! Siç realisht edhe janë! Dëgjova se paska deklaruar se miqtë (mbase ata që ia duan të mirën) i paskan thënë se më mirë është ta shohin për dorëheqje se për kryeshëndosh. Mbase ka aluduar në rastin Asanaj.
AKR ka demonstruar proamerikanizëm ekstrem. Besnikëri deri në flijim të një posti siç ishte ai i anëtarit të Bordit të AKP-së! Tash, mos u befasoni nëse në vend të një ylli në flamurin amerikan të shihni shkronjat e arta AKR! Bosi i AKR mendon se bëhet amerikan dhe se amerikanët e pranojnë si të besueshëm nëse dëshmon se është larë në Oqeanin Atlantik. Po harron se nuk harrohet lehtë se një kohë të gjatë është larë në Jadransko More dhe Çernoje More. Është e pamundur të mbijetosh politikisht gjatë në Detin e Vdekur!
Bedel në emër të Amerikës
Dikur rusët e patën dërguar një ekspeditë në hënë . Ekspedita përbëhej nga astronautët Jurij Gagarin dhe Valentina Terjeshkova. Me vete e kishin edhe një astronaut jonjeri. Një qen të quajtur Çajka. Nëse kujtesa nuk më ka tradhëtuar. Ata e ngulën në sipërfaqe të hënës flamurin e ish BRSS-së. Për të dëshmuar dominimin e rusëve në gjithësi! Paramendojeni tash, që si bedel të amerikanëve të shkojnë në mars apo në marsh një ekspeditë astronautësh. Në vend të Jurij Gargarinit do të ishte Behgjet Pacolli ndërsa në vend të Valentina Terjeshkovës do të ishte Mimoza Kusari. Në vend të astronautit jonjeri e që ishte qeni Çajka me Gjetin dhe Mozën do të shkonte një njeri – kudër. Ndryshe anëtar shumë i besueshëm dhe i devotshëm i PDK-së. E di se e keni shumë vështirë ta qëlloni se për kend e kam fjalën mirëpo mundohuni pak. A mos doni me ua sjellë informatën në pjatë a?
Katër me një
Takova një profesor ndryshe emër shumë të njohur në fushën akademike me një përvojë më shumë se 45 vjeçare ligjërimi në Universitetine Prishtinës. Në fakt, ai nuk e ka derdhur as një pike të vetme djerse për të edukuar studentët e tij për dashuri ndaj kombit , lirisë, pavarësisë dhe shtetit por është mbytur në det me djersë duke ligjëruar për socializmin vetqeverisës, vëllazërim – bashkimin , Jugosllavinë dhe druzhe Titon si dhe Kushtetutën e 74 e cila paska qenë shumë e mire për shqiptarët. Ai e akuzonte Adem Demaçin se po flet kundër Hashim Thaçit dhe qeverisë në ndërkohë që Thaçi i ka ndarë një page mujore Adem Demaçit. Kështu foli horri dhe mbeti gjallë I cili në kohën e Titos merrte një rrogë kurse në kohën e Hashim Thaçit i merr katër rroga! Kohë e horrave dhe e korbave është kjo!