BESIM R.CENGU: EH, MORE BISLIM AXHAMI

Tiranë, 10. 01. 2013 – Esse (E shkruar në gjysëmekstazë në katër kohë) – Bislim Axhami, emocionet e të cilit nuk i përjetojmë më, ishte vërtet një Bërns i vogël. I lindur e rritur në varfëri të thellë. I drobitur nga sëmundja e rëndë që ia dhuroi jeta të cilën ai e donte aq shumë. I shkatërruar psikologjikisht nga burokracia e pashpirt e kohës kur jetoi. Ai nuk kaloi më tepër se 30 vjet jetë. Kaq i kishte përcaktuar i Madhi Zot. Si i tillë mund të themi se qe mysafir i trishtuar i kësaj jete, të cilën edhe ne jemi të detyruar ta jetojmë ashtu si të jetë. Kredo e këtij djaloshi poet, pikërisht për këto rrethana të jetës së tij mbeti “shoqëria dhe vullneti”…
Koha e parë
Vetëm në një vëllim janë poezitë e tij. Vëllim me titullin që sintetizon jetën e tij: “I gdhendur në pikëllim” (1998) që u botua rreth një dekadë pasi zemra e tij pushoi…
Në këtë vëllim të vetëm poetik është i derdhur shpirti i tij i mirë.
Por edhe fati tragjik i një jete njerëzore të privuar.
Shpirt i mirë e fat tragjik lindur e kultivuar poshtë malit të Gjalicës mendjemadhe e krenare njëkohësisht, të vrazhdë e jetëdhënëse.

Shpirt i mirë e fat tragjik lindur e kultivuar nën trysninë dhe njëherit autoritetit të saj imponues.
Kush lind e jeton rreth saj nuk mund të jetojë pa të, pa hijen e rëndë të saj, pa romantikën që i dhuron ky mal qiellshpues…
Por…në këtë jetë ka diçka që nuk shpjegohet dot. Diçka që na ve në dilemë…
Shpesh herë jeta nuk tregohet e drejtë me njerëzit.
Paradoksi është se shpesh tragjedia jetësore është e pranishme në shpirtra të butë e poetikë.
Ndoshta kryeneqësi hyjnore e saj.
Ndoshta…
Megjithatë këtu qëndron misteri i jetës së poetit Bislim Axhami…

Koha e dytë

Kurrë nuk do ta harroj shpërthimin emocional të Bislimit kur shkroi poezinë “Nën hijen e një me çerdhe zogjsh”.
Në atë çast i ishte përzier trishtimi me gëzimin e shpëtimit të zogut që ra nga foleja. Fliste me këmbë e duar dhe sytë i shkëlqenin mbushur plot dritë.
Përjetonte në çdo detaj shpirtërisht ngjarjen.
Disa herë rrjesht, ma tregoi se si kishte ndodhur aty poshtë pemës ku rrinte. Se si kishte rënë zogu i vogël që ende nuk i kishin dalë puplat, se si i ishte vërsulë qeni i tij për ta ngrënë, se si i kishte klithur qenit dhe në fund se si kishte shpëtuar ai shpirt i vogël.
E tregonte poetikisht.
Dridhej nga emocioni.
Qante nga gëzimi.
Sytë i merrnin një shkëqim magjik.
Ndërsa mua tek e dëgjoja më fluturonte mendja larg, larg në fushat skoceze. Atje ku Robert Bërnsi dikur kishte vajtuar mbi folenë e një miu, që ia kishte prishur folenë me parmendë.

Koha e tretë

Bislim Axhami, emocionet e të cilit nuk i përjetojmë më, ishte vërtet një Bërns i vogël.
I lindur e rritur në varfëri të thellë.
I drobitur nga sëmundja e rëndë që ia dhuroi jeta të cilën ai e donte aq shumë.
I shkatërruar psikologjikisht nga burokracia e pashpirt e kohës kur jetoi.
Ai nuk kaloi më tepër se 30 vjet jetë.
Kaq i kishte përcaktuar i Madhi Zot.
Si i tillë mund të themi se qe mysafir i trishtuar i kësaj jete, të cilën edhe ne jemi të detyruar ta jetojmë ashtu si të jetë.
Kredo e këtij djaloshi poet, pikërisht për këto rrethana të jetës së tij mbeti “shoqëria dhe vullneti”.
Më kërkoi një herë romanin “Historia e njeriut të vërtetë” të Polevoit. Ia dhashë. E mori me duart që i dridheshin. E shikonte herë librin, herë mua me sytë e gjallë që i shkëlqenin.
Pastaj më hodhi një vështrim depërtues drejt e në sy dhe tha:
“A e di, ti Besim? Edhe unë do të fluturoj një ditë. Si heroi i këtij libri do të fluturoj. Do të kapërcej male e fusha. Do të vij mësues atje larg me ty në fshat. Atje ku shkon ti përditë. Larg, larg… Sa më larg. Do të vrapoj pa pushuar. Do të luaj futboll si dikur… Do të…”.
Dhe fjala iu pre në mes se e mbyti ngashërimi.
Një lëmsh iu mblodh në grykë.
Lotët e nxehtë i rrodhën nga sytë e tij të thellë e ëndërrues. Iu përpoqën në mjekërr.
Iu përpoqën për tu bërë më të mëdhenj.
Për tu dyfishuar.
Për të lënë gjurmë në tokë kur të bien.
Gjurmë…siç lë gjurmë asteroidi kur bie në tokë…
O Zot! Sikur i shoh edhe tani që po shkruaj ata lotë…
Lotë si gurë të çmuar smeraldi që rrokulliseshin poshtë faqeve të tij.
Fjalët e tij dridhëse, që ende edhe sot kumbojnë në gjithë qenien time shprehnin pa dyshim një vullnet të hekurt.
Një fuqi Anteu.
Zbulonin gjithë shpirtin e pasur të tij…
Ndërsa lotët…lotët, shprehnin shumë, telat e ndjeshëm të shpirtit artist, por edhe pamundësinë për të qenë fizikisht njëlloj si të tjerët.

Koha e katërt

Bislimi vdiq.
Tani ai nuk është më në botën e të gjallëve.
Me ne është vetëm kujtimi për të.
Malli për të që na djeg…
Nuk mund ta kemi më pranë këtë shpirt njeriu e poeti për të shkëmbyer fjalë për letërsinë.
As për të diskutuar një poezi të re që e kishte krijuar në natën e pagjumtë (sa të shpeshta i kishte këto netë ai!). Për të folë për një botim të ri, të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Rexhep Qosjes, Xhevahir Spahiut, Ali Podrimes….
Duke e jetuar jetën emocionalisht.
Duke e përjetuar atë në çdo pore të saj.
Duke e vuajtuar atë.
Duke u tretur çdo ditë, erdhi dita e trishtueshme e një Majit të vitit 1989.
U fik si qiriu pak e nga pak.
Ai na la vetëm 90 poezi, e disa skica të shkurtra.
Vjershat ia kanë lënë të vizatuar shpirtin e tij të mirë e poetik në ndërgjegjen tonë.
Ato krijime janë thirrje njerëzore për të dashur më shumë ne njerëzit njëri-tjetrin sa të jemi në këtë jetë.
Motorri krijues i Bislim Axhamit punoi brenda tridhjetë viteve.
Aq sa e kish edhe cakun e qëndrimit në këtë botë të amshuar.
Ai donte tu tregonte njerëzve që e njihnin (por edhe atyre që nuk e njihnin) se ishte i gjallë.
Se zëri i tij ishte i pranishëm, i pranishëm me gjithë dimensionin e tij…
Mendimi i tij dhe fjalët ishin dhe mbetën mes njerëzve që e njohën dhe që nuk e njohën.
Eh, more Bislim Axhami!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura