BESNIK IMERI: HELENËT APO GREKËT, ORIGJINA E EMRIT (II)

Vlorë, 2 tetor 2020:
B. Grekët
Ka mijëra vjet që emri “Grek” është përdorur krahas atij “Helen” dhe për rrjedhojë janë përdorur edhe emërtimet “Greqia” dhe “Hellada”. Këtyre emrave binjakë, njerëz të ndryshëm, politikanë, ushtarakë, gjuhëtarë, historianë u kanë dhënë kuptime të ndryshme; Por ka prej syresh, që u kanë dhënë një kuptim të njëjtë, duke i quajtur edhe sinonime të njëri tjetrit. Si është e vërteta: Janë binjakë dhe të njëjtë në kuptim dhe përmbajtje; apo janë të ndryshëm në kuptim dhe përmbajtje?!!

Më lart u munduam të sqarojmë origjinën dhe kuptimin e emrit Helen, duke menduar se ai është një emër pellazg dhe i emërtuar prej pellazgëve, të cilët me këtë emër thërrisnin të mësuarit, të diturit, të ndriçuarit nga mendja. Ky emër gjithashtu na lidhej, në një mënyrë apo tjetër, me Dodonën dhe Epirin.
Një gjë është e sigurtë që emri ‘Grek” është shumë më i lashtë se emri ‘Helen’; ashtu si emri ‘Pellazg’ kundrejt atij ‘Helen”. Emri ‘Grek’ vjen që nga mugëtira e kohrave; ndërsa emri ‘Helen’ nuk besoj se i kalon të trimijë vjetët. Por paradoksi nuk qëndron as në emërtimin e ndryshëm, as në moshën e tyre të ndryshme. Ai qëndron në faktin që çuditërisht këto dy emërtime, në pamje të parë të ndryshme, madje duken edhe si antagonist me njeri tjetrin; kanë një origjinë të përbashkët: Epirin dhe Dodonën.
Atëhere mos vallë këto dy emërtime janë i njëjti emërtim, por i thirrur me dy emra të ndryshëm?! A mos vallë këto dy emërtime janë të ndryshme, pasi kanë kohë të ndryshme të ngjizjes së tyre?!! Mendoj se kjo e fundit duhet të jetë. Besoj se emri ‘Grek’ duhet të ketë fillesë ngjizje shumë mijëvjeçare, ndoshta edhe një duzinë. Të gjitha gjasat janë, që ky emër të jetë i njëkohshëm me emrin e pellazgëve.
Çfarë thonë autorët antikë dhe këta të kohëve moderne për emërtimin ‘Grek” dhe ‘Greqia”? Fillojmë me Hesiodin: “…Hesiodi në një varg të mirënjohur këndonte se Pandora, bija e Deukalionit, i cili është stërgjyshi i helenëve, kishte lindur Graecusin…”14
Kemi ardhur në një pikë mjaft interesante, ku si Heleni, ashtu edhe Graeci janë bijtë e Deukalionit. Legjendat janë një mrekulli. Pra si Helenët, ashtu edhe Grekët, kanë një origjinë të përbashkët, pavarësisht kohës së tyre: Pellazgun Deukalion. Pra emërtimi ‘Grek’ dhe ai ‘Helen” janë të njëjtë me të njëjtin kuptim, por me shfaqje të ndryshme. Grekët mbetën në Epir, Helenët shkuan në Thesali, kjo pasi përmbytja ka ndodhur në Epir, në rrethinat e Dodonës dhe të lumit Akelou.

Niko Stillo na jep një informatë interesante të gjetur tek Apollodori: “Heleni u dha emrin helenëve, që gjer atëhere quheshin Grekë (Graikoi)… (Apoll.1,VII-3)”.15
Vazhdojmë me Aristotelin, ky pellazg i ndritur nga Stragjira, mëndja më e ndriçuar e antikitetit:
“…Në Meteorologjikun 1,14 ai pohon se përmbytja e Deukalionit ndodhi në afërsitë e Dodonës dhe lumit Akelos (në Çamërinë e sotme), rajon që ai e quan Greqia e Lashtë (Graecia). Përveç kësaj ai çuditërisht pohon se Sellët e Dodonës ishin stërgjyshër të helenëve, ndërkohë që Homeri i trajton (Sellët) si Pellazgë…”16
E jashtëzakonshme, se si përputhen legjendat dhe mbështesin njera tjetrën, në një linjë të rreptë të logjikës së ngjarjeve dhe origjinave. Në thënien e mësipërme Aristoteli vendos Dodonën dhe Epirin si origjinë të helenëve dhe njëkohësisht, ai e quan këtë rajon Graecia, Greqia e Lashtë. Por Greqia e lashtë nuk është gjë tjetër veçse Pellazgjija. Njëkohësisht vendos Sellët si stërgjyshër të helenëve, ndërkohë që Homeri këta Sellë i quan Pellazgë. Pra pellazgët janë stërgjyshërit e Helenëve. Nga kjo rrjedh se Grekët janë pellazgët e lashtë të Epirit, ndërsa Helenët i kanë stërgjyshër dhe për rrjedhojë janë nipërit e tyre.
Aristidh Kola tregon një shprehje të Hesiodit; “Grekët, nëna e helenëve”. Çfarë ka dashur të thotë me këtë Hesiodi? Asgjë më shumë se sa emërtimi ‘Grek’ është një emërtim shumë i lashtë se ai i ‘Helen’, ashtu siç është emërtimi ‘Pellazg’ shumë më i lashtë se emërtimi ‘Helen’. Në vazhdim Aristidh Kola duke ju drejtuar një fragmenti nga Aristoteli kur ai flet rreth Greqisë së Lashtë na tregon: “Është ajo zonë rreth Dodonës dhe Akelout, ku banonin selët dhe të ashtuquajturit atëhere Grekë dhe tani Helenë.”17 Por edhe Aristoteli në këtë pohim, ashtu si dhe Hesiodi, tregon se emërtimi “grek” është shumë më i lashtë se ai “helen”.
Të njëjtën ide trasmeton edhe Louis Beonleu, kur edhe ai duke ju referuar Aristotelit (Meteorologjiku 1,14) thotë:
“… ‘Graikoi’, ‘Grehi’. Këtë emër mbanin banorët e qytetit të Dodonës dhe të viseve fqinjë në Epir, në një epokë tejet të lashtë, përtej pushtimit të Dorianëve dhe ndoshta përtej Luftës së Trojës…”18
Thënia e Aristotelit është shumë e saktë, duke e çuar emërtimin “Grekë” përtej Luftës së Trojës, vetëkuptohet që ky emërtim kaperxen caqet e prehistorisë dhe është shumë i lashtë.
Emërtimin “Grekë” e trajton edhe Niko Stillo, i cili pohon: Në shkrimet e Manethon Sevenitit këta mbretër i gjejmë me emërtimin “Mbretër Barinj”…të cilëve ndryshe u thonë edhe Grekë (Graikoi). Të dhënë që e gjejmë edhe tek Apollodori, ku lexojmë: “Heleni u dha emrin Helenëve (Helenas), që gjer atëhere quheshin grekë (Graikoi)…”19
Një pohim i jashtëzakonshëm i Apollodorit, pra “Grekë” është emri i lashtë i “Helenëve”. Ndërsa ajo që Manetoni i quan mbretër barinj vërteton edhe faktin që në Epir, ku kanë sunduar këta grekë (mbretër barinj) është shumë e zhvilluar blegtoria, gjë që vazhdon sot e kësaj dite.
Ne, vazhdon Beonleu, mendojmë se me fjalën ‘Grehi’ duhet të kuptojmë të lashtët…Është interesante se në rajonin e Dodonës hasen të gjithë emrat me të cilët janë emërtuar grekët…Kush tjetër veç rinisë së fuqishme, e cila ndjehej ngushtë në luginat e vogla dhe të thella të Epirit, ku qëndronin “Të Vjetërit”, do t’i braktisë ata pa i ardhur keq. Këta “Të Vjetrit”, Graeci, Grehi, i lanë të nisen drejt aventurës të parët, të rinjtë, Iaones…”20
Pra pohimi, se në rrethinat e Dodonës gjënden të gjithë emrat, me të cilët jnë emërtur grekët (Helenët), tregon se Dodona dhe Epiri është rrënja dhe burimi i gjithë qytetërimit helenik. Pellazg=Grekë, u shndërua në Helenë. Ashtu siç humbi emërtimi ‘Pellazg’ dhe u përhap emërtimi ‘Helenë’; ashtu humbi edhe emërtimi ‘Grekë’, u harua dhe filloi të përdorej emërtimi ‘Helenë’.
Gjithashtu Beonleu nisur nga fakti se,…Dodona dhe rrethinat e saj kanë qënë qëndra më e lashtë e qytetërimit grek; atëhere edhe kuptimi i vërtetë i fjalës Graikoi, Grehi ka qënë: të vjetrit, të lashtët…21. Në të njëjtën kohë, siç kemi thënë edhe më lart, emri “Grek” është një emër i stërlashtë, parahistorik.
Aristoteli tregon se emri GREK në të njëjtën kohë që filloi të përhapej në vendet e Perëndimit, filloi të zhdukej në tokën mëmë, në Helladë.
Louis Beonleu, në vazhdim të idesë së Aristotelit, është i mendimit se këta grekë të stërlashtë në periudha prehistorike, ashtu siç zbritën në Jug në Thesali, kapërxyen ngushticën e Otrantos dhe u hodhën në brigjet italike, ku morën me vete edhe emrin “Grekë”. Kjo është edhe arësyeja përse popujt italikë dhe romakët “Helenët” i quajtën “Grekë”.
Legjenda rrëfen, se Zeusi nga dashuria me bijën e dytë të Deukalionit, Pandorën, kishte një djalë të quajtur Graeko, i cili ishte i pathyeshëm në luftime…Populli i Dodonës dhe i rrethinave dikur quhej GRAHI, GREHI, GRAHOI; dhe se ky ishte emri, me të cilin Latinët dhe Italiotët kanë emërtuar vazhdimisht Helenët…Nga vjetërsia e madhe e këtij emri (“Grek”) kemi nxjerrë përfundimin se Grekët dhe popujt e Italisë kanë qënë njohur shumë më parë se historia të nisë të përmendë marrëdhëniet në mes tyre…Autorët helenë nuk kanë folur për Romakët më parë se fundi i shekullit të IV p.e.s. Romakët përkundrazi, kanë ndierë ndikimin e paraardhësve të tyre të shquar në histori, qysh me mbretërimin e Tarkuinus Priskus (Mbreti i Romës Lokum Tarkuinus Priskus , ka jetuar në vitet 616-578 p.e.s. Nëna e tij ishte Etruske dhe quhej Tana)…Nëse Romakët do të kishin dëgjuar të flitej për grekët vetëm nga viti 600 p.e.s, ata padyshim do t’u kishin dhënë atyre atë emër (Helenë) me të cilin ata emërtonin veten e tyre në atë kohë; kësisoj do t’i kishin quajtur Helenë (Por dihet tashmë se Romakët i quajtën ata Graeci, ose Greci)…”22
Nga kjo del se popujt italikë pellazgo-ilirë: Ligurët, Umbrët, Sikanët, Sardët, etj, njiheshin qysh më parë me banorët e lashtë të Ballkanit, pra edhe me pellazgo-ilirët si: Paionët, Dardanët, Tesprotët, Argasit, Tesalasit, Jonianët, Arkadianët, Minoianët, Kretenët, etj. Kjo njohje midis tyre daton që nga mijëvjeçari i III p.e.s e këndej, por ndoshta dhe më parë; ndërsa Helenët, të cilët ishin fillimisht një minoritet etno-kulturor ne Greqinë e lashtë, kanë filluar të bëhen të njohur nga shekulli i VII p.e.s e këndej, prandaj kanë dalë shumë vonë në skenën e historisë.
Ndërsa Robert D’Anzhely në lidhje me emërtimet Hellas, Helladë dhe Greqi është i mendimit:
“…Në se emri Hellas, si emër i Greqisë, do të ishte i njohur për të gjithë dhe jo për një pakicë fitimtare dhe drejtuese që dinte greqishten, ashtu si dhe shkrimtarët dhe autorët, është e sigurtë që romakët nuk do ta kishin quajtur GRAECIA, dhe më vonë kur e kthyen në një provicë romake, sigurisht nuk do ta kishin quajtur AKAIA. Për të thënë të vërtetën, Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht HELLAS për gjithë botën vetëm shumë vonë, kur u krijua si mbretëri e pavarur më 1830…”23
Pra, romakët duke e njohur mjaft mirë historinë e helenëve, prejardhjen e tyre, historikisht i kanë identifikuar ata me grekët, dhe si rrjedhojë, me pellazgët. Kjo është e vërteta historike, “lakuriqe” e çveshur nga çdo lloj mistifikimi.
Pas kësaj, kuptohet për çdokënd, se përse sot e kësaj dite bota e qytetëruar perëndimore, i quan helenët-grekë dhe Helladën-Greqi. Sepse ata njohin emrin e parë të saj, atë më të lashtin; Ashtu si vendin tonë, Shqipërinë, e njohin me emrin e lashtë “Albani”, duke njohur në të njëjtën kohë edhe origjinën pellazgjike të këtij emri, që në kohën e lashtë ishte i shpërndarë nga Kaukazi në Ballkan, Itali dhe deri në Skoci. Pra, europianët në memorien e tyre historike ruajnë të skalitur emrat tanë të parë (të grekëve dhe shqiptarëve), pavarësisht faktit, se ne (grekët dhe shqiptarët), qysh në kohë të pellazgëve, kemi pasur një huq, që i ndëronim vazhdimisht emrat tanë dhe të vendeve ku banonim.
Mathieu Aref duke folur për emërtimin ‘Grek’ na thotë:
“…sipas disa autorëve, Sellët, priftërinj dhe interpretues të Zeusit pellazg të Dodonës, kishin fqinj një fis të quajtur “Graikoi, Graikos” (Graeci, Graeki, Grau, Graia, pra “adhurues të kultit të gruas plakë: Greët)…Por Helenët më vonë do ta zëvendësojnë kultin e Gresëve me atë të “Helles”…”24
I parë nga ky këndvështrim del se Grekët barazohen me popujt e tjerë pellazgë të lashtësisë (prehistorisë) dhe kanë qënë një popull i njëjtë me Albanët (bëhet fjalë per ata Kaukazianë dhe ishullore britanikë), Iberët, Ligurët, Sardët, Sikanët, Kalabrët, Umbrët, Etruskët, Skithët, Paionët, Dardanët, Tesprotët, Argasit, Tesalasit, Jonianët, Arkadianët, Qipriotët, Minoianët, Frigjianët, Teukrët, Lelegët, Karianët, Hititët, Peleshtët, Kananitët (Fenikasit) dhe Hiksosit etj.
Të gjithë këta popuj, të cilët i përmenda më lart, deri më sot historia i mban për popuj të ndryshëm; në të vërtetë kanë rrjedhur nga e njëjta racë, dhe kanë folur të njëjtën gjuhë, Pellazgjishte, por me dialekte të ndryshme, të cilat ndonjëherë janë dalluar dhe veçuar aq shumë, sa që janë dukur edhe si gjuhë të ndryshme.
Fakti që grekët e lashtë njëjtësohen dhe identifikohen me popujt e tjerë pellazgjikë ne Mesdhe, trajtohet edhe nga Robert D’Anzhely, i cili pohon:
“…Në fakt emri i tyre si: Graikoi, Graeci ose Grekë është po ai si: Trakë; dhe ne e dimë se trakët, ilirët, ligurët, keltët dhe gjithë popujt e tjerë primitivë të racës së bardhë kanë qënë pellazgë…Po ashtu si grekët, akejtë, eolët, jonianët, dorët, lelegët, kretasit, hititët etj, etj dhe pasardhësit e tyre, kanë qënë po ashtu pellazgë ose grekë…Ne e dimë, nga ana tjetër, që gjithë popujt e lashtë të dalë nga pellazgët flisnin, me pak ndryshime të vogla, të njëjtën gjuhë: pellazgjishten…”25
Pra këta grekë të lashtë të Epirit kanë folur të njëjtën gjuhë që u sipërtregua, por në një dialekt të veçantë. Po të bëjmë një krahasim me kohën e sotme, ato dialekte kanë qënë siç janë sot gjuhët neolatine, Italishtja, Frëngjishtja dhe Spanjishtja; të cilat janë të ndryshme por me një trung të përbashkët-Latinishten.
Gjuha e këtyre grekërve të lashtë ka qënë pellazgjishtja, në një nga dialektet e saj. Dhe pellazgjishtja, nuk është gjë tjetër veçse shqipja e lashtë. Prandaj, jam i mendimit se grekët e lashtë, të cilët kanë banuar rreth Dodonës, kanë folur shqipen e lashtë.
Për ta ilustruar këtë po citojmë disa autorë modernë:
MAN në lidhje me këtë mendon se Gjuha Shqipe rrjedh nga gjuha e Japetit, e cila mund të ketë krijuar gjuhën Sumeriane, Elamite, Aziatike dhe Kaukaziane.
Zhan Klod Faveirial bën një pohim interesant lidhur me gjuhën shqipe: “…Straboni thotë edhe se në kohën e tij, shumë njerëz i thërrisnin Epirit me emrin Pellazgji. Pra nuk është momenti për të dyshuar se shqiptarët janë pellazgë, dhe se gjuha e tyre është ajo e ruajtura më mirë prej të folmeve pellazgjike…”26
Një pohim, i cili duke i quajtur shqiptarët pellazgë, ka mërzitur mjaft prej akademikëve tanë. Por ajo që është më e rëndësishmja është fakti, se ai e quan gjuhën shqipe, si gjuhën që është ruajtur më mirë nga të gjitha të folmet pellazgjike, dhe, me që flet për Epirin, kuptohet, që me këtë nënkupton gjuhën epirote.
Shnajder është i prerë në mendimin…se pellazgët nuk kanë qënë një racë e imigruar por autoktone, më e hershme se periudha kuaternare dhe se gjuha e tyre, e ruajtur pothuajse në mënyrë të paprekur, nuk do të ishte veçse SHQIPJA.27
Pohimi i Shnajderit se gjuha e pellazgëve…është ruajtur pothuajse në mënyrë të paprekur, dhe se ajo nuk është asnjë gjuhë tjetër… veçse SHQIPJA; është një pohim i jashtëzakonshëm. Edhe unë jam i të njëjtit mendim, se gjuha që flasim sot ne shqiptarët, ka ardhur pthuajse pa asnjë ndryshim që nga parahistoria. Më duket naive, që mjaft gjuhëtarë seriozë shqiptarë pohojnë: Se ne nuk kemi trashëguar asgjë nga ilirishtja, apo epirotishtja, madje edhe nga pellazgjishtja, veçse pak fjalë. Ndërkohë që ne kemi trashëguar të tërë gjuhën dhe e flasim; ashtu si e kanë folur të parët tanë këtu e tremijë apo gjashtëmijë vjet më parë. Kësaj i thonë: Ata thonë, ja gjurmët; Unë them, ja ujku.
Por edhe studjuesi anglez Hamond, i cili për hir të vërtetës shfaqet si një helenist pasionant, në veprën e tij Epirus të vitit 1967 është detyruar të pohojë: “…Dëshmitë historike në përgjithësi dhe përshkrimi i tribuve të Epirit të brendshëm si barbarë nga Tukididi, Straboni dhe Stefan Bizanti janë në harmoni me dëshmitë arkeologjike…”28
Pra, Hamond, dashje pa dashje, pranon se banorët e lashtë të Epirit (grekët e lashtë), tributë siç i quan ai, janë barbarë, pra nuk janë helenë, pra nuk kanë folur greqisht. Dhe si për t’i vënë kapak kësaj, ai e konfirmon këtë edhe me dëshmitë arkeologjike.
Pra, kur themi Grekë, është njësoj sikur themi Epirotë, Dardanë, Trakas, Maqedonas ose Ilirë. Po ku kanë banuar këta grekë parahistorikë? Ata mund të kenë banuar rreth atij vendi, i cili deri në kapërcyell të mijëvjeçarit të parë p.e.s quhej Hellopia, dhe më pas do të marr emrin Epir.
Çfarë na rrëfejnë të lashtët dhe të rinjtë për Grekët?
Aristoteli i vendos “Graikot” në rajonet e sipërme të Pindit, në rrethinat e Dodonës dhe të Akelout (lum në Thesproti, Epir) dhe i quan ata Grekët e Lashtë… Pra këtu Aristoteli, i cili ishte edhe vetë pellazg nga Stragjira e Maqedonisë, flet për një shndërim (konvertim) të grekëve në helenë. Por, ai pranon edhe faktin që ky emërtim grekë, dalëngadalë filloi të harohej nga vendasit “në tokën mëmë, në Helladë” (siç e quan ai), pra nga pellazgët, ose helenët e rinj; por, si për inat të tyre, vazhdon ai, ky emër po përhapej në vendet e perëndimit (në Europën e ardhshme).
Pra, romakët duke e njohur mjaft mirë historinë e helenëve, prejardhjen e tyre, historikisht i kanë identifikuar ata me grekët, dhe si rrjedhojë, me pellazgët. Kjo është e vërteta historike, “lakuriqe” e çveshur nga çdo lloj mistifikimi.
Robert D’Anzhely në thellim të mëtejshëm, nxjerr njëkohësisht edhe lidhje të brendshme midis pellazgëve, epirotëve dhe shqiptarëve, dhe thotë, se ata që janë thirrur “Graikoi” nuk kanë qënë të tjerë veç shqiptarëve të Epirit, emër të cilin shqiptarët e kanë mbajtur deri në periudhën e perandorisë Bizantine, ku me këtë emër të përgjithshëm, veç atyre të Epirit, janë thirrur të gjithë shqiptarët e Ballkanit të besimit lindor:
“…Kjo shkrirje e grekëve dhe shqiptarëve në NJË rrjedh nga fakti se emri i Greqisë në histori është më shumë një shprehje më shumë etnografike se gjeografike; ai nuk ndeshet tek asnjë autor kombëtar (Helen) para Aristotelit dhe datohet vetëm nga Romakët… Këta Grekë-Shqiptarë u bënë kështu kumbarët e popullsisë së Greqisë së mirëfilltë në tërësi….
…Popullsitë shqiptare të Perandorisë Bizantine, që ishin të fesë së krishterë Lindore (ortodokse) thërriteshin GRAIKOI, pasi ata shkolloheshin vazhdimisht në gjuhën helene (greqisht), e cila ishte në rolin e gjuhës së dytë; duke i mbetur roli i gjuhës së parë, d.m.th AMTARE, kurdoherë SHQIPE… Abanofonët (Shqipfolësit) e Helladës, që në të njëjtën kohë janë Shqiptarë dhe gjithashtu Helenë; dhe Himariotët ndonëse shpallen ose pretendohet se janë helenë, janë gjithashtu ipso facto SHQIPTARË…”29
Po përse për rreth 2500 vjet dhe sot e kësaj dite, helenët nuk pranojnë kurrë që të quhen grekë dhe vendi i tyre Greqi?! Ata thonë se ne jemi helenë dhe atdheu ynë është Hellada!!! Mos vallë kanë frikë se pas emrave grekë dhe Greqi fshihen emrat: shqiptarë dhe Shqipëri?!!!
Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme”)
________________
Literatura:
1 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,104
2 Homeri, Iliada, Bot.Naim Frashëri-1979,Përkth.Gr.Gjon Shllaku, K.XVI, v.294-296, f, 285
3 Louis Beonley, Greqia përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 31, 209
4 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,104
5Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,104
6 Nikolas Hamond, Epiri dhe Invazioni Dorian,Bot.QSN 2004, Përkth.Angl.Leka Ndoja, f,107
7 Louis Beonley, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 208-209
8 Mathieu Aref,Mikenët=Pellazgët,Bot.Shqip.PLEJAD-2008,Përkth.Frëngj.IlirianAngoni,f,405-406
9 Robert D’Angely, Enigma, Bot.Shqip.TOENA-1998, Përkth.Frëngj.Xhevat Lloshi, f,187
10 Homeri, Iliada, Bot.Naim Frashëri-1979,Përkth.Gr.Gjon Shllaku, K.XXI, v.232-234, f,374
11 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 31-32
12 Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005, f, 288
13 Herodoti, Historitë, Bot.shqip.IDK-2015, Përkth.Gr.Aleko Minga, L.VII, 191, f, 444
14 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008,Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 27
15 Niko Stylos “Etruskishte-Toskërishte”,Bot.Uest Print,Përkth.Greq.Llambro Ruci, f.147.
16 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët,Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f.104
17 Aristidh Kola,Arvanitasit dhe Prejardhja e Grekëve,Bot.”55”-2002,Përkth.Gr.A.Agora, f. 99,97
18 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f. 25-27
19 Niko Stillo, Etruskishte-Toskërishte,Bot.Uest Print-2010,Përkth.Greq.Llambro Ruci, f,147
20 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877, Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 28,357
21 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f,352
22 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.I.Paris 1877,Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 351-352
22 Robert D’Angely, Enigma, Bot.Shqip.TOENA-1998, Përkth.Frëngj.Xhevat Lloshi, f,182
24 Mathiu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.Shqip.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 55
25 Robert D’Angely, Enigma, Bot.Shqip.TOENA-1998, Përkth.Frëngj.Xhevat Lloshi, f, 270
26 Zhan Klod Faveiriali, Historia e Shqipërisë, Bot.Plejad-2004,Përkth.Frengj.Gent Ulqini, f,43
27 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008,Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 208
28 Shaban Demiraj “Epiri, pellazgët,etruskët dhe shqiptarët”, INFBOTOES-2008, f, 68
29 Robert D’Angely, Enigma, Bot.Shqip.TOENA-1998, Përkth.Frëngj.Xhevat Lloshi, f 290-291
– FUND –
________________
BESNIK IMERI: HELENËT APO GREKËT, ORIGJINA E EMRIT (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10576

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura