BESART KRASNIQI: DISKRIMINIMI I SHQIPTARËVE SI SHUMICË NË ASPEKTIN KOMBËTAR…

Prishtinë, 04. 03. 2014 – Shqiptarët me dekada kanë qenë të diskriminuar, diskriminim që për fat të keq po na përcjell edhe sot. Edhe pse jo me intensitet të njëjtë, edhe pesëmbëdhjetë vjet pas lufte, dhe gjashtë pas shpalljes së pavarësisë, sërish shqiptarët janë të diskriminuar edhe pse përbëjnë shumicën absolute të popullsisë. Shqiptarët janë të diskriminuar në dy aspekte – në atë kombëtare dhe fetare.
Shembulli më i mirë për të ilustruar shqiptarët që janë të diskriminuar në aspekt kombëtar është pjesa veriore e Kosovës, ngase qe 15 vjet ata diskriminohen në mënyra të ndryshme dhe madje para syve tanë dhe të botës. Shqiptarët të cilët kanë pasur toka në veri të Mitrovicës qysh në vitin 2001 janë dëbuar nga forcat kriminale të Serbisë.
Shqiptarët e pjesës veriore të rajonit të Mitrovicës jo vetëm që iu pamundësohet zhvillimi i biznesit, apo manifestimi i veprimtarive të ndryshme kombëtare e fetare, por shqiptarët madje nuk guxojnë të shkojnë në shtëpitë dhe banesat e tyre matanë lumit Ibër, çka do të thotë se në atë pjesë të Kosovës pakica sundon mbi shumicën, gjegjësisht serbët diskriminojnë shqiptarët.

 Ndërsa, privilegjet e tepruara ndaj serbëve po vazhdojnë pa u ndalur, gjegjësisht ata po kërkojnë dhe po iu lejohet që edhe më të vazhdojnë të kenë mandate të dyfishta në Kuvendin e Kosovës. E rrjedhimisht kësaj, shqiptarët edhe në këtë aspekt ndjehen të diskriminuar, ngase po iu pamundësohet marrja e vendimeve të rëndësishme për Kosovën mu për shkak të privilegjeve të tepruara të pakicës serbe.
Një diskriminim i ngjashëm ndaj shqiptarëve me shumicë absolute në Kosovë bëhet edhe në aspektin fetar. Nëse një vajzë shqiptare bartë shami, atëherë ajo pa dyshim se do të pamundësohet të vazhdojë procesin e mësimit në shkollë, apo të dëbohet nga puna. Pra edhe në këtë aspekt, vajza shqiptare pamundësohet të integrohet në shoqëri dhe në aktivitete të ndryshme edukative kulturore.
Por diskriminimi i shqiptarëve për fat të keq, nuk po ndodhë vetëm në Kosovë, ngase ai po manifestohet edhe në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni.
Jemi dëshmitarë të asaj se çfarë po ndodhë me shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, që ende mbetet nën okupimin e Serbisë. Vetëm në komunën e Preshevës, ku popullsia shqiptare përbën 90 % të numrit të përgjithshëm të banorëve të kësaj komune, vetëm 20 % prej tyre janë të punësuar. Një diskriminim i ngjashëm, por paksa më i “moderuar”, po bëhet edhe ndaj shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, ngase edhe atje është në disproporcion numri i të punësuarve nëpër institucionet publike në krahasim me numrin e popullsisë shqiptare, të cilët përbëjnë afro 40 për qind. Madje as gjuha shqipe nuk është e barabartë si dhe as simbolet kombëtare nuk lejohen në mënyrë proporcionale.
Edhe në aspektin e trashëgimisë kulturore, shqiptarët në Maqedoni janë të diskriminuar tej mase, siç është rasti me “projektin Shkupi 2014”. Në këtë projekt, lirisht mund të thuhet antishqiptar, nuk iu lejohet që shqiptarët të ndërtojnë dhe të manifestojnë trashëgiminë e tyre të lashtë fetare dhe kombëtare. Edhe sa i përket sigurisë së shqiptarëve në Maqedoni, ata ende vazhdojnë në forma të ndryshme të terrorizohen nga elementë të lidhur me pushtetin sllavo-maqedonas. Vetëm kohëve të fundit, në shumë raste, kanë ndodhur rrahje të nxënësve shqiptarë nga nxënësit apo nga pala maqedonase, duke i sulmuar me gjësende të ndryshme dhe duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Po ashtu, do përmendur edhe helmimin e nxënësve shqiptarë në Gostivar, ndërsa pala maqedonase, gjegjësisht pushteti maqedonas mundohet që këtë helmim ta vlerësojë si një “aktrim” të nxënësve shqiptarë! Po kështu, siç dihet fare mirë, kur pushteti i kryekriminelit Milosheviq në Kosovë pati helmuar më shumë se 7.000 nxënës shqiptar, pati vepruar, duke i quajtur nxënësit shqiptarë si aktorë dhe të dirigjuar nga politika nacionaliste shqiptare! A është kjo një koincidencë apo veprim i rastësishëm i Shkupit zyrtar me atë të Beogradit? Ne themi se qëndron kjo e dyta, sepse maqedonasit janë të njohur se inskenojnë raste të ngjashme me ato të serbëve. Është momenti i fundit që të ndalet diskriminimi i pakicës ndaj shumicës, siç veprohet në disa rajone të Kosovës dhe në Luginën e Preshevës dhe në trojet etnike shqiptare në Maqedoni ndaj popullsisë shqiptare. Nuk jam kundër respektimit të pakicës, por jam kundër diskriminimit të shumicës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura