NEZIR MYRTAJ: KUJTIME PËR HEROIN E KOMBIT, AFRIM ZHITIA

Pashtriku.org, 03. 11. 2014 – … Atë ditë fillim-nëntori (1989), për një çast, nuk munda ta përthekoj kuptimin e fjalëve të kantinierit (shitësit), i cili bëri llogarinë për sasinë e kufizuar të gjësendeve të porositura nga unë. Vëmendjen time e kishte pushtuar njoftimi i spikerit të Radio Beogradit, i cili po njoftonte për demonstratë të reja në Prishtinë dhe për rrethimin policor kundër dy ”separatistëve”, të barrikaduar në bodrumin e një ndërtese në Kodrën e Diellit, të cilët sulmit policor i ishin kundërpërgjigjur me zjarr. Spikeri njoftonte se shkëmbimi i zjarrit po vazhdonte. Epilogun e këtij dyluftimi e kuptova tek të nesërmen në mëngjes, kur radioreporteri serb nga Kosova, me eufemizëm cinik kumtoi lajmin se ”separatistët rezistues e paguan me kokë”, por pa dhënë identitetin e kryengritësve. Kujt do t’i shkonte mendja, atë çast, se njëri prej atyre dy kolosëve sfidues, ishte Afrim Zhitia, ish-nxënësi im, edhe i mësimeve të ilegales? Por, po. Ai ishte vrarë, por nuk kishte vdekur, sikurse që as shoku i tij i barrikadës, Fahri Fazliu, as Bedri Sokoli, i rënë një natë më parë dhe as qindra dëshmorë të tjerë…
***
… Në njërën dhomë të mësimit, në ndërtesën e vjetër të shkollës teknike në Prishtinë, në bankën e mesit, andej kah dritaret, ulej një djalosh mustaqedjerësirë, serioz e flokëgështenjë. Ai po përsëriste mësimin mbi valët elektromagnetike, pasi në bisedën e lirë, në fillim të orës mësimore, komentuam tablonë ”Kjo tokë është jona” të ekspozitës figurative të artistëve nga Tirana, e hapur ato ditë në Prishtinë. Ky nxënës i vëmendshëm e inteligjent, sikur jepte të kuptoje se po përgatitej për ballafaqime e për sakrifica të mëdha. Ai ishte Afrimi i një moshe të re, por me një pjekuri të rrallë…

***
… Muzgu i mbrëmjes së Një prillit të vitit 1981, ishte përzier me tymin e bombave me gaz lotësjellës. Në frontin përballë policisë sulmuese, në rrugën ish-”Ramiz Sadiku”, tash “Agim Ramadani”, shquhej një i ri, me një shkop në njërën, e me një gur në dorën tjetër të lidhur me fasho. Ky trim sypatrembur, që po jepte provat e para në artin e kërkimit të lirisë, ishte Afrim Zhitia…
***
… Një letër e muajit gusht të vitit 1982, në burgun e Mitrovicës po më sillte edhe përshëndetjet e ”dajave, Afrim e Esat”, të cilët ato ditë kishin vizituar familjen time në Uçë të Burimit, të leçitur e të anatemuar me dekret të pushtetit. Këta ”dajë” ishin ish-nxënësit e mi shembullorë, Afrim Zhitia dhe Esat Brajshori, të cilët disa kohë më vonë do të dënohen, po për veprimtari të organizuar atdhetare. Lajmin për arrestimin e tyre ma dha nëna Kadë, gjatë vizitës në burg në fillim të majit 1984, duke kërkuar mendimin tim, nëse do të “dënohen shumë, apo jo, ‘ata djel kaç të mirë!”. – Jo, nënë,-i thashë. “Ata janë tepër të rinj, prandaj nuk do të mund të dënohen rëndë. Së shumti disa muaj”. I dhashë shpresë. Pas një kohe ata u dënuan me shumë vite burg. Afrimi, sapo i maturuar, me tetë…
***
… Në mesin e atyre të dënuarve, për të cilët kuptuam se i kishin sjellë në ”karantinën” e kampit në Zabelë të Pozharevcit, në Serbi ishte edhe Afrim Zhitia. Prisja me padurim ta shihja. E përfytyroja të ndryshuar, ndonëse nuk kishte më shumë se tri vjet që s’e kisha parë. Atë mëmgjes vjeshte të vitit 1984, u përqafuam ngrohtësisht, aty pranë pavijonit numër 5. Ai kishte sajuar rastin për ta zbrazur shportën me fletët e drurëve, që po binin ato ditë. Të burgosurit kujdestarë e kërcënuan se do ta denonconin për “veprimin kundërvajtës”…
***
… Një ditë pranvere të vitit 1985, kur shefi i repartit, në të cilin kishte filluar të punonte, ia kishte ndërruar vendin e punës, duke e caktuar në një punë më të rëndë, Afrimi e kishte refuzuar me vendosmëri punën e detyrueshme. Për shkak të kësaj “kundërvajtjeje” drejtoria e burgut e dënoi me 7 ditë qëndrimi në qeli. ”Ç’oreks më qeli qelia!”,- u shpreh Afrimi, ende në rritje, pas daljes nga qelia, ku jetohej me gjysmë kilogrami bukë në ditë…
***
… Në orën 15, të atij maji të vitit 1985 (termin, kur përkujtohej përvjetori i vdekjes së Titos, me emrin e të cilit ushtrohej presion mbi ndërgjegjen e të burgosurve politikë shqiptarë), në dhomën e kampit ku mbahej vizita, anëtarët e familjes së të burgosurit ishin ulur për t’u çmallur me të dashurin e tyre. Pesë minuta më vonë, roja urdhëroi të burgosurin: “Në këmbë, një minutë heshtjeje!”. I burgosuri, pa lëvizur nga vendi i ishte drejtuar gardianit që po përgjonte bisedën, Çedës nga Kosova: ”Të lutem, mos ngacmo ndërgjegjen time! Nuk njoh kurrfarë Titoje”. Kurse, vizitorëve: vazhdojeni bisedën! Ky i burgosur me integritet ndërgjegjeje, ishte Afrim Zhitia. Kjo mosbindje i kushtoi atij 30 ditë qelie dhe tri vjet izolimi, deri në përfundim të vuajtjes së dënimit…
***
… Kishte edhe dhjetë ditë vuajtjeje. Në kështjellën numër 7 të Zabelës, nuk kishim mundësi komunikimi. Për ta krijuar këtë mundësi, bëmë kërkesën për vizitë mjekësore, gjatë së cilës do të mund të shiheshim e të këmbenim disa fjalë. Bisedën e fundit e bëmë tri ditë para daljes së Afrimit nga burgu.
-Afrim, megjithatë, je fitues,- i thashë. I përfundove ashtu siç duhet katër vjet në shërbim të lirisë dhe tash po del edhe më i pjekur e më i kalitur. Suksese të tjera!,- vazhdova.
-Vështirësitë e mëdha janë në burgun ku po shkoj, – ma ktheu ai dhe u hodhëm në përqafim të njëri-tjetrit. I tërbuar nga fakti se në atë ndarje dhamë dhe lamë te tjetri një pjesë të qenies, gardiani përcjellës reagoi me ashpërsi: Ç’jam unë këtu, jam qen? -Ne nuk thamë, -thashë dhe u ndamë me Afrimin e paharrueshëm, aty para derës së dhomës numër 11…
***
… Atë ditë ia shkrova nënës Kadë një letër (për t’ia lexuar ndonjëri prej nipërve a mbesave), në të cilën, ndër të tjera e njoftoja për daljen e Afrimit nga burgu, për të cilin, disa vite më parë e kisha kurajuar se nuk do të dënohej më tepër se disa muaj. I thashë se ai po kthehej në shtëpi për disa vjet më i madh e më i moshuar. -Do ta shohësh e do të habitesh,- i shkrova. Dhe vetëm disa ditë më pas mora përshëndetjet e tjera të “dajës” së dikurshëm, e bashkë me to edhe disa libra me mbishkrimin e Afrimit. Në mesin e tyre edhe librin me poezi të Shandor Petëfit, “Sfidë mbretërve”, si dhe tekstin e fizikës teorike…
***
… Rasti qëlloi që pikërisht tekstin për fizikën teorike isha duke e lexuar, kur atë ditë nëntori të vitit 1989 mora lajmin e kobshëm për rënien e Afrim Zhitisë, emri i të cilit tashmë ishte identifikuar. Koincidencë e hidhur…
***
… Dora iu bind me vështirësi, zemrës për të shkruar ngushëllimin për dëshmorin Afrim Zhitia. Në letrën që ia dërgova ato ditë familjes së Afrimit, përmes vëllait Salihut, të cilën e nxora ilegalisht nga burgu, kisha shkruar se hakun për Afrimin do ta marrë djalëria shqiptare. Fatbardhësisht kjo hakmarrje popullore për Afrimin dhe gjithë dëshmorët e lirisë u kurorëzua nga shqiponjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kaluar një dekadë e plotë…

 (…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura