BESIM CENGU: ‘METAFORAT MEMECE’ TË MOIKOM ZEQOS – NJË DITAR VIZIONESH DHE PËRKUSHTIMI KULTUROR

Tiranë, 14. 02. 2014 – Moikom Zeqo është një nga personalitetet më të mëdha të kulturës sonë kombëtare. Ai ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi, pastaj për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave. Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”. Është autor i rreth 70 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht… Është autor i disa ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe. Muajin e kaluar (në janar) Moikom Zeqo nxori në dritë librin “Metafora memece – album grafikash, SHB ‘APARKEAS ABRAXAS’, Tiranë, 2014”, dhe ky publikim i rrallë na shtyri të zhvillojmë këtë intervistë.

Pashtriku: I nderuar Moikom, ky është libri i parë që ju botoni “pa fjalë, pa fraza” Ç’lidhje ka kjo përmbledhje me vizatime dhe grafika me letërsinë tuaj, vetëkuptohet me “fjalë dhe me fraza”?
M.ZEQO:
Nëse librat e shkruar janë instrumenta linguistikë koleksioni i vizatimeve dhe grafikave është një libër pamor – me një tjetërlloj rrëfimi dhe sintakse, pra një ditar vizionesh, – pra shpesh subjekte onirike jo të shndërruara në rrafsh analfabetik por në “metafora memece” të artikuluara me vija, kroki, improvizime, me dy ngjyra bardhë e zi.

Pashtriku: Kjo është enigma dhe mrekullia e vështirë dhe kapricoze e grafikës.
M.ZEQO:
Grafika është një mjeshtëri dhe art i jashtëzakonshëm. Natyra është me ngjyra, piktura me ngjyra është më afër natyrës, kurse grafika “i përjashton” tërë ngjyrat e tjera, duke realizuar dhe sendizuar kështu më shumë abstraksion, përkorje, madje edhe intelektualitet të epërm, pra fuqitë konceptuale të metaforës janë më të rrëshqitshme, kërkojnë më shumë imagjinatë dhe vizion, më shumë goditje në shenjë, në thelbin e thelbeve të figurave.
Pashtriku: Ç’periudha kohore përfshijnë kronologjitë e grafikave tua?
M.ZEQO:
Vizatimet më të hershme i ruaj që nga viti 1964-1967. Tërë jetën time kam vizatuar. Jam marrë edhe me pikturë me ngjyra, kryesisht me teknikën e pastelit, por edhe të ngjyrave të vajit. Kam hapur pesë ekspozita pikture – e fundit qe në galerinë ZENIT me titull “Kuajtë e Suiftit” në 2012. Botimi në një album i grafikave të mia është më tepër një përzgjedhje biografike – kam futur në një suazë vizatime, portrete, pejsazhe që lidhen me letërsinë shqipe dhe botërore, me ikonografinë si dhe me arkeologjinë, monumentet që kam zbuluar dhe studiuar në vite, personazhet që kam njohur – e përmenda më sipër dhe po e ritheksoj është një ditar i jetës. Janë afro 450 vizatime dhe grafika, kompozime. Natyrisht kam edhe disa qindra të tjera ende të pabotuara.
Pashtriku: Këto ravizime tregojnë një dimension tjetër të krijimtarisë tuaj. A ju plotëson Ju ky dimension grafik, deri më sot shumë pak i njohur?
M.ZEQO:
Sigurisht, pa patur as ambicjen më të vogël për t’u “shpallur” unë mendoj se kultura pikturike, pamore është diçka tejet e rëndësishme, është një lloj sublimimi -, plotësim, do të thotë edhe realizim i vetvetes.
Shumë shkrimtarë në botë e kanë patur këtë dimension.
Po të shikosh pikturat e italianit Dino Buzatit habitesh. Apo të shkrimtarit austriak Bruno Schultz. Bruno përdorte një teknikë të tillë tymoste me qirinj xhamat dhe mbi sipërfaqet e errta zbardhte vijat e vizatimeve.
Në kohën e kompiuterit kjo gjë bëhet shumë lehtë, vetëm më një komandë – unë e kam shfrytëzuar këtë mundësi në albumin tim.
Pashtriku: Ju jeni edhe historian arti, keni botuar shumë tekste dhe studime në këtë fushë. A është edhe kjo gjë një motivim më shkakësor për botimin e albumit?
M.ZEQO:
Patjetër. Historia e artit pamor është është një kulturë gjithëpërfshirëse – reflekton me një simbolizëm të spikatur qytetërimin e zhvilluar (ose jo) të një shoqërie të emancipuar (ose jo). Ky simbolizëm është shpesh i pazëvëndësueshëm.
Në 1514 artisti i madh rilindas, Albert Dyrer, realizoi gravurën e famëshme “Melankolia” që sot është po aq e njohur sa edhe Mona Liza e Da Vinçit, ndoshta intelektualisht edhe më e thellë dhe grishëse. “Melankolia” është kryevepra që të trondit në amëshim.
Ndoshta botimi i albumit tim është një homazh modest kushtuar kësaj gravure të paharrueshme në shekuj.
Pashtriku: Vërtetë ka ndikur kaq shumë kjo gravurë e Dyrerit tek ju?
M.ZEQO:
Po. Ka ndikuar papushim gjatë viteve, ndonëse edhe në mënyrë të padukshme, ashtu si forca gravitocionale që nuk e shohim dot. Kjo gravurë më kujton një tjetër kryevepër të papërsëritshme librin “Lavdërimi i Marrëzisë“ së Erazmit të Roterdamit. Nje libër i librave!
Shpesh më duket se të dyja – gravura e Dyrerit dhe libri i Erazmit janë binjake, ose kipçe të njëra tjetrës.
Të dyja kanë ndikuar në tërë qytetërimin europian dhe ndikojnë edhe sot në modernitetin e shekullit të XXI. Mos të harrojmë se kanë kaluar jo pak, por pesë shekuj.
Pashtriku: Në albumin tuaj ka shumë replika grafike nga figurat e krijimtarisë së Onufrit të madh. Ju keni shkruar dhe botuar tri libra për Onufrin. Pse ky përkushtim?
M.ZEQO:
Edhe Onufri ynë shqiptar i takon shekullit të Dyrerit dhe të Erazmit të Roterdamit. Stilistikisht është ndryshe nga ata. Onufri është mjeshtri i shqetësuar i ikonografisë ku tragjedia e pasioneve të Krishtit përkthehet si tragjedi e ekzistencës njerëzore. Por shumë mirë mund të përfytyrohet një takim, tubim sokratik i Onufrit me Dyrerin dhe Erazmin për të dialoguar për enigmat e njeriut dhe të kozmosit. Edhe Onufri, siç e kam shkruar në studimet e mia, e ka një element gnostik të veçantë, pra e tejkalon dogmatikën vizuale të ikonografisë hieratike.
Onufri është edhe klithma horizontshqyese e një Bizanti (në kuptimin shqiptar të fjalës) të zhdukur. Ndoshta ne jemi gjithashtu edhe trashëgimtarë të barinjëve shqiptarë të pikturuar misteriozisht nga Onufri.
Pashtriku: Ka tepër vizatime dhe grafika nga bota e arkeologjisë. Ju i keni kushtuar jetën arkeologjisë. Çfarë ndjeni kur i rishihni tani mbas kaq vitesh?
M.ZEQO:
Kam një emocion përvëlues, por dhe një shqetësim marramendës, të shumëfishuar. Është edhe një grishje për të botuar në formën e një omnia opus studimet e mia të shumta arkeologjikë në disa vëllime.
Pashtriku: Shoh në albumet portretet e Marin Barletit, të Buzukut, të Migjenit. Poshtë Migjenit ke vizatuar një nudo – çfarë mesazhi ka ky kompozim?
M.ZEQO:
Nudoja që kam vizatuar është një replikë e interpretuar nga unë nga një nudo e Pablo Pikasosë. Qëllimi im është të tregoj se nudoja simbolizon jetën që Migjeni nuk arriti ta jetonte dhe të shijonte.
Te ky vizion është humbja e tij, largimi i meteortë por dhe dinjiteti i amëshimit. Migjeni është nga të paktit që e ka fituar përfundimisht betejen me amëshimin.
Padyshim është shkrimtari më i madh shqiptar.
Pashtriku: Albumi paraqet edhe portretet sui generis të Fernado Pessoas, Thomas Eliotit, Uitmanit, Karl Sandbergut. Janë idhujt tuaj letrarë?
M.ZEQO:
Unë nuk kam idhuj – nuk i pranoj idhuj. Janë shkrimtarë që i kam dashur – të duash do të thotë t’i afrohesh më në thelb natyrores, natyrorja nuk e pranon idhujtarinë. Idhujt janë një koncept teologjik – por unë nuk jam i brendashkruar në asnjë koncept teologjik.
Portretet që kam bërë tregojnë jetën time – pra takimet me të pavdekshmit e vdekur që kanë një jetësim të hatashëm dhe stimulues të jashtëzakonshëm.
Pashtriku: Ka shkrimtarë të tjerë shqiptarë që merren me veprimtari pikturike?
M.ZEQO
: Lasgush Poradeci qe diplomuar për pikturë në Bukuresht – para disa viteve e kam botuar albumin e tij – një koleksion jo shumë i madh, por jo i nivelit dhe të sharmit estetik që arriti në poezi. Dhimitër Shyteriqi – që unë e çmoj, ka studiuar për letërsi dhe filozofi në Francë – po ka lënë një koleksion vizatimesh dhe krokish që janë interesante dhe të shkathta – edhe për këtë koleksion kam shkruar disa herë.
Shkrimtarë të tjerë nuk di – por ndoshta edhe ka.
Harrova të përmend se kam gjetur në dorëshkrimet e Migjenit tri katër vizatime, një vetportret të tij – që gjithashtu i kam botuar. Ato më kujtojnë vizatimet e Franc Kafkës që i botoi mbas vdekjes së Kafkës miku i tij Max Brodi.
Pashtriku: Faleminderit.

(Intervistoi: Besim Cengu, Tiranë – Shkurt 2014)

………………………………………….

Tiranë, 22 gusht 2013:

Me Moikom Zeqon – Gjokë Dabaj, Besim Cengu, Demir Reshiti dhe Sheradin Berisha.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura