BEHXHET SH.SHALA: SI E NJOHA REXHEP MEHMET MALËN

Prishtinë, 13. 01. 2014: …në Foçë dhe në karantinë njeriu i parë që më vizitoi ishte Rexhep Mehmet Malaj. M’i solli disa ushqime dhe gjëra higjienike. Ndonëse ishte rreptësisht e ndaluar, Rexhepi më vizitonte disa herë gjatë ditës deri sa nuk dola në pavijon me të burgosurit e tjerë. Pastaj, deri sa u kthyen Skender Kastrati dhe Agim Sylejmani, tërë kohën e kalonim bashkë me dy të dënuar politikë kroatë, Nikolla Novakoviq që para luftës së dytë botërore kishte punuar në Durrës si farmacist dhe i cili i fliste 12 gjuhë të huaja, dhe, me Dom Jozo Zovko, një famullitar i famullisë në Megjugorje i dënuar për propagandaë armiqësore. Rexhepi vepronte edhe nga burgu i Foçës përmes vëllaut Hasanit i cili e pati vizituar ndonëse rrezikonte të arrestohej edhe ai. Në kohën kur pritej të transferohej një numër i madh i të burgosurve politik shqiptarë nga Kosova dhe duke e ditur drejtoria ndikimin e mundshëm të Rexhepit, Skenderi dhe Agimit te ata, vendosën të na transferojnë në Burgun Hetues në Mostar.
Njeri i hatashëm dhe i mrekullueshëm
Pranvera e vitit 1981 ishte bashkëdyzim i vazhdimit të një qëndrese dhe lufte të shqiptarëve për liri dhe bashkim me Shqipërinë si dhe angazhimit të brezave të rinj, kryesisht nxënës, studentë dhe punëtorë brenda dhe jashtë Kosovës në këtë lëvizje gjithëpopullore në të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët e shtypur apo aty ku frymonin pakëz lirisht. Burgjet e ish Jugosllavisë ishin mbushur plotë me shqiptarë të mos them se, me përjashtim të një numri të vogël boshnjakësh dhe kroatësh, mbi 80% të burgosurve ishin shqiptarë! Të shpërndarë anekënd ish Jugosllavisë, në burgje hetuese dhe llogore që, sa i përket trajtimit pak dallonin nga kampet e përqëndrimit. Sidomos për të burgosurit dhe të dënuarit shqiptarë. Ata keqtrajtoheshin deri në vdekje apo u shtohej dënimi duke u kurdisur vepra të ndryshme dhe duke i ndërsyer kriminelë shumë të rrezikshëm kundër tyre! Njëri prej tyre që u torturua deri në masë sa kishin menduar se kishte vdekur dhe si të tillë e kishin dërguar në spitalin e Prishtinës ishte edhe Heroi i Kombit Shqiptar, Rexhep Mehmet Malaj, nga Hogoshti i Kosovës, si pjesë e okupuar e Shqipërisë! Të gjithë kishim dëgjuar për Frymëzuesin në Luftë për Liri dhe Bashkim Kombëtar, Bacën Adem Demaçi. Të gjithë kemi dëgjuar për Shaban Shalën e Besianës, i cili edhe duke dhënë jetë nën torturë këndonte se: ”hej këtu nuk është, as Jugosllavi e as Serbi por është Shqipëri..”. Apo për vdekjen heroike të Mësuesit të Lirisë, Fazli Grejçevcit! Për shkak të një terri informativ të asaj kohe ne, kryesisht dëgjonim për ata që burgoseshin apo dënoheshin politikisht e që ishin të afërm tanë apo të rrethit ku jetonim! Mirëpo, dënimi i fundit i Bacës Adem Demaçi pati jehonë të madhe dhe kështu mësuam edhe për anëtarët tjerë të grupit që u dënuan me te dhe të cilit kishin kaluar tortura që zbatoheshin në kohë të mesjetës, inkuizicionit apo që lirisht mund të gjenin vend në Ferrin e Dante Aligerit. Përmendej një i ri nga Gjilani i cili kishte nokautuar një udbash të njohur nga Gjilani gjatë marrjes në pyetje apo më mirë të them gjatë seancave torturuese. Të cilin e kishin mbajtur ditë të tëra me këmbë lidhur lart dhe kokë poshtë. Bëhej fjalë për Heroin e Kombit Shqiptar, Rexhep Mehmet Malaj. Flitej se ishte torturuar gjithashtu shumë edhe Skender Kastrati i cili dënohej për herë të dytë si bashkëpunëtor dhe bashkveprimtar i Adem Demaçit!

Në burgun e Mostarit: Në shtratin lart, ka fjetur Rexhep Malaj, nga 24 shkurt 1982 deri më 23 maj 1983. Pas daljes së tij nga burgu këtu ka fjetur Agim Sylejmani – deri më 14 janar 1984. Në shtratin e poshtëm ka fjetur Behxhet Shala (autori i këtij shkrimi), ndërsa pas daljes së Behxhetit nga burgu në këtë shtrat ka fjetur Skender Kastrati.

Dritarja e qelisë së burgut në Mostar, ku Rexhepi kaloi muajt e fundit të burgut, në izolim pa afat dhe pa vendim zyrtar. 

Tavolina e punës në qelinë e burgut në Mostar, ku Rexhep Malaj për 16 muaj rresht kaloi duke lexuar libra… Këto tri fotografi i bëri Skender Kastrati, në fillim të vitit 1985, pak muaj para se të dilte nga burgu.

Si e njoha Rexhep Mehmet Malën
Fryma e demonstratave të vitit 1981 ishte përhapë edhe në Sarajevë, kryeqytet i Bosnje dhe Hercegovinës ku si banorë autoktonë jetonin shumë shqiptarë. Ishin të punësuar kryesisht për punë të rënda shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Kishte shumë shqiptarë në shërbim ushtarak dhe sidomos kishte shumë studentë shqiptarë që studionin aty dhe të cilët ishin aktiv në klubin “Bajram Curri“! Dhe që koordinonin aktivitetet me studentët nga mbarë ish Jugosllavia. Edhe në Sarajavë ishin shkruar disa parulla Kosova Republikë dhe paraqitje siç i cilësonin atëherë nacionaliste, kundër vëllazërim-bashkimit dhe Jugosllavisë vetqeverisëse. Një delegacion nga Kosova i Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme në me krye Xhevdet Hamzën vizitoi Sarajevën dhe gjatë takimit me njërin nga vëllezërit Pozderac u mor vendimi që, si masë parandaluese kundër përshkallëzimit të mundshëm nacionalist të burgosej dhe të dënohej një grup shqiptarësh. Fati deshi që në mesin e tyre të jem edhe unë, si student i fakultetit të Mjekësisë së bashku me një studente, Hidajete Krasniqi nga Leshani i Pejës dhe një punëtor krahu nga Lipkova e Kumanovës! UDB’ja e formoi një grup armiqësor apo një treshe nacionaliste siç ishte edhe e modës atëherë! Hidajeten e pata takuar vetëm me një rast kurse shqiptarin nga Lipkova e Kumanovës as që e njihja, sepse nuk e kisha takuar asnjëherë! Pas marrjes në pyetje dhe kalimit të “procedurës” në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Sarajevë, shefi i këtij sektori e thirri Burgun Qendror në Sarajevë duke kërkuar që: ”që të sigurohet një apartman për zotëri Shalën…”. Kjo kërkesë ishte shoqëruar me disa pikanteri tjera përcjellëse që rëndom përcillnin fjalorin e pasur të udbash-ëve! Ndejta një kohë në vetmi pastaj më bënë bashkë me një të arrestuar, ndryshe drejtor i një ndërmarrjeje shumë të fuqishme në ish Jugosllavi, i cili rregullisht bënte porosinë për ushqim nga hoteli më i mirë atëherë në Sarajevë, hotel “Evropa“! Me të kuptuar se jam shqiptar dhe i burgosur politik dhe pasi kishte ardhur për rigjykim nga Burgu në Foçë m’u drejtua me fjalët: ”Në Burgun e Foçës është një njeri, sa i hatashëm aq edhe i mahnitshëm. Sa trim, aq i vendosur dhe shumë i mençur. Është korrekt deri në fund, i durueshëm kur fol tjetri ndërsa shpërthen si vullkan kur dikush flet kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. I butë si qengj ndërsa sulmon si ujk kur e kërkon puna. Ka mbetur i vetmuar në Foçë sepse të dy shokët ia kanë dënuar me izolim në Zenicë dhe Tuzëll. Nuk më kujtohet emri e as mbiemri por e di se e thërrisnin Rexho”. Isha kureshtar se kush ishte ai person dhe dëshiroja ta takoja mirëpo nuk isha i sigurt se do të më transferojnë në Burgun e Foçës, sepse mund të më dërgonin në Burgun e Zenicës. Mirëpo, fatmirësisht më dërguan në Foçë dhe në karantinë njeriu i parë që më vizitoi ishte Rexhep Mehmet Malaj. M’i solli disa ushqime dhe gjëra higjienike. Ndonëse ishte rreptësisht e ndaluar, Rexhepi më vizitonte disa herë gjatë ditës deri sa nuk dola në pavijon me të burgosurit e tjerë. Pastaj, deri sa u kthyen Skender Kastrati dhe Agim Sylejmani, tërë kohën e kalonim bashkë me dy të dënuar politikë kroatë, Nikolla Novakoviq që para luftës së dytë botërore kishte punuar në Durrës si farmacist dhe i cili i fliste 12 gjuhë të huaja, dhe, me Dom Jozo Zovko, një famullitar i famullisë në Megjugorje i dënuar për propagandaë armiqësore. Rexhepi vepronte edhe nga burgu i Foçës përmes vëllaut Hasanit i cili e pati vizituar ndonëse rrezikonte të arrestohej edhe ai. Në kohën kur pritej të transferohej një numër i madh i të burgosurve politik shqiptarë nga Kosova dhe duke e ditur drejtoria ndikimin e mundshëm të Rexhepit, Skenderi dhe Agimit te ata, vendosën të na transferojnë në Burgun Hetues në Mostar. Në Foçë i mbaj mend dy reagime të Rexhepit; i pari kur u vranë vëllezërit Jusuf dhe Bardhosh Gërrvalla si dhe Kadri Zeka nuk e fshehte dot dhembjen e madhe. Kam pasur përshtypje që do të kishte dëshirë të ishte në vend të tyre. Dhe, i dyti kur një kriminel vetëm shkarazi ka folur keq për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe për dy sekonda Rexha e pati shtrirë për toke dhe mos t’ia nxirrnim nga duart, do ta ngulfaste. Në Burgun Hetues në Mostar kemi qenë në një dhomë afërsisht 15 muaj. Edhe këtu Rexhepi ka vazhduar aktivitetin ndonëse në konspiracion të thellë. Brenda kishim një transistor ilegal për të cilin kishin paguar 1000 marka gjermane dhe i cili pas daljes së Rexhepit dhe times nga burgu u mbeti Skender Kastratit dhe Agim Sylejmanit! Nga ky transistor informoheshim për të gjitha ngjarjet në Shqipëri, Kosovë dhe botë. Ndonëse ka pasur kontrollime të shpeshta, policët nuk arritën asnjëherë ta zbulojnë vendmëshehjen e transistorit, i cili ishte në dhomën ku ishte Rexhepi dhe unë. Në Mostar kishte kushte më të mira se në burgjet tjera por ishim të mbyllur 24 orë në ndërkohë që të burgosurit tjerë punonin gjatë ditës jashtë ndërsa natën e kalonin në burg. Rexhepi lexonte shumë si dhe ushtronte shumë. Faktikisht ishte shembull tipik se në trup të shëndosh ishte mendja edhe më e shëndoshë ndonëse u ishte nënshtruar torturimit sikur në Ferr-in e Dantes. Gjithmonë i buzëqeshur dhe i gatshëm për t’u sakrifikuar për liri dhe çështje kombëtare. Ishte i pakompromis kur flitej për Shqipërinë dhe nuk shihte as njollën më të vogël te ajo. E idealizonte si një nënë e cila është më e mira në botë! E kishte kaluar tërë Shqipërinë në këmbë! Rexhep Mehmet Malaj nuk ka pasur as dyshimin më të vogël për të ardhmën dhe rrugën që do ta kalonte pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificës që duhej bërë. Dhe të cilën e bëri! Më kujtohet si sot mbrëmja e 22 majit 1983 kur ishte shtrirë në krevat (kati i dytë). E shikoja drejt në sy sepse kisha një ndenjë se po e shoh për herë të fundit për çka edhe i thashë. Jo more ma ktheu Rexha, dhe pse thua kështu?! Përgjigja ime ishte e shkurtër: ”po të isha në vend të Jugosllavisë dhe Serbisë dhe po të kisha punë me një kundërshtar sikur ti, nuk do të lëja në jetë”. Isha gjithashtu i sigurt se Rexhepi kurrë nuk do t’u binte i gjallë në duar të policisë serbe apo UDB-së. Rexhepi u mërzit kur doli nga Burgu i Mostarit sepse aty mbetën Skenderi dhe Agimi. Unë u lirova dy ditë pas Rexhepit. Më 25 maj 1983. Rexhepi, posa doli nga Burgu e ka lajmëruar familjen time se jam mirë pa treguar kush është! Për herë të fundit e kam takuar Rexhep Mehmet Malën në nëntor të vitit 1983 kur ai, prapa Tregut të Madh e kaloi rrugën dhe pasi isha me një grup të madh me familjarë dhe miq vetëm më përshëndeti lehtë me kokë duke vazhduar drejt njërës prej bazave ilegale që i kishte në Prishtinë. Kur kanë rënë heroikisht Rexhep Mehmet Malaj dhe Nuhi Berisha në Kodër të Trimave isha në shërbim ushtarak në Ilirska Bistrica në Slloveni dhe lajmin ma kumtoi Hysen Shurdhani, gjithashtu ushtar, ish i burgosur politik dhe pastaj i dënuar para Gjykatës Ushtarake me 12 vjet burg të rëndë për veprimtari armiqësore. Aq isha i dënuar edhe unë në të njëjtin grup me Agën Cenë ku u dënuan nëntë (9) ushtarë shqiptarë në një proces të montuar politik. E di se kur më ka treguar, gjërat që i kam pasur në duar më kanë rënë në tokë dhe jam ligështuar shumë që shumë rrallë më ndodhë! Kam shkuar në një vend ku kam qarë më tepër se një orë! Sepse, humbja e Rexhep Mehmet Malës ishte sikur t’i marrësh trurin dhe zemrën një vigani. Si ta lësh Shqipërinë pa shqiptarë! Kjo ishte humbje e pariparueshme për lëvizjen ilegale dhe lufta e UÇK-së e humbi ndoshta komandantin më të komletuar në aspektin teorik, taktik, strategjik dhe veprues.
Rexhep Mehmet Malaj edhe kur i mbyllte sytë ishte aktiv dhe reagonte rrufeshëm. Njëherë, një gardian në Mostar, edhe ai i quajtur Rexho hyri në dhomën ku flinte Rexhepi për t’i dorëzuar një telegram duke e prekur lehtë në krah. Reagimi i Rexhepit ishte automatik, refleksiv dhe kapela e gardianit fluturoi në njërin nga këndet e dhomës. Prandaj, kur e preknim edhe vetëm pak, rrinim në një largësi të sigurt. Rexhep Mehmet Malaj në aspektin ushatarak e admironte Mic Sokolin dhe sakrificën e tij. Në aspektin politik kishte dy udhëheqës shpirtërorë dhe veprues; Hasan Prishtinën dhe Adem Demaçin. Rexhepin natyra e kishte krijuar dhe nëna e kishte rritur për luftën e UÇK-së. Rexhep Mehmet Malaj i këndonte Çerçiz Topullit të cilit i përngjante jo vetëm nga pamja por edhe nga vendosmëria për t’u sakrifikuar për lirinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Ai nuk shihte rrugë tjetër për liri dhe bashkim kombëtar përveç luftës së armatosur. Për të cilën ishte i gatshëm të sakrifikohej në çdo sekondë, gjatë 24 orëve. Kërkonte shokë të sakrificës por ai gjithmonë dilte i pari kur ishte në rrezik. Ishte mburojë e gjallë e shokëve gjatë çdo aksioni të rrezikshëm. Në Rexhepin lirisht mund ta gjeni Skënderbeun, Idriz Seferin, Mic Sokolin, Hasan Prishtinën, Adem Demaçi, Azem Bejtën, Shaban Polluzhën, Shyt Marecin, Adem Jasharin, Fehmi Lladrofcin dhe shumë heronj të tjerë të kombit shqiptar. Në aspektin patriotik Rexhep Mehmet Malaj nuk ishte njeri i shekullit por njeri i mijëvjeçarit! Edhe nëse keni qenë vetëm një minutë me Rexhep Mehmet Malën duhet ta konsideroni si një kënaqësi , mburrje por edhe detyrim e sidomos përgjegjësi. Por, gjithashtu duhet ta ndjejmë edhe një ndjenjë turpi që porosinë që e la nuk e çuam deri në fund. Ose, që është edhe më keq, e degraduam idenë e Rexhep Mehmet Malës dhe heronjve të tjerë të kombit shqiptarë! Ai e bëri të veten ndërsa ne nuk e bëmë atë që e kishim për detyrë kombëtare, njerëzore dhe shtetërore! Prandaj, lavdia u takon atyre sepse ishin të popullit për të cilin u sakrifikuan e jo të një partie, tarafi, ideologjie siç ka përpjekje të portretizohen padrejtësisht!

Zëri i Kosovës, shkruan për qëndresën heroike dhe rënien e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, natën e 11/12 janarit 1984, në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura