(Pashtriku.org, 1 qershor 2012 – “Sipas raportit në Bruksel, janë rreth 700 agjentë të shërbimit sekret të Serbisë në Kosovë, ndërsa 200 të tjerë janë në Shqipëri, Bullgari, Greqi etj. Pjesa më e madhe janë politikanë, gazetarë, biznesmenë dhe ushtarakë. Brukseli kërkon hapjen e dosjeve të agjentëve të Milosheviçit, çka mund të shkaktojë një “tërmet politik” edhe në Prishtinë e Tiranë!” – Shën.i portalit pashtriku.org)
_________________________________________
Ky është një dokument “tepër sekret” i arkivuar në arkivin e KOS’it!
_________________________________
Vetëm 700 spiujë sa patriotë jemi!
Së fundi doli një informatë se Millosheviqi ka pasur rrjetin e spiujve në Kosovë numri i të cilëve ka qenë 700. Për njohësit e kësaj fushe ky numër nuk është edhe aq i saktë dhe mund të besohet se shifra e plasuar është në fakt përpjekje për të mbrojtur rrjetin e informatorëve të Serbisë që është ende aktive në Kosovë Është një perde tymi prapa së cilës mbrohen informatorët e vërtetë. Asgjë më tepër ! Ndryshe, nëse në numrin e 700 spiujve të Millosheviqit në Kosovë llogaritet të jenë përfshirë të gjithë ata që kanë vepruar në favor të UDB dhe kundër interesave të shqiptarëve atëherë kjo shifër nuk është fare e besueshme. Aq më parë kur kemi parasysh faktin që Serbia edhe në kohën e veprimeve ushtarake pati aktivizuar disa biznesmenë medial dhe spekulantë prej biznesmenësh për formimin e Qeverisë së Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Kjo shifër që u bë publike pikërisht nga shërbimet e sotme serbe mund të sigurojë një besueshmëri vetëm nëse është fjala për informatorë – spiujë të profilit të lartë! Të cilët edhe sot kanë status të tillë. Tash të konvertuar në patriotë, nacionalistë, demokratë, mbrojtës të diversitetit etnik, seksual dhe politik! Analistë që u shkon fjala, oborrtarë në qeveri, presidencë dhe kuvend si dhe pinjoll të shoqërisë civile! Këshilltarë të Hashimit (të jashtëm e sidomos të brendshëm), të afërt me presidenten Jahjaga dhe këshilltarë të shumë ministrave apo edhe në pozita më të larta. Kosova është shumë e vogël për të qenë strehë e sigurt për spiujt e atëhershëm dhe këta të sotit. Të gjithë ne i njohim spiujt e lagjes sonë. Ata të vegjlit! Për të mëdhenjt vetëm mund të spekulojmë. Shërbimet sekrete kurrë nuk i bëjnë publikë emrat e spiujve të vërtetë. Madje, nëse është nevoja që dikush të digjet politikisht apo kombëtarisht atëherë plasohen dosjet e improvizuara. Për disa spiuj të dobishëm për Serbinë që sot janë edhe në majat e pushtetit lëshohen në opinion vetëm disa informata “akuzuese“ për ta që nuk e zvogëlojnë fuqinë e veprimit por që shkaktojnë një “ tërmet “ medial. Dosjet e vërteta nuk bëhen publike kurrë! Ai që një herë ka hyrë në shërbim të UDB e që ka paraqitur një vlerë për këtë shërbim nuk ka pasur mundësi të lirohet nga ky shërbim. Pa pasoja. Për jetën! Dhe ne i nxjerrim sytë njëri – tjetrit ndërsa dosjet janë në Beograd. Mund dhe duhet të jenë edhe në Zagreb dhe Lubjanë për periushën e ish Jugosllavisë por jo edhe për kohën e sundimit të Millosheviqit. Prandaj, spiuj të të gjitha profileve dhe të të gjitha kohërave vazhdoni të jetoni dhe punoni pa ndonjë shqetësim për sigurinë apo reputacionin e fituar me “nderë”, sakrificë dhe shumë mund. Republika e Kosovës demokratike dhe sidomos multietnike është në mbrojtje tuajën. Dhe jo vetëm kaq. Ju garanton dhe siguron mirëqenie materiale, rehabilitim politik dhe status të privilegjuar në shoqëri. Kush më ka kohë të merret me këta që deklarohen patriotë apo që kanë sakrifikuar! Me ta nuk shkohet në Evropë! E keni përkrahjen edhe të miqve ndërkombëtarë. Mos na lashtë Zoti pa ta!
_______________________________
Shtesë e pashtriku.org
(Mitrovicë, 1 qershor 2012- Së paku një ushtar i KFOR-it dhe tre serbë janë plagosur sot në veri të Mitrovicës gjatë përleshjeve mes KFOR-it dhe grupeve serbe tek barrikada në fshatin Rudar. Plagosjen e ushtarit e ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i cili ka thënë se gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Raportohet se serbët e plagosur janë shtrirë në spitalin e veriut të Mitrovicës, ku mjekët serbë thonë se njëri prej tyre është në rrezik jete, transmeton KTV.
__________________________________
FIFA dhe Himara
Ishte ditë dhe mbrëmje zie në Shqipëri dhe viset tjera ku jetojnë shqiptarët e ndarë në mënyrë të dhunshme dhe të cilët pengohen të realizojnë një të drejtë elementare njerëzore ; bashkimin e tyre kombëtar. Ishte ditë kur humbën jetën 11 njerëz, qytetarë dhe shqiptarë në një aksident komunikacioni në Himarë dhe kur u lënduan rendë dhe lehtë edhe 20 të tjerë. Në çdo vend normal ky do të ishte lajm kryesor. Te ne ishte lajm kryesor informata jo e saktë dhe e paverifikuar se FIFA ka lejuar që Kosova mund të luaj ndeshje miqësore në futboll me shtetet e tjera. Renditja e lajmit ishte e neveritshme. E pamoralshme dhe e turpshme. Kjo është dëshmi se në çfarë mjerimi informativ jemi duke jetuar.
President koncensual në një mjedis të dyshimt moral
Shqipëria po ka problem me zgjedhjen e një presidenti që do të ishte i pranueshëm për shumicën. Salua bëri përpjekje me propozimin për Xhozin së cilës i mungon koncensualiteti. Është 100% e pranueshme për Salon por të tjerët nuk duan ta shohin fare në këtë post. Opozita nuk ka kandidat, as koncensual e as personal. Rama bllokon por nuk propozon. Kandidati i propozuar nga Salua, z. Zogonjari e mori kartonin e kuq nga opozita. Besoj se formulja e daljes nga ky lëmsh duhet të kërkohet në formulën si Kosova e zgjodhi presidentin “koncensual“, zotni Gjet Macollin ndryshe konsull nderi i Kazakistanit. Situata në Shqipëri është e përafërt me ate në Kosovë. Në Kosovë ishte Delli apo Dielli që vranë e kthjell. Në Shqipëri është z.Arviza që lëshon viza për president koncensual, parcial, moral, sakral etj.etj. Edhe në Kosovë si edhe në Shqipëri ka bythlëpirës që shiten për një grusht euro apo lekë. Shqipërisë i mungon një koordinator që e menaxhon procesin e votimit të paanshëm për president e të cilin Kosova fatmitësisht e ka pasur. Ai është z. Esad Pushikar. Prandaj, që procesi për zgjedhjen e presidentit në Shqipëri të përmbyllet me sukses duhet të rentohet për një seancë zoti Pushikar. Për shërbime nuk duhet të nguteni e ta paguani menjëherë. Mundet edhe më vonë. Nëse nuk e paguani në Shqipëri mund ta organizoni një safari në Afrikë ku z. Pushikar në cilësinë e turistit do të paguhet si këshilltar i presidentit të ardhshëm të Shqipërisë. Edhe “presidenti“ i Kosovës zotni Gjet Macolli me para të buxhetit të Kosovës pagoi z. Pushikar shërbimet e tij për koordinim të zgjedhjes së tij për president duke rimbursuar faturat kinse ka lobuar në shtet e Afrikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në emër të lobimit. Cosa Nostra e vërtetë.
Zyra Administrative apo komuna fakultative
Me të madhe po flitet se do të ketë bisedime politike për Veriun ku palë biseduese do të jetë Serbia. Politikanët tanë po bëjnë be dhe rrëfe se nuk flasin me Beogradin për çështjet e brendshme të Kosovës. Shumica e tyre nuk janë besimtarë prandaj as betë nuk i kanë të forta. Edhe më pak të besueshme. Është një nonsense kur thuhet se po krijohen dy komuna të Mitrovicës për t’u integruar veriu!! Duhet diçka të ndahet në dyshe për t’u bërë pastaj njësh! Ose jam krejt i marrë e nuk kuptoj asgjë ose kësaj po i vie erë legalizimi i gjendjes ekzistuese. Mundësi të tretë nuk shoh. Tash po spekulohet se Zezdita po del prej loje së bashku me Borkon dhe Kuperin sepse bisedimet po bëhen më serioze prandaj duhet një nivel më i besueshëm dhe më i lartë ! Disa poste institucionale në Kosovë janë imagjinatë e çastit dhe domosdoshmëri e “ faktorizimit “ të një politikani që duhet ta luaj një rol episodik në një proces të trukuar politik! I tillë ishte roli i Zezditës. I tillë është roli i Gjet Macollit pronar i koperativës parapolitike të quajtur AKR dhe firmës “shverc-commerce“. I tillë do të jetë roli i atij që do të caktohet për bisedimet politike për veriun. Do të digjen si qiriu i at Savës në Manastirin e Deçanit. Krejt çka do të prodhojë do të jetë një tym i zi dhe një masë amorfe e qirit të shkrirë. I tillë ishte roli i Ylberit të Mitrovicës. E mira e së mirës është se këta po e dinë rolin që duhet ta luajnë dhe përfitimet që do të dalin nga ky aktrim. Prandaj nuk mund të arsyetohen dhe të thirren në parimin e Biblës: “faljau o Zot sepse nuk dinë çka po bëjnë“. Ky argument mbrojtës eliminohet. Prandaj askush nga ata që po përfolen se do t’i udhëheqin bisedimet vullnetarisht nuk do të pranojunë këtë rol prej “shpëtimtari“. Vetëm një zor i madh mund t’i detyrojë të pranojunë këtë detyrë “patriotike“. Ky “argument mund t’i bind. Jam i sigurt se ka shumë argumente detyruese. Dhe se do të binden. Unë do të përkrah secilin që arrinë ta integrojë veriun. Secilin që do t’i zbusë strukturat paralele, ilegale apo kriminale. Jam pro bisedimeve me ta. Duhet të bisedohet me ata që bëjnë probleme sepse ata edhe mund t’i zgjidhin problemet. Por, nëse detyrohemi të bisedojmë me strukturat paralele e do të detyrohemi pa asnjë dyshim, atëherë më mire është të bisedohet me Beogradin. Sepse strukturat paralele, ilegale dhe kriminale janë bishti ndërsa Beogradi është koka. Dhe nuk është në rregull që të bisedohet me bishtin kur ke mundësi të bisedohet me kokën. Truri nuk është në bisht por në kokë! Nuk jam fare optimist se nga këto bisedime do të dali hajr për Kosovën. Miqtë ndërkombëtarë e kanë prerë biletën për status special të veriut dhe jo vetëm të veriut. Ndaj nesh po e luajnë një lojë të pamoralshme! EULESH mban qëndrim neutral ndaj statusit, KFOR si forcë e fuqishme ushtarake del jashtë mandatit dhe kërkon bisedime politike. Për heqjen e barrikadave nuk mjafton urdhëri nga Napoli por priten urdhërat nga jashtëtokësorët e Marsit! Serbët mund të përdorin dhunë, shqiptarët duhet ta kthejnë shpinën! Serbët janë pjesë e shengenit të bardhë, shqiptarët janë në lista të zeza! Udhëheqësit e UÇK trajtohen dhe akuzohen si kriminelë, Nikoliqi si demokrat sepse qenka ransformuar në çetnik të moderuar!
Zyra Administrative me angazhime fakultative parashihet të hapet së shpejti. Në një pjesë të shtetit ku mungon pushteti kjo zyrë nuk do të jetë politike por teknike! Teknike ndërkaq që do të ketë forcë ekzekutive! Puna u bë përshesh e lesh! Besoj se nuk ka gjë prej kësaj pune përveçse do të hapen do vende të reja të punës ku serbët e punësuar do t’i marrin nga dy rroga; njërën nga Prishtina dhe tjetrën nga Beogradi. Zbatimi i diskriminimit pozitiv në praktikë! Më bëri shumë përshtypje “shkathtësia“ dhe “inteligjenca“ e një gazetari i cili i pari solli lajmin për përfundimin e punës për hapjen e Zyrës Fakultative në Lagjen e Boshnjakëve. Nga vendi i ngjarjes raportoi se punët janë në përfundim dhe përcolli mesazhin e usta Qazimit ( nëse ashtu e ka emrin ) i cili duke përzjerë betone dha mesazhin se punët do të përfundojnë për 4 ditë dhe se nga kjo zyrë do të përfitojnë qytetarët dhe se pret ditë të mira. Për disa gazetarë jo që duhet zbatuar nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal por duhet të shpiken edhe 100 mijë nene të tjera. Që e sanksionijnë injorancën dhe servilizmin!
Nikoliqi e dha betimin para skupshtinës së Serbisë duke premtuar se Kosova dhe Metohija është dhe mbetet pjesë e Serbisë. Ashtu patën deklaruar edhe baballarët e tij politik, Millosheviq dhe Sheshel. Dihet se ku janë tash. I pari i vdekur fizikisht dhe faktikisht ndërsa i dyti i vdekur politikisht! Nikoliqi ka qëndruar 20 vjet në opozitë prandaj nuk jam i sigurt se ka vullnet që përsëri të bëhet opozitë! Jam i sigurt se do të jetë më bashkëpunues për Kosovën se Tadiqi. Nëse dëshiron të mbijetojë politikisht. Ose, në të kundërtën mund të bëhet Koshtunica nr.2. I mbetur në margjina!
_____________________________________
(ILUSTRIMET JANË TË PASHTRIKU.ORG)