DR.QAZIM NAMANI: GJURMËT ARKEOLOGJIKE DHE HISTORIKE NË JANJEVË DHE FSHATRAT PËR RRETH (1)

Prishtinë, 12 Maj 2020: Gjurmë të qytetërimit në këto anë datojnë që nga periudhat e hershme parahistorike, për të vazhduar në antikë e sidomos në mesjetë që janë dëshmuar me gjetje të shumta të monedhave, artefakteve dhe mbetjeve të shumta tjera arkeologjike
Arkeologji/Trashëgimi Kulturore
Janjeva shtrihet në anën perëndimore të malësisë së Galabit. Malësia e Galabit zinte një sipërfaqe mjaft të madhe në mbretërinë e Dardanisë. Studiues të shumtë e mbështesin mendimin se pikërisht në këtë trevë jetonte fisi dardan Galabroi. Janjeva si vendbanim rrëzë maleve të pasura me minerale dhe tokës bujqësore të rrafshit të Dardanisë u ngrit pikërisht afër Ulpianës si një nga qytetet e zhvilluara pranë minierave më të pasura të agjendit, arit dhe plumbit. Duke u bazuar në dokumentet mesjetare të shekullit XIV, Janjevën e gjejmë të shënuar me disa emra: Agneva, Gnagniua, Gnagneua, Gigneua, Jogneua, Joneua, Janeua etj. Sipas Skender Rizës, Janjeva njihet si vendbanim për eksploatimin e xeheve që nga periudhat parahistorike. Gjurmë të xehetarisë në Gadishullin tonë hasen që nga koha e lashtë që i filluan ilirët dhe trakët. Ky vendbanim shtrihet rrëzë kodrave vullkanike me lartësi mbidetare 700-1000m. Në mesjetë për herë të parë përmendet në letrën e papës Benediktit IX, në vitin 1303, të cilën ja kishte dërguar Marinit, peshkopit të Tivarit. Janjeva për herë të parë në vitin 1303, përmendet si vendbanim katolik nën Graçanicën. Në vitin 1441 po ashtu si udhëheqës përmendet një katolik me emrin Andrea.

Foto3, Kalaja e Veletinit, foto nga Wikipedia, Foto 4. Kalaja e Veletinit me minierat antike – AMCK
Gjatë shekujve XIII e XIV në Janjevë për eksploatimin e xeheve u bënë të njohur edhe minatorët sakson të cilët erdhën të punojnë në minierat e Janjevës me rrethinë.
Muhamet Tërnava shkruan se zbulimet arkeologjike e kanë dëshmuar se Janjeva ishte vendbanim edhe gjatë antikitetit, por si është quajtur në ato kohë nuk është e ditur.
Muhamet Tërnava duke i analizuar shkrimet e autorëve të ndryshëm që kanë shkruar për Janjevën, e shpreh mendimin e tij se në Janjevë jetonin banorët e besimit katolik, edhe dy shekuj më parë se sa që i kemi të dhënat e para për këtë vendbanim.
Në vitin 1346, në mesin e kishave katolike që ishin nën juridiksionin e Ipeshkvisë së Kotorit përmendet edhe Janjeva. Kisha më e vjetër për të cilën kemi të dhëna është kisha e Shën Kollit, ku në një akt raguzan gjendet edhe nënshkrimi i priftit katolik. Sipas ipeshkvit kotoras Marin Kontarenit, që njofton se në vitin 1435 në Janjevë është caktuar famullitari. Por ky fakt nuk do të thotë se kjo kishë nuk ka ekzistuar edhe më herët në Janjevë.
Janjeva kishte arritur zhvillim të rëndësishëm në antikitet, por si qytezë mesjetare kulmin e zhvillimit e ka arritur gjatë shekujve XV dhe XVI. Janjeva gjatë kësaj periudhe renditej ndër qendrat më të rëndësishme të xehetarisë dhe tregtisë në territorin e Dardanisë. Edhe pse Janjeva nuk arriti përmasat e një qyteti të zhvilluar urban, si vendbanim i pasur me minerale ishte bërë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe eksploatimit të xeheve nga perandoritë e ndryshme.
Sipas regjistrimit të vitit 1569/70, Janjeva ishte një vendbanim me popullsi prej rreth 1.550 frymësh dhe 310 familje. Familje të islamizuara ishin 41, lagjja Arbanas i kishte 82 familje, lagjja Plakanica, 72, Lagjia e pop Nenadit 41 familje, në lagjen e Krogovës së Poshtme jetonin 43 familje, në Lagjen e Shpotit 14 familje, në lagjen Zhabicë jetonin 7 familje.
Skënder Riza shkruan se duke u bazuar në shënimet e arqipeshkvit të Tivarit, Marin Bicit, nga letra dërguar në vitin 1610, papës Palit të V, thuhet se Janjeva shtrihej në mes dy kodrinave, të zgavruara prej aktiviteteve minerare, për nxjerrjen e argjendit. Sipas tij në Janjevë në këtë kohë jetonin 120 shtëpi katolike, shqiptarë, dubrovnikas, ortodoks dhe 180 shqiptare të islamizuara.
Sipas Gjergj Bardhit, Janjeva në vitin 1637 i kishte 680 frymë katolikësh. Në Janjevë ishin 85 shtëpi katolike, 120 shtëpi myslimane dhe 180 shtëpi ortodoksë, që gjithsejtë bënin 385 shtëpi. Krahasuar me vitin 1610 kur Janjeva i kishte pasur 500 shtëpi, vërehet se në vitin 1642, në Janjevë kishte zvogëlim të banorëve dhe numrit të shtëpive. Kjo tregon se ekonomia e këtij vendbanimi kishte filluar të bie.
Në vitin 1667, Janjeva përmendet si kadillëk i kategorisë së IX, në kuadër të sanxhakut të Vushtrrisë.
Sipas Muhamet Tërrnavës, i cili na njofton për procesin e kalimit të popullatës të besimit katolik në besimin ortodoks, ofron të dhëna nga një dokument i vitit 1578, që bazuar në meritat e një prifti thuhet se; “Të gjithë ata që më parë e kishin pranuar besimin ortodoks, prap u kthyen në fenë e moçme.
Gjatë shekullit XVI, në Janjevë janë regjistruar 6 xehetar dhe 8 argjendar. Të gjithë xehetarët ishin të besimit islam, ndërsa argjendarët ishin të krishterë. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe në Janjevë ishin 3 kryefamiljarë mysliman që i kontrollonin dhe i mbikëqyrnin punët në ndonjë pus të minierave, e të cilët në defterë i gjejmë me emrin “Shafar”. Përveç këtyre zejeve në Janjevë kishte edhe familje që ushtronin zeje tjera. Në vitet 1566-1574, në lagjen Arbanas të Janjevës, kishte zejtar që merreshin me argjendari, e njëri ndër ta ishte: Peja Zergjir dhe Tomash Kujunxhi.
Gjatë sundimit të P. Osmane duke qenë vendbanim minerarë në këtë qytezë, nga popullata vendore u zhvillua arsimi duke plotësuar aspiratat e shtresave të larta fisnike, tregtare, zejtare, famullitare, artistike dhe shkencore.
Janjeva përveç që ishte ngritur mbi kodrinat e pasura me minerale, si vendbanim u zhvillua edha pranë rrugëve të rëndësishme tregtare të njohur si: Rruga Nishë-Lezhë dhe rrugët tjera të rëndësishme që i lidhnin këto treva me qytetet më të rëndësishme veriore dhe bregdetare si me Shkodrën, Tivarin, Raguzën, Venedikun në perëndim dhe përmes Shkupit me Selanikun në lindje. Nga ky vendbanim përmes tregtarëve eksportoheshin metalet e përpunuara si plumbi, argjendi, ari dhe produktet tjera nga blegtoria dhe bujqësia si leshi e mëndafshi arrinin në tregjet e shteteve Evropiane dhe në lindje në qytetet më të zhvilluara të P. Osmane. Tregtarë të njohur në atë periudhë nga tregjet e ndryshme sillnin edhe prodhimet më cilësore që prodhoheshin në qytetet evropiane dhe ato te lindjes.
Gjatë gjithë periudhave baza e zhvillimit të Janjevës u përqendruan te nxjerrja e mineraleve që kryesisht përpunoheshin në vend dhe pastaj eksportoheshin në qytetet e zhvilluara evropiane.
Duke e arritur këtë shkallë të zhvillimit ekonomik në Janjevë u vendosën të jetojnë shumë familje fisnike, andaj përveç kërkesave për të eksportuar mallra ishin shtuar edhe kërkesat për të importuar mallra të cilësisë së lartë për të plotësuar nevojat e qytetarëve të Janjevës.
Gjatë mesjetës numri i banorëve ishte rritur dukshëm pasi që në Janjevë erdhën tregtar, zejtar dhe xehetar nga vende të ndryshme të Gadishullit Ilirik, por shpesh edhe nga Venediku, Selaniku dhe Konstantinopoja. Gjatë kësaj periudhe Janjeva ishte një ndër qytetet me llojllojshmërinë më të madhe etnike, kulturore dhe fetare në rajon.
Gjurmët e shumta të eksploatimit të xeheve që edhe sot vërehen në fshatrat mbi Janjevën e sotme i kanë nxitur studiuesit e shumtë të mendojnë për vendndodhjen e qytetit të Damastionit në këtë rajon.
Mbi Janjevë janë fshatrat Bukovica, Shesharka, Hanroci dhe Brusi, kurse në anën jug-lindore kufizohet me fshatin Akllap dhe Vogoqincën, në anën jugore me Gushtericën e Epërme, në anën perëndimore me Shushicen dhe në anën veri-perëndimore me fshatin Shashkoc dhe Kështjellën e Veletinit.

Foto 1. Gradina dhe galeritë e minierave në kodrën Grab, Foto 2. Baralin dhe Bukovica në anën veri-lindore

Në veri të Janjevës ngrihet mali Maja e Mprehtë, me lartësi mbidetare rreth 958m. Kodra, në anë të majtë, nga Maja e mprehtë quhet Borolin (740m). Në anën veriore, afër Janjevës, ngrihet mbi kodrën vullkanike Kështjella e Veletinit me lartësi mbidetare rreth (950 m), ndërsa kodra, në perëndim të Veletinit, quhet Gllama (740m). Kodra, në lindje prej Boroline, quhet Pazhiq. Në këtë kodër janë të ndërtuara shtëpitë dhe kisha e Shën Nikollës. Mbi kodrën e Pazhiqit shtrihej Janjeva e vjetër dhe gërmadhat e një kishe po ashtu, të vjetër. Prej Pazhiqit, majtas kah lindja, është kodra “Guri i Bardhë”, që njihet si lokalitet i rëndësishëm arkeologjik. Nën këtë kodër lëshohen, në anën jugore, kodrinat Koloqevc dhe Grab. Nëpër Janjevë kalon përroi Pranja. Në hyrje të Janjevës, mbi kodrinën në anën e majtë, është “Gradina”, ndërsa në veri të “Gradinës” shtrihet fshati Shashkoc.
Siç shihet Janjeva me rrethinë ka gjurmë të hershme të civilizimit dhe hulumtimeve minerare si vendbanimi më i afërt me qytetin antik të Ulpianës.

Foto 5 dhe 6. Harta topografike e Janjevës dhe kalaja e Veletinit

Gjurmët e para të veprimtarisë xehtare në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë.
Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaft të kërkuar në periudha të hershme historike.
Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurgacës, Bakrit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike.
VIJON …

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura