BEQIR ELSHANI: VRASJE E INSKENUAR E USHTARIT SHQIPTAR – AZIZ KELMENDI

Suedi, 30. 09. 2012 – (Me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së studentit – Aziz Kelmendi) – Një ndër krimet më të rënda po aq edhe tronditëse, që arriti deri te aktivizimi i lëvizjes çetnike për ardhjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtetin jugosllav, ishte vrasja e ushtar Aziz Kelmendit, i cili u vra më 03. 09. 1987 në kazermën ushtarake në Paraçin, qytet në jug të Beogradit. Ushtari shqiptar, Aziz Kelmendi, ishte në prag të zhveshjes së rrobave ushtarake, që ishte një ditë e madhe e përfundimit të obligimit ushtarak, të cilën çdo ushtar e pret me gëzim për kthim në vendlindje – në gjirin familjar, dhe atë duke shënuar me laps në mur vijat e mbetjes së ditëve të fundit javor. Të gjitha mjetet mashtruese me anën e sloganit “vëllazërim-bashkim” për shkrirjen e shqiptarëve në Jugosllavi ishin sosur, ndaj shovinistët serbë u morën me vrasjen e ushtarëve shqiptarë me plumb prapa shpine në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Për të thyer moralin e popullit shqiptar, APJ do të sakrifikonte jo vetëm katër ushtarët jugosllavë në kazermën e Paraçinit, por edhe me qindra ushtarë të tjerë jugosllavë, vetëm se vetëm që të arrinte deri te heqja e Kushtetutës së Kosovës (1974), që ishte njësi e federatës jugosllave dhe ishte një hap i madh drejt shkëputjes nga kolonizimi serb dhe bashkimin me shtetin amë – Shqiperinë. Këtë e kishte parasysh qeveria jugosllave, prandaj vepronte me të gjitha mjetet diplomatike, ushtarake e policore.
Ngjashëm porsi ushtar Aziz Kelmendi, përndryshe nxënës shembullor në gjimnazin e Prizrenit, në rrethana fort misterioze qysh pas përfundimi të Luftës së Dytë Botërore ishte vrarë edhe sekretari i PKJ në Kosovë, Miladin Popoviqi, në zyrën e tij të punës, për të cilin ishte kurdisur vrasja mësuesit të popullit, Haki Taha. Prandaj për të ardhur deri te Masakra e shqiptarëve më 6 maj 1945 në Tivar dhe zbatimi i Elaboratit të Vasa Çubriloviqit për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga Kosova, OZNA së pari u mor me vrasjen e Miladin Popoviqit, i cili ishte pengesë e diplomacisë vrastare serbe. Konkretisht, derisa shumë vende të Europës në Luftën e Dytë Botërore synim kishin çlirimin e vendit nga fashizmi gjerman, Jugosllavia kishte dy synime: çlirimin nga fashizmi gjerman dhe pushtimin e tokave shqiptare të Shqiperisë Etnike, edhe më keq ndarjen e Shqiperisë londineze në mes dy vendeve fashiste Serbi – Greqi. Për ta kuptuar obskurantizmin e ish-pushtetit jugosllav, më së miri mund të shikohen filmat e kinematografisë amerikane, sepse atë demaskim që bënin në shtetet kapitaliste nuk mund ta bënin dot në ish-Jugosllavinë Socialiste.

……………………………………….

Ushtar Aziz Kelmendi ka mbetur figura më e ndritshme në historinë kombëtare dhe ndërkombëtare për shkatërrimin e Armatës Terroriste të Jugosllavisë, meqë APJ udhëhiqej kryesisht nga krerët e neofashizmit serb. Vrasja e ushtar Azizit nuk ishte çështje vetjake e familjes Kelmendi nga Prizreni, por ishte sinjal i paralajmërimit të despotizmit serbosllav se kështu do të vepronin me të gjithë djemtë ushtarë shqiptarë. Kur shumica e eprorëve serbë në kazermë në mënyrë raciste e urrejnë ushtarin shqiptar, ata i kanë të gjitha mundësitë që ta provokojnë duke marrë në pyetje të shpeshta, ta detyrojnë të pastrojë nevojtoret dhe të bëjë kujdestari. Nuk ka asnjë dyshim që shkaktarë të përgjimit nga oficerët e KOS-it në garnizonin ushtarak ishte “mbrojtja popullore” në komunat e Kosovës, e cila për çdo ushtar shqiptar dërgonte karakteristikën politike, përjashtim bënin vetëm rekrutët serbë, qoftë edhe kriminelë të ishin. Sipas kësaj do të thotë se Armata Popullore e Jugosllavisë ishte krijuar jo për mbrojtjen e Jugosllavisë Socialiste dhe Federative, por pikërisht për të shtypur shqiptarët në Kosovë. Asnjë shtet fqinj nuk e sulmoi Jugosllavinë, përkundrazi ishin jugosllavët që ndërhynin në të gjitha vendet fqinje. Ishin jugosllavët që helmonin dhe torturonin nxënësit e mbarë Kosovës dhe në fund i flaknin në rrugë; që prapa shpine i vrisnin rekrutët shqiptarë; që mbyllën të vetmen dritare televizive të Kosovës; që shfrytëzonin pasuritë e Kosovës; që ndërtonin burgje nergut për burgosjen e rinisë së madhe shqiptare etj. etj. Pa dyshim se kështu kanë i torturuar të gjithë shqiptarët, që pikësynim kanë pasur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe jo të vriten për hesapet e Jugosllavisë Fashiste, që kurrë nuk i ka dashur bijtë dhe bijat shqiptare. Prandaj atdhetarët në diasporë kurrë nuk janë pajtuar me jetën luksoze të Evropës Perëndimore, por vazhdimisht kanë vepruar në shërbim të Kosovës Republikë, siç thotë Andon Zako Çajupi, ku është balta më e ëmbël se mjalta. Ishte një kohë e vështirë kur serbomëdhenjtë në bashkëpunim me kolaboracionistët shqiptarë e dhunojnë flamurin kombëtar kuqezi, duke ia hequr yllin nga balli, që ishte shenjë e paralajmërimit të luftës kundër Kosovës; ishin vitet e rënies heroike duke luftuar me forca të mëdha ushtarake dhe policore çetnike: Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha; që fill pastaj vazhdoi me vrasjen e ushtarëve shqiptarë, të cilët i kthenin në arkivol me diagnozën ”vetëvrasje”.
Ky projekt për inskenimin e vetëvrasjeve të ushtarëve shqiptarë nuk ishte spontan, por ishte vazhdim i vrasjes së tyre 50 vjet me radhë, dth. ishte projekt i përpunuar dhe i organizuar mirë një kohë të gjatë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Prandaj më 3 shtator 1987 në garnizonin ushtarak të Paraçinit, agjentura ushtarake serbe vret katër rekrutë (dy boshnjakë, një kroat dhe një serb), fill pas kësaj shpallet vrasja ushtar Aziz Kelmendit, i cili ishte në prag të përfundimit të tij ushtarak. Dihet se agjentura serbe së pari ka vrarë ushtar Aziz Kelmendin, pastaj me pushkë automatike ka masakruar ushtarët në dhomën e fjetjes, duke plagosur edhe pesë ushtarë të tjerë. Qëllimi i skenarit ishte shumë i thjeshtë, i ngjante djegies së Parlamentit Gjerman “Raistagut” në Berlin në vitin 1933 nga ana e nazistëve gjerman në krye me Adolf Hitlerin, të cilët i fajësuan komunistët gjermanë. Vrasja e ushtarëve “jugosllavë” çoi pluhur të madh duke paraqitur si shembull i politikës shqiptare të gjenocidit kundër serbëve. Ministria e Mbrojtjes Jugosllave paralajmëroi solemnisht kinse armiku shqiptar ka filluar të zbatojë metoda të reja të çrregullimit. Shumica e serbëve që u ndanë nga funerali i ushtarit serb, shkuan drejt varrit të ultrashovinistit Aleksandar Rankoviq, u betuan për hakmarrje dhe bërtitën me parullën: ”Shqiptarë, jashtë nga Jugosllavia”. Përfundimi tregon se me anën e këtij inskenimi gjakpirës, shovinistët serbë kërkonin ringjalljen e kohës së Rankoviqit. Kështu Sllobodan Millosheviqi e shfrytëzoi rastin dhe zgjidhet kryetar i Lidhjes Komuniste të Serbisë. Ky shkatërrues i fundit kishte dalë si pasojë e gabimeve të mëdha vite me radhë të politikës jugosllave në krye me renegatin, Josip Broz Tito, ku si rezultat i tyre lindi neofashisti serb – Sllobodan Millosheviq. Prandaj kumtoj se vrasja misterioze e ushtarit shqiptar, Aziz Kelmendi, ishte plan i përpunuar për të arritur deri te masakrimi i popullatës shqiptare si dhe ndjekja nga trojet e tyre. Për ta kuptuar obskurantizmin e ish-pushtetit jugosllav, më së miri mund të shikohen filmat e kinematografisë amerikane, sepse atë demaskim që bënin në shtetet kapitaliste nuk mund ta bënin dot në Jugosllavinë socialiste.

…………………………………………….

KËNGË KUSHTUAR DËSHMORIT AZIZ KELMENDI

………………………………………….

Që vrasja e katër ushtarëve me kombësi të ndryshme gjatë natës në gjumë më 3 shator 1987, të cilën e kishte kryer udba jugosllave, është kurdisur në kurriz të ushtarit shqiptar – Aziz Kelemendi. Nuk ka asnjë dyshim që vrasjen e ushtarëve e ka bërë oficeri i sprovuar serb, për të cilin kanë dëshmuar ushtarët e plagosur. Që skenari serb pati sukses, u pa se menjëherë pas masakrës në kazermën ushtarake në Paraqin, serbët kërkuan hapjen e frontit të luftës kundër shqiptarëve të paarmatosur. Në qytetet serbe dyqanet shqiptare u thyen, dhe argatët shqiptarë në Beograd, Paraçin, Velevë e në Suboticë u rrahën, gjithashtu një vogëlushit, përndryshe bir i bukëpjekësit shqiptar, ia nxorën dy sy prej ballit. Ky ishte kulmi i urrejtjes shqiptare nga ana e Serbisë, prej nga APJ me një ushtri tepër të madhe heterogjene po aq edhe të fuqishme, që një kohë të gjatë ishte investuar nga buxheti i mbarë Jugosllavisë dhe tani priste vrasjen e shqiptarëve, sipas sloganit shovinist: ”Do vrasim, do therim, kush me neve nuk do!”, të cilën serbët e këndojnë një kohë të gjatë. Një përkrahje e ngjashme fashiste kishte ndodhur edhe në Francë, në vitin 1934 ishte formuar organizata fashiste “Rinia Patriotike dhe Aksioni Francez”, natyrisht që si emër ishte i bukur “Rinia patriotike”, mirëpo qëllimi i programit ishte vrasje e popujve të pafajshëm, prandaj masa popullore franceze iu kundërpërgjigj me anën e demonstratave dhe formave të fuqishme. Duket qartë, një gjë e tillë kurrë nuk kishte ndodhur në ish-Jugosllavi. Fill pas kësaj erdhi deri te helmimi i nxënësve në të gjitha shkollat fillore e të mesme në Kosovë, pastaj erdhi te ndarja e konvikteve të studentëve në Universitetin e Prishtinës me bazë etnike. Të gjitha këto ngjarje të më pastajme tregojnë se skenari i vrasjes së katër ushtarëve dhe e ushtar Aziz Kelmendit në prag të përfundimit të shërbimit famëkeq ushtarak ishte inskenuar dhe studiuar në qarqet shoviniste të APJ e LKJ-së. Kjo e fundit pasqyron më së miri që ushtar Azizi ka qenë anëtar i LKJ-së, në të cilën gjendet biografia e tij si nxënës shembullor në gjimnazin e Prizrenit dhe si student solid në vitin e parë të studimeve në Universitetin e Prishtinës, por edhe viti i lindjes së tij 1967 me vitin e vrasjes së tij 1987. Pastaj si çdo kryengritës shqiptar ka qenë i burgosur për veprimtari atdhetare – Kosovën Republikë, me anën e së cilës nga organet komunale i është përcjellë karakteristika në garnizonin ushtarak, për mbikëqyrje policore. Që skenari është përgatitur nga qarqet shoviniste serbe më së miri tregon edhe libri i Millosh Cërnjanskit, i cili shkruan se çdo shqiptar i shkolluar është armik i Jugosllavisë, prandaj me këmbëngulje policore kërkonin mbylljen e Universitetit të Prishtinës. 
Shkrimtarët shkruajnë se bëhen 100 vjet gabime në pushtet, mirëpo në pushtetin ish-jugosllav nuk janë bërë 100 vjet gabime, por 100 vjet terror ndaj popullit shqiptar. Derisa në Francë arrin të zbardhet dënimi i padrejtë ndaj oficerit francez, Alfred Drajfus, një gjë e tillë kurrë nuk ndodhi në ish-Jugosllavi dhe as që do të ndodhë në Serbinë e sotme vrastare për zbardhjen e dënimit me pushkatim të ushtar Aziz Kelmendit. Kështu kjo makineri e fundit e vrasjes së kurdisur solli në këmbë fashizmin serb në krye me Sllobodan Millosheviqin. Prandaj ardhja e kryekriminelit serb në pushtetin jugosllav nuk ishte befasi, por ishte një aktivitet i politikës së shovinistëve serbë, të cilët punonin me programin e tyre kundër popullit shqiptar. Vlen të përmendim kushtrimin fashist, të cilët serbët e këndonin në rrugët e Beogradit: “Do t’i vrasim, do t’i therim, kush me ne nuk vjen”, dhe më vonë euforia serbe do të kërkojë të zbatohet programi i Çubrilloviqit për dalje në detin Adriatik, prej nga prijësin e tyre serboçetnik do ta thërrasin: “Ec përpara Sllobodan, n’koft nevoja deri në Tiranë.” Ky veprim tregon se lufta në ish-Jugosllavi për shfarosjen e popujve tjerë joserbë – shqiptar, kroatë boshnjakë e hungarezë, ka qenë e programuar.
Në fund vlen të shtoj se Azi Kelmendi nuk ishte njeri i pashkolluar sa të mos kuptonte se ç’do të thotë shërbimi i detyrueshëm ushtarak për secilin ushtar pa dallime etnike, të cilët me padurim prisnin përfundimin ushtarak, që sa më parë të kthehen në gjirin familjar, jo më të vrasin moshatarët e vet ushtarë. Parashtrohet pyetja, pse Azizin e detyruan të shkojë ushtar, ndërkohë që ai ishte student i rregullt në Fakultetin Juridik, kur dihet që me dhjetëra studentë bëjnë çmos për të përfituar indeksin sa për t’iu shmangur shërbimit ushtarak. Ai ishte ende i ri dhe sapo kishte përfunduar vitin e parë të studimeve në juridik. Një gjë dihet, asnjë fakultet nuk dëshiron t’i largohen studentët shembullorë prej leksioneve dhe prej provimeve deri në diplomim. Duhet pasur parasysh se student Aziz Kelmendi, i vrarë para 25 vjetësh në Kazermën Ushtarake të Paraqinit, sot do të ishte një veprimtar dhe intelektual i madh në shërbim të kombit dhe atdheut, sepse qysh si nxënës e ndjeu peshën e rëndë të kolonizatorit serb, prandaj dëshironte lirinë e popullit shqiptar dhe Kosovën Republikë. Jo vetëm si akademik, por edhe si familjar ai do të kishte trashëgimtarët e tij, që do të ishte një fitore për familjen dhe Kosovën kreshnike.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura