Tiranë, 19. 07. 2016: Pyetja nëse Turqia do të jetë e njëjta pas tentativës për grusht shteti nga një fraksion i ushtrisë, tani ka nevojë reale për shumë rrahje mendimi specialistësh. Ka pasur disa zëra të zbehtë, që e kanë paralajmëruar, ndërsa syresh më të shumë se pushteti turk ka realisht shumë probleme. Por, këto janë disi periferike për Tiranën zyrtare, përveç konstatimit në lidhje me Shqipërinë se ndoshta gjërat nuk do jenë njësoj. Shkaku ndoshta duhet kërkuar te thelbi i asaj që po kërkon si arsye të ngjarjeve të fundit regjimi i Erdoganit: Gylenistët.
Kryeministri Rama, që ka qenë shumë ‘afër’, kohët e fundit prej edhe një rastësie, që lidhet me shpërthimet në aeroport ditën e vizitës së tij, shkroi… “I lumtur për popullin vëlla të Turqisë dhe mikun e çmuar Presidentin Erdogan për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë”!
Por, a ka të ngjarë që kjo natë të shtrihet në marrëdhëniet tona, kjo mbetet të shihet. Deri më tani, hamendësohet, kur kujton se e gjithë piramida shtetërore turke është radikalizuar në ekstrem duke kërkuar masa të ashpra por edhe kthimin e dënimit me vdekje! Kryeministri turk Binali Yildrim është i vetmi që ka vendosur gishtin te fajtori i hamendësuar. Ai është as më shumë e as më pak kleriku mysliman, Fethullah Gylen, për të cilin ka sqaruar se: ai që e përkrah nuk do të jetë mik i Turqisë si dhe do të konsiderohet se është në luftë me anëtarin e NATO! Një paradoks i ri, sepse Gylen, njeriu i akuzuar, jeton në SHBA-partnerin turk në NATO, kurse vetë Gylen ka nxituar të shprehet personalisht se ka qenë jashtë kësaj përpjekje, duke uruar madje zgjidhje të shpejtë të situatës.
Emri i Gylen ka kohë që përflitet në Shqipëri. Rrënjët e tij janë të thella në vend, por jo aq me njerëzit e zakonshëm, që e kanë të vështirë t’i afrohen. Njerëzit e Gylen mëtohet se kanë ngritur një perandori të tërë arsimore por edhe kanë vendosur shumë lidhje në ekonominë e vendit dhe fusha të tjera, që sjellin edhe mbështetje për ndikimin politik të Shqipërisë. Kaq të theksuara janë këto, saqë në takimin zyrtar të pak viteve më parë, Erdogan kërkoi direkt prishjen e sistemit të shkollave të tij dhe prishjen e lidhjeve me Gylenistët, duke premtuar zëvendësimin e menjëhershëm të tyre. Shqipëria dhe ‘vëllezërit’ e pritën miqësisht e me të gjithë nderimet, por aman gjetën mundësinë t’i shmangeshin kësaj kërkese.
Pati një qetësi, por është e vështirë të kalkulosh reagimin e një vendi me një traditë si Turqia. Anipse, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë e kohës së Erdoganit janë të ndërthurura në interesa ekonomike e politikë, por jo me ndonjë përmirësim të madh në vitet e fundit. Veç premtimeve të Ramës, që janë përsëritur që në kohën e kryeministrit Berisha, gjërat mbeten njësoj, ndërkohë që Turqia po lëviz shumë në Ballkan edhe në drejtim të Serbisë.
Por, pas në argumentin tonë, ngjarjet e fundit tregojnë se Turqia nëse i përmbahet motivit të Gylenëve si fajtorë të tentativës për grusht shteti, megjithë pozitivitetin historik që tregon në marrëdhëniet me Shqipërinë, do të jetë e kursyer dhe jo aq dashamire, por edhe me një retorikë tjetër. Kurse Shqipëria, e cila edhe pas Brexit vazhdon t’i mëshojë të ardhmes evropiane ka të ngjarë të jetë disi e larguar për shkak se Turqisë i mungon dimensioni realist i qasjes demokratike që kërkojnë integrimet evropiane të kërkuara dhe që ka kohë që i janë treguar.
Ndërkohë që Shqipërisë i duhet të ketë kujdes, që të mos bëhet palë me askënd, për shkak se në referimet e shumta, duket se njerëzit e lidhur me gylenistët janë bukur të shumtë dhe për më tepër kanë edhe mbështetje të mirë nga Komuniteti ynë Mysliman. Kjo e fundit, falë kësaj politike e ka të pamundur shtrirjen e juridiksionit në të gjithë komunitetin mysliman të vendit dhe humbjen e prestigjit të vet. Por më e keqja mund të ndodhë me masën shkollore që studion në këto shkolla dhe që mund të bëhet një faktor, i cili në të ardhmen mund të prishë shumë ekuilibra në marrëdhëniet tona.
Historikisht, Shqipëria ka vendosur gjithnjë, më shumë falë njerëzve të saj të shquar, por edhe instiktit, forcimin e kombit si qëllimin parësor të identitetit e jo fenë. Por, vetë turqit, që nuk kanë mundur të bëjnë gjë kundër gylenistëve veç luftës radikale, po e kalojnë të gjithë trashëgiminë e vendit në një rrafsh shumë fetar. Retorika e tyre ishte shumë e ashpër dhe mu në mes të Tiranës, kur i quajtën “Strukturë paralele terroriste”. “Ne do vazhdojmë luftën kundër saj. Unë e di se kjo strukturë ka aktivitetin e saj edhe në Shqipëri dhe kam bindjen se Rama dhe Nishani do të bëjnë atë që duhet. Institucionet shqiptare nuk do ta tolerojnë këtë organizatë dhe aktivitetin e saj” ka thënë Erdogan, duke përmendur investimet në objekte të ndryshme në Shqipëri.
Të gjitha këto s’kanë lëvizur shumë, përveçse e premtja e fundit këtë retorikë mund ta bëjë shumë më agresive nga ana e Turqisë së Erdoganit, që ironikisht, është ndihur papritmas për një kontroll autoritar ‘të justifikuar’ në Turqi. Pasi Erdogan i ka të gjitha mundësitë për ndryshime kushtetuese në dhënien e kompetencave të jashtëzakonshme, që ka qenë objektivi i tij për një kohë të gjatë dhe që do të reflektojë dhe në marrëdhëniet me botë e jashtme dhe me aleatë të vegjël si Shqipëria.
Duke ditur se Shqipëria ka shumë probleme dhe se vetë ideja evropiane e Shqipërisë ka dështuar në dy dimensionet bazë, politike dhe ekonomike, duhet ta mendojmë mirë, kushtëzimin e ardhshëm të Turqisë, që mund të lidhet edhe me gylenistët. Na duhet që të kemi kujdes për zbehjen e marrëdhënieve me aleatë të tillë, qoftë dhe nga pakujdesi ynë i viteve të tranzicionit të pafund, kur kemi dashur ta kemi mirë me BE-në e paaarritshme dhe po aq me Turqinë aleate.