Suedi, 14 janar 2020: Sipas bëmave shqiptare tregohet se birin e Prometheut, Albin Kurtin, për shkak se nuk i bindej UNMIK-ut dhe reaksionit në pushtet, e prangosën në maje të shkëmbit. Siç dihet, trimi shqiptar, Albin Kurti, nuk pranonte negociata me Serbinë gjakatare, që një kohë të gjatë i kishte shtypur dhe masakruar shqiptarët, prandaj me anën e protestave popullit shqiptar ia tregoi rrugën e vetëvendosjes për çlirimin dhe bashkimin në Shqipërinë tonë Kombëtare. Siç dihet, këtë bashkim po vazhdon ta pengojë reaksioni shqiptar në krye me renegatët në pushtet, të cilët Albinit të prangosur në maje të shkëmbit, me qyski ia copëtonin mëlçitë. Mirëpo trashëgimtari i Heraklesë, Adem Demaçi, përndryshe fitues i të gjitha betejave kundër dhunës shekullore jugosllave, në fillim i vrau reaksionarët, dhe Albinit ia hoqi prangat.
Lidhur me deklaratën e ish-deputetit, Haxhi Hoti, në facebook, drejtuar kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtit, në të cilën fill pas atentatit historik të kryetarit amerikan, Xhon F. Kenedi para gjysmë shekulli, kalon te Albin Kurti, duke kërcënuar se i ka dy rrugë: “ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, është krim të thuhet me gojë, jo më të shprehet me shkrim. Kjo do të ishte sikur mbarë popullit shqiptar t’i thuhet “Ose lëshoni Kosovën, ose do të vriteni nga Serbia fashiste”, që për fat të keq, siç thoshin romakët “Hanibal ante portas” Hanibalin serb e kemi te dera. Mirëpo, ngjashëm siç qëndroi komandanti i UÇK, Adem Jashari me shumë trima të tjerë në mbrojtje të atdheut, edhe pasardhësi i tij, Albin Kurti me shumë shokë, do t’i qëndrojë kërcënimit diplomatik, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Duhet pasur parasysh se një trim i lavdishëm që nuk e ka braktisur atdheun gjatë torturave të përgjakshme deri më sot, nuk do ta braktis as fantazma e Hotit.
Tani pas kërkimfaljes, Hoti tregon se deklarata e tij ishte bërë nga pakujdesia dhe gabimi teknik, megjithëse mendimi i tij është deklarim diplomatik që shkon në shërbim të qarqeve reaksionare. Pastaj nuk krahasohet Kosova me Amerikën, sepse pas vrasjes së Xhon Kenedit, Amerika as nuk u dëmtua, as nuk u shkatërrua, përkundrazi, në Kosovë dhe në Shqipëri nuk duhet të ndodhin atentate ndaj burrështetasve, sepse është në rrezik të mbarë popullit shqiptar, dhe mbarë Shqipërisë Etnike. Përkundrazi përpjekja e Hotit për lirinë e fjalës është vrasja e guximit shqiptar për mbrojtjen e kombit dhe atdheut. Tekembramja, shembullin e Hotit dhe të qeverisë së Ramush Haradinajt po e tregon edhe gjendja e vështirë ekonomike e Kosovës, prej nga rinia shqiptare për shkak të papunësisë po e braktisë vendlindjen. Deklarimi i Hotit të kujton Diogjenin antik kur një pasaniku mendjemadh që kishte vendosur lajmërimin në derë të shtëpisë për ndalimin e hyrjes së budallenjve, i tha: “Po ti, si do të hysh?!”. Prandaj e njëjta pyetje i parashtrohet deputetit mendjemadh, nëse Albini detyrohet ta lëshojë Kosovën, po ti ku po mbetesh?! Mu për këtë duhet zhvilluar vendin, në mënyrë që të pengohet largimi i qytetarëve, sidomos i kuadrit profesional, prej Kosovës. Pa dyshim që Kosova ka kuadër të aftë profesional në të gjitha fushat e shkencës dhe teknikës të shkallës europiane, mirëpo ka pasur dhe ende vazhdon të ketë qeveri të dobët.
IMUNITETI I ZYRTARËVE KORRUPSIONISTË
Deklarimi i dëshmitarëve që kishin rënë viktimë e mashtrimit për humbjen e parave të kujton luftën e gladiatorëve në Perandorinë romake “Unë do të vrasë”, kurse tjetri ia kthente “Unë do të shqyej”, mirëpo në fund pritej se cili prej tyre do të vritej, pasi që për Cezarin ishte njësoj. Ngjashëm veprohet edhe në seancën e Gjykatës Themelore, pritet se cili prej tyre do të pësojë. Kështu mendoj, sepse po të funksiononte ligji, të akuzuarit qysh në fillim nuk do të guxonin të hapnin agjencitë e tyre pa leje të organeve në pushtet. Që të jetë fatkeqësia më e madhe, zyrtarët nuk janë pa mbështetje, janë njerëz që punojnë në organe të pushtetit. Një gjë nuk e kuptoj, kur të krahasohet me hajdutin që për 50 euro dënohet me burg, jo më pak se një vit, atëherë ku po mbeten zyrtarët e korruptuar që vjedhin, jo 100 por me mijëra euro prej popullit të varfër. Sa i përket kontrastit në mes varfanjakut dhe deputetit, kur njeriu hyn në sallën luksoze në krye me ikonën “Betimi për Drejtësi”, duket sikur shteti është ideal, që të kujton “Qytetin e Diellit” të Tomazo Kampanellas, kur dihet që korrupsioni vendin e ka mbërthyer për fyti.
Këtë më së miri e argumenton deklarata e njërit prej dhjetëra dëshmitarëve, i cili në seancë tregoi që për sigurimin e vizës për punësim në Gjermani kishte dhënë hiq më pak se 1050 euro. Pastaj vjen përshkrimi i gjendjes psikologjike të dëshmitarit, pasi që siç dihet 1000 euro nuk janë pak. Dëshmitari në vazhdim tregoi se si zyrtarit, ani deputeti jo i kuvendit komunal, por i kuvendit shtetëror, i kishte dhënë 1050 euro për sigurimin e vizës për punë në Gjermani. Që populli e ka një të metë duket qartë, sapo e shohin në përbindësh me mantel të bardhë, e marrin për mjek, prandaj sapo e shohin një zyrtar shtetëror me emblemë në gjoks, e marrin për njeri të mrekullueshëm. Pasi që, siç thuhet, kur flet zyrtari, e vendos pushteti. Nuk duhet t’u zihet për të madhe njerëzve të varfër, sepse në çaste të vështira edhe prej sharlatanit kërkohet ndihma mjekësore, prandaj në çaste të vështira të punësimit, edhe matrapazit i besohet për sigurimin e punës. Këtë e argumenton edhe deklarimi i njëri prej dëshmitarvëve, Leutrim Hoxha, i cili tregon që kishte shitur lopën për sigurimin e vizës për punë në Gjermani, prandaj në seancën e Gjykatës Themelore kishte kërkuar kompensimin e parave, sepse është dëmtuar me shitjen bagëtisë. Prandaj derisa viktima i ka humbur lopën me gjithë viç, që sot do të kishte dy lopë me viça, atëherë dikush tjetër në dëm të familjes viktimë ka përfituar mjete të mëdha financiare.
Sipas prokurorit thuhet se ky rast nuk është i vetëm në vend, ka me qindra. Deklaratë të ngjashme për plaçkitjen e parave të tyre kanë dhënë edhe dëshmitarët tjerë, që sipas prokurorit flitet për 900 raste të mashtrimit për viza, të cilët në emër të agjencisë së tyre u kishin marrë prej 500 deri 3050 euro. Mirëpo me ndërmjetësimin e organeve policore paratë u janë kthyer vetëm 354 personave të dëmtuar në vlerë prej 83.850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261.850 euro. Për ironi, nevojtarët për viza shpresonin kot, ndaj pritnin jo me muaj, por me vite, dhe vizat për punësim nuk dukeshin askund. Ndërkohë që të dëmtuarit po shqetësoheshin për paratë e humbura, të akuzuarit po rehatoheshin. Për habi, kur njëri prej tyre mikut i kishte treguar që po shkonte në agjencinë për punësim, ia kishte kthyer, që më mirë do të ishte që me ato para të siguronte ushqim për familjen, se të humbte në Agjencinë e Korruptuar për viza, që kurrë nuk do t’i merrte. Prandaj miku i viktimës kishte pasur të drejtë.
Dëshmitarët që janë torturuar me anën e mospërfilljes nga zyrtarët e agjencisë duke mos ua kthyer paratë, të kujton feudalizmin mesjetar. Këtë e argumenton edhe lirimi i të akuzuarit nga pafajësia, me anën e së cilës duke trimëruar fajtorin, e ndëshkon viktimën, si në pikëpamje ekonomike, ashtu edhe në atë psikologjike. Është një përfundim tragjik, që vendimi i padrejtë i gjykatës, viktimën mund ta çojë në vetëvrasje. Prandaj ashtu siç ka njerëz me dhjetëra diploma, ka njerëz që kanë përjetuar me dhjetëra vepra penale, të cilët kanë fituar imunitetin politik. Për habi, me dhjetëra seanca brenda vitit mbahen, dhe në fund keqpërdoruesit dalin “heronj”. Duhet pasur parasysh se mosndëshkimi i fajtorëve me kohë, mund të nxitë hajdutët për thyerje dhe vjedhjen e shtëpive dhe institucioneve shtetërore.
Postime të Lidhura
SHOQATA ‘ATLANTIKU’: NAIM S.DEDUSHAJ DHE ADEM A.KRASNIQI NUK E MERITOJNË STATUSIN E VETERANIT TË UCK’së!
New York, 10. 11. 2015: Letër Publike nga ushtarët shqiptaro-amerikanë të Batalionit “Atlantiku” të UÇK’së – Zyrës së…
SHERADIN BERISHA: HARRIMI DHE MODELIMI I ZOTIMEVE TË KRYEMINISTRIT HASHIM THAҪI!
(Pashtriku.org, 25. 02. 2013) – “Plani i Serbisë për ndarjen e Kosovës në dy etnitete (shqiptare dhe atë…
ADIL FETAHU: A PËRGJIGJET KUSH PËR MOSZBATIMIN E LIGJIT?!
Prishtinë, 13. 10. 2015: Pas shumë e shumë kërkesave të organizatave të pensionistëve të Kosovës, dhe premtimeve të…
BEDRI TAHIRI: NJË MANIFESTIM I QËLLUAR, POR QË LA PËR T’U DËSHIRUAR
Prishtinë, 05. 07. 2012 – (Shkrim me shkas: Kujtesё e zvetёnuar historike) – Kishte ditё qё njё lajm…