DILAVER GOXHAJ: NË TIRANË U MBAJT TRIBUNË SHKENCORE, PËR DEMARKACIONIN KOSOVË – MALI I ZI

Tiranë, 11. 6. 2016:  Prof.Dr. Mark Palnikaj, pedagog në Universitetin Politikenik të Tiranës, me origjinë nga treva e cila kërkohet nga Mali i Zi, midis të tjerave solli një shembull tipik të vitit 1900 midis Serbisë dhe Bullgarisë, ku, nënshkruesit serb të asaj marrëveshjeje, e cila ishte në dëm të Serbisë, me vendim qeverie ju pre dora me të cilën ai kish nënshkruar atë marrëveshje. “Kjo, tha ai, duhet aplikuar edhe me nënshkruesin kosovar të kësaj marrëveshjeje famëkeqe midis Kosovës e Malit të Zi”.

***

Më 10 qershor 2016, ora 10.00-13.00, në kuadrin e 138 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, në Tiranë, në sallën e Bibliotekës Kombëtare, u mbajt Tribuna Shkencore me temë: “Aspekte ndërkombëtare, gjeografike, politike e historike lidhur me Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi”, organizuar nga Qendra për Promovim dhe Zhvillim, Tiranë&Kosovë, me pjesëmarrjen e 140 intelektualëve prej Shqipërisë, të cilët kanë lëshuar thirrjen kombëtare: “Jo territore për viza!”. Në këtë tribunë shkencore qenë ftuar për të referuar shkencëtarët e fushës përkatëse nga Kosova Pr.Dr. Zejnulla Gruda, Pr.Dr.Zymer Neziri, Pr.Dr.Shpejtim Bulliqi, Pr. Dr.Florim Isufi, ndërsa nga Shqipëria referuan Pr.Dr.Ksenofon Krisafe, Pr.Dr.Myslim Pashaj dhe Pr.Dr.Pëllumb Xhufi.
Të gjithë autorët e kumtesave shkencore në këtë tribunë i referoheshin dokumentave historike e arkivore si dhe botimeve serbe e jugosllave të kohëve të ndryshme, e në mënyrë të veçantë hartografisë serbe e asaj jugosllave të kohës, duke filluar nga viti 1925 e në vijim 1942, 1945, 1946, 1949, 1958, 1962, 1965, 1975, 1986 të hartuara nga Instituti Gjeografik Jugosllav, hartës së ushtrisë gjermane të vitit 1943, Atllasit Gjeografik Jugosllav (botim i Zagrebit 1965) si dhe Enciklopedisë Ushtarake Jugosllave të vitit 1972 e asaj të Vjenës dhe, veçanërisht Kushtetutës së Malit të Zi të vitit 1946, ku të gjitha këto dokumenta të hartuara nga profesionistët më të mirë serbë e malazezë të atyre periudhave kohore, e përcaktojnë qartë vijën kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës, i cili kalon në Qafën e Kaçorrit dhe jo atje ku e ka përcaktuar së fundi Komisioni Qeveritar i Kosovës i kryesura nga z. Meha dhe i nënshkruar nga z.Hashim Thaçi.

Ligjërimet profesionale, tepër shkencorë dhe të ilustruar me dokumenta historike e arkivore nga zotërinjtë Zejnullah Gruda dhe Florim Isufi ishin aq të qarta e të argumentuara sa mund të bindet edhe një njeri me zhvillimin më minimal e jo më një deputet i parlamentit të Kosovës.
Në diskutimet e lira folën disa pjesmarrës, por vlen për t’u theksuar diskutimi i Prof.Dr. Mark Palnikaj, pedagog në Universitetin Politikenik të Tiranës, me origjinë nga treva e cila kërkohet nga Mali i Zi, midis të tjerave solli një shembull tipik të vitit 1900 midis Serbisë dhe Bullgarisë, ku, nënshkruesit serb të asaj marrëveshjeje, e cila ishte në dëm të Serbisë, me vendim qeverie ju pre dora me të cilën ai kish nënshkruar atë marrëveshje. “Kjo, tha ai, duhet aplikuar edhe me nënshkruesin kosovar të kësaj marrëveshjeje famëkeqe midis Kosovës e Malit të Zi”.
Interes paraqiti edhe shpjegimi që bëri Prof.Florim Isufi rreth qëllimit të kësaj marrëveshjeje: Me këtë marrëveshje Mali i Zi kërkon të përvetësoi Pellgun e Belluhës, për të zhvilluar turizmin malor, pasi është një rajon ku bora fillon më herët dhe shkrihet më vonë në krahasim me të gjitha trevat e tjera të Kosovës dhe Malit të Zi; pellgu është i pasur jo vetëm me ujëra të bollshme por edhe me një bimësi të harlisur të shumëllojshme; terren shumë i përshtatshëm për komunikacion dhe ngritjen e resoreve turistike, ka një rrjet të dëndur lumor mesatarisht 1.373 km/km2, në 10 raste ka mbi 2km gjatësi lumore, ndërsa në 5 raste 1 deri 2km2, duke qenë një pellg shumë interesant në aspektin hidrik. Lumi Bjelluha mesatarisht ka prurje 0.8-0.9 l/s, e në raste ekstreme deri 1.35 l/sek; ndërsa liqeni artificial në lumin Bjelluha, nëse penda do të ngrihej 300 metra, sasia maksimale e ujit të akumuluar do të ishte rreth 220 milion m3 ujë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura