BEQIR ELSHANI: KOLONIZIMI ME ANËN E GJUHËS SERBE

Suedi, 9 tetor 2020: Jernej Kopitari dhe Vuk Karaxhiqi
Formulues i parë i projektit nacional serb dhe reformator i gjuhës serbe ishte shkrimtari Dositej Obradoviq. Kurse pjesën e ideologjisë së kombit serb, i cili bazohet në interpretimet problematike kulturore dhe trashëgimisë historike, dukshëm e radikalizoi folkloristi dhe reformatori i gjuhës serbe ishte Vuk Stefanoviq Karaxhiqi. Gjuha e tij mbarëserbe mund të përshkruhet me një trajtim të njëanshëm, ku të gjitha dialektet sllave janë shkrirë në elementin serb. Prandaj Karaxhiqi nuk ishte krijues, veçse një keqpërdorues i trashëguar rreth shtrembërimeve të qëllimta të sllavistikës së hershme.
Sipas librit të studiuesit, Anton Nikë Berishës, “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”, mësohet se folkloristi dhe reformatori i gjuhës serbe, Vuk Karaxhiqi, njëkohësisht ishte edhe diplomat, që vepronte në shërbim të imperializmit të gjuhës dhe folklorit serb. Siç dihet studiues të ndryshëm evropianë u morën me studimin shkencor të historisë, kulturës dhe gjuhës së popullit të lashtë të Ilirikut, dhe një ndër studiuesit e parë ishte teologu dhe historiani suedez, Johan Erich Thunmann (1746-1778). Pas studimeve në Upsalë të Suedisë dhe në Greifwald të Gjermanisë, në vitin 1772 emërohet profesor i retorikës në Universitetn Halles të Gjermanisë, ku edhe shkroi disertacionin e tij “Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen” (Mbi historinë dhe gjuhën albane dhe vllehe), Leipzig, 1774. Ky dijetar suedez, duke u mbështetur në burime historike latine e bizantine dhe në të dhëna gjuhësore e onomastike, arriti në përfundimin se shqiptarët janë vazhduesit autokton të popullsisë së lashtë ilire, e cila nuk u romanizua, siç ndodhi me popullsinë trako-dake, paraardhëse të rumunëve. Teza e prejardhjes ilire te shqiptarëve është mbështetur më vonë edhe nga albanologu i mirënjohur austriak Johannas Georges von Hahn në veprën e tij Albanesische Studien, botuar më 1854.
Siç dihet, Vuk Karaxhiqi kishte autoritet në fushën e poezisë gojore sllave, prandaj vlerësimi i tij për epikën shqiptare sado i shtrembëruar kishte merita. Në fund të tekstit, studiuesi shqiptar, Anton Berisha, shkruan se po të mblidhte dhe të botonte Karaxhiqi këngët popullore shqipe do të bënin një jehonë të madhe në Evropë. Jo vetëm kaq, sepse Karaxhiqi do të bëhej nismëtar i miqësisë tradicionale serbo-shqiptare dhe nuk do të vinte deri te pushtimi dhe masakrimi i popullit boshnjak në Bosnjë Hercegovinë dhe popullit shqiptar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Ndryshe me studiuesin e mirënjohur Anton Berisha që me të drejtë V. Karaxhiqin e quan folklorist dhe reformator të njëanshëm serb, Dr. Shefqet Pllana në shkrimin e tij “Kontributi i sllavistëve në fushën e krijimtarisë gojore shqiptare në XIX” (Jehona, Shkup 1980), filologun serb V. Karaxhiq e shquan si shkencëtar internacionalist.
Me të drejtë mund të thuhet se hulumtuesi sudez, Johan Thunman, ishte kureshtar për studimin e historisë dhe gjuhës te shqiptarët dhe vllehët. Prandaj një nga hulumtuesit që nxiti për studimin e kulturës dhe gjuhës shqipe dhe të vllehëve: si dy popuj të lashtë e të rëndësishëm të Evropës Juglindore ishte edhe Jernej Bartolome Kopitari (1780–1844), filolog dhe rilindës i shquar slloven me prejardhje suedeze, i cili studioi dhe veproi në Vjenë. Dijetari slloven në forma të ndryshme e ndihmoi Vuk Karaxhiqin për botimin e këngëve popullore, gramatikës dhe të fjalorit. Kopitari duke shfaqur interesim për njohjen e kulturës shqiptare e nxiti Karaxhiqin të mbledhë këngë popullore shqiptare. Dëshironte të ketë në dorë edhe materiale të krijimtarisë letrare dhe gojore të shqiptarëve, prandaj Karaxhiqit i shkruan që të mbledhë edhe këngë shqipe: “A nuk keni mundësi që Ju të jeni i pari të botoni edhe këngë popullore shqipe? Sa mirë do të ishte që Ju vetë ta kultivoni këtë kopsht të Perëndisë, sikurse filluat”, shkruan në librin Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe.
Kopitarit nuk i ka lindur dëshira e papritur sipas rastit, ai kishte treguar interesim të madh për gjuhën, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar, të gjitha këto njohuri dhe dashurinë ndaj popullit shqiptar kishte fituar nga vepra e Thunmanit. Ai kishte mësuar për botimin e “Dhiatës së re” në gjuhën shqipe në vitin 1827. Duket qartë që Kopitari ka treguar mirësjellje fisnike me kulturë të lartë duke e zotuar dhe duke i besuar gjuhëtarit dhe folkloristit serb, Vuk Karaxhiq. Fill pas kërkesës së Kopitarit, Karaxhiqi e shfrytëzoi rastin dhe takohet me një murg nga Peja, prej të cilit shënoi dy këngë popullore shqiptare. Si zakonisht, pas çdo vargu shqip ka shënuar edhe përkthimin në gjuhë serbokroate, që të dyja në alfabetin cirilik, edhe pse ai e dinte shumë bukur alfabetin latin. Në krahasim me albanologë të huaj që kanë shënuar të dhëna të plota për krijimtarinë popullore shqiptare, këngët e Karaxhiqit janë të pakuptueshme dhe nuk kanë ndonjë vlerë. Ndonëse këngët i kishte marrë nga dora e një murgu serb që shërbente në Pejë, Kopitarin e gënjente duke i shkruar se i kishte mbledhur nga goja e drejtpërdrejt shqiptare. Pastaj duke u ankuar për shëndetin e tij të dobët, me mbufatje i shkruan se “shqiptarët nuk kanë këngë trimërie të gjata si te ne, por me gjasë të gjitha këngët i kanë si këngët në greqishten e re” thekson autori në librin “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe.
Karaxhiqit i mungon çiltëria për të treguar realitetin se këngët i ka shënuar sipas një prifti serb, dhe jo sipas gojëtarit autokton shqiptar, prandaj shihet se ky ishte një matrapaz i epikës shqiptare. Që Karaxhiqi ishte një dinak shihet se si Kopitarit nuk i tregon emrin e murgut serb, prej të cilit i ka shënuar këngët shumë të dobëta, vetëm sa për ta përbaltur kulturën dhe traditën shqiptare. Duhet të kihet parasysh se në shekullin XVIII-të lahutarët e epikës popullore shqiptare dhe boshnjake kanë qenë në zë: këngëtarë të popullarizuar që shumë lehtë do të gjendeshin, sepse ishin Homerë të rrallë dhe mbaheshin në mend. Megjithatë Karaxhiqi ka qenë një shkatërrimtar, i cili duke përbuzur folklorin shqiptar, madhëronte folklorin dhe gjuhën serbe. Derisa dijetari slloven Jernej Kopitari si një internacionalist interesohet për lidhmërinë e gjuhëve të ndryshme të popujve të Ballkanit, përkundrazi folkloristi dhe gjuhëtari serb bën të kundërtën për zhdukjen e gjuhës dhe historisë së popullit më të vjetër në Evropë. Më vonë do të dilte trashëgimtari i tij, Jovan Duçiq, i cili sipas librit “Populli i ndaluar” të Rexhep Qosjejs, do të thotë se shqiptarët nuk kanë muzikë dhe këngë popullore. Të thuhet se shqiptarët nuk kanë muzikë dhe këngë popullore do të ishte sikur të thuhet se shqiptarët nuk kanë sy dhe veshë, që njëkohësisht do binin në kontradiktë me albanologët e njohur në Evropë dhe në botë. Mbase të njëjtën gjë do të thoshin edhe për grekët, mirëpo ishte feja e tyre e përbashkët që i përmbaheshin, prandaj tregoheshin më të matur. Duket qartë se tendenca shoviniste serbe bënte atentat në folklorin shqiptar, kundrejt filologëve dhe folkloristëve në mbarë Evropën që merreshin me studime albanologjike.
Duke parë mungesën e punës kërkimore të poezisë popullore shqiptare, Karaxhiqi i shkruante mentorit Kopitar se nuk e dinte gjuhën shqipe. Këtu shihet cinizmi i tij tradicional serb, sepse kur ishte ideja për të shkruar një gramatikë të gjuhës shqipe dhe një fjalor, shihet se e njihte gjuhën shqipe. Kështu mendonte edhe dijetari Norbert Jokl. Prandaj me kalimin e kohës, të gjitha përpjekjet e dështuara rreth moszotimit të Karaxhiqit për mbledhjen e thesarit shqiptar, intelektuali i shquar, Jernej Kopitari, i ka kuptuar. Aftësia dhe përvoja e tij shkencore ka ndihmuar që ai të kuptojë me kohë moszotimin dhe dinakërinë e folkloristit serb, veti të cilën shumë dijetarë e kuptojnë. Një paraqitje të mrekullueshme ndërkombëtare të këngëve popullore shqiptare me përmasa evropiane e bënë më vonë Biondelli, J. G. Hahni, G. Majeri, H. Peterseni, M. Lamberzi etj.
Shembulli karakteristik është qortimi i Vuk Karaxhiqit me të cilën i drejtohet popullit serb: “Pse ne serbët kemi urrejtje kaq të madhe ndërfetare sa atë që nuk është i fesë sonë e quajmë të huaj dhe armik. Pse nuk marrim shembull gjermanët apo hungarezët, ku si katoliku gjerman, si protestanti gjerman, veten e quajnë gjermanë dhe të tillë e quajnë njeri-tjetrin. E njëjta gjë ndodh edhe me hungarezët. Po ne serbët, rastin më të mirë që të marrim shembull e kemi tek fqinjët tanë arbanasët, të cilët u përkasin të tri feve (myslimane, katolike, ortodokse). Arbanasët jo vetëm që e quajnë njëri-tjetrin bashkëkombës, por tek ata shqiptari mysliman i vret 10 turq për një shqiptar të krishterë, ndërsa shqiptari katolik i vret 10 italianë për një shqiptar mysliman apo ortodoks dhe po ashtu shqiptari ortodoks i vret 10 grekë për një shqiptar mysliman apo katolik”, shkruan Anton Nikë Berisha në librin e tij “Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”.
Edhe pse shembulli i Karaxhiqit lidhur me popullin gjerman dhe shqiptar me konfeksione të ndryshme fetare është plotësisht i saktë, megjithatë ishte në dëm të popullit kroat dhe boshnjak. Padyshim që edhe këtu shihet se Karaxhiqi nuk kishte qëllime internacionaliste, përkundrazi kishte qëllime imperialiste, me anën e së cilës gjuhën kroate dhe boshnjake e shkrinte në gjuhën serbomadhe shtokave. Derisa gjuha dhe tradita shqiptare nuk kishte dallime fetare, traditat në mes kroatëve, boshnjakëve dhe serbëve kishin dallime të mëdha. Me anën e shembullit të krahasimit të popullit shqiptar pa dallime fetare Karaxhiqi shpreh mllefin e tij serbomadh, ndërkohë, që vepronte në shërbim të përtëritjes së Serbisë mesjetare me anën e kolonizimit të trojeve shqiptare. Sipas fjalës së urtë kija inatin, po hakun mos ia ha, që do të thotë vlerësoje drejt, Karaxhiqi e bënte të kundërtën, me inat i hante hakun popullit shqiptar. Prandaj ankimi “pse ne serbët kemi urrejtje kaq të madhe ndërfetare sa atë që nuk është i fesë sonë e quajmë të huaj dhe armik”, nuk është i drejtë, sepse të gjithë serbët ishin të konfeksionit ortodoks, përveç Sanxhakut me popullatë shqiptare dhe boshnjake të konfeksionit mysliman, por edhe boshnjakëve të konfeksionit mysliman në Bosnjë Hercegovinë. Në vazhdim Karaxhiqi me intrigën e tij tradicionale serbe shkon aq larg, saqë për banorët e qyteteve të pastra shqiptare të Shkupit, Tetovës, Kërçovës, Gostivarit dhe Dibrës thotë se flitet serbishtja. Kjo ishte një pseudometodologji e tij tendencioze serbe, me anën e së cilës Karaxhiqi luftonte për asimilimin dhe zhdukjen e popullit më të vjetër dhe autokton shqiptar. Prandaj pamfleti i skajshëm i tij “atje ku flitet serbishtja, atje është Serbia”, do të ishte baras me shqiptarët se atje ku flitet shqipja, atje është Shqipëria, meqë shqipja flitej edhe jashtë Shqipërisë Etnike. Do të ishte e tepërt të përmendet se serbët janë banorë të vonshëm të ardhur nga malet Karpate. Nuk është e rastësishme që rusët popullin gjerman e quajnë me përbuzje “nemac”, që sllavisht do të thotë “i pagojë”, kur dihet që mbarë bota i quan “gjermanë” vetëm pse banori gjerman nuk e kuptonte gjuhën e popullit rus. Një rast të ngjashëm kemi edhe te populli shqiptar, që është një ndër popujt më të vjetër me prejardhje ilire, serbët nga urrejtja shekullore që kanë ndaj popullit shqiptar, nuk thonë siç na quajnë mbarë bota “alban” dhe “albansk”, por edhe më keq “shiptar” dhe “shiptarski”. Me anën e përbuzjes “shiptar-shiptarski”, serbët tregojnë prapambetjen e tyre në dallim me popujt tjerë në Evropë. Prandaj serbishtja është e vetmja gjuhë fashiste që tradicionalisht vazhdon t’i urrej shqiptarët.
Identiteti kombëtar dhe gjuha
Mospajtim të ngjashëm rreth përkufizimit obskurantist të Vuk Karaxhiqit kishin edhe kroatët lidhur me vetëdijen e tyre kombëtare. Problemi kryesor ishte përcaktimi i fjalorit të tij serb në vitin 1818, ku me anën e dialektit shtokav përfshinte kroatët, boshnjakët dhe maqedonët. Sipas pamfletit nacionalshovinist “të gjithë dhe kudo serbët” gjithashtu bëhej imperializmi gjuhësor ndaj gjuhës dhe identitetit kombëtar të popullit kroat. Gjuhën e tij serbe të konfeksionit ortodoks e ka mbajtur si gjuhë të rendit të parë, kurse gjuhën serbe të konfeksionit katolik gjuhë të rendit të dytë dhe ai mysliman i rendit të tretë. Këtu fshihej përkufizimi i serbizimit me ndihmën e dialektit shtokav pa dallime fetare. Shtokavishtja ishte gjuhë-dialekt i përbashkët për kroatët, boshnjakët dhe serbët, mirëpo sipas Karaxhiqit i përcaktuar kryesisht për serbët. Kjo do të thotë se katolikët dhe myslimanët janë serbë, që sipas ideologjisë serbe ishte asimilimi i kroatëve katolikë dhe boshnjakëve myslimanë. Kroatët shpejt e kuptuan se Karaxhiqi me anën e dialektit shtokav mendonte të asimilonte kroatët, në mënyrë që kroatët të shkriheshin në elementin serb. Është për t’u çuditur që kërcënimin e shkrirjes së kroatëve në elementin serb e bënte “reformatori” Vuk Karaxhiq, kur dihet që në kohën e tij Universiteti i Zagrebit kishte 100-vjetorin e themelimit. Pa dyshim se metoda diskriminuese e Karaxhiqit konsiderohet një ndër mjetet e nacionalizmit hegjemonist të kulturës serbe. Karaxhiqi nuk kishte aftësi të përgjithshme kulturore, përveç asaj kishtare. Në bazë të këtij përkufizimi shihet se ai nuk mund të jetë reformator i madh kulturor, pos ideolog serbomadh, i cili më vonë ndikoi te pasardhësit e tij deri te ultranacionalistët e sotëm serbë, të cilë e kanë vendin në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë për krime dhe gjenocid kundër popullsisë shqiptare, boshnjake dhe kroate.
Tendenca e pushtimit me anën e gjuhës serbe sipas Naçertanies së Ilia Garashaninit, ministër i punëve të brendshme të Serbisë, shihet edhe te radikalisti serb, Stojan Protiq, i cili në luftën e parë botërore boshnjakëve u dha ultimatum prej njëzetë e katër orësh, mbase edhe dyzetë e tetë orë që të pranojnë fenë pravosllave. Skajshmëria e Protiqit shkonte edhe më larg, sepse boshnjakët myslimanë nuk i quan me emër të identitetit kombëtar boshnjak, por turq, edhe pse boshnjakët kishin luftuar kundër perandorisë turke shekuj me radhë. Pa dyshim se ultimatumin e Protiqit e zbatuan trashëgimtarët e tij fashistë Sllobodan Millosheviqi, Vojisllav Shesheli, Radovan Karaxhiqi, Ratko Mladiqi dhe shumë të tjerë, të cilët Bosnjë Hercegovinën e shkrumbuan me pasoja të mëdha biologjike. Sivjet përkujtohet përvjetori i tragjedisë ndërkombëtare në Srebrenicë, ku u masakruan 8 000 boshnjakë myslimanë vetëm pse nuk ishin pravosllavë. Lumi i trashëgimtarëve luftënxitës te popullit serb do të vazhdojë me përmasa drastike. Pas Protiqit do të vij antropogjeografi Jovan Cvijiq, i cili konsiderohet frymëzues i nacionalizmit të egër serb dhe spekulant i skajshëm shovinist mbi shqiptarët. Siç dihet, Cvijiqi mohonte të drejtën historike dhe etnike të popullit shqiptar. Më vonë, si trashëgimtarë të politikës serbomadhe me radhë do të vijnë Jovan Duçiqi, Vlladan Gjorgjeviqi, Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriqi, Dobrica Qosiqi deri te Vuk Drashkoviqi, Boris Tadiqi, Vojisllav Koshtunica dhe shumë viq të tjerë.
Kjo kulturë e kuzhinës serbomadhe, në bazë të projektit gjeopolitik, është ushqyer kryesisht me sllavistikën çetnike. Në planin gjeostrategjik kishte rolin kryesor në formulimin e ekspansionit serb me pikësynim të përtëritjes së mbretërisë së Dushanit. Siç dihet, ideologët e ekspansionit mbështeteshin në Serbinë mesjetare të shek. 12-14, edhe pse Serbia nuk ishte shtet i lashtë nacional me kulturë tradicionale serbe. Vlen të përkujtohet se kundërshtar i babait të gjuhës serbe, sipas librit “Nacionalno pitanje u Jugoslaviji” të Ivo Banacit, ishte themeluesi i socializmit serb, Svetozar Markoviqi, i cili invadimit shtetëror serb i dha etiketën serbomadh. Se programi i Vuk Karaxhiqit kishte karakter politik dhe kishtar shihet se si në fjalorin e tij emrave me burime kroate u ka dhënë kuptime serbe. Fjalori serb, pos ngjarjeve etnologjike dhe historike të popullit serb, përmban edhe një pjesë bukur të madhe nga fjalori i vjetër kroat, të cilat ia ka dhënë Jernej Kopitari. Duket qartë se është bërë hegjemonizmi, me anën e së cilës gjuha letrare kroate ka marrë normën serbe sidomos në pjesët sintaksore. Derisa në shumë vende të Evropës kisha katolike nuk përzihej në aparatin shtetëror, përkundrazi kishat pravosllave serbe ishin shndërruar në institucione kombëtare në dëm të popujve tjerë. Në bazë të kësaj shihet se serbët më së shumti i janë përkushtuar kishës së tyre pravosllave. Ndonëse me kalimin e kohës ata e shpallnin bashkësinë jugosllave, ndërkaq në programin e tyre flitej për piemontin serb. Gjithashtu Jugosllavia shumëkombëshe, aspak nuk e ka zvogëluar drejtimin politik serbomadh. Dihet që politika serbe synonte të dilte në detin Adriatik, dhe atë me anën e serbizimit të Kroacisë dhe me anën e pushtimit të Shqipërisë. Shpeshherë politikanët serb për shkak të mossuksesit të tyre diplomatik bëheshin nervozë dhe thoshin se kroatët dhe shqiptarët nuk mund të bëjnë shtet. Me kalimin e kohës, gjuha serbe ka vazhduar të shërbej edhe në diplomacinë ish-jugosllave, në armatë dhe në polici, me anën e së cilës shkelte aspiratat kombëtare të popujve tjerë në ish-Jugosllavinë Federative deri në vdekjen e saj klinike. Si përforcim vlen të shtoj se kompozita “serbosllav” është formuar nga bashkimi i fjalëve “serbe” dhe “sllave”, ndaj në vend të saj është përdorur kompozita “jugosllav” dhe si rezultat ka dalë emri me kuptim të plotë diplomatik “serbosllav”. Konkretisht edhe pse shteti quhej Jugosllavi, veprimtaria diplomatike, policore e ushtarake ka qenë gjithmonë në shërbim të shovinizmit serbosllav që fshihej nën emrin e shteti Jugosllavi. Kjo do të thotë se rrënja e kompozitës është “serbe”, jo “sllave” meqë edhe sllovenët edhe kroatët janë popuj sllavë, mirëpo nuk kishin synime pushtuese. Normalisht që populli serb kurrë nuk do ta ndryshonte emrin e shtetit të tyre “Serbosllavi” në “Jugosllavi”, kompozitë që mbështetet në gjuhën e popullit serb, mirëpo Serbia e ka bërë për qëllime strategjike, kur dihet që kurrë nuk mund të ketë gjuhë jugosllave.
Suedi, 2005

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura