MR.AVDI GJATA: LUFTËRAT E LLAPIT PËR KOMB DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË

Prishtinë, 10. 04. 2013 – Duke e lexuar librin e Mr. Salih Salihut për historinë më të re të Kosovës dhe veçanërisht të Llapit, të bie në sy se pjesa më e madhe e saj, deri më tani është shkruar në kuadër të historisë së Kosovës e jo veçanërisht për Llapin e luftërat e popullit shqiptar të kësaj treve. Ajo, deri më tani sipas autorit, më tepër është mbështetur në disa deklarata dhe punime të disa autorëve shqiptar, në veçanti për disa tema të veçanta e disa periudha të caktuara të cilat nuk kanë rënë shumë në kundërshtim me vijën politike të kohës. Pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve e punimeve, janë të deponuara në Arkivin e Kosovës,në Institutin e Historisë të cilat mbështeten në kujtime e vlerësime të përjetuesve apo dëgjuesve të kësaj popullsie, apo në shtypin shqiptar të Kosovës e kohëve të fundit edhe në at të Shqipërisë.
Këtu, e më shumë se 100 vjet të shkuara me objekt studimi, historinë e sotme të shqiptarëve dhe veçanërisht atyre të Llapit, Salih Salihu me librin e tij; Luftërat e Llapjanëve për Shtet dhe Çlirimin e Shqipërisë, veten e gjen në mes kolegëve të pasionuar që ka krijuar një shans për të ecur më përpara në këtë fushë të pa hulumtuar mirë nga historiografia e deri tashme shqiptare.
Megjithatë, ka mbetur i pranishëm mendimi dhe ndjenja e përgjegjësisë e diktuar së paku nga dy arsye. Në të parën autori e ka thyer një heshtje të gjatë absurde dhe hedhë të dhëna të reja historike në zbrazëtinë e fjalës për shekullin e fundit që nuk është shkruar sa duhet e nuk është thënë ajo çka duhet thënë.
E dyta: Nëse historia e popullsisë së Llapit-Kosovës, mbetet imponuese me luftërat e përpjekjet e veta në kuadër të lëvizjes kombëtare shqiptare, po kaq ishte edhe tragjike me një dhunë të pashembullt e të gjatë të pushtuesit mbi të, për ta mbajtur nën sundim. Në këtë kontekst sado të thuash për Llapin, prapë do të jetë pak. Historia e kultura e saj si edhe rezistenca do të mbeten edhe për mjaftë kohë tokë e virgjër.
Në këtë kontekst dëshirash e obligimesh, Mr S. Salihu ish i burgosur politik dhe ushtar i UÇK-së, ka zgjedhur dhe ka dashur ta shkruaj atë që mendon se ishte dhe është më e rëndësishmja në jetën e punën e popullsisë së shqiptarëve të Llapit dhe veçanërisht të Hys R. Popovës, Islam Bulliqit e Shaban Kapuqit të Mihaliqit si edhe të ushtarëve e kryengritësve të tjerë që sot këtu është vështirë për ti përmendur të gjithë. Fjala është për luftën e përpjekjet që ka bërë për të fituar lirinë, bashkimin kombëtar dhe krijimin e shtetit shqiptar.

Ndonëse, çështja kombëtare mbetet ende problematike për më shumë se një shekull, megjithatë nuk kanë munguar çastet dhe idetë kur është menduar se asaj iu ka afruar zgjidhja e vërtetë dhe përfundimtare.
Punimi përshkruhet kryesisht në dy drejtime: e para, politika pushtuese e diskriminuese e shtetit osman dhe ati jugosllav dhe e dyta: lufta e kësaj popullsie për të fituar të drejtat e saj kombëtare dhe për të realizuar të drejtën e bashkimit.
Këto dy linja, përbëjnë njëkohësisht edhe objektin e studimit. Kjo është bërë, brenda kufijve që lejon një monografi. Ato janë shikuar në aspektet më kryesore; si në aspektin historik, kombëtar, ashtu edhe në aspektin ushtarak. Njëkohësisht, në libër, me mjaft fakte historike, argumentohet se qëndresa e popullsisë shqiptare të krahinës së Llapit ndaj kësaj politike ka qenë e përhershme, me sakrifica e privime të shumta me idealin kombëtar gjithnjë të pashlyeshëm.
Libri, Luftërat e Shqiptarëve të Llapit e Mr. Salih Salihut, ndahet në disa kapituj veç e veç, të cilat na afrojnë mjaftë të dhëna për periudha të caktuara historike; siç janë emrat e personaliteteve më të dalluar gjatë këtyre periudhave të vështira historike, pastaj për organizimin e mbajtjen e Kuvendeve Kombëtare dhe vendimeve të rëndësishme historike, për mobilizimin e armatimin e popullsisë e fillimin e kryengritjeve, për dhunën dhe masat e ushtrisë osmane dhe terrorin ushtarak. Në kuadër të librit autori i kushton rëndësi të madhe edhe angazhimit të atdhetarëve e patriotëve rreth angazhimit për sigurimin e librave, për organizimin dhe hapjen e shkollave shqipe etj.
Në kapitullin e parë, përshkruhet dy figura të njohura jo vetëm te shqiptarët po edhe te popujt e tjerë siç është Justiniani i Bederianës dhe Kodi i tij, si edhe Gjon Kosanqi, Musa Arbanasi dhe Dem Ahmeti. Gjithashtu, këtu përmendet edhe Kuvendi i Prokupjes e organizatori i saj Pjetër Bogdani. Në këtë pjesë bëhet i njohur edhe një personalitet i rëndësishëm nga Llapi Jashar Erebara që ishte në lidhje të drejtëpërdrejt me Komitetin e Stambolli dhe intelektualët e tjerë shqiptar
Është e rëndësishme që në mesin e kësaj krahine të Kosovës, na afrohen të dhëna për, këto personalitete, tashmë të njohura për shqiptarët siç janë: Haxhi Sadri Mustafë Blaku, Islam Ukë Bulliqi, Hys Rushit Popova, Bel Bajqinovci, Mehmet Konjuhi e shumë figura ushtarake e politike të tjera.
Kapitulli i dytë ‘ Hys Rushit Popova’, e përshkruan familjen atdhetare të Hys R. Popovës nga fshati Popovë që i përket prefekturës së Besianës. Këtu, autori e na e përshkruan në hollësi gjeonaligjinë e familjes së Hys Popovës, Islam Ukë Bulliqit dhe Shaban Kapuqit të Mihaliqit. Pastaj, mjaftë mirë na e përshkruan edhe traditën e familjeve Llapjane, bujarinë, trimërinë, guximin dhe veprimtarinë e komandantit ushtarak Hys Popovës. Me strategjinë dhe projektin e Hys Popovës, organizohet edhe vrasja e Konsulit rus në Mitrovicë Shqerbinë, nga Ibrahim Halit Popoci nga Gjilani, për të cilën vrasje, arrestohet dhe dënohet me burg edhe vet Hys Popova.
Në të njëjtën kohë, autori librin e pasuron me fotografi të drejtëpërdrejata nga tereni. Në libër është e vendosur edhe fotografia e monumenteve të rezistencës dhe varrit të Hys R. Popovës i cili edhe sot e kësaj dite, gjendet në fshatin Galicë, pranë varrit të Azem Bejtës. Sipas autorit varrimi i Hysit pran Azem Bejtës në Drenicë është një argument i rëndësishëm që dokumenton se kryengritësit Llapjan, përveç luftrave në llap kanë luftuar edhe në trojet tjera shqiptare. Për, luftën e përbashkët të këtyre dy udhëheqësve të kryengritjeve shqiptare apo të Lëvizjes Koçake në kuadër të MSKS, autori na ofron mjaft mendime argumentuese të ngjarjeve.. Autori, për herë të parë, deri më tani na e ofron edhe portretin e Hys Popovës që i ka munguar historiografisë shqiptare, e që është një material dëshmues, mjaft i rëndësishëm dhe i veçantë për ne dhe historianët e ardhshëm shqiptar. Me rastin e promovimit të këtij libri dëshiroj që të ia bëjë një vërejtje institucioneve tona kulturore e historike të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për meremetimin e varrit e kullës së Hys R. Popovës e cila ishte bazë e lëvizjeve shqiptare. NJë vëmendje dhe studim të veçant autori në punimin e tij ia ka kushtuar veçanërisht Kuvendit të organizuar më 26 dhjetorit 1909, nga i cili kuvend ishte miratuar, programi i kërkesave për liri dhe krijimin e shtetit shqiptar i cili përmbante këto pika:
a). Autonomia e Shqipërisë me guvernator shqiptar.
b). Gjuha shqipe të jetë gjuhë Administrative,
c). Nëpunësit e këtyre viseve të jenë shqiptar.
Ç). Fondet të jenë të ndara nga perandoria Osmane dhe të shfrytëzoheshin për shqiptarët.
e). Shërbimi ushtarak të bëhet në trojet shqiptare.
Përveç, këtij Kuvendi autori na afron një mori të dhënash edhe për kuvendet tjera të organizuar në trevën e Llapit siç ishin: Kuvendi i Livadhisë, i Repës, i Letanit, i Dyzit, i Pollatës, i Mavriqit, i dobratinit, i Murgullës, dhe ai Bradashit, prej nga ishte dhënë kushtrimi për fillimin e kryengritjeve të viteve 1911, 1912, etj.
Jam shumë i sigurt se autori duke e shkruar këtë monografi, është i vetëdijshëm se ka ende mjaft hapësirë për tu thënë rreth kësaj teme. Ndonëse është shfrytëzuar bukur shumë material i botuar i kësaj periudhe, duke e përdorë një bibliografi jo të pakt, përsëri ekzistojnë, vështirësi në vjeljen e burimeve faktike, sidomos atij arkivor, që ende lënë vend të hapur për plotësime të tjera në disa linja.
Nëpërmjet një punimi të tillë, lexuesi i gjerë do të njihet me fakte e të dhëna të reja, ndërsa studiuesit e ardhshëm të historisë së Kosovës e trevës së Llapit, do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre kërkimore shkencore në kufij të rinj njohurish, ku do t’i nxisë, për t’i zhvendosur ata më tej.
Nga ana tjetër ky libër i Salih Salihut me shumë argumente synon t’i kundërvihet edhe një vargu tezash të historiografisë serbe e jugosllave, e cila problemin shqiptar, opinionit botëror ia ka prezantuar të manipuluar dhe me mjaft deformimesh.
Sot, gati nga të gjithë historianët, gjuhëtarët, arkeologët, pranohet se Kosova ka qenë shtrat i lëvizjes kombëtare antiosmane e cila solli pavarësinë e Shqipërisë e që aktualisht shqiptarët e rajonit të llapit, dallohen për qëndresë e kryengritje të armatosura kur merret parasysh edhe pozita gjeostrategjike e kësaj treve të Kosovës. Si e tillë dhe në bazë të një sërë veçorive gjeografike, që ka me Serbinë, (130 km ) rezistenca dhe luftëra sipas autorit ishte e domosdoshme për ruajtjen e trojeve shqiptare edhe ashtu të cunguara e coptuar mjaft.
Autori i librit Mr, S. Salihu na ofron dokumente të shumta që dëshmojnë për lëvizjet e fuqishme kombëtare të popullsisë shqiptare gjatë viteve 1910-1913 si edhe ato në vitet 1918-1925 të udhëhequr nga Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’.
Nga libri i Salihut mund të kuptojmë se pushteti i MSKS, Kosovën e solli në atë pozitë, si një tokë të pushtuar e cila vazhdoi deri në vitin 1939, kur Kosova po edhe krahina e llapit u pushtua nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm që ndryshoj pushtimi i Kosovës, por ndryshoi edhe statusi politik e juridik i Kosovës si edhe vet territori i krahinës së llapit. Gjithashtu Mr. S. Salihu na ofron argumente e të dhëna edhe për periudhën e pas Luftës së dytë Botërore apo të Jugosllavisë pas AVNOJ-it. Edhe pas kësaj periudhe historike, pushteti jugosllav mbajti qëndrim nacionalist ndaj shqiptarëve dhe kjo bëri që shqiptarët mos të pajtohen e integrohen në kuadër të Jugosllavisë. Sipas autorit, demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, ishin një nga monumentet më kulmore të kësaj lufte, që një vend tepër të rëndësishëm të rezistencës dhe luftës e zinte, popullsia shqiptare e kësaj krahine pasi që në supet e saj i bajti të gjitha sulmet dhe masat e egra që i merrte policia dhe ushtria serbe kur dihet se për të arritur në brendinë e Kosovës duhet kaluar për këtë trevë.
Për Kosovën , po edhe për shqiptarët e Llapit, ka kohë që ka filluar të shkruhet brenda po edhe jashtë saj, por, jo me një intensitet e potencial të mjaftueshëm. Të gjitha këto probleme të çështjes së Kosovës, apo të çështjes kombëtare , autori i librit Salih Salihi i sheh nga një këndvështrim pak më ndryshe të cilat do të shërbejnë si një informacion me interes, ashtu edhe për tu ballafaquar me mendimet e të tjerëve që janë trajtuar deri më tani.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura