ELIFE PODVORICA: I DASHUR XHAXHI AFRIM!

Prishtinë, 3. 11. 2106: (Në 27 vjetorin e rënies – Letër nga një grup i studentëve në Mërgim) – Në momentin kur vendosëm të shkruanim këtë letër, me rastin e rënies Tënde heroike, jemi larg Atdheut në procesin e studimeve, ashtu siç ishte ti atëherë, student 24 vjeçar!
Fati ynë ishte, se u rritëm dhe u edukuam nën frymën e veprës Tënde! Tani kur jemi në lulen e rinisë, e kemi kuptuar mirë, se çfarë fati dhe krenarie është që t’i takosh një populli, nga gjiri i të cilit janë rritur djemë si Ti, me atë potencial intelektual që kishe si një djalosh në moshën tënde të njomë studentore!
Je vërtetë burim frymëzimi për ne, kur nga këndvështrimi i sotëm kohor, e analizojmë fuqinë tënde intelektuale për të sjellë reforma aq të guximshme, nën një sistem i cili ishte betonuar më shumë se një shekull, bazat e të cilit ishin të ndërtuara mbi padrejtësinë e popujve më të mëdhenjë, ndaj atyre më të vegjël, siç ishte populli shqiptar i ndarë e i coptuar në mënyrë të padrejtë nga interesat e ndryshme të kohës!
Me admirim i kemi studiuar e analizuar aktivitetet tua politike, të cilat u bënë tumor dhe rrëneuse e një shoqërie të degjeneruar jugosllave!
Fuqia ndriçuese e ideologjisë Tënde të pastërt njerëzore, ku faktor kryesor ishte Liria dhe të drejtat njerëzore të një kombi të skllavëruar me shekuj nga padronë të ndryshëm historik, na ka përcjellur dhe na përcjellë edhe më – në çdo hap, edhe pse nuk të kemi takuar në jetë!

Afrim i dashur!
Ke qenë personazh dominues në ninullat që na i këndonin gjyshet tona! Ndërsa tani, në moshën e pjekur, në vazhdën e studimeve tona nëpër shtetet e ndryshme të Europës, vazhdon të jesh burim frymëzimi në formësimin dhe kultivimin e ndjenjës sonë për dashurinë dhe respektin që çdo individ e ka borxh ta kultivojë ndaj Atdheut dhe kombit që i takon! Siç duket, gjatë rrugëtimit tuaj me plotë peripeti për kauzën tonë kombëtare, kishe kuptuar se një popull për t’u çliruar nga padrejtësitë skllavëruese shekullore, duhej të punonte me përkushtim e devotshmëri!
Duhej dashuri e guxim i pashembulltë! Duhej aftësi intelektuale për t’i luftuar programet e vjetëra shoviniste sllave, të përpiluar nga Akademikët e tyre dekada me radhë!
Dhe sinçerisht, mahnitemi me guximin tënd për të lëkundur ato themele të rrënjosura me shekuj në mënyrën më mjeshtërore, në kurriz të popullit që ti i përkisje!
Tanimë që kemi arritur t’i hapim sytë më shumë si komb! Tani që janë hapur edhe arkivat e mbyllura të Europës më shumë se një shekull, e kemi kuptuar se ne shqiptarët kemi qenë një popull shumë i zoti paqedashës dhe mirëkuptues në raport me fqinjët, e më gjërë!
Por, interesat e Fuqive të Mëdha dhe shtrembërimet e tyre historike, na e kishin përkulur kurrizin si popull, dhe mjerimi ishte pjesë e pandarë e qenies sonë kombëtare!
Kur i analizojmë angazhimet e organizimet tuaja me shokë, në ato kushte e rrethana, ku çdo gjë ishte e mundur, përveç të drejtës historike për popullin tonë që ai të jetojë i lirë, Ti guxove dhe bëre tërmet në sistemin e kalbur jugosllav, duke treguar shëmbëlltyrë për të pamundurën-se e drejta dhe liria shqiptare mund të jetë e mundur! Shumë e mundur! Vetëm se duhej mund e sakrificë, ashtu siç bëre ti! Andaj, nga kjo distancë kohore mes nesh, Ti tek ne, na zgjon krenari në çdo qelizë të qenies sonë! Dhe me vetëdije intelektuale e shkencore që kishe ti në atë kohë, ne rinia shqiptare të premtojmë se do të vazhdojmë rrugën që e kishe nisur para shumë dekadash! Që popullin tonë e trojet shqiptare t’i duam e respektojmë, ashtu siç i ke dashur ti – pa kompromis!
Gjakun Tënd dhe shokëve tuaj të idealit, nuk do të lejojmë të nëpërkëmbet kurrë! Idealin që pate për këtë tokë e këto troje, që Zoti na i pagëzoi Shqipëri, do ta duam e respektojmë me fanatizmin më të madhë!
Kjo ndjenjë po na forcohet çdo ditë e më tepër! Sidomos në këtë kohë kur po studiojmë dhe arsimohemi nëpër vende të ndryshme europiane, në të cilat historia dhe figurat e saja të rëndësishme, Dëshmorët – ata që ua kanë sjellur lirinë e tyre, tradita e vjetër dhe vlerat e saja që i unifikojnë si kombe, shkenca dhe kultura, mbi të gjitha të drejtat themelore të njeriut, respekti e dashuria, përgjegjësia, gatishmëria e vizioni largëpamës, që shteti e kombi të prosperojë në nivelet më të larta si virtyte të domosdoshme, ne studentëve shqiptarë, po na e qartëson dhe përforcon edhe më shumë dashurinë e respektin ndaj një djaloshi të quajtur Afrim, i cili qysh në moshën e tij, në atë rrëmujë sistemesh e interesash djallëzore ndaj njëri-tjetrit, kishte arritur që në mënyrën më njerëzore, intelektuale e me argumente historike, me paluhatshmërinë e tij ideologjike, me stoicizmin e tij liridashës, ta bindëte tërë botën, se populli shqiptar ishte një popull i vjetër me tradita shumë të çmuara fisnike, i cili nuk mund të duronte skllavërinë dhe i cili nuk ka lejuar që dinjiteti i tij si komb të përulej, sidomos nga ata popuj fqinjë që çdo gjë e kanë ndërtuar në mënyrë të rrejshme e të padrejtë në kurriz të popullit të tij!
Të betohemi se nuk do të lejojmë që asnjë fuqi interesash të këtyre kohëve, të na e cënojnë mundin dhe sakrificën tuaj! Sepse, kështu bën e gjithë bota e civilizuar! Ajo, e ka kuptuar dhe po e kupton çdo ditë e më shumë, se populli shqiptar është faktorë shumë i rëndësishëm në përmirësimin dhe forcimin e raporteve të mira ndërnjerëzore!
Se populli shqiptar, historikisht ka dëshmuar, se ka qenë kontribues i devotshëm në ndërtimin e urave të miqësisë dhe bashkëpunimit të mirëfilltë njerëzorë midis popujve të ndryshëm!
Se populli shqiptar, edhe atëherë kur popujve u ka humbur fija e ndërtimit miqësor midis tyre, ka pasur bijë e bija sikur Afrimi me shokë, që u ka trasuar rrugën e ndërtimit të një civilizimi, rrënjët e të cilit kishin filluar atëherë e atëbotë, në Mbretëritë Pellazge! E vetmja gjë që duhej të bënin fqinjët e tij gllabërues, ishte që të mësonin historinë më drejtë dhe ta respektonin më shumë ate!
Ne nuk do të lejojmë të harrohet për asnjë moment, qëndresa stoike deri në rënien heroike së bashku me Fahriun. Dhe ky akt sublim është mesazh i fortë për të gjitha breznitë shqiptare!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ju – Afrim Zhitia e Fahri Fazliu!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura