GJOKË DABAJ: BOTË MENDJESH TË CEKËTA! ‘DEMOKRACIA’ QË DIRIGJOHET NGA DIKTATURA E PARASË!

Pashtriku.org, 17. 12. 2014 – BOTË MENDJESH TË CEKËTA! – (Fillimi i mijëvjeçarit III. Analizë përgjithësuese.) – S‘është MENDJECEKËT vetëm kjo botë e sotmja. Mendja botërore ka vuajtur nga cektësia në të gjitha kohët dhe kjo ka ndodhur, sepse MENDJETHELLËT nuk ia kanë dalë dot, nuk kanë arritur të krijojnë një RELIGJION të vetin. Janë bërë shumë përpjekje, por ka ndërhyrë MENDJECEKTËSIA, në të cilën gjen terren të bollshëm edhe SHPIRTLIGËSIA, dhe çdo gjë është rivënë nën pushtetin e MENDJEVET TË CEKËTA. Por unë tash po flas vetëm për fragmentin e kohës, në të cilin po jeton njerëzimi në këtë fillim mijëvjeçari. Karakteristikë për këtë fillim mijëvjeçari, është zhurma kundër DIKTATURAVET. Mendja gjithnjerëzore, në këtë njëqindvjeçar, të mposhtjes së diktaturës së hapur borgjeze kapitaliste hitleriane dhe, në këta dhjetëvjeçarë, të mposhtjes së diktaturës, gjithashtu të hapur, „punëtore e fshatare“ komuniste, është tërësisht e përqëndruar në propagandën KUNDËR ÇDO LLOJ DIKTATURE. Mirë po bëhet. Po bëhet mirë. Asnjë mendjekthjellët nuk e lëvdon DIKTATURËN. Madje, edhe nga vetë ata që e ushtronin DIKTATURËN, ka shumë që e urrenin atë. Psh, Zhan Kalvini, në parim nuk ishte për DIKTATURËN, por, meqë donte të zbatoheshin idetë e tija dhe ish i bindur që ato ide ishin më të mirat, ai u bë një DIKTATOR i mirëfilltë, sidomos në 10 vitet e fundit. Nuk i hyjmë tani më thellë kësaj pune.
Në qendër të lavdërimevet, si antipod i diktaturavet, janë vënë të quajturat „TË DREJTA TË NJERIUT“. „TË DREJTA TË NJERIUT“, por pa përmendur fare, madje, pa i zënë në gojë në asnjërin nga traktatet, DETYRAT e njeriut. Njeriu në kohën tonë ka vetëm „TË DREJTA“, kurse DETYRAT mirëfilli janë „HARRUAR“. A s’është kjo njëra nga CEKTËSITË mendore më flagrante?!

Ka 3500 vjet që Moisiu bërtet që nga Mali i Sinait mbi 10 DETYRAT që „ZOTI I KA VËNË NJERIUT“, madje në formë urdhëri. Ka 2000 vjet që, profeti tjetër, Jezu Krishti, i ka përsëritur po ato DETYRA, ndërsa njeriut të kohës sonë as që i bie ndërmend për t’i rifreskuar, për t’i plotësuar dhe për t’i përfshirë ato në ndonjërën prej deklaratave apo konventave. Nuk them, për t’i kopjuar, por për t’i rishqyrtuar dhe për t’i riformuluar. Sepse, kohët e reja, sjellin doemos edhe DETYRA të reja.
Duke stigmatizuar çdo lloj DIKTATURE, apologjetët e së quajturës „DEMOKRACI“ ( dhimos=popull, kratia=sundim), pra, apologjetët e të quajturit „SUNDIM I POPULLIT“, kanë ekspozuar para masës gjithnjerëzore „SUNDIMIN E LIGJIT“ dhe të „KUSHTETUTËS“. Njerëzit, thotë kjo kastë apologjetësh të „DHIMOKRATIAS“, duhet t’u binden „LIGJEVET“. Por, kush i bën ligjet? Kush i harton kushtetutat? Mendjet e cekëta as që mund të hyjnë më thellë në të këtillë probleme.
Këta apologjetë, jo vetëm të cekët, por edhe dinakë, të „DEMOKRACISË“, pra, të „SUNDIMIT TË POPULLIT“, as që duan të thellohen në faktin që EDHE KUSHTETUTAT JANË DIKTATURË. Këta apologjetë të kësaj „DEMOKRACIE“ „mbrohen“ me sloganet „Kushtetutat MIRATOHEN me referendum“, „Është vetë populli ai që jep votën dhe verdiktin për këto kushtetuta.“ „Prandaj dhe njerëzit janë të detyruar ta respektojnë kushtetutën që e kanë MIRATUAR vetë.“ Thonë kështu dhe bëjnë sikur nuk e dinë që edhe kushtetutat fashiste, naciste dhe komuniste, i kanë pasë „MIRATUAR“ popujt përkatës. Madje, me përqindje të habitshme, mbi 99%.
Duke folur kundër diktaturavet, apologjetët e mosquajtjes DIKTATURË të së quajturës „DEMOKRACI“, e kanë lënë krejt pa përmendur njërën prej DIKTATURAVE më të tmerrshme GJITHNJERËZORE dhe GJITHKOHORE: DIKTATURËN E OPINIONEVET. Mendjet e cekëta, midis të cilavet ka shumë dinakëri e ligësi, e lënë pa përmendur DIKTATURËN E OPINIONEVET, duke u munduar ta imponojnë si të plotfuqishëm pikërisht OPINIONIN e vet.
Ndërkohë që, mendja e kthjellët, mendja normale gjithnjerëzore duhej ta dinte që në shoqërinë njerëzore ekzistojnë 2 lloje opinionesh: OPINIONET POZITIVË dhe OPINIONET NEGATIVË. Opinioni pozitiv është MBRETI I SË MIRËS, opinioni negativ është MBRETI I SË KEQES. Pra, njëri opinion është DIKTATOR i së mirës, tjetri opinion është DIKTATOR i së keqes.
Shembuj se si DIKTATURAT E OPINIONEVET NEGATIVË, mbretërit e së keqes, mund të shndërrohen në TMERRE dhe në PËRBINDËSHA gjithnjerëzorë, ka ME MIJËRA. Unë po sjell këtu vetëm nja 5 a 6, sa për të ilustruar pohimet e mi.
1. Në të gjithë televizionet dhe thuajse në të gjitha gazetat, njerëzimi është I DETYRUAR ditë për ditë të dëgjojë (e të lexojë) „PARASHIKIMET“ E YJEVET. E quajnë horoskop dhe pretendojnë që YJET “dinë” t’i tregojnë secilit prej nesh, 7 miliardë banorëvet të këtij planeti, ç’e mirë ose ç’e keqe e pret në ditën që sapo ka filluar. Dora në zemër, ky lloj OPINIONI nuk është dhe aq i rrëzikshëm, por, sidoqoftë, është një OPINION, i cili rreh të rrënjoset në mendjen e shikuesvet dhe lexuesvet. Pjesa mendjecekët e shikuesvet dhe e dëgjuesvet e ka për zemër një të tillë OPINION dhe, rrjedhimisht, njerëzimi SHPENZON MILIONA dollarë, euro etj, për ta “ushqyer“ veten me këtë lloj „ushqimi“.
2.“E DREJTA“ e njeriut për t’i SHKELUR të drejtat e veta në mënyrën më poshtëruese, ka hyrë tashmë edhe në legjislacionet e shumë shteteve. E kam fjalën për dukurinë e shëmtuar të HOMOSEKSUALIZMIT. Po bëhet çmos për ta bërë zotëruese DIKTATURËN pikërisht të këtij OPINIONI. Burri ka „TË DREJTË“ të martohet me burrë dhe këtu, thonë „BURRAT“ e shtetevet „MENDJETHELLË“, s’ka asgjë të keqe. Përkundrazi, është i keq, është anakronik, është i mangët nga mendtë, ai që nuk e miraton këtë lloj „MARTESE“. Nuk mund as të hapësh gojën, le më të nxjerrësh policinë për të mos i lejuar paradat e lezbikevet dhe të gejvet. Të çojnë në gjykatën më të pamëshirshme që mund të ekzistojë, në gjykatën e OPINIONIT „DEMOKRATIK“, dhe të LINÇOJNË.

3. Është krijuar tashmë OPINIONI që DROGA “vërtet është e dëmshme”, „sidomos kur përdoret pa kujdes“ (e shtojnë këtë „SIDOMOS“), „por shteti nuk po mund ta ndalë“. Shteti „po lufton për t‘i penguar, prodhimin, trafikimin dhe përdorimin e drogës“, por „NUK PO MUNDET“, nuk po ia del dot. A është e vërtetë që shtetet, grupet e shtetevet, apo vetë OKB-ja, nuk po mundkan ta ndalin këtë dukuri që po shuan qindra mijë jetë njerëzish dhe po shkatërron mijëra familje?! Për MENDJECEKËTIT, po. Është e vërtetë. Sepse ata nuk shkojnë dot përtej DIKTATURËS SË OPINIONIT. Ndërsa ata që e kanë mendjen të kthjellët, thonë: „Droga nuk mund të ndalet vetëm atëherë, kur në krye të kësaj gjoja DEMOKRACIE qëndron DIKTATURA e të këqinjvet.“
4. Në të 2 rastet, edhe te DROGA, edhe te HOMOSEKSUALIZMI, në emër „TË TË DREJTAVET TË NJERIUT“, i jepet njeriut „E DREJTA“ për t’i SHKELUR të drejtat e veta në mënyrën më të palejueshme. Nuk është thënë asgjëkundi, shkoqur edhe qartë, në dokumente ndërkombëtarisht të miratuar dhe të shpallur, që: „Njeriu është I DETYRUAR, që njeriu E KA DETYRË nga më të shenjtat, të ruajë DINJITETIN e vet dhe SHËNDETIN e vet.“
E njëjta gjë ndodh edhe me të quajturat „LOJËRA FATI“. Ai që i bindet OPINIONIT të „fatit“, ka „TË DREJTË“ ta asgjësojë VETËVETEN deri në atë shkallë, sa do të ish më mirë të mos ish lindur fare, ndërsa ai që i menaxhon ato „LOJËRA“ ME JETË NJERËZISH, fiton para dhe e përhap OPINIONIN deri sa e bën pjesë „DEMOKRATIKE“ edhe të legjislacionit „JODIKTATORIAL“ të vetë shtetit.
5. Para disa javësh, papa Françesku i tha Europës një fjalë të madhe, që ndoshta askush deri më sot nuk ia kishte thënë: „TË MOS E SHNDËRROJMË DETIN MESDHE NË VARREZË KLANDESTINËSH!“ Por, kush po e dëgjon papën, kur në të gjithë botën është përhapur OPINIONI që „vetëm në Europën Perendimore dhe në Amerikën Veriore jetohet mirë“?! Ky opinion mbështetet mbi një realitet „sekret“, mbi „sekretin“ e qarkullimit të kapitalevet. Mirëpo, Europa Perendimore dhe Amerika Veriore nuk duan ta shpërfaqin këtë „sekret“. Përkundrazi, mburren që e kanë arritur një të tillë standard dhe MENDJECEKËTIT as që thellohen në mënyrën se si ia ka dalë kjo pjesë e botës të bëhet e këtillë. Vetë Perendimi VAZHDON TË MBURRET, me një mendje vajtimisht TË CEKËT dhe pa u përpjekur thuajse fare për ta bërë jetën të këndshme EDHE NË PJESËT E TJERA të botës. Ndërkaq, DIKTATURA E OPINIONIT vazhdon TË MBYSË pa numër, gra e fëmijë, në brigjet e Lampeduzës.
Në këtë mënyrë, epoka e apologjetëvet të „DHIMOKRATISË“ („sundimit të popujvet“), mund të quhet thjeshtë e qartë: EPOKA E LAMPEDUZËS. Do të mund ta quanim, me binjakëzim, edhe EPOKA E VARREZAVET MASIVE NË TOKËN E MEKSIKËS.

***
Thuhet, ndërkohë, që, pas dështimit të komunizmit, në shkallë botërore është shtuar RELIGJIOZITETI. Të çliruar nga DIKTATURA KOMUNISTE, njerëzit tashmë janë bërë BESIMTARË. (Sidomos në Kalifatin e Isisit! Atje, besimi në Allahun ka arritur kulmin e devotshmërisë!) Por edhe gjetkë po shihet gjithandej e njëjta tendencë e kohës. Objektet e kultit po ngrihen anembanë vendevet të „DEMOKRATIZUAR“ dhe ata ngjajnë mirëfilli me istikame ushtrish armike. Ceremonitë fetare po praktikohen në të gjithë globin. Kryeklerikët po shkëlqejnë në paraqitjet e tyre me pamjet më madhështore se kurdoherë tjetër. Miliarda besimtarë po i derdhin paratë lumë, për të ndërtuar objektet e vet të kultit, istikamet e luftëravet ndërfetare, për të ralizuar, edhe në fshatin më të humbur, ceremonitë përkatëse dhe për ta rritur edhe më shumë madhështinë religjioze të krerëvet të vet fetarë. Do të mjaftonte të shihnim kryepatriarkun ortodoks dhe papa Françeskun para pak ditësh në Stamboll. Ata folën e bënë thirrje për tolerancë, por a ka tolerancë? Edhe pelegrinët e përvitshëm të Haxhit të Mekës të njëjtën gjë po bëjnë. Po derdhen miliarda për ta ringjallur dhe për ta mbajtur më këmbë pikërisht këtë lloj OPINIONI, ndërsa Boko Harami po i rrëmben 200 vajza dhe po i mban peng diku në një vend të Afrikës, duke shqetësuar, jo 200 nëna, por 2 miliardë e më shumë nënat e gjithë botës.
Në qendër të krejt kësaj pamjeje, që është e kohës sonë, jo e ndonjë kohe tjetër, është ZOTI! I lutemi ZOTIT, besojmë se ZOTI i ka në dorë fatet tanë, deri edhe frymën e fëmijëvet tanë. Çdo gjë varet nga vullneti i ZOTIT! Dhe askujt prej nesh, që jemi MENDJECEKËT, nuk i shkon mendja të pyesë: A s‘është edhe kjo një DIKTATURË e mirëfilltë?! Njerëzit nuk po e pranojnë DIKTATURËN, por po i binden verbërisht DIKTATURËS! Këtu në Tokë, ZOTI i ka „PËRFAQËSUESIT“ e vet. Ne po u bindemi ATYRE, jo ZOTIT. A s’është kjo një vazhdim tradicional i një DIKTATURE të veçantë, e cila rrënjoset te njerëzit me anë të një OPINIONI gjithashtu tradicional?!
***
Të shohim tash edhe një tjetër aspekt të MENDJECEKTËSISË, që është karakteristikë e kohës sonë. Me iluzionin e DEMOKRACISË në kokë, me iluzionin se në këtë „DEMOKRACI“ mund të vendoset DREJTËSIA, por, shoqëruar shpesh edhe me shfryrje dufi pa kurrfarë rendimenti, dalin mijëra njerëz nëpër sheshe e nëpër rrugë dhe bëjnë të quajtura DEMONSTRATA. Kërkojnë diçka. Bërtasin, përballen me policinë, rrihen, rrebelohen, arrestohen, vriten, hyjnë grevë urie, shtrihen përtokë dhe dalin para kameravet me koka të lidhura. Ku shkojnë kështu këto turma njerëzish?! Cilët janë PROGRAMET e tyre KONKRETË?! Cilët janë mjetet për t’i realizuar përfundimisht kërkesat e tyre?! A mund të plotësohen kërkesat e këtyre turmave, shfaqur me këso formash, të themi tradicionale, në një të këtillë „DEMOKRACI“?!
Se po dalin në rrugë, psh, 1 milion njerëz kundër armatimit bërthamor, a po ndalet armatimi bërthamor?! Se po dalin në rrugë 5 milionë njerëz kundër ndotjes së atmosferës, a po pushojnë së ndoturi atmosferën industrialistët e pamoralshëm e njëkohësisht MENDJECEKËT?! Se po dalin, në të gjithë qytetet e një shteti mijëra protestues me kërkesën për të pasur PUNË, a po zhduket PAPUNËSIA në këtë lloj „DEMOKRACIE“?! Në këtë lloj „DEMOKRACIE“ vetëm demonstratat e gejvet mund të kenë njëfarë „rezultati“.
A nuk e shohin dot këta njerëz që krejt ky sistem i quajtur „DEMOKRATIK“, dirigjohet nga DIKTATURA E PARASË?!

Ja edhe një tjetër „PERENDI“, e cila na shfaqet me tiparet më karakterisikë të DIKTATORIT: Kjo është PARAJA! Është SISTEMI FINANCIAR, i cili deri tash s’di rrugë tjetër, veç rrugës drejt KRIZAVET. Interesat e grupevet! Monopolet! DIKTATURË pas DIKTATURE, deri te „lojërat“ me të quajturat „PIRAMIDA“!
Më në fund, a nuk ka ardhur koha që NJERËZIMI të mos bjerë më pre e një të këtillë CEKTËSIE MENDORE, e cila nuk çon kund tjetër, veçse në një luftë të përbinshme bërthamore?!
***
Në botë ka me shumicë MENDJE TË NDRITURA dhe MENDJE TË THELLA. Pse nuk po mund t’ia japin tonin jetës së shoqërisë njerëzore njerëzit që nuk janë të cekët?! Përgjigjja është fare e thjeshtë: Njerëzit MENDJETHELLË nuk janë TË ORGANIZUAR. Njerëzit MENDJETHELLË nuk e kanë një PLATFORMË të vetën, një TEORI të vetën, që do me thënë:
1. Njerëzvet MENDJETHELLË u mungon një RELIGJION i tyre MENDJENDRIÇUES.
2. Njerëzvet MENDJETHELLË, si pasojë e pikes 1, u mungon një ORGAN QENDROR udhëheqës i atij religjioni.
3. Njerëzvet MENDJETHELLË, si pasojë e pikavet 1 dhe 2, u mungojnë PREDIKATORET në shkallë botërore.
4. RELIGJIONI i njerëzvet MENDJETHELLË, i cili, siç thashë, nuk ekziston, por pret për t’u formuluar, vetëkuptohet që nuk ka deri më sot as edhe 1 PREDIKUES të vetin.
Ç’tregon kjo përfundimisht?!
Përfundimisht kjo tregon se, edhe ATA që unë i quajta njerëz MENDJETHELLË, janë ende nën pushtetin e MENDJEVET TË CEKËTA. Nëse bota do të shkojë drejt RROKULLIMËS, faji nuk do t’u mbetet MENDJEVET TË CEKËTA, por MENDJEVET TË KTHJELLTA dhe TË THELLA. Përgjegjësinë e ka i mençuri, jo i pamençuri.
Gjokë Dabaj, Durrës 13-16 dhjetor 2014

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura