Vjenë, 31 janar 2019: Shkrimtari shqiptar Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, këto ditë solli para lexuesve dy tituj të rinj poetikë me lirika të dashurisë. Vëllimi i tij i tetë me radhë titullohet “Fragmente të një zemre të dalldisur…” dhe ai i nënti “Vragë malli”.
Besim Xhelili vjen nga Tetova dhe tash e 20 vjet jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ka të botuar 7 libra me poezi dhe romanin e tij të parë “1803”, botuar në shqip në vitin 2016, kurse në janar të vitit 2018 edhe në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Me këto dy tituj të rinj ai sjell tek lexuesit poezi të vrullshme, lirika pasionale dhe ndjenja të një zemre të lënduar. Heraherës poezinë e tij e përshkojnë edhe çaste gëzimi, mirëpo në përgjithësi tek krijimet e tij vërehet mbizotërimi i dhembjes, mallit, lotit, mërzisë, mungesës, harresës e shembjeve të forta shpirtërore. Vetë titujt e librave tregojnë lëngimet e një zemre të dalldisur, e mbetur në vetmi dhe me vragë të pakalueshme malli.
Recensent i të dy titujve është kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse redaktimet i kanë bërë Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini. Me një vështrim në të dy librat na paraqitet kritkja e mirëfilltë Migena Arllati.
“Pavdekësia e dashurisë, e personifikuar te sytë, shfaqet si sonatë e përkryer. Përkryerja dhe pavdekësia janë etimoni shpirtëror i jetës përgjithësisht, dhe i artit lirik, në veçanti. Poeti gjithnjë gjendet në kërkim të dashurisë. Në një kërkim të përgjithmonshëm. Situatat emocionale të këndimit të kësaj ndjesie, janë të shumta: qetësi dhe trazim, lektisje dhe mall, fshehtësi dhe magji, mister dhe mërzi, gëzim dhe hidhërim, por edhe meditime e reflektime që nuk prajnë”, shprehet recensenti Buzhala.
“Poezitë e para në vëllim jo rastësisht i kushtohen syve, pasi me sa duket poeti njëjtëson mendimin e tij me thënien: “Sytë janë problem i vërtet, ato flasin edhe kur nuk duhet”. Nën efektin e një vështrimi depërtues, një buzëqeshjeje të heshtur dhe të një ndjenje tashmë të ndaluar, ai mundohet të marrë e të japë ë’të mundë nga vetvetja, vetëm e vetëm që të ketë në zotërim një zemër që e don por që për fat të keq e refuzon. Tashmë kjo ndjenjë e ka pushtuar dhe ai prej kohësh përpëlitet në përsiatje pafund, me shpresë se megjithatë diëka do të arrijë të bëjë, nëse jo kthimin e dashurisë, të paktën përjetësimin e ndjenjës së shpirtit të tij të brishtë”, shprehet Migena Arllati
“Të saldohen dy shpirtra që dashurohen është më tepër se hyjnore! Kjo, se raste të tilla globalisht janë pak. Por cila do ishte këtu sakrifica prej të dashurit, që e merr si parësore, pa asfarë hamendje poeti: “Për atë fytyrën tënde, një ditë do të futem në ferr”! Kjo, nuk është mit as legjendë. Janë vargjet mishëruese të poetit për fytyrën e saj! Është më shumë se sakrifikim! Zëri që ngreh, në botën aktuale (rreale), ku dashuria nuk e ka as kuptimin, as vlerën, as sakrificën si dikur…!”, thotë redaktori Hasan Qyqalla.
“Përmasat jetësore të jetës dhe të dashurisë nuk kanë fund, pasi ato janë edhe lajthitja dhe pengu më i madh brenda qenies njerëzore. Prandaj poeti nuk dorëzohet në udhëtimin e tij nëpër udhët e jetës dhe rrugëtimin e dashurisë. Pse ndodh kështu me poetin? Sepse kjo mësymja qëndron në egon e veçantë që ka Besimi për dashurinë. Ai nuk ndërmerr hapa kaq të vështira për vardisje false, as nuk e mundon epshi i rastit, por është diç më tepër… Është një ndërtim egocentrik dhe me një brumosje të thellë, për fenomenin e quajtur dashuri. Kjo duket përmes ndjeshmërisë dhe gjerësisë lirike, të cilat i kultivon me ëndje në vargun e tij lirik për dashurinë, që është edhe strumbullari i zhvillimit të shoqërisë njerëzore”, rëfehet në vështrimin e tij redaktori Ejup Ajdini.
Këto dy tituj munden të porositen direkt tek autori, përmes faqes së tij personale www.besimxhelili.at ose përmes postës elektronike [email protected]. Autori ka në planifikim orarin e promovimeve të këtyre librave, por në vendlindje kjo do të ndodh me gjasë kësaj vere. Në Austri dhe në Europën Perëndimore ka mundësi edhe më herët të bëhet ndonjë promovim, për të cilin autori me kohë do të publikojë njoftimet përkatëse.