Vlorë, 1 prill 2021:
1. Ndërtimet pellazgjike në Epir
a) Fortifikimet pellazgjike në Thesproti
Për temën që po trajtojmë, origjinën pellazgjike të fortifikimeve në trojet e banuara nga shqiptarët e sotëm, po e fillojmë me Epirin. Pasi ai, sipas mjaft autorëve, por edhe arkeologëve tanë, ka qënë nismëtari dhe flamurtari i këtyre ndërtimeve, të cilat, si tipologji dhe metodologji, kanë vazhduar rrugën drejt veriut, duke përfshirë fillimisht gjithë Toskërinë e sotme, dhe më pas gjithë Ilirinë e Jugut deri në Rizon, Kotorrin e sotëm. Historianët japin të dhëna për dinastinë epirote qysh nga shekulli i XVI p.e.s, periudhë kjo, kur në atë që do të quhej Greqi, ngriheshin muret dhe kalatë pellazge, nga ata që krijuan ato qytetërime pellazge, që do të quheshin Minoan dhe ai i Mikenës. Pra, nëqoftëse në këtë periudhë në Epir ka pasur mbretër dhe mbretëri, njësoj si Minosi në Kretë dhe Atreu në Mikenë, atëhere ku banonin dhe ku mbroheshin këta mbretër: në kasolle me baltë?!!! Jo, nuk ma merr mendja. Ata banonin në kala dhe fortesa të mbrojtura nga mure të ndërtuar me gurë të mëdhenj, të ashtuquajtur ciklopikë.
Për këto dinasti mbretërore në Epir flet Zhan Klod Faveirial:
“…Plutarku pohon se pas Delugut, Mollosët dhe Thesprotët patën për mbret një farë Faetoni (1525 p.kr.), shumë kohë më vonë (shek XIII para kr.), njëfarë Neoptolemi, pasardhësit e të cilëve do të mbanin emrin e përbashkët të Pirridëve apo Eakidëve, pothuaj ashtu si në Egjypt, ata quhen Faraonë dhe Brenë tek Keltët…” (6)
Kështu në një të dhënë për Epirin, Dumom na thotë: Në Epir ekzistojnë muret ciklopike (Pellazgjike). Në luginën e Paramithisë (Thesproti-Çamëria e sotme) ka rreth 10-12 të tillë. (7) Pra vetëm në Paramithi, pranë orakullit të vdekjes dhe tempullit të Persefonës, ka një dëndësi të mureve ciklopikë.
Zhan Klod Faveirial duke ju referuar Poirson dhe Cayx në librin e tyre “Saktësim i Historisë së Lashtë”, na tregon për një dëndësi të mureve ciklopikë dhe të qytetërimit të pellazgëve në Epir:
“Në disa treva të Greqisë, aq më tepër në Epir, gjënden gjurmë të mbizotërimit dhe të qytetërimit të pellazgëve. Dyzetepesë qytete ofrojnë rrënojat e ndërtimeve pellazgjike…Midis këtyre qyteteve përmenden: Dodona, Efiri, Ambrazia, Elateu, Pandozia, Buketi, Kasopea, etj…”
Pikërisht për qytetet pellazge të Thesprotisë flet edhe Mehdi Frashëri:
“…Raoul-Rochette në librin “Histori e kolonive greke” thotë se “Çamëria qëmoti u okupua prej pellazgëve, të cilët kishin për kryetar Pellazgun dhe Faetonë” dhe që një grup po prej këtyre të ardhur nga Arkadia 1527 p.e.s, krijoi qytetet Pandosie dhe Ephyre (Efyra-Paramithia e sorme)…Në breg të lumit, të cilin mitologjia e vjetër e kish konsakruar si vendi i perëndive të skëterës, ndodhej qyteti Pandosie…dhe Cassiopenë si limer në breg të detit;…Themelet e mureve të Pandosies janë me gurë qikllopikë…” (8)
Por ajo që është më e rëndësishme, është fakti se e gjithë Thesprotia e lashtë ka qënë e mbushur me mure pellazgjikë. Për një fakt të tillë na flet edhe Mit’hat Frashëri në një rrëfim interesant mbi historinë e Shqipërisë, “Istori e vëndit tënë: hazine floriri mbuluar nën gërmadha”, botuar në vëllimin e dytë të “Kalendarit Kombiar” të vitit 1878 me botues Kristo Luarasi:
“Në Shqipëri, e më tepër në anë të jugës, ka një tok gërmadhash qytetesh të mbetura nga kohët e para…Kryeqyteti Molosisë, në kohë të Pirros e më pasdaja, ka qënë Pasaroja, që kujtohet se ka gërmadhat e mëdha nja katër orë në jug-perëndim të Janinës, afër një fshati që i thonë Dhramëzi. Në këto gërmadha gjëndet edhe sot një thjatro fort e madhe dhe e ruajturë shumë bukurë; një fortesë, një sërë mure të tërë të pellazgëve, d.m.th. të bërë me gurë të mëdhenj dhe pa gëlqere në mest. Pasaron e rëzoi Pol Emili…gërmadhat e oraklit të Dodonës duken afër Barkmadhit…Në jug të malit Zalo nga duken gërmadhat e qytetit që i thoshin Kasope; dhe këtë qytet të pellazgëvet e ka rrëzuar Pol Emili…gërmadhat e mëdha të Butrintos (qëmoti Buthrothos), qytet i vjetërë, në gërmadha duken mure të pellazgëve…Afër qytetit Qimarë që është sot janë gërmadhat e Qinmarës së vjetër, qytet i pellazgëve si e tregojnë gurët e mëdhenj dhe pa gëlqere…Afër Kudhësit (në jug-lindje të Vlorës) duken gërmadha të pellazgëve (rrënojat e Olimpes, Amanties dhe Matohasanajt)…” (9)
Trakt muri pellazgjik në Pasaron.
Trakte muresh pellazgjikë në Kasope.
Pikërisht për këta mure pellazge, që pasqyrojnë këto foto, flet më lart Mit’hat Frashëri.
Trakte muresh pellazge në Kasope të Thesprotisë (Çamëri).
b) Fortifikimet pellazgjike në Kaoni.
Paraprakisht duhet të pohojmë se, vendbanimet prehistorike dhe ato antike në territoret e banuara nga paraardhësit e shqiptarëve, të cilat në antikitet përfshiheshin në Ilirinë e Jugut, Dardani, Paioni, Maqedoni dhe Epir, ndodheshin me shumicë në vende të larta të cilat kontrollonin rrugëkalimet në luginat e lumenjve, grykat dhe qafat strategjike, si dhe në brigjet e liqeneve dhe në bregdet, vende në të cilat kalonin edhe rrugët që lidhnin brigjet e deteve Jon dhe Adriatik me të gjithë territorin e Ballkanit. Kjo duket qartë në hartat e zbulimeve arkeologjike të hartuara nga arkeologët tanë këto shtatëdhjetë vjetët e fundit. I ndjekim ato sipas zonave arkeologjike të studjuara prej arkeologëve tanë.
Fillimisht do të flasim për fortifikimet prehistorike që pellazgët kanë ngritur në Kaoni ose në Labërinë e sotme, si dhe tek Prasaibët. Përmendim disa prej tyre si, Foinike, Buthroti, Kalivo, ajo që arkeologët shqiptarë e quajnë Çuka e Ajtojt, Malathrea, dhe duke u ngjitur më lart, vazhdojmë me Sopotin, Lukovën, Himarën, të cilat ndodhen në brigjet e Detit Jon; më tej në prapatokën e Bregut të Detit Jon, ato që shtrihen në rrugëkalimin e rëndësishëm të quajtur “Lumi Vlorës” në luginën e lumit Shushicë që janë: Kanina, Olimpe, Amantia, Velça, Cerja; në drejtimin lindor, Kalaja e Hadërajt, Matohasanajt, Nivicës deri në Grykë të Ylynecit në Kalivaç, etj.
Ndjekim në fotot e mëposhtëme dhe do te shikojmë trakte muresh dhe gurë pellazgjikë të këtyre fortifikimeve prehistorike.
Kalivo, fortifikim i Prasaibëve. Konispol.
Arkeologu i shquar Selim Islami na thotë: “Kemi shprehur mendimin se qyteti në Iliri dhe në Epir lindi mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të peridhës së hekurit, si të tipit Gajtan…muret mbrojtëse të të cilëve janë ndërtuar me blloqe gurësh të palatuar e të parregullta të lidhura në të thatë…Qyteza e Gajtanit është ajo që përfaqëson deri më sot, vendbanimet e fortifikuara më të hershme ilire në Shqipëri. Siç kanë treguar gërmimet në këtë qëndër, këto lloj vendbanimesh lindën aty nga fundi i epokës së bronzit-fillimi i asaj të hekurit…Janë rrethuar me mure të fuqishme që arrijnë deri në 3,50 m gjërësi…Si në Iliri ashtu edhe në Epir, procesi i lindjes së qytetit dhe i jetës qytetare kryhet mbi bazën e vendbanimeve të fortifikuara të tipit Gajtan-Kalivo…Por me ndryshimin se në jug (Epir) ai kryhet pak më herët se në veri (Iliri)…Qyteti i mirëfilltë në Iliri dhe Epir formohet aty nga fundi i shekullit të V…Në Epir qyteti i kësaj kohe përfaqësohet me Buthrotin II, Foiniken e Çukën e Ajtoit; ndërsa në Iliri me Amantien dhe Klosin (Nikaien).” (10)
Çuka e Ajtojt.
Selim Islami duke vendosur Gajtanin dhe Kalivonë në fundi i epokës së bronzit-fillimi i asaj të hekurit, dashje pa dashje, u jep atyre njëfarë çertifikate pellazgjike. Lidhur me Kalivonë arkeologu Neritan Ceka thotë: “Një tjetër fortifikim antik gjëndet përballë Butrintit në bregun juglindor të liqenit, mbi kodrën e Kalivosë. Një mur mjaft primitiv me gjatësi 1300 m mbronte anën e kodrës…Ai ka një gjërësi 2,60 m dhe është ndërtuar me blloqe poligonalë gjysëm të punuar.” (11)
Ndërsa Gjerak Karaiskaj lidhur me Kalivonë na thotë: “Kjo ndodhet në një kodër të lartë, e cila laget nga tri anë nga liqeni i Butrintit…Muri mbrojtës është ndërtuar me blloqe të mëdha gurësh pak të përpunuar, por që puthiten mirë me njeri tjetrin, ashtu si dhe muret më të hershme të Butrintit. Blloqet e gurëve kanë një gjatësi që lëviz nga 0.60-1.80 m dhe lartësi 0.40-1.00 m. Muret ruhen në një lartësi maksimale prej 4 m dhe po kaq është trashësia e tyre…Kalaja e Kalivosë paraqet një shkallë më të lartë zhvillimi nga fortifikimet e tjera prehistorike pararendëse…” (12)
Lidhur me Foiniken At Shtjefën Gjeçovi tek “Hylli i Dritës” shkruan: “…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit. Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme të kohës së pellazgëve…” (13)
Për lashtësinë e Foinikes ka folur edhe E.Zhakes, i cili pohon: “Në vitin 1926 në Foinike janë gjetur dy çekanë ose koka sopatash prej guri-stralli të Kohës së Gurit…Arkeologët, poshtë shtresës romake, gjetën Epigrafe ose Mbishkrime, monedha, qeramikë. Ishte hera e parë që në Shqipëri zbuloheshin dëshmi të një qytetërimi të tillë të lashtë. Akropoli ishte më i madhi në botën antike- shtatë herë më i madh se ai i Athinës…Arkeologët mendojnë se ai kishte tre mure rrethues. Polibi: Thoshte se Foinike ishte qyteti më i pasur, më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Epirit.” (14)
Ky fakt, numri i madh i këtyre fortifikimeve prehistorike dhe antike dhe ‘ngjeshja’ e tyre pranë njera tjetrës, dokumentohet edhe në një këngë popullore të Labërisë, që i kushtohet letrës që ata i dërguan Papa Gregorit të 13-të më 12 korrik 1577: “Dëgjona Papë dhe na: Se jemi vend e kala!” (15)Pra banorët e Labërisë qysh në shekullin e XVI flisnin për atë, që në territorin e Kaonisë antike kishte një numër të madh fortifikimesh dhe kalash, si e quajnë ata: “vend e kala”. Kujtojmë këtu se Labëria, apo Arbëria, siç e quanin vendasit deri në prag të shekullit të XX, kishte rreth pesëdhjetë e tetë fshatra, dhe, çuditërisht përfshinte të gjithë territorin e Kaonisë antike, nga Ura e Dragotit në Tepelenë pjesa në anën e majtë të lumit Vjosë (Aosi antik), në perëndim deti Jon dhe në jug ndahen me lumin Pavël, duke lënë më në jug territorin e Prasaibëve.
Foinike. Gurë ciklopikë 20-30 tonësh.
Fortifikimi prehistorik i akropolit te Buthrotit datohet nga arkeologët e huaj dhe arkeologët tanë, jo më parë se shekulli i VII p.es. Në dallim prej tyre, Neritan Ceka, muret pellazgjike të akropolit të Buthrotit i shtyn në kohë duke i datuar në shekujt XI-X p.e.s në fund të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit. “…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s…” (16) Pra Neritan Ceka i afron në kohë këto mure pellazgjike me sivllezërit e tyre në Mikenë dhe Tirint, duke ju afruar kohës së vërtetë të ndërtimit të tyre.
Përsëri, lidhur me Buthrotin arkeologu Neritan Ceka na thotë: “Më 1805 Butrinti vizitohet nga konsulli francez në Janinë, F.Pukëvil (Pouqeville), i cili ka lënë një përshkrim të mureve pelazgjike në akropol…burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…Gërmimet (në Buthrot, ekspeditë e viteve 1991-1996) u përqëndruan në akropolin e qytetit antik, për të sqaruar fillimet e jetës në këtë qëndër të lashtë të Kaonisë. Shtresa më e hershme i takon periudhës së hershme të hekurit, që i korespondon Protogjeometrikut të Greqisë në shekujt e XI-X p.e.s..” (17)
Por këtë datë të vonë të ndërtimit të mureve dhe portave të Buthrotit, nuk e pranon as legjenda e treguar nga Virgjili. Kjo pasi kur Ene dardanidi braktisi Trojën në shekullin e XII p.e.s (sipas Eratostenit) dhe erdhi ne Buthrot, gjeti aty jo vetëm muret e akropolit te ngritura, por gjeti edhe portën “Skea”, identike me Skean e Trojës. Pra sipas kësaj, rrjedhimisht dhe llogjikisht, në shekullin e XII p.e.s muret rrethuese të Buthrotit duhej të ishin ndërtuar.
Nga studiuesi Aleks Trushaj na vjen një njoftim interesant, ku sipas tij, murin e akropolit të Butrintit, Ugolini (L’Acropoli di Butrinto, f,262) e ka quajtur “pellazgjik” (18) Pra edhe vetë Ugolini pranon se akropoli i Buthrotit, si vendbanim i fortifikuar, është prehistorik (ndërkohë që Foinikes i jep një kohë shumë të vonë, rreth 7-8 shekuj) dhe kur erdhën kolonët helenë ai ekzistonte si qytet i fisit të Prasaibëve, ose Kaonëve më gjërë. Gjërat qartësohen; pra nuk mohohet që gjatë kohës që kolonët ndodheshin në qytetin e Butrintit, kanë ndodhur meremetime ose ngritje muresh të reja, ashtu siç i përshkruan Neritan Ceka. Por, kjo periudhë, kurrësesi nuk është mosha e vetë qytetit apo datëlindja e tij. Kjo e shumta është mosha e rritjes dhe pjekurisë së tij. Ndërtimet në Butrint kanë vazhduar edhe në periudhën romake, madje edhe në mesjetë me venecianët, dhe më pas, me Ali pashë Tepelenën.
-Pra, dy personalitete, Pukëvili dhe Ugolini i kanë quajtur muret e lashta të akropolit të Butrintit, pellazgjike.
Më pas, nga ato që përshkruan Neritan Ceka për trakte dhe pjesë të veçanta muresh, shkallares se teatrit etj, të cilat për nga stilet e ndërtimit i njëjtëson me ndërtimet në Dodonë, Çukën e Aetoit, Foinike etj. Ne, në mënyrë indirekte, duke i menduar dhe quajtur këto të fundit si pellazgjike, detyrimisht, të tilla do të quajmë edhe ato të Buthrotit. Ndjekim se çfarë na thotë Neritan Ceka:
“…Shkallarja (e teatrit të Buthrotit) është vendosur brenda një katrori…të kufizuar nga mure anësore të përforcuara me kontrafortë, duke imituar një model të njohur nga teatri i Dodonës…Të dy stilet njihen edhe në një grup fortifikimesh kaone, si Foinike, Himara, Borshi (Sopoti), Çuka e Ajtoit etj…” (19)
Trakte muri pellazgjik në Buthrotin Antik. Agoraja dhe muri rrethues.
Gjithashtu nga disa përshkrime dhe ilustrime të paraqitura nga Neritan Ceka për trakte muresh të Buthrotit, jemi të mendimit se ato përfaqësojnë mure të tipit pellazgjik. Të tilla janë ato të paraqitura tek hyrja për në Agora, ilustrimi nr.36; si dhe tek faltorja e Asklepit ku autori shprehet: “…lidhjet me burimin e shenjtë të Asklepit, i cili ruan veshjen me gurë të mëdhenj të punuar trashë nga një periudhë më e hershme…Ato ishin kushtime që i përkisnin një tempulli më të lashtë të tipit prostil, prej të cilit, përveç nishes, janë ruajtur edhe themelet e hershme…” (20)
Në vazhdim të idesë se Gjerak Karaiskajt, arkeologu Muzafer Korkuti flet për vendbanime të fortifikuara në Kaoni: Badhër, Karos dhe Kalivo, të cilat i kanë fillesat e tyre në periudhën e bronzit të mesëm, pra rreth viteve 1500 p.e.s. Ndjekim pohimet e tij: “…të tria tipet ose fazat e zhvillimit të vendbanimeve të fortifikuara pre e protohistorike të Shqipërisë jugperëndimore, Badhër – Karos – Kalivo…Vendbanimet e tipit të Badhrës…nga sistemi i përforcimit të tyre me mure guri të papunuar, ngjasojnë me vendbanimet e zbuluara në Malthi të Mesenisë në Greqi…gjithashtu me muret fortifikuese të Molyvopyrgos, të cilat i takojnë Helladikut të Mesëm HM. Kurse vendbanimi i fortifikuar i Kalivosë qëndron, në shumë drejtime, mjaft afër me vendbanimet e fortifikuara të Tesalisë të ngritura në shek.VII- VI p.e.s…enët me vegje gjysëmrrethore karakteristikë për bronzin e vonë, janë të dhëna të mjaftueshme për të datuar qeramikën e Badhrës në periudhën e bronzit të vonë, edhe disa elementë të qeramikës mund të shkojnë edhe në periudhën e bronzit të mesëm…Kultura materiale e zbuluar në Badhër, në tumën e Bajkajt, gjetjet e rastit në Sarandë, Shën Vasi, Navaricë, si dhe vetë evoluimi tipologjik i vendbanimevetë fortifikuara, dëshmojnë për vazhdimësinë e banimeve në Bregun e Jonit të paktën që nga periudha e bronzit të mesëm e deri në fillimet e kulturës qytetare.” (21)
Trakt muri pellazgjik Buthroti antik. Pjesa arkaike mbi teatrin pranë një tempulli të lashtë.
Pra arkeologu Muzafer Korkuti, ashtu si kolegu i tij Karaiskaj, i vendos këto vendbanime të fortifikuara në periudhën e bronzit të mesëm, pra rreth viteve 1500 p.e.s, madje i i njëjtëson, nga tipologjia e ndërtimit, me simotra të tyre në Meseni të Atikës në Greqi. Por e dimë se këto periudha janë bashkëkohore me qytetërimin pellazg Minoian të Kretës dhe atë të Mikenës në Argolidë. Pra jemi në periudhën e qytetërimit pellazgjik, pavarësisht fazës më të ulët të zhvillimit të disa nga vendbanimeve tona të fortifikuara.
Vazhdojmë me përshkrimin e fortifikimeve të tjera prehistorike në Kaoni. Në bregun e detit Jon janë disa fortifikime prehistorike njeri pas tjetrit. Fillojnë me traktet e mureve pellazgjikë të Lukovës dhe vazhdojnë me Badhrën, Lukovën, Sopotin në Borsh, Karosin në Qeparo. Më tej me gurët pellazgjikë në themelet e kalasë së Himarës.
Zhan Klod Faveirial flet për kalanë e Sopotit: “Sopoti-thotë Pukëvili-gjëndet në malet Akrokeraune, përballë Korfuzit (saktësisht ndodhet në fshatin Borsh). Në muret mbrojtës të tij, dallohen qartë gurët ciklopikë që përbëjnë themelin e tyre…” (22)
Në fotot e mëposhtëme do te shikojmë trakte muresh dhe gurë pellazgjikë të këtyre fortifikimeve prehistorike. Së pari, ndjekim një foto, Fig.1 të Sopotit, të sjellë nga pellazgollogu Luftulla Peza.
Duke vazhduar me Kaoninë në thellësi prapa maleve të Bregut të Detit do të përmendim fortifikimet prehistorike të luginës së Shushicës, degë e lumit Aoos: Cerja, Olimpe, Amantia, Matohasanaj etj
Kalaja antike e Lukovës
Trakt muri pellazgjik. Olimpe në Mavrovë të Vlorës.
Amantia, Ploçë,Vlorë.
Burhan Dautaj, zbuluesi i Olimpes, thotë se në të ka blloqe guri me lartësi 1.20 m dhe gjatësi 3 m, dhe se ajo është ndërtuar në periudhën e bronzit. Në këtë kala është gjetur një shpatë që i takon periudhës së fundit të bronzit dhe fillimit të hekurit, shek.XI-X (B.Dautaj,Iliria-1981). Pra, Olimpe, nisur nga fillesat e ndërtimit të saj, në periudhën e bronzit,periudhë ee luzmimit të pellazgëve; ashtu siç tregohet edhe në fotot e mësipërme, por edhe nga këto përmasa të gurëve, mund të themi se, muret e saj janë ndërtuar nga pellazgët vendas.
Trakt muri pellazgjik. Matohasanaj, Sevaster, Vlorë.
Trakt muri pellazgjik. Amantia –Vlorë.
Përsa i përket Amanties po i drejtohemi një prej shtyllave të arkeologjisë shqiptare, eksploruesit të saj, Skënder Anamalit, i cili në Kuvendin e I-rë të Studimeve Ilire, shtator 1972, nëpërmjet fakteve hedh dritë mbi origjinën pellazgjike të këtij fortifikimi kaon. Ai na thotë se, akropoli i Amanties ka blloqe gurësh me përmasa 2.30 m X 1.25 m X 0.88 m dhe 2.60 m X 1.75 m X 0.90 m, dhe se, E.Izamberti i quan traktet e mureve të akropolit prej gurësh të mëdhenj çikoplikë…Ndërsa A. Baldaçi në vitet 1892-1894 në Ploçë (Amantie) pa rrënoja pellazgjike. Gjithashtu, ai na tregon se në majën shkëmbore të akropolit të Amanties janë gjetur mbetje të një tempulli të lashtë (bëhet fjalë për tempullin e Afërditës).
Me fjalë të tjera, Izamberti, Baldaçi dhe Skënder Anamali pohojnë drejtëpërsëdrejti se, akropolin e Amanties e kanë ndërtuar pellazgët. Në të njëjtën kohë, Anamali na tregon se, Ugolini dhe K.Paçi i janë shmangur dhe me vetëdije nuk kanë dashur të flasin për këtë origjinë pellazgjike të Amanties. Ata-thotë Anamali-nuk i përshkruajnë muret rrethuese, të cilat kalojnë përqark majës shkëmbore të Ploçës, dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme. Gjithashtu, as edhe monumentet, të cilat para tyre i kishte njoftuar E.Izamberti. Madje Ugolini shprehet se traktet e mureve të rrethimit të akropolit janë të peridhës greko-romake. Ne shtrojmë pyetjen: Përse nuk kanë dashur ata të flasin për këtë origjinë pellazgjike?
Në përfundim, Anamali bën një lidhje të domosdoshme midis nekropoleve, tumave, dhe fortifikimeve; ku çuditërisht, ato janë parë të ndara. Pse? Sepse tumave, në bazë të gjetjeve, përgjithësisht u jepet si kohë mijëvjeçari i II p.e.s, ndërkohë që fortifikimeve rreth tyre nuk u jepet më shumë se shekulli i V p.e.s. Vetë tumat me infrastrukturën e tyre, për mendimin tim, flasin për një qytetërim. Po ku kanë banuar keta njerëz, që janë varrosur aty në varre prej guri, në kasolle prej druri? Anamali thotë se tumat e Vajzës (fshat ngjitur me Ploçën) që i takojnë fundit të mijëvjeçarit të II dhe fillimit të mijëvjeçarit të I p.e.s., (shek XI p.e.s – IX p.e.s) duhet të kenë shërbyer edhe si nekropol i Amanties, pra edhe Amantia i takon së njëjtës periudhe.
Në këtë kompleks kalash bëjnë pjesë edhe ato që sigurojnë rrugën, që niset nga Aulona dhe Oriku del në luginën e Vjosës dhe Drinos për t’u lidhur me Epirin dhe Maqedoninë. Ato janë kalaja e Kaninës, Olimpe, Amantia, Hadërajt, Matohasanajt dhe Kalivaçit.
– VIJON –
_______________________
Referencat:
6. Zhan Klod Faveirial, “Historia e Shqipërisë”, Bot.Plejad-2004, Përkth.Gent Ulqini, f, 59
7. Louis Beonley, “Greqia përpara Grekëve”, Bot.Plejad-2008, Përkth.Iliriana Angoni, f, 218
8. Mehdi Frashëri, “Histori e lashtë e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”,Bot.I-1928;Bot.II,PHOENIX-2000, f, 107-108
9 . Mit’hat Frashëri, “Istori e vëndit tënë: hazine floriri mbuluar nën gërmadha”, Gazeta “Dita”, dt.19 qershor 2018
10. Selim Islami, Historia e Ilirëve, Bot.Toena-2008, f. 206, 181, 207-208
11. Neritan Ceka, “Buthroti”, Bot.Cetis Tirana-2002, f.12
12, Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f, 27,29
13. Muhamet Bela, Gazeta “Dita”, datë 27 prill 2018.
14. Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 27
15. Shaban Sinani, “Himara: identiteti i bashkësisë dhe etnotipi”, HIMARA NË SHEKUJ, Bot.Akademia e Shkencave e Shqipërisë, TOENA-2004, f. 345
16. Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f, 21
17. Neritan Ceka, “Buthroti”, Bot.Cetis Tirana-2002, f,31,35, 46, 21
18. Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në Prehistori dhe Antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 49
19. Neritan Ceka, “Buthroti”, Bot.Cetis Tirana-2002, f,41,71-72
20. Neritan Ceka, “Buthroti”, Bot.Cetis Tirana-2002, f.46
21. Myzafer Korkuti, “Vendbanimet e fortifikuara paraqytetare në Bregdetin e Jonit”, HIMARA NË SHEKUJ, Bot.Akademia e Shkencave e Shqipërisë, TOENA-2004, f. 32,36,39
22. Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë, Bot.Plejad-2004, Përkth.Frëngj.Gent Ulqini, f,321
____________________________
BESNIK IMERI: NDËRTIMET PELLAZGJIKE, DËSHMITARËT E HESHTUR TË ORIGJINËS TONË TË MOHUAR (I)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=11087