BESNIK Z.IMERI: DARDANIA PELLAZGE (2)

Vlorë, 3 Maj 2020: Meqënëse jemi tek simbolet pellazge që ndodhen në objektet e kultit të krishtera, si ato që ndodhen tek Manastiri i Deçanit (ashtu siç do të tregojmë kur të flasim për simbolet pellazge që ndodhen në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan), po tregojmë se edhe dinastia sërbe ishte me rrënjë shqiptare, pasi ka mjaft autorë që Shën Savën dhe vëllain e tij Stefan Nemanjen i nxjerrin me origjinë nga Dioklea e Malit të Zi. Dihet kush ka qënë Dioklea para ardhjes së sllavëve, ku kemi edhe perandorin e famshëm të Romës, Dioklecianin. Në argumment të kësaj janë disa informata:
Së pari. Vetë zgjedhja e territoreve të stërlashta pellazgo-iliro-shqiptare si Ipeku dhe Deçani për qëndra kishtare si patriarkana dhe objekte kulti si Manastiri i Deçanit. Po të ishte ndryshe, qëndra e patriarkanës sërbe do të ishte në Rashë, në lindje të Bosnjes. Përveç kësaj, ka edhe një arësye më të fortë, pse këto objekte u ngritën në Rrafshin e Dukagjinit. Këtu, që nga lashtësia, me siguri, duhet të ketë pasur objekte kulti, nga ato pellazgjike (tempuj, hierore, faltore) dhe në kohët e reja, mbi to janë ngritur objektet e kultit të krishtera. Prandaj, Nemanjët, detyrimisht, për nga origjina e tyre, do të adhuronin objektet e kultit të të parëve të tyre (pellazgo-shqiptarëve).
Së dyti. Sërbët nomadë, paganë, kur u krishtëruan, shkuan në objektet e kultit të vendasve. Madje, prandaj morën edhe fenë e krishterë, për të mos qenë të përbuzur si fise endacake që adhuronin perënditë e tyre të stepave të Donit. Prandaj edhe tek Manastiri i Deçanit gjënden të pikturuara simbolet pellazge, ku sipas Afërdita Demit, piktori ka qënë vendas dhe me një kulturë të lartë. Madje sipas së njëjtës autore në afreske, në sfond janë shqiptarët me plis në kokë, gjë që tregon se frekuentuesit e këtyre objekteve të kultit, të parët si besimtarë kanë qënë shqiptarët, por edhe si të parët e Nemanjëve, prandaj edhe janë stampuar në afreske.
Së treti. Në një argumentim të mëtejshëm, Shën Sava në Malin Athos ka ngritur një objekt banimi, i cili, sipas autores së lartëpërmendur, nuk është as më pak dhe as më shumë, veçse një kullë e vërtetë shqiptare e Maleve Tona. Madje, vetë i zoti, Shën Sava, e ka quajtur shqip-Pirg, fjalë e cila përdoret vetëm në Malësinë e Madhe dhe Kelmend, pasi edhe përkthyesi i famshëm i Iliadës, Gjon Shllaku, këtë fjalë përdor për kalanë e Trojës, por edhe për kalatë e tjera. Ndërkohë që po kjo fjalë përdoret edhe në Toskëri. Diçitura poshtë kësaj fotoje në muze dhe albume të ndryshme quhet me fjalën shqip Pirg dhe në kllapa është përkthimi në anglisht (pavarësisht se edhe ajo fjalë, është një fjalë pellazge tjetër, sinonim i pirgut, por një fjalë më e re se pirg, që është e stërlashtë).

1.Pirgue (toëer) of St. Sava, Hilandar, Atos (Greqi) 2.Kullë në Kosovë.
Së katërti. Njohja dhe konsakrimi i Primatit të Pejeës dhe kurorëzimi i knjazëve të Sërbisë si mbretër është bërë nga Papa i Romës, Honori i III. Ja se si na e përshkuan këtë saktësisht dhe hollësisht Zhan Klod Faveirial:
“Në vititn 1199 u mbajt në Diokle një sinod apo koncil prej shtatë ipeshkësh…Koncili i Dioklesë mund të jetë mbajtur me kërkesën e kmjazit të Sërbisë, Stefan Nemanjës, më von shën Simeon, në prani të dy legatëve të dërguar nga Roma, Gjonit dhe Simonit…Por projekti i një hierarkie sllave u realizua në vitet 1218-1219, nga Papa Honori i III. Dhe, tre vjet më vonë, në vitin 1222, ipeshkëvi Metodi shkoi të kërkonte në Romë kurorën mbretërore, të cilën Shën Sava, primati i ri i pejës, duhej ta vinte mbi kryet e vëllait të tij, Stefan Nemanjës. Letra e shkruar dorëzuar nga Metodi:
“Hirësisë së tij Atit të shenjtë, Honori i III, papës më të lartë të kishës romane, prej Stefanit,me hirin e zotit, mbret i kurorëzuar i të gjithë Sërbisë, Dioklesë, Trebinjës dhe Zaklominit (Hercegovinë)…edhe ne dëshirojmë të quhemi bij të kishës së shenjtë romane dhe bijtë tuaj…Zoti dhe shenjtëria juaj të na bekojë ne dhe vendin tonë, dhe të na konfirmoni, në se është e mundur me një veprim të njëmendtë, kurorën mbi kokën tonë…”
Toma, kryexhakoni i Splitit shkruan: “Stefani, princi i Sërbisë ose Rashës, që e quajnë Zhupani i madh, duke çuar një dërgatë në selinë apostolike, merr prej papa Honorit një kurorë mbretërore, të cilën e dërgon një legat me dorën e tij në Sërbi. Me të arritur pranë Stefanit, legati i vendos kurorën mbi kokë, dhe e cakton mbret të parë të këtij vendi.”16
Kështu princi ortodoks i sërbisë, apo knjazi, ose Arkizhupani, Stefan Nemanja, u kurorëzua mbret, çeli dinastinë sërbe dhe hyri në rrugën e qytetërimit nëpërmjet derës së Papës së Romës. Po ashtu edhe Primatia e Pejës, ose Patriarkana sërbe u njoh si e tillë po nga papa i Romës. Të njëjtën gjë do të bëjnë më vonë edhe vëllezërit Balsha, princërit e Shqipërisë së Veriut dhe të Malit të Zi, me origjinë të njëjtë më Nemanjët, nga Dioklea, të cilët u konvertuan nga ortodoks në katolikë nëpërmjet papës së Romës.
Vazhdojmë më tej. Prejardhjen pellazge të dardanëve e vërtetojnë edhe adhurimet e perëndive pellazge, për të cilat folëm më parë në pjesën e përgjithshme të origjinës pellazgjike të të gjithë shqiptarëve. Pasi në të kundërt duhet të pranojmë që në Dardani adhuroheshin të ashtuquajturat perëndi ilire, Redoni dhe Medauri.
Dardanët i quajnë Ilirë. Dakort. Por, po i qëndruam fort këtij pohimi, duhet me patjetër të pranojmë, që Ilirët kanë banuar edhe në territoret e Azisë së Vogël. Pasi shkrimtarët e lashtë kështu na thonë. Kujtojmë këtu thjesht Ene Dardanidin, heroin e Luftës së Trojës. Por jo vetëm kaq.
Aristidh Kola në hyrjen e librit të vet “Gjuha e perëndive” hedh nje ide interesante në lidhje me Dardanët. Ai thotë: “…Ndërkohë që një degë pellazgjike, Dardanët, kanë lënë gjurmë të forta të kalimit të tyre që nga Ballkani veri-perëndimor gjer në Indi e në Tibet…”17
Aleksandër Stipçeviç tregon se: “…Dardanët i gjejmë edhe si pjesëmarrës në betejën e famshme në Kadesh në vitin 1286 p.e.s në anën e Hititëve, kundër faraonit egjiptian Ramsesit të II…”18 Por e dimë farë mirë se Hititët ishin pellazgë, prandaj, automatikisht, edhe aleatët e tyre, Dardanët, i bie që edhe ata me siguri janë pellazgë. Se çfarë emri t’u vemë atëhere?!!! Ndërkohë, që në periudhën para Luftës së Trojës, ilirët nuk i përmend asnjë nga autorët antikë.
– Straboni thotë, se Dardania e Azisë së Vogël është krijuar nga Dardanët e Ilirisë. Mund të jetë edhe kështu, por nuk e dimë në se Straboni ka fakte, informata të vjetra që e vërtetojnë këtë gjë , apo thjeshtë ka një hipotezë. Historia antike njeh dhe ka përmendur lëvizje popullatash nga territoret e gadishullit, që sot quhet Ballkan, në gadishullin që sot quhet Azia e Vogël. Rasti i përmendur janë brigët e shndëruar në frigë. Tani a janë brigët dardanët e Ballkanit?!! Nuk besohet, pasi legjendat i nxjerrin dardanët më të hershëm në Azi të Vogël, madje dhe në Atikë , madje edhe në brigjet e Egjeut (Samothrakë), se sa në vendin ku ata janë njohur botërisht në antikitet, ku janë edhe sot.
Nisur nga këto rrethana, mund të mendojmë, se Dardanët që njeh antikiteti duhet të jenë ardhës nga Azia e Vogël. Kjo edhe për faktin se në territorin e Azisë së Vogël, historia njeh shumë luftra dhe fatkeqësi natyrore, të cilat kanë shkaktuar lëvizje popullatash. Lufta e Masagjetëve kundër Kimerëve, shkatërrimi i Perandorisë Hitite. Por njihen edhe luftrat e Frigjianëve me Kimerët e ardhur nëpërmjet Kaukazit të ndjekur nga Skithët. Përmendim këtu edhe shpërnguljen biblike të tirrenasve lidianë. Por edhe vetë shpërnguljen e dardanëve pas Luftës së Trojës me në krye Enean. Këtu nuk përjashtohet edhe lëvizja biblike e fuqishme me gjysëm milion vetë të Antenorit, të cilët pavarësisht se u nisën nga Panonia, të cilën e patën si plasdarmë. Por mund të kenë ardhur nga Dardania aziatike, dhe pas një periudhe kohe vegjetimi në territoret trake, mbase dhe të Dardanisë antike, kanë lëvizur në drejtim të Panonisë , ku kanë qëndruar për shekuj me rradhë, dhe më pas, pasi u shtuan shumë (pasi dihet që territoret pjellore buzë Danubit japin prodhime të bollshme bujqësore dhe blegtorale), patën shpërthim demografik dhe ju drejtuan Europës.
Do të përpiqemi për të dhënë mundësisht një mendim sa më afër asaj që mund të ketë ndodhur. Lëvizjet e mëdha të popullatave në lashtësi kanë ardhur për dy arësye themelore:
E para ndodh në rastin kur një territor i caktuar gjeografik nga pikëpamja klimatike dhe pjellorisë së tokës dhe burimeve të tjera nuk sjellë aq prodhime, sa që të mbajë popullatën, pavarësisht formatimit politik dhe shtetëror, kështu që për varfëri gjeografike të territorrit nxitet lëvizja për në territore të reja.
E dyta ndodh në rastin kur territori gjeografik nga pikëpamja klimatike dhe pjellorisë së tokës është aq i favorshm, sa që shkakton shpërthime demografike. Kjo shkakton shfryrjen demografike nëpërmjet shpërthimeve të mëdha popullatash. Të tilla në histori njihen edhe dyndjet barbare të hunëve dhe sllavëve, të cilët të shumuar tepër në zonat stepike, të asaj që sot quhet Rusia Jugore, midis lumenjve me ujë shumë, dhe që nga parahistoria dhe deri më sot, njihen si hambare gruri të Europës, vërshuan në drejtim të Ballkanit dhe Europës. Kjo lëvizje popullatash ka pasur si udhërrëfyes përvojën që është krijuar nga fiset dhe popujt nomadë.
Këto dy arësye themelore gjejnë realizim nëpërmjet këtyre faktorëve: Së pari, nëpërmjet luftrave dhe pushtimeve; së dyti, si rezultat i fatkeqësive natyrore, thatësirave, përmbytjeve dhe inondatave.
Shëmbull në lashtësi kemi lëvizjen e Danajve (arësye lufte, por mund të ketë qënë edhe natyra, thatësira) nga Egjipti në Argos të Peloponezit. Por kemi edhe hiksosit që shkuan dhe pushtuan Deltën e Nilit të Egjiptit. Kemi edhe brigët për fatkeqësi natyrore, ashtu siç kemi edhe tirrenët për të njëjtën arësye. Tani nuk e dimë në se kjo mund të ketë qënë kjo arësyeja e lëvizjeve të dardanëve nga Europa në Azi dhe vice versa.
Tani mund të shtrojmë pyetjen: Cilët nga territoret gjeografikë ishte më i përshtatshëm për të jetuar dardanët në lashtësi: Ai në bregun e dyfishtë të Dardaneleve dhe tokave aziatike; apo ai i territorët që jetonin dardanët e antikitetit në Ballkan, Fushë Kosova, pjellore, e kulluar si rrafshnaltë, me ujë shumë nga malet që e rrethojnë këtë, me shumë pyje dhe shumë kullota. Drejtimi i lëvizjes, në rradhë të parë, duhet të jetë nga territori më i varfër në atë më të pasur, qoftë edhe me luftë. Por mund të veprojnë edhe arësyet e tjera të përmendura më lart, edhe nga një territor me kushte më të mira në atë me kushte më të këqia natyrore.
Nuk mund të japë një arësye bindëse për lëvizjen e vërtetë, pasi ngandonjëherë edhe ai faktor ose shkak që nuk “ta mbush syrin” për nga pesha specifike, mund të jetë shkaku kryesor i lëvizjes së vërtetë. Por dimë diçka që shkenca ka vërtetuar kryesisht, se qytetërimet kanë lëvizur nga Lindja e Mesme dhe e Afërme në drejtim të Ballkanit, Apenineve, Pirrenejve dhe gjithë Europës. Në këtë kuptim, përfshirë edhe atë të klimës më të favorshme (sipas mendimit tim), kemi një lëvizje nga dardanelet ne Dardaninë antike; Ndërsa e kundërta, mund të jetë më pak e mundshme. Megjithatë asgjë nuk mund të përjashtohet. Madje, nuk mund të përjashtohet edhe ajo që nuk është diskutuar, që dardanët kanë qënë njëkohësisht banues të dy kontinenteve, Europës dhe Azisë. Vazhdojmë me mitologjinë.
-Një legjendë tjetër Dardanin e nxjerr si bir i Lykaonit dhe vëlla i Jasonit dhe Harmonisë. Por, në mënyrë interesante, si bij të Likaon pellazgut, legjendat nxjerrin edhe të ashtuquajturit, ilirë të Italisë, mesapët, japigët, daunët dhe peucetët.
-Diodori i Siçilisë thotë se Dardani është i biri i Zeusit me Elektrën, të bijën e Atlasit dhe vëllai i Harmonisë, nënës së Ilirit. Pasi Kadmi martohet më të motrën e tij, shkon në Samothrakë dhe prej aty në Troadë tek Teukri, ku martohet me të bijën e tij, Batia.19
-Një legjendë thotë se: “Dardani është i biri i Zeusit dhe i plejadës Elektra. Dardani kishte ardhur nga Arkadia te mbreti Teukër. Teukri i dha Dardanit të bijën për grua, ndërsa si prikë të bijës i dha një pjesë të tokave, ku u ngrit qyteti i Dardanisë… Bir i Dardanit ishte Ili, i cili nga ana e vet kishte bir Trojsin. Ili mori pjesë në një garë heronjsh në Frigji, të cilën e fitoi. Si shpërblim për këtë fitore mbreti i Frigjisë i dha pesëdhjetë vajza e pesëdhjetë djem, me të cilët të ngrinte një qytet…Ili e ngriti qytetin në një kodër të Atenës. Ai shtriu krahët drejt qiellit dhe iu lut Zeusit t’i dërgonte një shenjë se e bekonte punën që po fillonte. Të nesërmen, kur doli nga cadra e tij, Ili vuri re një shtatore druri të Athina-Palladës. Shtatorja do të ishte edhe rojtare e qytetit të Ri. Në kohën e Ilit u rrethua me mur vetëm pjesa në kodër e qytetit…Pjesa rrëzë kodrës e qytetit u ngrit në kohën kur mbret i Trojës ishte Laomedontit. Muret e saj i ngritën Poseidoni me Apollonin. Ato ishin të patundura. Vetëm në një vend mund të rrëzohej ky mur, atje ku kishte punuar heroi Eak, që u kishte ardhur në ndihmë dy perëndive….” 20
-Sipas një legjende: “Arku, Mbreti i Arkadëve, babai i Dardanit, pas një përmbytje që shkatëroi fushat e tyre, emigroi në Samotrakë dhe më pas Dardani kalon në Azi të Vogël dhe ndërtoi atje në Dardanele qytetin e Dardanisë”21.
Spiro Konda lidhur me Dardanët e Samothrakës na thotë se sipas Herodotit “Në Samothrakë banonin më parë pellazgët” (Lib.III, Kap.51). Pausania shkruan: “Nga të ikurit Samias një palë erdhën dhe banuan në ishull të Thrakës, i cili nga ky shkak u quajt Samothrakë, në vend të emrit të vjetër Dardania…Në Samothrakë Hera kishte një tempull…”. 22
Jemi futur në kaq të thella, sa që nuk dalim dot nga kjo vorbull, pasi Dardanët na dalin me origjinë nga Arkadia pellazge, Dardani del i biri i Zeusit, kryeperëndisë “greke”; pastaj del se banonin në një ishull të Thrakisë, i cili, për më tepër, në kohrat shumë të lashta, mbante emrin e tyre dhe quhej Dardani dhe banorët e këtij ishulli ishin pellazgët. Pra Dardanët këtu na dalin pellazgë. Në ishullin Samothtrakë, që më parë quhej Dardani, Hera, gruaja e Zeusit kishte një tempull. Pra dardanët adhuronin Herën një perëndi “greke”!!! Më tej akoma, ndërtimin e trojës e kishte bekuar Zeusi dhe kishte si rojtare Athenën. Madje tek “Iliada” del, se brenda në pallat të Priamit, Atena, kishte një faltore.
Më tej akoma, në ndërtimin e mureve të Trojës kishin marrë pjesë dy perëndi “greke”.
-Një legjendë tjetër sipas Herodotit dhe Spiro Kondës thotë se Erikthoni, një hero Dardanas, ishte themelues dhe mbret i Athinës. Erikthoni ishte biri i Dardanit. Rrjedhimisht athinasit e lashtë na dalin se fillimisht paskan qënë dardanë!!! Por një legjendë tjetër Eriktonin e nxjerr të lindur nga një dashuri e dhunshme e Hefestit, perëndisë së zjarrit, vullkaneve dhe përpunimit të metaleve, me Athinanë. Nga kjo dashuri e njëanshme, ku Athinaja e neveritur preu dhe hodhi në tokë një pjesë të flokëve dhe fustanit prej leshi të spërkatur nga Hefesti, dhe nga ato të rëna në tokë, mbiu apo lindi Erikthoni. Prandaj edhe dardanasit e lashtë në Europë dhe Azi, si pasardhës të Hefestit, njihen si përpunues të metaleve, ashtu si Ilirët, por edhe si pellazgët kananitë, pelestë etj. Arkeologu Neritan Ceka, në veprën e vet “Ilirët”, qytetin e lashtë Damastion e vendos në Dardani ku kishte miniera të mëdha të argjendit dhe arit. Madje, sipas tij, qytetet e mëdha të Ilirisë, Dyrrahu dhe Apollonia, argjendin për prerjen e monedhave e merrnin nga Damastioni.
-Një legjendë tjetër tregon se një djalë i Dardanit, Zakinthi ishte zotërues i ishullit të Zankinthit (edhe sot ky ishull në Greqi mban emrin Zaqinthos).
Në lidhje me këtë Prof.Dh.Pilika flet për një mbishkrim në një pllakë bronzi të gjetur në Dodonë në vitet 1875-1877, ku një banor i qytetit Zakinth, themeluar në ishullin homonim prej të birit të Dardanit pellazg, Zakinthit, i blaton Zotit të Dodonës një pllakëz bronzi të përvijuar me një “penis” në mes (!) dhe anash me një kushtim të gdhendur, i cili vlerësohet nga shkenca epigrafike si i shekullit IV p.e.s:
“ O Zeus i plotfuqishëm i Dodonës, po të dërgoj këtë dhuratë nga ana ime, unë Agathoni Ekefylit dhe familja ime proksene e Mollosëve dhe besëlidhësve të tyre gjatë 30 brezash (900 vjet), qysh nga Kasandra Trojane, ne Zakynthas AT pas BIRI…”. 23 (ishulli i Zakinthit sëbashku me Itakën ishin në zotërim të Odhiseut)
Pra ngjarja i bie rreth 900 vjet pas rënies së Trojës, pra rreth shekullit III-të p.e.s (në kohën e Aleksandrit dhe Pirro Burrit) ku ata kishin 30 breza që jetonin në besë të Epirotasve.
-Një legjendë tjetër tregon se një djalë i trojano-dardanit, Helen Priamidi (një nga 50 bijtë e Priamit dhe vëllai i Hektorit dhe Paridit) nga martesa me Andromakën lindi Molosin (malokun), prej të cilit rrodhi dinastia mollose.
Pra, po t’ju hedhim një sy këtyre të dhënave mitologjike del se Dardani është shumë i lashtë;
-Së pari, Dardani ka baba Zeusin dhe gjysh nga nëna, Atlasin mbretin e Atlantidës, të paktën 12.000 vjet p.e.s.
-Së dyti, ka bir Eriktonin, themeluesin e Athinës.
-Së treti, ka vëlla Jasonin, kapon e ekspeditës së Argonautëve, të cilët shkuan në Kolkidë për të marrë bashkën e artë, dhe pastaj duke lundruar nëpërmjet një lumi të lundrueshëm, u nisën nga deti i Zi dhe shkuan në veriun e Europës së sotme, duke dalë në detin Baltik. Një legjendë e stërmoçme.
-Së katërti, ka motër Harmoninë e cila u martua me Kadmin dhe pati djalë Ilirin. Kadmi u solli germat pellazgëve të kontinentit, pra solli diturinë nga Kananët. Edhe kjo një legjendë e stërmoçme. Madje këtu del se Iliri është nip i Dardanit, djalë motre. Pra, sipas kësaj legjende Dardanët janë të stërlashtë, pra shumë më të lashtë se Ilirët. Për rrjedhojë nuk mund t’i quajmë dardanët ilirë, por e kundërta, ilirët mund të rrjedhin nga dardanët dhe jo e kundërta. Por edhe si vëlla i Harmonisë; së pari, po qe vëlla me babë, i bie të jetë djalë i Aresit, perëndisë së luftës, dhe vetkuptohet se sa luftëtarë kreshnikë kanë qënë dardanasit legjendarë, qysh nga parahistoria e deri më sot; së dyti, po qe vëlla me nënë, kuptohet, si bij të Afërditës, çfarë race e bukur janë, si djemtë dhe vajzat kosovare si zana.
-Së pesti, Dardani është themelues i Dardanisë në Azi të Vogël, ndërsa djali i tij Ili (illi, ylli) themelues i Iljonit (illit-jon), ndërsa nipi, Trojsi, themelues i qytetit të Trojës.
Nga të gjitha këto legjenda rezulton se dardanasit janë themeluesit e disa prej qyteteve dhe kryeqyteteve me të mëdha në lashtësi dhe sot në Europë: Athina, Troja, Roma, Parisi, Londra. A mund t’i futësh dardanasit (siç duan akademikët tanë) në një guackë të ngushtë ilire?!!! A i mban dot kjo guackë ata, të cilët menjëherë kanë për ta shpërthyer.
Si përfundim Dardanët legjendarë, zotëruesit e dy kontinenteve, Europës dhe Azisë, e gdhendur kjo në emrin e ngushticës së Dardaneleve që i ndan këto dy kontinente; janë një popull i stërlashtë pellazg, pra absolutisht parailir, dhe si rrjedhojë nuk mund të quhen Ilirë.
Po kaq legjendare është edhe origjina e epirotëve. Ku është mjaft interesante po të shikosh edhe kronologjinë e të parëve të Epirit, legjenda tregon se Aiaku së bashku me Poseidonin dhe Apollonin shkuan dhe ndërtuan muret e Trojës.
Sipas legjendës Aiaku ishte i biri i Zeusit (Shqiponjës) dhe i nimfës Aigina (dhia-kujtojmë dhinë Amaltea që ushqeu Zeusin me qumësht). Nga Ajakidët rridhte Akili dhe Pirrua i Epirit, madje babai i Pirros quhej Aiakid.
Sipas një legjende tjetër fiset e Kaonëve dhe Thesprotëve rrjedhin drejtëpërsëdrejti nga Zeusi, i cili nga bashkimin me Ledën lindi dy binjakë, dioskurët; Polyedukun (Poluksi) dhe Kastorin. Nga Poluksi rrodhën Kaonët, ndërsa nga Kastori rrodhën Thesprotët.
Përfundimi; Dardani (i pari i Dardanasve) dhe Aiaku (i pari i Epirotasve) janë që të dy bij të Zeusit. Të dy janë aq të lashtë sa, i pari ka themeluar Trojën, dhe, i dyti, ka ngritur muret e saj. Pas luftës së Trojës, i biri i Akilit (Neoptolemi, Pirrua) merr në mbrojtje gruan e Hektorit, Andromakën, dhe e bie në Epir, dhe me të lind një djalë Molosin (malokun) paraardhësin e mollosëve dhe të Pirros së Epirit. Pasardhësit e dy fiseve të rëndësishme epirote, Thesprotët dhe Kaonët rrjedhin prej dy bijve të Zeusit, Polyedukun (Poluski-grushtuesi) dhe Kastori (kuajshaluesi dhe ngasësi i qerreve-madje ne Thesproti ekziston edhe toponimi Kestrinë). Pasardhësit e Kasandrës dardane vijnë në Epir, në Zakinth (pronë e Odhiseut) dhe jetojnë në besë të Epirotëve për 30 breza.
Nuk do të guxonim që dardanët dhe epirotët të mos i quanim me origjinë pellazgjike, qoftë edhe vetëm për një fakt mitologjik, atë që Dardani dhe Aiaku (Eaku) janë bij të Zeusit, kryeperëndisë pellazge të Dodonës.
Shikoni në çfarë lidhje të ngushtë janë për mijëra vjet, DARDANIA me EPIRIN, që të dyja krahina dhe popuj pellazgë legjendarë. Ndërkohë, që për ilirët, mirë është që ta themi, nuk kemi të dhëna të mjaftueshme nga të lashtët, nëpërmjet legjendave dhe gojëdhënave, ku të dalin heronj legjendarë, siç ka për Epirin dhe Dardaninë. Pavarësisht, se edhe Ilirët, për mendimin tim, kanë të njëjtën rrënjë si epirotët dhe dardanët, pellazgët, pasi, gjithmonë sipas legjendës; Iliri, Kelti dhe Gali ishin bij të ciklopit Polifem. Madje edhe Paionët, të cilët mbahen për ilirë, kanë heronj legjendarë, të cilët përmenden edhe në Luftën e Trojës, të trajtuar nga ana e jonë, në kapitullin ku folëm për pellazgët.
Nga të gjitha këto që thamë më lart, Dardanët dhe Epirotët nuk mund t’i quajmë thjesht Ilirë. Ata, mund të quhen kështu, vetëm gabimisht, në rastin kur emërtimi Ilir merret si një emër gjenerik i barazvlershëm me pellazgët. Ashtu siç i quan Xhuzepe Katapano, por edhe Han-i.
Prandaj mendoj, se kam të drejtë kur them se:
Dardanët dhe Epirotët rrjedhin drejtëpërdrejtë nga pellazgët dhe në të njëjtën kohë janë në origjinë të shqiptarëve.
Por jo vetëm, edhe vetë helenët, nga ato që u thanë më lart, dalin si pasardhës te pellazgëve dardanas dhe atyre dodonas (epirotë). Gjërat nuk janë aq të thjeshta sa duken. Mund të hidhen përpjetë helenët sot, e të thonë: Ne, origjinën nga dardanët (kosovarët)! U përgjigjemi: Nuk e themi ne, e thonë legjendat e të parëve tuaj këtë gjë. A nuk është Eriktoni, themeluesi i Athinës i biri i Dardanit?!!! A nuk është Jasoni, heroi legjendar i argonautëve, vëllai i Dardanit? Këtë nuk e themi ne. E thonë legjendat tuaja dhe ne nuk e kemi ditur, nga ju e kemi mësuar.
– FUND –

– Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme”, i autorit Besnik Z.Imeri.
__________________
Literatura:
1 Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f, 147
2 Neritan Ceka, “Ilirët”, Bot.ILAR-2001, f, 147-148
3 Homeri, “Iliada”.Bot.Shq.N.Frashëri-1979,Përkth.Gr.Gjon Shllaku ,K.xx, v, 258-264, 368-374, K.XI, v.465-468
4 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 35
5 Louis Beonleu, Greqia Përpara Grekëve, Bot.Plejad-2008, Përkth.Frëngj.Iliriana Angoni, f, 68
6 Mathieu Aref, Mikenët = Pellazgët, Bot.PLEJAD-2008, Përkth.Frëngj. Iliriana Angoni, f,206
7 Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frë.Gent Ulqini, f,83
8 Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frë.Gent Ulqini, f,114
9 Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), vëll.II, f, 1161-1162.Kostandinopojë -1889,Bot.Naim Frashëri, f, 61-64
10 Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.Shqip.Fan-Noli.Tiranë-2018, f,515
11 Fatbardha Demi, “Dëshmitari dardan i Manastirit të Deçanit” (marrë nga internet)
12 Xhuzepe Katapano,”THOT-I fliste Shqip”,Bardi Editore,Roma-1984; Bot.ENCIKLOPEDIKE-2007, Përkth.It. Qemal Velija, f, 114-115
13 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 309, 314-315, 319
14 Fatbardha Demi, “Dëshmitari dardan i Manastirit të Deçanit” (marrë nga internet)
15 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 444
16 Zhan Klod Faveirial,Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frëngj.Gent Ulqini,f,216-218
17 Aristidh Kola,,”Gjuha e perëndive”,Bot.PLEJAD-2003, Përkth.Gr.Spiro Xhai, f, 13
18 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 25
19 Louis Beonleu,“Greqia përpara grekëve”,Bot.PLEJAD-2008,Përkth.Fr.Iliriana Angoni,f,142-143
20 N.A.Kun, “Mitologjia Greke”, Bot.TOENA-2005, Përkth.Shpëtim Çuçka, f, 247-248
21 Aristidh Kola,“Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”,Bot.55-2002,Përk.Gr.Aldior Agora,f,73-74
22 Spiro N.Konda, “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN,Tiranë-2011, f, 283-284
23 Dhimitër Pilika, “Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar”, BOT.ENCIKLOPEDIKE-2005, f, 323.

_____________________

BESNIK Z.IMERI: DARDANIA PELLAZGE (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9992
***
BESNIK Z.IMERI: DARDANIA PELLAZGE (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9993

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura