Prizren, 19 tetor 2018: (Përgjigje deputetit Nait Hasani në deklaratën e tij: “Dojm veç me marr e mos me pagu.”) – Kur njeriu i mat aftësitë, shkathtësitë dhe mundësitë e veta, dhe vie në përfundim se nuk është i zoti të gënjejë, të mashtrojë, të vjedh e të plaçkisë, atëherë nuk i mbetet tjetër veçse të trus bythën e të kujdeset për troshat e bukës që me aq mund i fiton. Njerëzit e tillë,herë pas here, mund edhe ta përcjellin në TV apo ta lexojnë ndonjë lajm në portale në mënyrë që t’ia sigurojnë trurit sasinë e nevojshme të helmit, të cilën tashmë e ka të domosdoshme.
Tri katër ditë më parë, si çdo bashkëvendës i imi, edhe unë po shfletoja portalet duke shpresuar në mos do të ndodhte mrekullia e të has në ndonjë lajm të gëzueshëm, por kot. Më pas një titull më zgjoi kurreshtjen. “DEPUTETI NAIT HASANI KRITIKON QYTETARËT: DOJM VEÇ ME MARR E MOS ME PAGU”. Më poshtë e kuptoj se e paska pas fjalën për kundërshtimin e qytetarëve për aplikimin e ligjit për RTK-në, sipas të cilit, qytetarët do të paguajnë nga 2.50 € për transmetuesin publik. Hasani kishte thënë: “Na jemi vend që nuk dojna me pagu kurgjo, i vetmi vend që nuk dojm me bo pagesa. Dojm veç me marr e mos me pagu. Në BE është parimi që çdo shërbim paguhet”. Opa! BE-ja! Athua e di deputeti Hasani se sa prej lexuesve kanë vjellë kur e kanë lexue krahasimin e Kosovës me BE-në? Natyrisht që nuk e di, nuk është punë e tij të kujdeset se a po iritohet elektorati i tij apo po plas nga marazi! E tija është, të lëshon deklarata që ia kërkon padroni!
Të them të drejtën, deklarata të tilla kam dëgjuar nga shumica e deputetëve dhe qeveritarëve të pasluftës në Kosovë, por nuk e kam prit nga Nait Hasani, sepse kam menduar se është më popullor se të tjerët.
E di se Presidenti, Kryeministri dhe deputetët, pas përfundimit të mandatit kanë privilegje paradoksalisht të paarsyeshme, duke u thirrur në faktin se edhe në BE është kështu. Po si nuk po iu shkon mendja që të barazoni edhe standardin e qytetarëve tuaj me standardin e qytetarëve të BE-së ore të mjerë?
Deputeti Hasani si duket nuk e di se shumë shqiptarë të Kosovës para tij i kanë shkel e shiju shtetet e BE-së, madje, me sy analitikë e studioz.
A e di ti z. Nait?
Në shtetet e Bashkimit Evropian nuk ka qytetarë pa strehë banimi siç ka shumë te ne.
Atje nuk ka qytetarë të papunë, me përjashtim të rasteve të veçanta, madje edhe ata paguhen nga qeveritë e tyre që nuk janë si e jona.
Shporta e artikujve ushqimor të domosdoshëm, është shumë më e lirë se te ne, ndonëse kanë paga shumëfish më të larta se tonat.
Energjia elektrike në shtetet e BE-së, është shumë më e lirë se te ne, krahasuar me të ardhurat që marrin, dhe asnjëherë nuk ndodh të mbeten në terr dhe t’iu digjen aparatet e amvisnisë.
Atje nuk ndodh që një grup etnik të paguaj rrymë për një grup tjetër etnik, siç ua paguajmë ne shkijeve.
Sa shumë paguan ky popull, e Naiti thotë të kundërtën.
Në ato vende nuk ndodh që zyrtarët e arsimit publik t’i shkollojnë fëmijët nëpër shkolla private, siç veprohet te ne. Hipokrizia nuk ka vend në logjikën e popujve shtetndërtues.
Në shtetet e BE-së, nuk ndodh që shkollat private, profitabile të finansohen nga Qeveria, dhe t’iu jepen nga katër hektarë tokë falas, siç po vepron tinëz Qeveria jonë me gjimnazin Loyola.
Të gjitha këto i paguan populli shqiptarë i Kosovës
Atje, mësuesit nuk janë të detyruar të punojnë një punë të dytë për ta ushqyer familjen, siç janë mësuesit tanë të detyruar.
Në asnjë shtet të Bashkimit Evropian, një kilometër autostradë nuk kushton dhjetë milion €, ndërsa te ne kushton edhe më shumë.
Çudi si nuk e shef deputeti i Kosovës sa paguan ky popull?
Në ato shtete, nuk ndodh që të vidhet brenda objektit të policisë dhoma e dëshmive me vlerë marramendëse, dhe të mos zbulohen hajnat, ndërsa te ne, kjo është krejt normale.
Deputetët e atyre vendeve, gjatë udhëtimeve zyrtare, nuk shfrytëzojnë klasën e parë në aeroplan as hotele me pesë yje, ndërsa tanët pagojnë 300 € për një shishe shampanjë dhe ushqehen me fruta deti, jo pse ia ndiejnë shijen, po se, snobizmi është sëmundje e pashërueshme e vegjëlisë!!! Kështu e ka kjo punë kur barkëcullakët e marrin pushtetin, dhe e bankrotojnë atë.
A pak po të duket Nait se po paguan ky popull a?
A do ende argumente për paradokset që ju deputetët dhe pushtetarët së bashku i keni instalua në vendin tonë martirë dhe habiteni si mund t’ju kundërshtojë dikush?
Absurditete të tilla idioteske që kërkojnë të krahasohen me shtetet e BE-së, mund të vargojë deri në Pranverë, por mendoj se për këtë herë mjafton kaq.
Deklaratat publike të zyrtarëve të shtetit duhet të burojnë nga mendja e jo nga barku.
Sa i përket Radiotelevizionit të Kosovës, si shtëpi publike që është (e pati thënë njëherë Daut Demaku) sa për qytetarët mund edhe të mbyllet përgjithmon. Stafi udhëheqës i RTK-së nuk kujdeset për interesin e qytetarëve. Nuk ka asnjë emision edukativ, arsimor, shkencor apo kuturor të mirëfilltë. Çdo gjë është në shërbim të pushtetarëve, prandaj le ta paguajnë ata, por, jo nga buxheti i shtetit , le ta paguajnë nga xhepi i tyre.
Pra z. Nait Hasani kërkon që qytetarët të paguajnë për diçka që nuk e konsumojnë, madje të paguajnë dy herë, një herë nga buxheti i shtetit, e që mblidhet nga qytetarët, dhe një herë përmes fakturave të rrymës. Z. Hasani, si deputet që është, duhet ta dijë se një praktikë të tillë Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të paligjshme. Z. Hasani po kërkon që të shkilet Kushtetuta! Shkileni, shkileni sa të mundeni, deri sa të jetë ky vend pa Zot!!!
Prizren 15.10.2018